Në kufirin ndarës midis Kroacisë dhe Sllovenisë mbërritëm pasi përshkuam gjithë rrugën që për siguri herë pas herë kolegia turke Nevin e shikonte edhe në hartë.
I bindur se kur del nga një shtet që ende nuk është pjesë vendimmarëse e Europës, po bëja gati pasaportën për kontroll në doganë. Mos e nxirr më pasaportën se nuk ka më kontrolle – më tha shoferi ynë i udhëtimit prof. Raniero.
Tek kufiri ndërtesat që dikur shërbenin për kontrolle, ishin braktisur përfundimisht dhe ishin lënë në vetminë e natyrës, por për çudi askush nuk u ishte vërsulur për t’i prishur apo marrë pjesë të elemëntëve përbërës të tyre. Heshtnin në vetminë e kohës që vetëm kur kaloje ndoshta të ngjallnin kujtime nëse kishe kaluar herë të tjera në atë pikë kufitare.
Makina kaloi përmes ndërtesave dhe vazhdoi me shpejtësinë e lejar të kilometrazhit drejt territorit slloven. Sapo hyn në Slloveni të bëjnë përshtypje ndërtesat e para të banorëve që nuk ngjajnë me asnjë tjetër që kisha parë nga Banja Luka deri në kufirin slloven.
Ndërtime dykatëshe dhe plot kolorit që sikur të futnin një lloj alegrie në shpirt. Sa ndryshime që paska – u thashë të dy bashkëudhëtarëve të mi. Tokë e bekuar foli miku Raniero. Këtu do të shohësh se Asburgët kanë lënë shenja të qarta të dominimit të tyre.
Makina ecte në autostradë drej Lubjanës dhe pamjet që të ofroheshin ishin vërtet magjepsëse. Edhe këtu gjelbërimi është I shenjtë – mendova sapo hodha vështrimin kudo në horizontin përreth. Bukur, shumë bukur! – thashë me zë të qartë. Është hera e parë? – më pyeti kolegia turke.
Po, po është hera e parë u përgjigja i ekzaltuar nga natyra që sa vinte bëhej më tërheqëse. Çfarë njerëz banojnë këtu, dreqin që gjelbërimi, pastërtia është model? Dhe përsëri disa imazhe të shëmtuara të disa doganave shqiptare në Muriqan, Kapshticë apo edhe diku tjetër, ku mbëturinat janë hedhur kudo deri në vijën ndarëse midis dy shteteve, se në anën tjetër të vijës pastërtia nuk mungonte. Për më tepër për të në kapshitcë kujdeseshin shqiptarë që merrnin edhe një rrogë nga dogana greke.
Tek pjesa jonë pastërtia në mëshirë të fatit dhe kjo ishte kartvizita e parë që u japim të huajve sapo hyjnë në territorin tonë. Nga Zagrebi deri në Lubjanë nuk janë më shumë se 140 km dhe rruga pothuaj nuk ndihet fare dhe për më tepër nuk ka qarkullim të madh, pasi është ditë e dielë hde bën edhe pak vapë.
Në një prej tabelave të qarkullimit lexova emrin Trebnje e më pas Gorica dhe Ivançna, emra që në toponiminë tonë i kisha hasur shpesh kur shoqëroja nëpër qarkun e Korçës miqtë italianë që vinin ta vizitonin zonën me ftesë të miqve të tyre që kishin vite që jetonin në Korçë. Emra të mbetur peng nga shekujt dhe që tek ne ende nuk ishin fshirë nga kujtesa e banorëve. Ndonjëherë të duket se kur i lexon, edhe pse ndryshimet janë të mëdha, ndihesh si në shtëpinë tënde.
Pas gati dy orësh udhëtim mbërritëm në perifërinë e Lubjanës, por qyteti ende nuk po shfaqej në bukurinë e vet. Në kryqëzimin e parë morëm majtas dhe në të djathtë në një kodër plot pemë gjenden shtëpitë e para të perifërisë. Kërshëria të shty që të mendosh se çfarë qyteti është Lubjana. Në hartë shikonim se diku afër ishte një lumë dhe aty ishim gati në vendin ku do të ndaleshim dhe pas një ore do të takoheshim për të bërë vizitën e qytetit. Në një kryqëzim të dytë Ranieri e ndali makinën që të pyesnim për hotelet dhe vendtakimet.
Në një vend të huaj kur sensi i orientimit ende nuk i ka thithur perceptimet e para, të duket e vështirë gjithçka, bile disa mendime të prapshta të kalojnë edhe nëpër mend. Por të gjitha zhduken sapo fillon e pyet tek hoteli më I afërt ku gjuha italiane ishte familjare, si tek ne.
Me shumë mirësjellje një recepsionist më shpjegoi se afër lumit do t’i gjeja pikat e Infos dhe institutin Italian të Kulturës ku do të bëhej çelja e konferencës. Kudo ku kemi qënë me kolegët nga Europa kemi vënë re se ka një interes të jashtëzakonshëm të Ambasadave dhe Instituteve të kulturës për veprimtari të tilla, sepse lidhet drejtpërdrejt me gjuhën dhe kulturën e tyre. Ka politika të caktura të shtetin tonë fqinj për kulturën që duken qartë edhe tek moria e veprimtarive kudo nëpër Europë. Duke shëtitur buzë lumit Ljubjanica të bie në sy qendra e mrekullueshme historike e qytetit në të dyja anët e lumit.
