Futbolli historik fiorentin

Futbolli i "gladiatorëve" modern fiorentin

Lajmin e parë të një aktiviteti sportiv me top e gjejmë në poezitë e Homerit. Grekët praktikonin një lojë të quajtur Sferomakia, e cila me kalimin e kohës u adoptua nga legjionarët romakë duke u bërë një metodë stërvitjeje për luftëtarët. Kjo lojë quhej nga romakët Harpastum (marr me forcë).

Mendohet se luhej me një top të mbushur me fije vegjetale të një lloj pambuku apo me një top prej lëkure, nga dy skuadra me numër të barabartë lojtarësh në një terren ranor. Qëllimi i vetëm i kësaj loje ishte që topi të kalohej në fushën e kundërshtarit, me çdo kusht. Ndeshja zhvillohej si një betejë, pa e lënë kundërshtarin të marrë frymë, në luftime trup me trup të vazhdueshme për marrjen e topit. Kjo lojë pati një sukses të madh ndërmjet legjionarëve të cilët e përhapën në provincat e ndryshme të Perandorisë romake. Ky tip sporti me prejardhje të lashtë mendohet se është paraardhësi i futbollit modern.

Futbolli historik fiorentin (calcio in livrea ose calcio in costume) është një lojë e rëndë dhe e dhunshme në të cilën kombinohen disa disiplina të ndryshme sportive: një miks ndërmjet rugby, hendball, boks, kikboksing e mundje greko-romake.

Ndeshjet kanë një kohëzgjatje prej pesëdhjetë minutash dhe luhen në një fushë drejtkëndëshe të mbuluar me rërë; një vijë e bardhë e ndan fushën në dy katrorë identikë dhe në të dy anët e fundit të fushës montohet një rrjetë mbi pahinë që rrethon të gjithë perimetrin e fushës ku zhvillohet ndeshja. Lojtarët vishen me rrobat tradicionale mesjetare.

Në këtë terren ranor përballen dy skuadra të përbëra nga njëzeteshtatë lojtarë (calcianti). Në qendër të rrjetës rrethuese në fund të fushës ngrihet çadra e Kapitenit dhe e Alfierit që kanë për detyrë të ndërhyjnë në grindjet e kacafytjet e lojtarëve, për t’i qetësuar ata. Takimi drejtohet nga Gjyqtari Arbitër, i ndihmuar nga gjashtë Gjyqtarë anësorë (Segnalinee) dhe Gjyqtari Komisar që qëndron jashtë fushës. Mbi të gjithë qëndron Mjeshtri i Fushës që mbikëqyr zhvillimin e rregullt të lojës dhe ndërhyn për të rivendosur rendin dhe për të ruajtur disiplinën në rastin e përleshjeve në fushë.

Loja fillon me gjuajtjen e topit nga Pallaio në vijën qendrore dhe e “shtëna e topave” (colubrine) përshëndet hapjen e “veprimeve luftarake”. Nga ky moment e tutje futbollistët (calcianti) e të dy skuadrave do të përpiqen me çdo mjet që ta çojnë topin në fund të fushës së kundërshtarit dhe ta fusin atë në rrjetë duke shënuar kështu golin (caccia).

Rreth shekullit të XV, ky tip futbolli ishte bërë kaq i përhapur ndërmjet të rinjve fiorentin, saqë ata luanin shpesh në çdo rrugë apo shesh të qytetit. Loja u bë aq popullore saqë në janar të vitit 1490, duke qenë lumi Arno plotësisht i ngrirë, mbi sipërfaqen e akullt të lumit u zhvilluan disa ndeshje.

Gjatë sundimit të dinastisë Medici, pati një riorganizim të rregullave të lojës; kjo gjë bëri që fiorentinët të arrinin në sfida të vërteta. Ekipet mburreshin me emra të famshëm lojtarësh, fisnikë e personalitete të shquara nga familjet më të rëndësishme të Firences. Lojërat organizoheshin zakonisht gjatë periudhës së Karnavaleve.

Futbolli fiorentin është sot një sfidë ndërmjet katër lagjeve të qytetit. Ndeshjet zhvillohen me kostumet tradicionale të shekullit të XVI për të kujtuar një moment të veçantë të historisë së qytetit. Më 17 shkurt 1530, pjaca Piazza Santa Croce në Firence qe skena e një prej sfidave më të rëndësishme të Republikës fiorentine karshi Perandorit Karli V, kur popullsia, e rrethuar për disa muaj nga trupat perandorake, u paraqit “shumë e zënë” me lojën e futbollit, për t’i dhënë përshtypjen armikut se nuk ishte aq i denjë sa të përfillej nga qytetarët. Çdo vit pra organizohet një turne që përfshin katër lagjet historike të qytetit: të Bardhët (Bianchi) të Santo Spirito, të Kaltrit (Azzurri) të Santa Croce, të Kuqtë (Rossi) të Santa Maria Novella dhe Jeshilët (Verdi) të San Giovanni, që janë protagonistët e këtyre sfidave të vështira dhe emocionuese. Çmimi “kupa” është një viç i bardhë i racës Chianina. Turneu i Futbollit historik fiorentin zhvillohet normalisht në muajin qershor të çdo viti: finalja luhet në pasditen e 24 qershorit, ditën e shenjtit San Giovanni mbrojtësit të qytetit.

Edhe parada e Procesionit historik të Republikës fiorentine, që organizohet për këtë rast përbëhet nga 530 pjesëmarrës figurantë, të veshur me rrobat ushtarake të kohës së Rilindjes, i referohet të njëjtës periudhë historike, duke kujtuar gjestet e trimërisë fiorentine dhe Ushtrisë të Republikës së Firences. Një traditë pra, e rrënjosur thellë në strukturën shoqërore e qytetare.

Loja e futbollit me kostume tradicionale është karakterizuar gjithmonë nga një frymë e fortë konkurruese dhe tregon një aspekt popullor dhe autentik të qytetit të famshëm, që ka qenë djepi i Rilindjes. Në vitin 2012 kjo lojë ka qenë subjekti i një dokumentari interesant të VICE Italia që tregon edhe identitetin e vërtetë të lojës. Dokumentari dhe fotografi të ndryshme mund të shihen në lidhjet e mëposhtme.

Përgatiti për Albania News: Gino LUKA

Referenca:

Lexo gjithashtu: Shpërthimi i qerres: Një traditë fiorentine

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version