Male të egra jo të varfra, por me njerëz të varfër dhe shpopullim masiv. Në fshatrat e Shqipërisë së Veriut të paktë janë ata që i rezistojnë tundimit për t’u larguar drejt qytetit dhe shpresojnë për një fillim të ri që vjen nga një zhvillim i qëndrueshëm rural dhe turizëm alternativ. Reportazh përgatitur nga Francesco Martino për Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.
Dielli pasqyrohet gjatë në ujrat e liqenit Koman, e ndriçon me njëmijë luspa argjendi, dhe më pas rrokulliset në perëndim, prapa majave të errëta. Qielli vjeshtor pastrohet, si prej qelqi: në këtë moment, pezull midis natës e ditës, ndjen në thellësi, gjithë distancën që ka Mërturi nga pjesa tjetër e botës. Në masivin e pyllëzuar në jug, përtej luginës së gërmuar nga rrjedha e një përroi të shqetësuar, ngrihet ngadalë një spirale tymi. Një llambë ndriçon së largu, së bashku me yjet e parë, për të dëshmuar praninë, përndryshe të paprekshme, të qenieve të tjera njerëzore. Pastaj fiket, dhe çdo gjë hesht.
Shpopullimi
Deri në fillim të viteve 1990, mbi njëqind familje jetonin në shtëpitë prej guri të bardhë në Mërtur, ku më shumë se kujtdo tjetër këtij fshati i shkon kënga e lashtë popullore “rritet lulja përmbi gur”.
Sot në fshatin, që ndodhet në pjesën veriore të komunës së Pukës, në veri të Shqipërisë, kanë mbetur vetëm katër familje, plus disa njerëz të moshuar që kthehen gjatë muajve të verës.
“Unë nuk mendoj se njerëzit me të vërtetë e kuptojnë se ç’do të thotë demokracia, ata thjesht mendojnë se duan të ikin në qytet “. Këto fjalë i thotë Luka vetëm me një krah pasi tjetrin e ka humbur ne një aksident te vjetër peshkimi i cili është kreu i njërës prej familjeve që ka vendosur tani për tani të jetojë në fshat. “Kur u rrëzua regjimi komunist, të gjithë u larguan drejt Tiranës, Shkodrës, Lezhës ose Durrësit, por shumë prej tyre më pas u penduan, sidomos të moshuarit që jetojnë në qytet të cilët thonë se qyteti nuk është për të gjithë”
Ndërsa Luka ngazëllehet me durim, gruaja e tij Bardha kujdeset për bagëtitë, pasi shpërndan foragjerën tek lopët dhe viçat që ata mbarështojnë. Pashku dhe Ndue dy djemtë kujdesen për bagëtitë që sapo kanë sjellë nga kullota. Gratë e familjes merren me punët e shumta të shtëpisë, bagëtive kur kthehen në vathë etj..
Fati i Mërturit, megjithëse ekstrem, nuk është unik: i gjithë qarku i Pukës, i formuar nga dy qytete – Puka dhe Fushë Arrëz, – kanë pësuar shpopullim shkatërrues në dekadat e fundit, duke shkuar nga rreth 59,000 banorë të regjistruar në vitin 1990 aktualisht në 33,000. Sot Puka është një nga zonat më të varfra në Shqipëri: pothuajse gjysma e familjeve marrin një lloj ndihme sociale dhe dy të tretat e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë. Papunësia – e vlerësuar në mbi 20% – ka prekur moshat më vitale të rinjtë dhe gratë.
Sfida e atyre që qëndrojnë
“Me vetëm një krah, gjetja e punës në qytet nuk ishte e thënë. Dhe mos të harrojmë dashurinë për Mërturin, për rrënjët tona: thuhet se paraardhësit tanë ardhur këtu më shumë se treqind vjet më parë, nga një fshat afër Krujës, për të shpëtuar nga avancimi i pushtuesve turq”. U shtrua dreka: Lukë është në krye të tryezës, përreth sistemohet pjesa tjetër e familjes dhe miqtë ardhur nga larg.
Mikpritja e familjes Hasani është e drejtpërdrejtë dhe esenciale: pjatë kryesore është “ferlik”, kec i pjekur për të paktën disa orë, shoqëruar me patate të skuqura, djathë të freskët dhie, mëlçi dhe perime “turshi” në shëllirë vlerësuar nga Ballkani dhe Lindja e Mesme. E gjithë kjo, sigurisht, e shoqëruar nga rakia.
