Presidenti i Komisionit Europian Jean – Claude Juncker, së bashku me Komisionerin për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Johannes Hahn, vizituan Shqipërinë më 25-26 shkurt 2018, në kuadër të “tour-it” ballkanik për të mbështetur perspektivën e këtyre vendeve për t’iu bashkuar familjes europiane në një të ardhme të afërt.
Dua t’a theksoj që në fillim dimensionin rajonal të vizitës së Presidentit Juncker, Komisionerit Hahn dhe Shefes së Politikës së Jashtme Mogherini në vendet e Ballkanit perëndimor, prezantuar në strategjinë e BE-së për zgjerimin në fillim të muajit shkurt.
Strategjia i ofron një perspektive të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor duke treguar vitin 2025 si vit në të cilin disa ose të gjitha vendet e rajonit mund t’i bashkohen BE-së, pasi procesi është i bazuar në meritën e secilit nga vendet për të avancuar në 6 fushat kryesore (six flagships initiatives) të prezantuara në strategji, të cilat janë: sundimi i ligjit, siguria dhe emigracioni, zhvillimi socio-ekonomik, rrjetëzimi i transportit dhe energjisë, axhenda digjitale dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dypaleshe ndërmjet vendeve fqinje. Ndaj dhe vizita e Juncker dhe Hahn në Tiranë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor pikërisht pak javë pas prezantimit të Strategjisë për zgjerimin është një mesazh i qartë politik nga ana e BE-së, e cila shpreh vullnetin e palëkundur për integrimin e rajonit.
Në Tiranë jemi mësuar të ëndërrojmë vetëm gjëra të mëdha e presim që pas çdo vizite të ndodhi ndonjë mrekulli dhe përfundojmë që mbetemi gjithmonë duke ëndërruar e mrekullitë nuk po ndodhin. Me sa duket, edhe “zhgënjimi” i disave nga mediat apo politika në Tiranë, të cilët ndoshta prisnin datën për hapjen e negociatave për anëtarësim gjatë prezantimit të strategjisë apo gjatë vizitës së z. Juncker, ka të bëjë pikërisht me faktin që e shikojnë këtë vetëm si proces i cili nuk shkon përtej retorikës së tyre dhe shprehjen e dëshirës për t’u bërë pjesë e BE.
Shumë u zhgënjyen pasi Juncker në përfundim të konferencës për shtyp me Kryeministrin Rama tha hapurazi që “kam shumë uri” në përfundim të një dite takimesh ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë duke e reduktuar qëllimin e vizitës së tij si vizitë gastronomike.
Por ndryshe është realiteti nga si e shikojnë procesin e integrimit europian “gjithollogët” të cilët më shumë renden drejt sensacionalizmit dhe konspiracionit sesa të kuptojnë si funksionin procesi i integrimit dhe mesazhin e drejtuesve të insititucioneve Europiane gjatë vizitate të tyre.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian duhet parë domosdoshmërisht në dy drejtime: qasja e BE-së për të përfshirë vende të tjera dhe bindja e vendeve anëtare për pranimin e tyre nga njëra anë dhe përmbushja e kritereve politike, ekonomike dhe përshtatja e legjislacionit me atë të BE-së nga vendet kandidate, nga ana tjetër.
Parë nga jashtë, Kancelarja Merkel me procesin e Berlinit në 2014 konfirmoi angazhimin konkret për një perspektivë reale në Bashkimin Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor duke nxitur bashkëpunimin e vendeve në sektorët e energjisë, transportit dhe bashkëpunimin e të rinjve. Gjithashtu vëmendje të veçantë ka edhe dialogu ndërmjet vendeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Në 2018, 4 vjet më pas, gjendemi në një situatë tjetër: më shumë bashkëpunim dhe projekte të përbashkëta ndërmjet vendeve në fushën e transportit, energjisë, shkëmbimit rinor, etj. Nxitja që BE-ja ka bërë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe si Serbi – Kosovë, Kosovë – Mal i Zi, Greqi – Maqedoni, Shqipëri – Greqi mund të bëjë që viti 2018 të quhet viti ballkanik i pajtimit. Dhe pikërisht ky pajtim i shërben integrimit të tyre europian me avantazhe si për zhvillimin ekonomik, përthithjen e investimeve të huaja, përmirësimin e infrastrukturës, tregu rajonal, etj.