Një ishull i vërtetë pedonal ku këmbësorët dhe biçikletat ishn padronët e saj. Shëtitore shumë e shëndetshme dhe larg smogut të shumë qyteteve tona ku kultura këmbësore po hyn me vështirësi. Afër urës së hyrjes ndodhet Instituti Italian i Kulturës dhe më pas mbi lumë gjenden edhe disa ura të tjera. Ura kryesore kishte edhe dy bij të tjerë në krahë që ia shtonte karakteristikat qytetit. Njerëz që shëtisnin apo të tjerë që drekonin të pashqetësuar nga zhurmat e makinave në të dyja anët.
Diku tek ura e tretë ndodhej një qendër info, ku mund të gjeje një pafundësi informacionesh për qytetin, harta të tij dhe shumë fletëpalosje që ta bënin të plotë informacionin për qytetin. Qytet që funksionon – ishte konstatimi im i parë që më pas do të përforcohej gjithnjë e më shumë, në të tre ditët e qëndrimit tonë aty. Në njërën nga këto qëndra info do të takoheshim me kolegët e ardhur nga shumë vende për ta filluar vizitën në qytet. Por prioritare kur ke përcaktuar disa pika referimi mbetet hoteli i cili ndodhej pak minuta më tej, i prenotuar nga miku Italian Pieranxhelo Filigedu.
Tek recepsioni i paraqita fletët e prenotimeve dhe pas regjistrimit edhe vendqëndrimi ishte gati. Rreth orës tre filloi vizita edhe pse ishte ende një diell i fortë që të lodhte. Guida, një i ri që fliste katër gjuhë të huaja, i ngarkuar nga Bashkia e qytetit për këtë rast, na prezantoi së pari me kështjellën tek e cila do të ngjiteshim me një teleferik. Banimet në kodër i kanë fillesat që në shekullin e 12 para erës sonë, por kështjella e parë lindi në eopkën e Çeltëve dhe Ilirëve.
Me të njëjtin funksion, por në Mesjetë i përket shekullit të IX dhe përfundoi në zotërim të Asburgëve në vitin 1335. Në këtë qytet ka një pikëtakimi me historinë ku edhe në kohën e Napoleonit emir Ilirët doli përsëri në skenë. Pas kështjellës përgjatë lumit vizituam sheshe dhe rrugë që lidhen me të shkuarën e largët dhe të afërt të Lubjanës, si dhe selinë e universitetit, statuja të njerëzve të shquar dhe që i dhanë emër Sllovenisë.
Diku afër fakulteteve ngrihet edhe obelisk që përkujton nismën e Napoleonit, krijimin e Provincave Ilire me dekret të 14 tetorit 1809, kur Perandoria austriake u detyrua t’ia japë disa qytete, Karincian, Karniolën, Kroacinë në juglindje të lumit Sava, Gorician dhe Triesten Perandorisë franceze. Për rreth tre orë e vizituam gati të gjithë qendrën historike të ngritur në Mesjetë dhe që sot ishte qendër tepër tërheqëse për qindar mijëra turistë nga e gjithë bota. Rrregulli, disiplina dhe kutura qytetare ishin nga përshtypjet më të mëdha që të lënë mbresa të pashkyera.
Nëse i shtojmë edhe jetën tepër ekologjike të banorëve, biçikletat ishin mjeti lëvizës që kishte marrë përmasa të gjera moshore, atëherë mund të them se kemi para shembuj të jashtëzakonshëm të një qytetarie të shëndetshme. Të nesërmen në mëngjes, e hënë 9 qershor filloi punimet në selinë e Institutin Italian të Kulturës konferenca me temë: Letërsia italo-hebraike dhe kultura Mitteleuropiane.
I zoti i shtëpisë, drejtori i Institutit, z. Ico na uroi mirëseardhjen në selinë e vet dhe pas një përshëndetje të rastit, na uroi punë të mbarë në këtë konferencë. Me disa nga kumtesat e para filloi punimet për të hedhur dritë mbi kontributin e autorëve të shumtë italianë me origjinë hebraike në letërsi.
Pasdite konferenca u zhvendos në Fakultetin e Filozofisë ku për dy ditë pjesëmarrësit sollën me kumtesat e tyre jo vetëm memorien letrare dhe gjuhësore, por edhe historike. Në këtë takim unë fola për një prej shkrimtarëve italo-gjermanë më në zë të shekullit të kaluar dhe për novelën Plaku i mirë dhe vashëza e bukur, që e kam sjellë në shqip, disa vite më parë, në kuadrin e një projekti zviceran dhe në ditët e Javës së gjuhës italiane në botë.
Qershor 2014
Lexoni gjithashtu: Reportazh udhëtimi: Kultura nuk mban përgjegjësitë e politikës