Të gjitha varzave e grave që ndoqën dashuninë e tyne deri në fundin e botës – ja kushtoj
Kjo ngjarje e vërtetë dhe e pabesushme asht e shkrueme në stilin e pemëve, të cilat në mrendësi të tyne e shënojnë kohën me anë të rrathëve. Prandaj mënyra se si e kallxojmë nji historie asht shpesh ma e randsishme se historia vetë.
Ai ishte në mbrojte të diplomës së arkitekturës, ndërsa ajo sapo kishte nisë studimin e arkitektures kur u njoftën, në pranverën e vitit 1942. Ishte nji dashuni me shikimin e parë, njashtu sic bjen hana e plotë mbi gjiun e Napolit dhe të jep përshtypjen se nuk ka me ikë kurrë ma.
Në muejin që ai mori diplomën e arkitektit, ata vunë kunorë në kishën e “shën Markut” dhe thirrën tanë kushërijte e kojshite në dasëm.
“Regjinela, Regjinela!”, thirrte Napoli unison dhe këndonte kangën e famshme me të njëjtën emën sikur kjo kange të ishte emblema e jetës së saj.
“Tu mi hai voluto bene a me..”
Regjinela që po martohej me nji arkitekt nga Skutari matane detit, 20 vjece krenohej me studentin e dashunisë së saj të parë e të madhe, tash qe ai po bahej burri i jetës së saj.
Kurrë nuk do ta mendonte se pikërisht shkolla e naltë që ai mbaro në qytetin e saj do të kthehej në ndëshkimin ma të madh të jetës së tij dhe të sajën.
“Sikur ta kisha dijtë, nuk të kisha lanë kurrë me e mbarue shkollën e ma mirë të kishe mbete pasticjer, si unë dhe familja ime“, i thotë tash që shkon dhe e takon në burgun mes maleve.
Në Shkodër cifti i ri erdhi në vitin 1943 e po atë vjeshtë që makineria fashiste kapitulloi dhe në vend te saj erdhi ajo naziste. E para kishte ardhë me dëshirën me ndejë, ndërsa e dyta ishte vetëm në kalim. Kur ata të dy kalonin nëpër “Rrugën e madhe” të Shkodrës nga dy anet hapeshin dritaret dhe njerëzit i kqyrnin për bukuri e mrekulloheshin.
Regjinelës i dukej se ishte ne teatrin e operas te Napolit dhe dritaret ishin lozhet nga drejtoheshin qindra sy.
Tash që ajo shkon me strajcat në “Burgun e montagne”, sic e quan dygjuhësh, ndeshë prep me qindra sy që e shohin matanë hekurave të kampit dhe nga dritaret takon vështrime të tjera, ku jeta ka mbetë e varun si qira të fikun.
Qytetit, ky cift i lumtun i dashunisë që kishte lanë Italinë me ardhë në atdheun e arkitektit, ja largonte sadopak trishtimin e luftes se dyte botnore, dhe pasigurine qe do te sillte fundi i saj. Marku, arkitekti i talentuem e shembi shpinë e prindve në G´juhadol dhe për 7 muej ndërtoi nji të re, para syve të dashunisë së tij. Elementet napolitane të ndërthurun me ato shkodrane i jepnin pamje te gezueshme strehës së dashunisë rinore.
Kur shpija dykatëshe mbaroi në vjetin 1944 lindi edhe djali i parë, Jozefi, që u quejt kështu në kujtim të babës së Regjinelës. Në katedralen “Kisha e madhe” e pagëzuen nji të djelë shtatorit kur liqeni i Shkodrës asht ende i vokët dhe të duket sikur nji qytet i tanë po pagëzohet në ujë te bekuem.
DItën kur u mbyll katedralja dhe skulpturat e Idromenos, këtij da Vinci të qytetit u tërhoqën zvarrë me karroca, Regjinela me fëmijet e saj pau mermerin e pagëzimit të përgjakej nga njerëz të pafajshem dhe e kuptuoi se kishte ardhe nji kohe e pashpirt dhe nji dimension i tmerrshmëm njeror.
Megjithatë, dashunia e saj nuk pat frikë e ajo vizatoi nji rreth ma të madh mbi rrethin e ngushtë të jetës, sic e kishte mësue gjithnji dashunia.
Ditën që komunistat morën pushtetin, thirrën të gjithë ata që kishin mbarue shkollat ne perëndim. Marku shkoi tanë shpresë me afrue dijet e tija në ndërtimin e nji të ardhme të re dhe demokratike, sic thuhej. Në vend të kësaj ata që u paraqiten aty me diploma të rregullta, u shpallën te gjithë armiq, u mbyllën në makina me partizanë të armatosun deri në dhambë dhe u dërguen ne nji burg te panjoftun, ne mocalet e jugut.
