Intervista

50 vite më parë Shqipëria u deklarua si Vendi i parë ateist në botë

Intervistë me poetin shqiptar Visar Zhiti

Shqipëria pas lufte: në vitin 1946 pushtetin e morën komunistët. Nisi kështu diktatura e vërtetë komuniste që simbolizohej nga një tiran me emrin Enver Hoxha (1908-1985), një diktaturë e pamëshirshme që e futi vendin në terror dhe varfëri të thellë.

Diktatura shqiptare karakterizohej nga ateizmi masiv, aq sa 50-të vite më parë, në 1967-tën, Hoxha do të deklaronte se Shqipëria ishte i pari Vend në botë ku ateizmi i një Shteti shkruhej në Kushtetutë; Neni 37-të i kushtetutës shkruante: «Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botkuptimin materialist shkencor».

Shqipëria Neni 37

Ndërkohë që Neni 55-së i Kodit Penal në vitin 1977-të në Shqipëri, shkruante:

«Agjitacioni e propaganda fashiste, antidemokratike, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si edhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e literaturës me përmbajtje të tillë për të dobësuar ose minuar shtetin e diktaturës së proletariatit, dënohet

me heqje të lirisë nga tre gjer në dhjetë vjet.

Po këto vepra, kur janë kryer në kohë lufte ose kanë shkaktuar pasoja veçanërisht të rënda, dënohen:

me heqje të lirisë jo më pak se dhjetë vjet ose me vdekje».

Shqipëria Neni 55

Në kujtim të këtij përvjetori të trishtë të historisë së Shqipërisë, ju sjellim intervistën e poetit dhe diplomatit shqiptar z. Visar Zhiti , i cili deri pak javë më parë ishte në krye të misionit të Ambasadës Shqiptare, pranë Selisë së Shenjtë.

Zhiti, i biri i aktorit të teatrit dhe poetit Hekuran Zhiti, është një diplomat dhe poet e shkrimtar i njohur, por mbi të gjitha është edhe një prej shumë viktimave të regjimit komunist.

Në vitin 1973 teksa ishte në pritje të publikimit të përmbledhjes së tij poetike: «Rapsodia e jetës së trëndafilave», denoncohet pasi poezitë e tij përmbanin ide politike të gabuara. Për këtë arsye, poeti i ri revolucionar Visar Zhiti u dënua me 10 vite punë të detyruar në minierë.

Ju jeni dënuar me 10 vite për shkak të poezive tuaja. Diktatura komuniste u trembej edhe poezive?

Diktatura u trembej atyre poezive të cilat nuk i thurnin lavde pushtetin në fuqi. Më dënuan pasi nëse nuk shkruaje në favor të diktaturës, nënkuptonte të ishe kundër saj. Faji im i vetëm ishte ai i kërkimit të lirisë dhe i të bukurës, ashtu si një pjesë e mirë e gjeneratës sime. Isha vetëm 26-vjeç kur më arrestuan. Më pas u bë edhe procesi gjyqësor, ku gjëja më e tmerrshme ishin duartrokitjet e njerëzve pas dhënies së vendimit.

Dhjetë vite punë e detyruar nuk janë shaka…

Pasi më dënuan, më transferuan në malet e veriut të vendit për të punuar në minierat e bakrit në Spaç dhe në burgun e Qafë-Barit. Dy ferre, ku ne, të burgosurit, kalonim ditët me të vetmen shpresë, atë për të mbijetuar. Shumë prej shokëve të mi të burgosur humbën jetën për shkak të keqtrajtimeve dhe kequshqyerjes, ndërsa disa të tjerë humbën arsyen.

Unë arrita të mbijetoj dhe në vitin 1987-të më dërguan të punoja si punëtor në një fabrikë tullash: ishte një punë shumë e rëndë por të paktën ndodhesha në qytetin tim, në Lushnjë, aty ku banonin edhe prindërit e mi.

Në vitin 1967-të diktatori Hoxha deklaroi se Shqipëria ishte Vendi i parë ateist në botë. Por për të arritur deri aty, regjimi duhet të asgjesonte njerëzit e fesë dhe të shkatërronte çdo gjurmë të kultit fetar…

Në Shqipëri u shkatërruan xhamitë dhe kishat. Disa prej tyre u transformuan në magazina ushtarake, palestra dhe kinema. Por asokohe kinematë tona viheshin në përdorim të proceseve politike, për të dënuar fetarët dhe ata që kundërshtonin ideologjinë komuniste. Kam parë të digjeshin Biblat e Kuranët, si edhe pirgje me ikona. I fsheha disa të tilla që i përkisnin një kishe të shkatërruar dhe për këtë më thirrën në drejtorinë e shkollës, ku më detyruan t’i dorëzoja ato.

