Ermal Meta kësaj radhe u jep tingull mendimeve personale e atyre artistike, jo më nëpërmjet poezisë por, me prozën, të aplikuar në romanin e tij debutues, shkruar në gjuhën italiane: “Domani e per sempre” – “Nesër e përgjithmonë”. Shtëpia botuese italiane “La nave di Teseo” – ” Anija e Tezeut”.
Krijimi i ri letrar i Ermal Metës, ndryshe nga ç’jemi mësuar prej profilit të tij të deritanishëm si poet, si autor tekstesh të këngëve të veta apo këngësh që kanë interpretuar kolegë të tij, këngëtarë të njohur të panoramës muzikore italiane, nuk përmban vargje apo rima, nuk ka nevojshmëri ritmiko- metrike, tipike të teknikës së poezisë, zhanër në të cilin, Meta ka treguar dhe vërtetuar tashmë aftësitë e veta si autor por, kemi të bëjmë me një debutim pra, në prozë prej tij, me romanin e parë.
Ky roman e projekton lexuesin në Shqipëri, ambjentuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
-Mbi përmbajtjen e librit:
“Kajan, personazhi kryesor i romanit, ndërkohë që ka lindur i pajisur me një talent të dallueshëm për t’i rënë pianos, ka qenë fatkeq njëkohësisht, pasi i ka qëlluar të lindë në Shqipëri, gjatë një periudhe të papërshtatshme:
Ai përjeton Luftën e Dytë Botërore, rridhte viti 1943.
Kajani jetonte në një fshat shqiptar, së bashku me familjen e vet dhe gjyshin, Betim.
Prindërit e tij ishin partizanë dhe po luftonin maleve kundër nazistëve gjermanë.
Jeta e vogëlushit Kajan, sidoqoftë, në fshat rrjedh e qetë e larg luftimeve, deri në momentin kur në derën e shtëpisë së tyre troket Cornelius, një ushtar gjerman dezertor.
Gjyshi i Kajanit i ofron strehë ushtarit gjerman dezertor, tipike kjo e mikpritjes shqiptare në shekuj dhe ndërmjet Kajanit të vogël e ushtarit të huaj krijohet një raport i bukur vëllazëror, një lidhje e sinqertë miqësore, edhe prej faktit se gjermani ishte një pianist i aftë dhe Kajani i vogël nisi të mësojë mbi pianon prej tij.
Por, qetësia e tyre lëkundet dallueshëm në çastin kur fshati i tyre i vogël rrethohet nga gjermanët e familja e Kajanit gjen një strehim të nëndheshëm për t’u fshehur.
Tensioni vjen duke u rritur gradualisht, kur arrin kulmin në zbulimin e strehimit të tyre nga trupat gjermane dhe ushtari gjerman, Cornelius, miku i familjes del duke shtënë kundër ushtarëve të tjerë gjermanë, bashkëatdhetarëve të vet.
I vret ata, i shpëton jetën Kajanit të vogël por, gjyshi Betim, i plagosur për vdekje përgjatë luftimeve, nuk u shpëton dot plagëve.
Kjo ndodhi gjatë natës së çlirimit të Shqipërisë…
Duke u rritur në Shqipëri, Kajan bëhet profesor pianoje dhe për dikë të brezit të tij që, në vogëli pati qenë i pranishëm në situatën e luftës, do të mbërrinte mesazhi se tashmë në Shqipëri nën diktaturë, një luftë tjetër e egër po mbërthente vendin, lufta politiko-ideologjike, lufta e klasave, në të cilën edhe Kajani vetë përfshihet tërthorazi…”
Mbi pasionin e tij për shkrimin, Ermal Meta është shprehur në një intervistë pak kohë më parë, kur e pyesnin mbi poezitë, tekstet e këngëve dhe thotë:
“Dëshira për të shkruar më vjen nga një nevojshmëri e brendshme, nga boshllëqe të brendshme.
Shpirtin tim e konsideroj jo si diçka të sheshtë e pa formë por, si diçka të ngjashme me kosheret e bletëve, me hojet që mbushen me mjaltë.
Në këtë mënyrë, shpirti im, kur shkruaj, mbushet me ndjesi të ëmbla e spontane që më vijnë nga brenda vetes.
Unë shkruaj kryesisht për veten time.
Edhe në ato raste kur, këngët që përmbajnë një tekst të shkruar prej meje, do të interpretohen nga artistë të tjerë, ka gjithnjë një detaj unik të atij krijimi, që më përket vetëm mua, pasi kur i kam shkruar tekstin, ato ndjesi unë i kam përjetuar personalisht e sipas mënyrës sime përkatëse.”
Një detaj i rëndësishëm, lidhur me zgjedhjen e shtëpisë së tij botuese, “La nave di Teseo” – “Anija e Tezeut”, është ai që kjo shtëpi botuese nuk ka botuar asnjë autor shqiptar deri tani, përveç Ismail Kadaresë, pra Ermal Meta, i dyti autor shqiptar.
Kuptohet, Meta nuk është i kalibrit të Kadaresë si shkrimtar, sidoqoftë ka krijuar reputacion të konsiderueshëm deri tani me poezinë e urojmë që kjo gjurmë pozitive ta shoqërojë edhe në zhanrin e prozës.
Do ta ketë radhën sigurisht lexuesi dhe kritiku letrar për të kryer vlerësimet e duhura pas leximit të romanit.
Në postimin nëpërmjet rrjetit social Facebook, në të cilin Ermal Meta njofton daljen e librit nga shtypi më 19 maj, perceptohet gëzim nga ana e tij për përmbushjen e një objektivi të ri, përqasjen ndaj një sfide të re personale e profesionale por, edhe kureshti për pritshmëritë e publikut dhe reagimet e kritikës.
Autori, në një fragment në postimin në Facebook, shprehet:
“Më ka bërë të buzëqesh, të qaj, të mendoj, të studioj, të imagjinoj, të shoh, të vëzhgoj, të ndiej, të qendroj zgjuar për netë të tëra.
Më ka disiplinuar dhe më ka riformuar në një farë mënyre, duke më shpëtuar.
Më 19 maj del romani im i ri “Domani e per sempre” – “Nesër e përgjithnjë”.
Ai përfaqëson dy vitet e fundit të jetës sime ose këto dyzet të fundit.
Mezi pres që ta ndaj me ju këtë libër, kushedi si do ta prisni, kushedi a do t’ju pëlqejë.
Unë i shtiva në brendi gjithçka që mbartja brenda vetes dhe çka nuk kisha, ia huazova së ardhmes.
Faleminderit paraprakisht kujt do ta lexojë, kujt do ta përvetësojë, kujt do ta dojë, ashtu siç e desha unë vetë që në fjalët e para.
Jam i emocionuar e më drithërohet stomaku, ashtu si drithërohej vogëlushi Kajan, duke u rritur.
Së shpejti, miq!”