Zona e Zadrimës, në Shqipërinë e Veriut, ka patur gjithmonë një traditë të fortë për bujqësinë. Pas vështirësive të tranzicionit, zona tani po përpiqet ta rimarrë veten duke u nisur nga turizmi dhe prodhimi bio. Ju ftojmë të lexoni intervistën përgatitur nga Francesco Martino publikuar nga OBCT me titull “Albania: la vocazione agricola della Zadrima”
Jak Pacani është një prodhues vere, agronom e bletar. Pionier i ringjalljes së bujqësisë në Zadrimë pas rënies së sistemit kooperativ të komunizmit, tani është i angazhuar në ringjalljen e profesionalizimit në fushën bujqësore dhe në futjen e bios në prodhim. E takuam në punishten e tij të verës në fshatin Naraç, pak kilometra nga qyteti i Vaut të Dejës.
Zadrima është një rajon me një traditë të fortë bujqësore. Cilat janë mundësitë e saj më të mëdha?
Territori i Vaut të Dejës dhe e gjithë zona e Zadrimës ka një potencial të madh bujqësor: në 11 mijë hektarë tokë bujqësore kultivohen kryesisht drithëra e bimë të ndryshme. Veç kësaj, Vau i Dejës ka 250 hektarë vreshta, 150 hektarë ullinj dhe 250 hektarë gështenja. Në rajonet më malore rriten edhe bimë kuruese. Këtu, ama, infrastruktura ka shumë mungesa: një problem që detyron shumë veta që të transferon në zona më të urbanizuara.
Po burimet njerëzore? A ka një përgatitje profesionale të mjaftueshme për të zhvilluar potencialin bujqësor të kësaj zone?
Vendi kryesor për shkollim është një shkollë në Bushat, një nga fshatrat e zonës. Është një nga pesë shkollat profesionale bujqësore të pranishme sot për sot në Shqipëri. Por, për të zhvilluar më tej burimet që kemi në dispozicion, është e nevojshme që tu jepet më shumë rëndësi shkollava dhe arsimit profesional. Të rinjtë në këtë fushë dinë shumë pak për bujqësinë dhe agronomët që punojnë akoma tashmë janë në moshë. Do ishte i nevojshëm një ndërrim brezazh e një kalim i profesionalitetit nga agronomët e zonës dhe të rinjve.
Po të rinjtë, duan që të merren me bujqësinë apo mendojnë që të transferohen në qendra urbane?
Qeveria duhet të veprojë, për të krijuar kushtet që të rinjtë të qëndrojnë. Në veçanti, është e domosdoshme të arrihet një bashkim tokash, në mënyrë që të rinjtë të kenë zona më të mëdha për të punuar.
Në çdo rast, është pozitiv fakti që në këtë zona nuk ka prirje pët të shitur tokën bujqësore të trashëguar nga gjyshërit dhe stërgjyshërit, por për të punuar në të. Për këtë arsye ka potencial, por duhet të shoqërohet me rritje profesionale. Sipas mendimit tim, shteti duhet të inkurajojë dhe të mbështesë të rinjtë që i futen rrugës së studimit agrar. Me specializimin e duhur, figurat e reja profesionale mund të rinovojnë të gjithë sistemin bujqësor.
A është bujqësia prioritet për institucionet shqiptare?
Jo, deri më tani, zhvillimi bujqësor nuk ka qenë një nga prioritetet. Nuk ka politika që të nxisnin rritjen e prodhimit dhe fatkeqësisht jemi shumë prapa rendimentit që kishim para viteve 1990. Në këtë zonë prodhoheshin deri njëqind kuintalë misër për hektar, ndërsa sot nuk arrihen më këto nivele.
Ka shumë faktorë që kanë çuar te ky rezultat: ndarja e pronës bujqësore, informacione të pasakta mbi kultivimin e tokës, fara të cilësisë së dobët dhe faza prodhimi që nuk janë ndjekur mjaftueshëm nga ekspertët e agronomisë.
