Ne shqiptarët që jetojmë jashtë atdheut na qëllon të bëjmë ndonjë udhëtim herë të gjatë dhe herë të shkurtër në qytetin e lindjes. Një udhëtim flash bëra para pak ditësh në Tiranë.
Jo të tëra udhëtimet janë për kënaqësi. Vitet shkojnë dhe pak nga pak dikush ndërron jetë, dikush tjetër lind, por kësaj herë më takoi të shkoja për vitin e vdekjes së time mëje.
Lashë mbrapa problemet financiare, për të cilat shumë shqiptarë që jetojnë në Itali mund të më kuptojnë, dhe zbrita në tokën mëmë, me mallin e mungesës të disa muajve. Kur ky i fundit (malli) fillon të zbehet, ti pyet dhe interesohesh për punën, sepse nëse në të shkuarën thuhej; “Shëndeti në radhë të parë”, tani është puna, sepse pa punë nuk ka se si të kesh shëndet, sepse problemet të pushtojnë gjithë trupin e trurin. Rri e mendon se si do t’i bëhet halli nëse të zë një sëmundje, flas për nga më të thjeshtat, jo më “larg qoftë” për ndonjë sëmundje më të rëndë…, sepse duhet të paguash andej këndej nga pastruesja e spitalit e deri tek mjeku.
Vite më parë e bëja dhe unë, jepja para nën dorë, por tani nuk e bëj më edhe sikur të më vënë revolen në kokë, çdo person bën punën e tij, paguhet për atë punë ndaj pse duhet të presë prej meje? Por kur flas për këtë me të afërmit e mi, kuptoj se e mendojmë shumë ndryshe, pasi me të zënë nje punë dikush në një spital apo institucion shtetëror e shikon sikur e ka mallin e të atit, pasi “partia” e ka vënë aty, e sikurse vetëm Zoti e di sa rri “partia” në pushtet, këto vite duhet t’i shfrytëzojë, e kështu mund të vë ca dhjamë në një qyp…
Nëse do të shkruaja në italisht rrjeshti i fundit nuk do arrinte të kuptohej nga lexuesit, por më besoni preferoj t’i shkruaj këto gjëra në gjuhën time, pasi italianët thonë që rrobat e palara lahen brenda në shtëpi. E sapo kam vënë ujin në zjarr për t’u ngrohur, nuk e di nëse do ia arrij t’i laj mir…
Si ishte kjo e fundit, si? Që partia e vuri dhe ai/ajo duhet të shfrytëzojnë këto vite? E ç’hyn partia në një kontratë punë? Një njeri i ndershëm, e më besoni në Shqipëri ka plot njerëz të tillë, nëse bën punën mirë, nuk ka pse të lëvizë çdo katër apo tetë vjet, kur ka zgjedhje. Dhe këtu fillon konflikti që të bën të harrosh mallin e fillimit. “Do na lësh rehat ti? Ke 12 vjet që ke ikur prej këtu dhe bën sikur nuk i kupton disa gjëra…”.
Po pse mor mik, shok e vëlla duhet të kuptoj unë, që dhe pse jam në dhe të huaj jam e mbrojtur nga një sërë sindikatash dhe kontratash. Si mund të kuptoj unë që vjen dikush që është drejtoresha e re, (pasi partia e saj ka fituar pak kohë më parë) bën mbledhjen e parë dhe në vend të prezantohet emër, mbiemër e të kerkojë ndihmen e punonjësve që kanë eksperiencë prej disa vitesh e të ndihmohet në këtë rol të ri dhe kaq të rëndësishëm, jep ultimatumin që brenda gjysëm ore gjithë administrata duhet të japë dorëheqjen, pasi nëse nuk bëjnë sikur e “lartmadhërishmja” urdhëron, nuk do kenë shanse të puqin më në atë institucion.