Ky është mesazhi që shprehu Presidenti Juncker gjatë vizitës së tij: “duke investuar në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, do të thotë të investosh në sigurinë dhe të ardhmen e Bashkimit Europian”. Kjo është edhe qasja që Komisioni Europian po përdor për të komunikuar dhe bindur vendet anëtare rreth avantazheve që ka përfshirja e rajonit në BE, pavarësisht problemeve të brendshme të tyre dhe skepticizmi që kanë ndaj standardeve të arritura të vendeve rajonit.
E parë nga Shqipëria, BE-ja e ka bërë të qartë që në krye të herës që dëshira e madhe për t’u anëtarësuar nuk mjafton të jetë vetëm tek deklaratat politike, por në realizimin e kritereve të vendosura nga Brukseli për të arritur ato standarde të cilat afrojnë nivelin e cilësisë së jetesës tonë me atë të vendeve anëtare sepse integrimi Europian bën fjalë pikërisht për këtë. Ndaj, më shumë sesa të presi nga deklaratat e Juncker dhe Brukseli, politika, media dhe shoqëria shqiptare duhet të kthejë shikimin nga vetja dhe të përmbushin de facto dhe jo vetëm de jure të gjitha detyrat e dhëna nga BE-ja.
Për vite me radhë, ato pëmblidhen në 5 prioritetet: lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit, pavarësia e sistemit gjysësor, profesionalizmi dhe depolitizimi i administratës publike, si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Në momentin që flasim, Shqipëria ka nota pozitive përsa përket përshtatjes 100% të politikës së jashtme të saj me atë të Bashkimit Europian e vlerësuar nga Brukseli, pavarësisht poteres së madhe politike e mediatike për shkak të votës në OKB për statusin e Jerusalemit ku Shqipëria votoi ashtu si vendet e BE-së, kundër SHBA-ve.
Në momentin që flasim gjithashtu, Shqipëria sapo ka filluar të zbatojë reformën në drejtësi dhe krijuar institucionet e reja, të cilat do të kalojnë procesin e vetting-ut, një nga kushtet kryesore për të arritur sukses në fushat e tjera të sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimit të të drejtave të njeriut dhe dhënies fund pandëshkueshmërisë e kthyer në kult. Rezultatet e para përsa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, megjithësë të vona, janë të mirëpritura nga Brukseli.
Fakti që kjo reformë po jep rezultatet e para për hetimin e disa çështjeve të rëndësishme dhe përjashtimi nga sistemi i ri i drejtësisë i disa gjyqtarëve e prokurorëve, ndër to dhe shpallja “non grata” nga SHBA e personit par excellence që kishte për detyrë të hetonte korrupsionin, janë gjithashtu të mirëpritura nga Komisioni Europian për të rekomanduar pa kushte hapjen e negaciatave për anëtarësim, por këto rezultate janë të pamajftueshme për vendet anëtare, pasi në fund do të jenë ato që vendosin në Këshillin e Bashkimit Europian.
Kjo është arsyeja se përse Juncker nuk dha një datë për hapjen e negociatave pasi janë institucionet që vendosin në momentin e duhur (Komisioni në prill për rekomandimin e hapjes së negociatave dhe nëse Komisioni jep dritën jeshile, Këshilli vendos në qershor). Ka akoma edhe pak kohë për të regjistruar zhvillime e progrese të reja, për të cilat Presidenti i Komisionit Europian dhe zyrtarët e tjerë të Brukselit inkurajojnë vendet e rajonit të vazhdojnë me ecurinë e reformave. Ndaj, në vend që të mbajmë sytë nga Brukseli duke ëndërruar se mos na jep ndonjë dhuratë, le të punojmë të rregullojmë shtëpinë tonë, duke dënuar abuzuesit dhe respektuar nje sistem rregullash dhe vlerash europiane, ku edhe gjermani skeptik të mund të thote me plot gojën: po, ju do e meritoni një ditë Bashkimin Europian.
Ky artikull është publikuar më parë në EU Policy Hub, organizatë e krijuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) – Zyra për Shqipërinë