“Komunistat që kishin marrë pushtetin, si Hoxha dhe Shehu, kishin qenë studente ne perëndim porse nuk kishin mujtë me mbarue asnji shkollë dhe kështu urrenin për vdekje këdo qe kishte mbarue shkollën atje”, flitej nëpër qytet e kjo e skjaronte pak a shumë habinë e Regjinelës.
Për herë te parë mbas nji vjeti Regjinela e takoi te shoqin ne kampin e punës si i burgosun. Marku ju lut me lotë ndër sy që ajo te merrte djalin dhe te ikte përgjithmone ne Napoli.
“Ne Itali ka ardhë demokracia, ndërsa ne Shqipni po instalohet diktatura, nji diktature shumë ma gjakatare se fashizmi”, i tha Marku qe ishte dënue se kishte mbarue shkollën ne Napoli për arkitekturë.
Ajo vetëm i qeshte dhe ai ne brengën e tij nuk arrinte me pa se deriku shtrihej dashunia e Regjinelës nga Napoli dhe sa e fortë ishte kjo dashuni.
“Dashunia e jonë deri këtu e ka pasë te shkrueme e nuk ban me e sfidue jeten ma shumë“, ju lutë Marku, arkitekti qe tash projektonte kanale kulluese si i burgosun e per dashuninë nuk kishte mbetë fort vend ne jetën e tij.
Regjinela nuk iku aspak, madje ajo ndejti aty nji jave te tanë dhe arriti me marre nji leje speciale. Si frut i kesaj jave erdhi ne dritë Mario, djali i dytë, dhe mori kët emën ne kujtim te nanës se saj ne Napoli. Dashunia e Regjinelës kishte ba nji zgjidhje krejt tjetër e te vecantë, para se cilës nuk e kishte ndalue as vendimi i gjykatës se Tiranës qe dënonte me 10 vjet heqje lirie arkitektin Mark Kelmendi për “agjitacion e propagandë“.
Katin e parë te shpisë Regjinela e ktheu ne nji “Pasticeria“. Cohej nadje herët dhe pjekte fugacet e para dhe e mbushte lagjen me aromen e Napolit të largët. Per cdo rast qe kishin, njerzit porositshin dhe ajo thirrte tanë talentin e pasticerisë napolitane.
“Dashunia kur don me mbijetue ja hapë gjithmonë rrugën vedit“, thoshte.
Fëmija i tretë ishte vajzë, Franceska, ne kujtim te shën Francesco di Asissi, ndërsa djali i katërt u quejt Gjenarin ne kujtim te shën Genaros se mrekullive napolitane. Te dy erdhën njeni mbas tjetrit, fale lejeve speciale qe ajo kishte marrë nga komandatet e korruptuem me napolona arit.
Ne vitin 1956 kur Marku i plotësoi 10 vitet e burgut dhe ato kishin 4 fëmijë, ne vend qe familja te bashkohej, Markut i dhanë edhe 10 vjet te tjera, “për mosrespektim te rregullave te burgut“, megjithse ai ishte i dashtun dhe i respektuem me te gjithë.
Sfidën e jetës nen diktaturë Regjinela e priti me stoicizmin napolitan. I qeshi sy për sy kohës dhe vazhdoi me i vizatue asaj nji rrath te madh dashunijet mbi rrathin e ngushtë te urrejtjes.
Ne 6 vitet qe rrjedhën, dashunia ju fali atyne edhe tre femijë te tjerë. Antoni, Luigji dhe Paola panë dritën e jetës. Tash ajo delte ne “Rrugën e madhe” te Shkodrës me 7 fëmijët e saj qe i ushqente me amelcinat napolitane sikur te donte ta mbante gjalle qytetin ne idhnimin e tij ma te madh.
Fëmija rriteshin dhe nuk mund ta kuptonin se si baba i tyne ishte ne burg vetëm se kishte mbarue shkollën ne perëndim, në Napoli- Itali per arkitekturë, nji qytet nga vinte e ema dhe ata as që e dijshin se si ishte. Ironia e diktatures thellohej kur atyne nuk ju delte shkolla e naltë, pikërisht sepse i jati kishte pasë guximin me e mbarue atë ne nji vend kapitalist si Italia.
