Mero Baze: Viti ’97. Prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin

Mero Baze

Në jetën time, ky është libri që më ka marrë më shumë kohë derisa vendosa ta botoj, por dhe më pak kohë se çdo libër tjetër për ta shkruar. Është historia e rrënimit të demokracisë shqiptare, nga e cila ende vazhdojmë të vuajmë e që zë fill me goditjen vdekjeprurëse të zgjedhjeve në Shqipëri, më 26 maj 1996.

Libri ndriçon periudhën nga 26 maji i vitit 1996, kur në Shqipëri u destabilizua procesi i parë zgjedhor, deri më 29 qershor 1997, kur shqiptarëve iu desh të bënin një palë zgjedhje të tjera, po aq të këqija, për të imituar ndërrimin e pushtetit formalisht me zgjedhje.

Viti ’97, nga Mero Baze në Amazon

Në qendër të librit është historia e Presidentit Sali Berisha, prapaskenat që kanë diktuar shumë nga zhvillimet e asaj kohe, treguar përmes dëshmive të mia personale, si gazetar dhe mik shumë i afërt me të. Nuk është një libër që thotë ndonjë gjë që nuk e keni parë apo dëgjuar, por është një libër që thotë gjëra që asnjë lexues nuk kishte se ku t’i shikonte apo t’i dëgjonte.

Libri nuk tregon çdo detaj të historisë politike të Shqipërisë së atyre viteve, por vetëm ato detaje të rëndësishme ku unë, si një njeri i afërt i Presidentit të vendit, isha dëshmitar, protagonist dhe herë-herë gazetar. Në këtë vështrim, mund të quhet një kontribut gazetaresk i vonuar, për të kompensuar të gjitha borxhet që i kam profesionit nga koha kur kaloja me lehtësi nga gazetar në protagonist të nxitjes dhe zhvillimit të shumë prej atyre ngjarjeve që po i kushtojnë ende Shqipërisë.

Historia e rrënimit të zgjedhjeve në Shqipëri është trauma më e madhe që ky vend ka pësuar pas rënies së komunizmit. Te rrënimi i tyre duhen kërkuar sot rrënjët e shumë prej problemeve të mëdha që ka vendi, siç është mosreformimi i klasës politike, mbetja në pushtet për dy dekada e dy-tre emrave të politikës shqiptare, lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe nëntokën e mafies rajonale dhe botërore dhe, mbi të gjitha, vazhdimi i traditës së zgjedhjeve të vjedhura.

Më është dashur që këtë libër ta hedh në letër për një muaj, por ta mbaj për gati 14 vjet, në forma të ndryshme, në kompjuter dhe në mendje. Disa episode të tij i kam botuar në vitin 2001 dhe më pas, por si libër i plotë është shkruar këtë verë. Për të qenë realist, kanë qenë dy figura të rëndësishme politike në vend që më kanë detyruar të mendohem për botimin e tij: Sali Berisha dhe Ilir Meta, me të cilët më ka lidhur një miqësi dhe armiqësi e skajshme gjatë karrierës së tyre politike, në varësi të raporteve që ata kishin me pushtetin. Por, për hir të së vërtetës, atëherë nuk mendoja kurrë se 12 vjet më pas, këta njerëz do të ishin sërish në pushtet, madje të dy bashkë në një qeveri. Është kjo arsyeja pse këtë verë të thatë gazetareske – ku nga faqet e gazetave mund freskohesh vetëm me thashetheme të jetës rozë për çengiet e pushtetit dhe lajmet e lejuara nga një qeveri që bashkon pozitën dhe opozitën e vitit 1996-1997 – vendosa ta thyej embargon me veten dhe ta shkruaj këtë libër.

Në të do të gjeni lidhjet e vjetra të Presidentit Sali Berisha me ish-nënkryetarin e Partisë Socialiste, Ilir Metën; angazhimin e strukturave të Shërbimit Informativ Kombëtar, drejtuar nga Bashkim Gazidede, në krah të Ilir Metës, me qëllim që të merrte kontrollin mbi Partinë Socialiste; përpjekjet për ta zhvendosur debatin nga prishja e zgjedhjeve te jeta e brendshme politike në Partinë Socialiste; dhe më pas ngjarjet tronditëse të vitit 1997, mëdyshjet e dhimbshme të Sali Berishës për të përdorur forcën ose për ta orientuar Shqipërinë drejt botës islame; netët e krizës së tij politike, psikologjike dhe njerëzore; lidhjet e tij me persona kyç, që më pas u shfaqën si krahu financiar më i fuqishëm i Al Qaeda-s; si dhe ikjen e tij nga pushteti.

Brenda këtij rrëfimi mos prisni ndonjë gjyq, pasi unë dëshmoj për veten time dhe jo për të tjerët. Megjithëse nuk jam fajtor, unë jam pjesë e përgjegjësisë në shumë nga këto histori, për aq përgjegjësi sa mund të ketë një gazetar me ndikim dhe mik i afërt, në disa çaste dhe i vetmi, i njeriut që i kishte – dhe që iu shkërmoqën sakaq – të gjitha pushtetet në këtë vend.

Për këtë arsye, më shumë se një libër për t’i bërë të tjerët të ndihen keq, ky është një libër që më bën mua të ndihem i qetë për një segment të jetës sime që, po ta jetoja sërish, patjetër që do ta jetoja ndryshe. Mes të sotmes dhe asaj kohe nuk janë vetëm 14 vite në mes, por edhe një ndriçim më i madh për vlerat e rrënuara të demokracisë, për pasojat që do të vazhdojnë gjatë për shkak të rrënimit të zgjedhjeve dhe, mbi të gjitha, për mbijetesën e politikanëve me parime të rrënuara politike dhe morale, të cilët janë gati ta mbajnë këtë vend të ngujuar mbi gërmadhat që kanë prodhuar, vetëm që të mos ikin nga pushteti.

Mero Baze

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version