A mund ta kuptoj unë një gjë të tillë? Ju lutem ju që jeni ekspertë dhe lëkura ju është bërë shollë nga ky lloj trajtimi, më ndriçoni mëndjen time të zbehtë nga këto strese që ju përballoni… Unë dhe shumë të tjerë si puna ime, që jemi në dhe të huaj kemi strese dhe jo të pakta, por nuk janë të tilla miqtë e mi. Nëse jam e sëmurë ka një institucion shëndetsor ku unë paguaj vizitën shtetit dhe problemet zgjidhen. Pse u dashka të kuptoj që për të shkuar te varri i sime mëje duhet të eci si mbi traun e ekuilibrit, pasi çdo rrugë, rrugicë është e zënë me varre të reja?
Dhe jam e bindur se nëse do të isha me time ëme e të shkoja te varret e të afërmëve në Sharrë, do të më linte amanet të mos shkoja ta vizitoja pas vdekjes, me merakun se mos thyej ndonjë këmbë apo dorë. Si mund të kuptoj unë që pas një rrugëtimi tra ekuilibri/baltë shoh një rrugë që të bën përshtypje, të shtruar me pllaka dhe dy varre të dy bashkëshortëve ku mund të hyjë makina lehtësisht (Zoti më ndihtë që nuk po le të vdekurit të shtrijnë kockat rehat), mbiemrin nuk po e zë me gojë, por të afërmit që jetojnë në atdhe njohën nga mbiemri një ministër, që nuk di të jem e qartë në është në qeverinë e tanishme apo të asaj të shkuar. Dhe ty që deri para dy ditësh të mbyste malli, tani të mbyt inati, nuk pranon dot një padrejtësi të tillë, që dhe në varr partia ka pushtet.
Do thoni ju që dhe atje të pasurit kanë varre të bukura dhe me rrugë të shtruara, por varret e të varfërve nuk i shkel njeri me këmbë. Po pse kështu do të vazhdojë vendi im?
Me hatëre e me miqësi? Si në jetë dhe në vdekje? Vite më parë ishin zgjedhjet për Komunat, dhe fqinji që nuk ka prekur stilolaps me dorë në jetën e tij, i thotë fqinjës që punon në Komunë prej vitesh (nuk është barcalet, ju siguroj): “Nëse humbni, do e shikosh ti si do të fluturosh nga ai vend, që të nesërmen.”
Kush humb!? Kush fiton!? Për mua, fqinji ishte njeriu më i afërt për momente të mira dhe të këqija, e tani çfarë është? Armik? Më thoni a mundem unë t’i kuptoj këto gjëra? Ja këtë kanë bërë partitë, e nuk e çan kokën as ajo që hyn e as ajo që del, sepse po të bëjnë një ligj ku punëtori, intelektuali, administrata, të ketë statusin e tij s’ka kush i ndjek nëpër fushatat e zgjedhjeve, sepse shqiptarët janë aq të lodhur sa nuk duan të dijnë për partitë, pasi janë të bindur që lakmia e tyre është aq e madhe sa asnjëherë nuk do kenë të ngopur, dhe i bie që të hedhin një jetë dëm mbas tyre.
Pasi mendon për pak, thua le të bëjnë ç’të duan, ashtu i do mushka drutë, thoshte ime ëme, por ja që populli im nuk është mushkë, është një fatkeq që i shkruante Konica 100 vjet më parë, pasuan Noli me të tjerë dhe të njëjtën gjë konstatojmë ne, nga jashtë, që shohim realitetin e sotëm shqiptar.. Pse? Ju, që më kundërshtoni duke mos pranuar injorancën time për të kuptuar disa gjëra, mund të ma shpjegoni?
Marr rrugën e kthimit me shijen e hidhur në gojë dhe përtyp më me lehtësi problemet mbi pagesat që kam në vendin që më ka birësuar… E di që mbas pak muajsh malli do të rikthehet, dhe historia e lartpërmëndur do të përsëritet… Sa trishtim!!!