Regjinela sa vinte dhe mbyllej ne vedi si nji shkurre drandofilet qe me kohën i rrudhet lëkura e lulet megjithatë i jep prep njilloj të mrekullueshme. Ajo kishte nise te dridhej sa here qe vinte ai gjashte mujori ku kishte takim special me dashunine e saj. Tashma e jetonte, njashtu sic e jeton trupi i nji te semuri ilaqin qetesues, ishte plotesisht e varun prej dashunise se tij, qe ndodhej ne burg, per fajin e vetem se kishte mbarue shkollen ne qytetin e saj.
Regjinela kishte vendose me e sfidue nji diktature te tane me pasionin e saj si nane, prandaj lutjeve qe i bante shtetit dhe partise per falje dhe kthim te burrit ne shpi, si nane 7 femijesh u shtonte gjithmone nji ndjesi qytetnimi dhe aspak meshiret.
Para se me mbarue 20 vitet e burgut Marku vdic ne rrethana te pakjarta dhe jo vetem qe nuk ju dha nji shpjegim familjes, porse as trupi nuk u kthye, simbas ligjit se nji i dënuem edhe i vdekun i përket burgut.
Regjinela sapo i kishte kapërcye te 40 e vendosi me hjedh velin e zi, te cilin nuk e hoqi deri ne fund te jetës se saj. Dashuninë e zemres e mbushte përditë me femijët e saj qe ju ngjanin aq shumë Markut, babës qe kishin pa vetëm disa caste kalimtare ne jetën e tyne.
Trupi i saj i hollë dhe elegant si nji sirenë napolitane erdhi dhe u frye nga amelcinat tue ëlerg edhe lakmitë mashkullore te qytetit.
Kur e pyetshin për Napolin thoshte se Napoli asht nji pikë loti në synin e saj dhe nuk ka me ra kurrë prej aty.
Fëmijët i rriti dygjuhësh, ku italishtja e Dantes dhe shqipja e Fishtës i mbushnin dhomat me jetë te gjallë e ajër te pastër. Ajo vetë fliste nji shkodranshe te lehtë me nji linjë te hollë te akcentit napolitan, gjaqi edhe njerëzit ma te pashpirtë ne botë i detyronte te ndaleshin e ta shihnin me amelci.
Ne vitin 1993 me te ardhë demokracia, Papa Vojtila, i pari ne historine e Romës, vizitoi Shkodrën e Regjinela mbushi 70 vjet, prej te cilave 50 i kishte kalue ne Shqipni. Po atë vjet ajo dhe femijet mbasi paguen nji shume te mire komandantave te mbetun gjallë te burgut, morën vesht vendvorrimin, nxorën eshtnat e Markut dhe i varrosën ne Rrmaj, vorret katolike te Shkodrës.
Tash ajo shkon përditë dhe i vendosë drandofile te freskëta dhe nji fukace te sapo pjekun mbi pllakën e mermertë. Me kët gjest sikur don me kallxue se po plotëson ditët qe nuk ka mujtë me ja nise, atje ne dhomat e akullta te ferrit.
Nji dite te djelë per “Rrshajet” qe ajo i quente Pentecoste, aty nga mjesdita ajo shkoi ne katedralen e qytetit. Mas meshës per te shoqin, ajo nuk erdhi ne shpi dhe kur e kërkuen e gjeten se si ishte mbështete mbi vorr afër fotos se dashunisë se saj dhe zemra i kishte pushue se rrahuni.
E varrosen bashke me Markun, burrin e vetëm te fatit se saj, qe aq pak kishte pasë fatin me e gezue ne jetë. Fëmija erdhën nga Italia vetëm per varrim, ndejën disa ditë mandej ikën menjiherë.
Ne vendin ku babën jau mbyllën nji jetë ne burg vetëm se kishte mbarue shkollën ne perëndim dhe nanën ja cuen deri ne kufijt e cmendisë, vetëm se ndiqte nji dashuni te madhe, nuk donin me jetue ma.
“Ne kët vend”, thojnë ata, “e keqja ska me u shkulë kurrë, per pa u djegë deri ne rranjë”!
Tash vijnë shumë rradhë, vetëm ne përvjetorë, apo paguejnë dikë me ju cue lule ne vorreza. Ata janë kthye ne vendin e nanës se tyne, ne Napoli, ndërsa e ama jeton ne vendin e dashunisë se saj, ne Shkodër, përjetsisht me dashunine. Sejcili ka zgjedhë me jetue vendin qe i kërkon zemra.
Vetëm dashunia e ka aftësinë me i ruejtë te gjitha ngjarjet tona, njashtu sic regjistron pema ne rrathët e mrendshëm, kohën e saj.
Gjergj Jozef Kola
Vjene, 2018.