Kësaj i duhet shtuar edhe mungesa e informacionit për përdorimin e pesticideve dhe mungesë pothuajse totale e analizës së dheut për të zhvilluar potencialin që ka. Teorikisht, ka ligje mbi praktikat e prodhimit bujqësor, por nuk ndiqen. Në këtë zonë, për shembull, gjatë komunizmit kishte me dhjetëra laboratorë që bënin analizën e tokës dhe të jepnin informacione mbi përdorimin e pesticideve. Tani ka vetëm një për të gjithë Shqipërinë, në Fushë-Krujë, rreth 70 kilometra nga këtu. Një distancë që e bën praktikisht të pamundur për shumicën e fermerëve lokalë.
Në situatën aktuale, a mjafton punimi i tokës pët t’iu dhënë familjeve që e punojnë një jetese të denjë?
Edhe mund të jetohet me bujqësi, por nuk bëhesh i pasur. Një strategji që përdoret shpesh është mbjellja e pemëve të ndryshme si rrushi, ulliri apo perimet e serrës.
Nuk mungojnë shembujt pozitivë: për shembull, prej disa vitesh një pjesë e rëndësishme e tregut të perimeve kosovare mbulohet nga perimet e prodhuara në serrën e Kosmaçit, një fshat i Zadrimës.
Por mundësi të tjera vijnë edhe nga turizmi, si në zonat fushore ashtu edhe në ato malore. Këtu afër për shembull, ne kemi zonën arkeologjike të Komanit, që është unike në Evropë, apo peizazhet madhështore në rrafshnaltën e Toplanës. Mund të shtojmë edhe zona të tjera turistike si shpella e Pëllumbave, kështjellat e Savës, Vigut e Dejës. Territori ofron shumë mundësi që duhen shfrytëzuar. Është e rëndësishme që bujqësia të lidhet edhe me turizmin duke promovuar pushimin pranë fermave, trekking apo shëtitje me kalë.
Për sa i përket perspektivës për zhvillimin e prodhimeve bio në Zadrimë, cili është këndvështrimi juaj dhe cilat janë vështirësitë kryesore?
Prodhimet bio do jenë gjithnjë e më të rëndësishme. Për më shumë, aktualisht prodhimet tona nuk janë shumë larg nga të qenit bio. Pemët e ullirit dhe vreshtat trajtohen shumë pak e mënyra se si punohen i afrohet shumë bujqësisë bio.
Pyetja kryesore për të ardhmen bujqësore të prodhimeve bio është pika e takimit midis kërkesës dhe ofertës. Do jemi në gjendje t’i shesim prodhimet tona? Teknikat bio kanë kosto më të larta dhe prodhim më të ulët: kjo do të thotë që fermeri shqiptar rrezikon, në një perspektivë afatshkurtër – derisa të kemi vërtet një treg bio në vend – të fitojë më pak nga ajo që prodhon.
Prandaj, është e nevojshme të ketë më shumë vetëdije mbi këtë çështje nga një grup fermerësh sa më i gjërë, sepse ndër të tjera, është e nevojshme që të krijohen edhe protokolle të përbashkëta për të ndjekur këtë rrugë dhe për të marrë çertifikatat e nevojshme. Edhe mbi këtë temë ka nevojë për formim, formim që aktualisht mungon.
Prandaj, rruga e prodhimit organik mund të ndiqet, me kusht ama që të mbështetet nga një grup i madh fermerësh.
Ndërgjegjësim i fermerëve, patjetër. Po a janë konsumatorët shqiptarë të gatshëm të kuptojnë dallimin midis një prodhimi bio e një prodhimi jo bio?
Në Shqipëri ka shumë fermerë që prodhojnë për tregun me bujqësi tradicionale, por që për konsum familjar zgjedhin produkte bio, prodhime që shpesh vijnë nga kopshte të vegjël ku nuk bëjnë asnjë lloj trajtimi. Kështu ja bëj edhe unë. Por të dyja palët, si konsumatorët si fermerët në Shqipëri, janë ende pak të vetëdishëm për ndikimin e mundshëm që lëndët kimike kanë mbi shëndetin. Kjo mungesë informacioni, nga ana e prodhimit, shpesh shikohet edhe te përdorimi i painformuar e i pamatur i pesticideve.