“Unë ende besoj se e ardhmja është më e mirë këtu sesa në qytet”, thotë Pashk, i cili pas diplomimit në Tiranë, sot punon si veteriner në komunën e Fushë Arrëzit. “Por qëndrimi është një zgjedhje e vështirë. Këtu jemi larg nga gjithçka, ne duhet të jemi të vetë-mjaftueshëm në të gjitha ose pothuajse dhe shumë premtime të bëra në vitet e fundit nga politikanët dhe administratorët kanë mbetur fjalë të zbrazëta”. Rruga e baltosur që nga Iballë në fund të luginës, të çon deri në Mërtur – nyja e vetme lidhëse ndërmjet fshatit dhe pjesës tjetër të botës – është një kortezh i pafund i kthesave të buta, ndonjëherë pezull mbi një rrëpirë që të lë pa fjalë.
“Çdo dimër, kur bie bora, mbetemi të izoluar, edhe për muaj: lidhja e vetme me pjesën tjetër të botës pastaj ngel trageti që kalon në Liqenin e Komanit. Jemi ne që duhet të kujdesemi për rrugën: nuk kemi marrë ndonjë ndihmë nga administrata apo qeveria. Gjatë gjithë këtyre viteve, asnjë burim nuk kanë qenë në gjendje të sjellin” shton hidhërueshëm Pashk.
Dhoma në të cilën ulemi reflekton thjeshtësinë e gjithë shtëpisë dykatëshe: dyshemeja dhe tavani, pikturuar me ngjyrë blu dhe të kuqe, janë bërë nga trarë të rëndë dushku, lustruar me tym dhe kalimi i kohës. Qytetërimi bashkëkohor dallohet veç nga ekrani i errët i një televizori, vendosur në një qoshe, që përçon pandalur videoklipe të hip-hopit shqiptar, të tejmbushura me syze dielli, rroba të ngushta dhe makina sportive, në një qark të shkurtër shqisor me thjeshtësinë pothuajse monastike të dhomës së ngrënies.
“Jeta këtu është e thjeshtë, nëse gjithçka shkon mirë, fiton mjaftueshëm sa për të jetuar”, vazhdon Lukë, “por paraja ndoshta nuk është as problemi më i madh. Nëse nevojitet një mjek, duhet të zbresim deri në Iballë. Shkolla është ende e hapur, por edhe për sa? Ka tre fëmijë dhe dy mësuesë, të cilët vijnë çdo ditë në këmbë ose me motoçikleta nga fshati Berisha. Deri në vitet ’90, kishte më shumë se 170 fëmijë!”
Bujqësia dhe blegtoria
Bujqësia dhe blegtoria luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e rajonit të Pukës. Sipas të dhënave të pakta në dispozicion, në zonat rurale 70% e familjeve jetojnë vetëm në bujqësi dhe blegotri. Në fshatrat, mundësitë alternative janë të pakta, madje edhe për ata që kanë studiuar. Për shembull, Malbora ka një diplomë në mësimdhënie, por puna si mësuese, duke pasur parasysh mungesën e fëmijëve, është e pamundur. “Natyrisht, do të doja të jepja mësim, do ta doja mbi gjithçka. Por të jesh mësues duhet të zbres në qytet “, pohon ajo me një zë të ëmbël. Vështrimi i saj ndriçon, pastaj ulet dhe duket se humbet shumë larg.
Nga këto anë, pothuajse të gjithë kanë në dispozicion disa kafshë, por sidomos ripërtypës të vegjël, dele dhe dhi. Qarku punëson rreth 1500 njerëz: bëhet fjalë për ferma të vogla, me vetëm dyqind fermerë me së paku 50 dele dhe / ose dhi.
Në vathën e familjes Hasani ka 130 dhi dhe 50 dele, në stalla gjashtë lopë dhe pesë viça. Ndryshe nga shumica e prodhuesve vendorë, jo të gjitha prodhimet e qumështit përdoren për vetë-konsumim. Djathi i dhisë dhe kecat janë pikat më të rëndësishme në ekonominë familjare. Këtë vit arritëm të shesim rreth 800 kilogramë, së bashku me njëqind keca “, thotë Pashk.