Më vjen në mend si pastruesja e shkollës i shkatërronte ikonat me sëpatë dhe bënte stiva me dru për sobat e mësuesve.

Shqipëria ishte e pasur me ikona mesjetare. «E kuqja» e Onufrit është ikonë e njohur në të gjithë botën. Sot, në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë gjendet një ikonë e Krishtit, e cila përshkohet nga disa vrima që nuk janë pasojë e lashtësisë, por janë krijuar nga plumbat. Regjimi e përdori atë ikonë si tabelë qitjesh për stërvitjet ushtarake.

Regjimi, mbi të gjitha ndrydhte, torturonte dhe vriste të gjithë klerikët. Në burg, ku punonim si skllevër në minierë, munda të takohesha me Zef Simoni dhe Kolecin. Për aq sa na jepej mundësia, flisnim për të shenjtorët. Fshehurazi festonim edhe festat fetare dhe ndonjë pagëzim. Rrezikonim pushkatimin nëse do të na kishin zbuluar. Aty ndodhej edhe një prift i heshtur, i cili pastronte tavolinat e mensave të të burgosurve dhe kur mundej u kalonte ndonjë copë bukë të rinjve që kishin uri.

Kishte kaluar shumë vite të jetës në burg dhe do t’i jepeshin edhe dënime të tjera: Ai ishte imzot Ernest Simoni Troshani, i cili vuajti plot 27-të vite në punë të detyruar.

Më vjen në mend 21 shtatori i 2014-tës kur, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku kishte dëgjuar dëshminë e Imzot Ernest Simonit, dëshmi e cila e kish prekur thellësisht në shpirt dhe sytë i ishin mbushur me lot. E kish përqafuar dhe i kish puthur duart.

Po, është e vërtetë. Dhe në muajin nëntor të vitit të kaluar, Papa e emëroi atë kardinal.

Por edhe më parë, Papa Giovanni Paolo II emëroi kardinal një tjetër prift të përndjekur nga regjimi komunist: Imzot Mikel Koliqi.

Ky prift, që ishte edhe një muzikant virtuoz, në vitin 1945-së u dënua me 21 vite punë të detyruar, pasi akuzohej se dëgjonte radiot e huaja. Pas vdekjes së diktatorit Hoxha, ai u lirua në vitin 1986-të për shkak të moshës.

Imzot Simoni dhe Imzot Mikeli i mbijetuan diktaturës komuniste, por një pjesë e madhe e priftërinjve dhe e intelektualëve të asaj kohe, u ekzekutuan.

Disa hulumtime kanë nxjerrë edhe të dhëna në lidhje me persekutimin: U pushkatuan 5.577 burra dhe 450 gra, pothuajse 1000 burra dhe 45 gra humbën jetën në burgjet politike, më shumë se 300 persona humbën arsyen si pasojë e torturave, 50 mijë familje u internuan dhe më shumë se 7 mijë persona humbën jetën gjatë internimit.

Disa prej këtyre martirëve të komunizimit janë lumturuar nga Kisha…

Po, 38 martirë të vrarë nga regjimi komunist në Shqipëri, gjatë viteve 1945-1974, mes tyre edhe dy peshkopë, 21 priftërinj dioqezanë, 7 françeskanë dhe 3 jezuitë, një seminarist dhe 4 laikë, u lumturuan më 5 nëntor të vitit 2016-të në Shkodër.

Një diktaturë e egër komuniste që për 50-të vite me radhë bëri ç’ishte e mundur të shfarroste nga Shqipëria çdo lloj ndjenje fetare, por drita e fesë nuk u shua kurrë në shpirtin e shqiptarëve.

Përkundrazi: falë gjakut të martirëve tanë u ngrit Kisha katolike në Shqipëri. Por do të doja të kujtoja edhe një tjetër bijë të tokës, Nënë Terezën, shenjtorja që na mbron nga qielli.

Historia e Shqipërisë dhe e regjimit çnjerëzor komunist paraqet atë çka na mëson Kisha: që ligësisë nuk do t’i lihet kurrë fjala e fundit.

Intervista me poetin Visar Zhiti, me autor Wlodzimierz Redzioch, është publikuar në polonisht në revistën javore “Niedziela”. Mund ta lexoni gjithashtu në italisht në AciStampa

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “50 vite më parë Shqipëria u deklarua si Vendi i parë ateist në botë”

Mund t'ju interesojë gjithashtu

Na ndiq në Facebook

Close