“Pjesa më e madhe e djathit tonë shitet tek të afërmit, miqtë dhe të njohurit poshtë në Iballë ose në Fushë Arrëz, njerëz që njohin mirë cilësinë e kullotave dhe produkteve tona”, shton nëna e tij Bardhe. “Për fat të mirë, kemi një të afërm në Tiranë, i cili ka hapur një dyqan të vogël. Atje djathi shitet me një çmim më të mirë “.
Megjithëse gëzojnë një situatë ndoshta më të mirë se shumë të tjerë, familja Hasani vuan vështirësitë dhe pengesat që fermerët dhe blegtorët kanë të përbashkët në zonën e Pukës: izolimi, numri i vogël i kafshëve, sipërfaqja e tokës bujqësore, mungesa e infrastrukturës për përpunimin e produkteve të qumështit , qasja në tregun informal dhe në kufijtë e ligjshmërisë, mungesa e një emërtimi të regjistruar të origjinës për produktet e rajonit.
“Për të ndërtuar një të ardhme këtu, ideja, më saktë, nevoja është ndërtimi i një stalle të re, arritja në dyqind dhi, krijimi i kushteve për të ofruar një produkt më të mirë”, thotë Pashk. “Më shumë sasi dhe më shumë cilësi, përndryshe do të detyrohemi të heqim dorë, si shumë të tjerë para nesh”.
Një udhëtim në Blinisht
Pavarësisht nga marshat e reduktuara, fuoristrada spostohet, rrëshket disa herë, fillon përsëri me vështirësi në gjuhën e errët që pret një peizazh primordial, pothuajse marsian, shënuar me shkëmbinj me reflektime metalike dhe të oksiduara. Rruga për në Blinisht është në kushte ndoshta më të këqija se sa ngjitja në Mërtur. Gjeografikisht, Blinishti është më afër Fushë Arrëzit, por këtu distanca fizike ka vlerë relative, ajo që ka rëndësi është cilësia (e dobët) e infrastrukturës.
Edhe Blinishti është në prag të zhdukjes. Për momentin jetojnë ende një duzinë familjesh, çfarë ka mbetur prej më shumë se shtatëdhjetë familjeve që jetonin këtu para viteve ’90. Ndër ata që kanë mbetur është Gjergi Prendi. Sot në tryezën e tij ka një grup miqsh dhe fshatarësh: Edmond, Petrit, Arsen. Janë duke shijuar pjata të thjeshta dhe të shijshme, rrush, patate, djathë, shoqëruar pashmangmërisht nga rakia, që ngroh zemrën dhe fton në diskutim.
Në dy prej mureve të errëta ka piktura fetare, të mbuluara me lule me ngjyra dhe disa lule të thara: në njërën anë një Jezu Krisht në një tunikë të gjatë të bardhë dhe blu, në anën tjetër një Madonë e veshur me vjollcë të ndritshme. Në rajonin e Pukës dominon feja katolike, pjesë qendrore e identitetit historik dhe kolektiv të maleve të Shqipërisë së veriut. Rreth 80% e popullsisë i përket katolicizmit romak, ndërsa 20% e mbetur janë myslimanë, në një zonë të tolerancës tradicionale ndërfetare.
“Të gjithë emigruam nga Blinishti e në fund, disa prej nesh u kthyen, nga nevoja ose melankolia. Sidoqoftë, nuk jam aspak i sigurtë se do të jemi në gjendje të qëndrojmë”, shprehet Gjergji në mbarim të ushqimit, me sytë që i shkëlqejnë me një blu të thellë dhe të gjallë. Prapa derës së dhomës, në një qoshe të ngritur, qëndron një piramidë e vogël e valixheve bosh të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme. “Sa herë që shkoja në Greqi për të punuar, sillja një mbrapa, me gjithçka që mund të blija. Çdo udhëtim, një valixhe”, na buzëqesh.
Të gjithë kanë histori emigrimi dhe vështirësish për të treguar, veçanërisht në Itali dhe Greqi. “Vitet e para në Greqi kalohej kufiri në këmbë në mënyrë të paligjshme me frikën e kapjes dhe kthimit”, kujton Petriti, fëmijët e të cilëve ecin çdo ditë për më shumë se dy orë për të shkuar në shkollë në Fushë Arrëz.
Edmondi provoi dhe shërbimin ushtarak, përfshirë një mision në Mosul, Irakun e veriut, ku ushtria shqiptare operonte në mbështetje të trupave amerikane. “Por edhe atje për t’u pranuar në misionet e reja duhej paguar ryshfet tek zyrtarët e lartë, përndryshe të linin në shtëpi”. Më vonë, ka punuar si punëtor bujqësor, së pari në Francë dhe pastaj rreth Piacenzës, por në fund edhe ai u kthye në Blinisht.
“Të gjithë kemi rreth 50-60 kafshë, sidomos dhi, plus disa lopë: është e vështirë për të shkuar përtej mbijetesës. Tani kemi në plan të përpiqemi të bashkëpunojmë më shumë, duke ndërtuar një “baxho” të vogël për të përmirësuar cilësinë e djathit. Mendoj se është një shans i mirë, që s’duhet humbur”.
“Sidoqoftë, pyetja është një tjetër”, i bën eko Edmondi, duke ulur papritmas zërin dhe gotën e tij. “Si mund ta gjejmë një grua? Si e bindim një grua që të na ndjekë këtu, në mes të askundit? Për në shtëpinë time nuk ka as rrugë, arrihet vetëm me mushkë, me kalë. “Pamja e shoqërisë mbetet pezull përgjatë mureve memece: madje rakia, e kristaltë dhe plotë ngrohtësi, duket sikur zbehet papritmas, duke marrë nuancat kobalt të melankolisë.
Shpresë për turizëm
Në Mërtur, pak para një muzgu të ri, aroma e dendur e trumës mbush ajrin, deri në dehje. Në pjesën e sipërme, zemra gurore e malit duket sikur merr zjarr dhe shikimi është i humbur në linjat e shpateve, të cilat këtu dhe atje bëhen një e gjelbër smerald.
Shumë njerëz shpresojnë që ky rrip i Shqipërisë të shpëtojë sot nga ajo që e dënon sot margjinaliteti dhe izolimi të cilët e bëjnë atë një destinacion të fundit “virgjëror”në Europë për cilësinë e turizmit. Për momentin, kjo duket më shumë si një shpresë e papërcaktuar sesa një mundësi reale për të rikthyer jetën në një rajon të zbrazur. Shifrat precize dhe statistika zyrtare nuk ekzistojnë: Por sipas të dhënave të grumbulluara nga shoqata Agropuka, rreth 6,000 turistë e vizituan zonën në 2015. Këta janë kryesisht njerëz që vijnë për të vizituar miqtë dhe të afërmit, por edhe disa turistë aktualë, duke kërkuar relaksim ose aventurë në malet e rajonit.
Zona numëron pak hotele dhe pak agro-turizëm. Edhe nga pikëpamja mjedisore, izolimi nuk i ka shërbyer gjithmonë ruajtjes së habitateve natyrore. Vitet e para dhe kaotike të tranzicionit u shënuan nga shpyllëzimi masiv, i cili ka lënë plagë të thella në peizazhin dhe ka krijuar kushtet për një erozion të fortë të shpateve.
Megjithatë, bukuria e peizazheve të kësaj toke unike është e padiskutueshme, si këmbëngulja laike e atyre që kanë lindur dhe jetojnë në këto male dhe ndoshta janë të dënuar për t’i dashur ata pavarësisht nga vetvetja.
Është e vështirë për turizmin të bëhet një burim i rëndësishëm jetese dhe zhvillimi pa një strategji të përgjithshme, të bëra nga qeveria poshtë,por edhe nga promovimi, marketingu, sinergjia me rajone të tjera të Shqipërisë dhe pse jo, Ballkani – të gjitha gjërat që nuk mund të ndodhin pa ndërhyrjen dhe udhëheqjen e institucioneve kombëtare. Ndërkohë, Mërturi, Blinishti dhe fshatrat malore presin, mbijetojnë, luftojnë, nuk heqin dorë. Ata shpresojnë të mos thahen, të rimarrin jetë dhe vitalitet dhe të dalin përsëri pas dimrit, të butë dhe kokëfortë, si “lulja që rritet përmbi gur”.
Programin i Alencës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut , është një program që synon të vërë në lëvizje zhvillimin lokal duke u nisur nga njohuritë tradicionale, prodhimet tipike, dhe nga roli i grave.
Programi ka filluar më 4 korrik në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.
Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).