Djath dhie, reçel thane, kërpudha të thata. Më datë 5 tetor njëqind prodhues bujqësorë dhe blegtorë nga veriu i Shqipërisë u takuan në Puka Agrofest. OBC Transeuropa intervistoi Nicola Battistella, një prej anëtarëve të OJQ’së RTM Volontari nel Mondo, ndër promovuesit e kësaj nisme.
Puka Agrofest, u organizua më 5 tetor të këtij viti. Mund të na shpjegoni për çfarë bëhet fjalë?
Puka Agrofest është një panair dedikuar produkteve bujqësore dhe blegtorale të zonës, i cili organizohet që prej pesëmbëdhjetë vitesh. Ka lindur në sajë të shoqatës Agropuka, që merret me koordinimin dhe aftësimin e prodhuesve aktivë në shumimin, mbledhjen e frutave të pyllit dhe kërpudhave. Ne të RTM’së, vitet e kaluara, kemi mbështetur prodhuesit që janë përfitues të projekteve tona të zhvillimit rural në zonë. Por këtë vit bëmë një hap më shumë: falë burimeve të vëna në dispozicion nga programi “Aleanca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë familjare në veri të Shqipërisë”, bashkëfinancuar nga AICS dhe CEI, vendosëm të kontribuojmë në mënyrë aktive në organizimin e këtij panairi. Së bashku me Agropuka dhe Bashkinë Pukë, jemi munduar ta konceptojmë panairin jo vetëm si një treg, por edhe si një vend takimi midis të gjithë aktoreve dhe të interesuarve rreth sektorit bujqësor.
Këtë vit ishin rreth njëqind prodhues, kryesisht nga Puka, Fushë Arrëz por edhe nga Vau i Dejës dhe zonat fushore, në sektorë që nga mbareshtuesit e deleve dhe dhive deri tek mjalti, kërpudhat, frutat e pyllit, perimet e freskëta, tè konservuarat dhe caj mali
Kush janë vizitorët e këtij panairi?
Këtë vit kemi investuam më shumë në përgatitje dhe komunikim. Kjo ka sjellë më shumë njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve vjen nga zona përreth. Por Agrofest po fillon të tërheqë njerëz edhe nga larg: kishte vizitorë nga Tirana dhe Shkodra.
Kjo ndodh sepse tani ekziston një ofertë më e madhe sesa në të kaluarën, e cila shkon nga argëtimi me atmosferën festive dhe shijimi i produkte të prodhuesve vendas deri tek ndarja e një sërë çmimesh për prodhuesit vendas.
Për herë të parë, kishte ekspozues me makineri bujqësore, sigurisht të vogla, veçanërisht për përpunimin e mjaltit, mjeljes ose ushqimit të kafshëve.
A mund të na tregoni për Pukën dhe rrethinat e saj?
Puka eshte një qytet prej rreth pesë mijë banorësh në veri të Shqipërisë, i vendosur në një zonë kryesisht malore, i cili ka pësuar një shpopullim të dukshëm që nga vitet 1990. Nuk ka aktivitete të mëdha ekonomike, ndaj zhvillimi lokal bazohet në realitete të vogla, shpeshherë të drejtuara nga vetë familjet. Kjo është qasja më e qëndrueshme, duke pasur parasysh edhe mungesën e infrastrukturave të mëdha dhe shërbimeve, si të përgjithshme por edhe të orientuara nga biznesi.
Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve që jetojnë në këto zona rurale janë të punësuar në sektorin e bagëtive të imëta. Flasim për familje që zotërojnë 60-80 dhi, ndonjëra edhe 200, dhe një laborator të vogël për prodhimin e djathit. Ata bazojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre familjare në shitjen e kecave për therje dhe djathë. Për t’i thënë në shifra: nëse një familje ka 100 dhi dhe punon mirë, mund të ketë të ardhura 300-400 euro në muaj, nëse këto te ardhura shpërndahen gjatë gjithë vitit.
Kohët e fundit, në këtë zonë po rritet gjithashtu prodhimi i mjaltit, ku familjet kanë nga 50 deri në 70 koshere. Një aktivitet tjetër është grumbullimi dhe përpunimi i manaferrave te egra, mjedrave, boronica, thana. Këto kryesisht mblidhen ne natyre edhe pse tashme ka perpjekje edhe per kultivimin e tyre. Djathi i dhisë, frutat pyjore dhe mjalti janë tre sektorët që duken më premtues dhe mbi të cilët lëvizin më shumë gjëra.
Pse RTM ka zgjedhur veriun e Shqipërisë?
RTM mbërriti për herë të parë në Shqipëri në një mënyrë disi indirekte, gjatë krizës në Kosovë, për të dhënë mbështetje për refugjatët që vijnë prej andej. Pastaj filloi aktivitetin e saj pikerisht në Kosovë pas përfundimit të luftës, por marrëdhëniet me Shqipërinë Veriore kurrë nuk u shkeputen sepse aty ishte Dioqeza e Reggio Emilia’s, qyteti ku kemi zyrat qendrore. Në vitin 2013 vendosem të ktheheshim në mënyrë me të qëndrueshme në Shqipëri, duke ndërhyrë në dy sektorë, atë të zhvillimit rural dhe atë të të drejtave të grave.
T’i kthehemi panairit Agrofest, një prej stendave të saj iu kushtua markës “Shija e Veriut”…
Një nga rezultatet e projekteve tona ishte krijimi i një marke për produktet e dhisë, në veçanti kushtuar djathit. Marka, në italisht “Sapori del nord”, lindi nga puna kryer bashke me një grup mbarështuesish. Ende nuk është prezantuar zyrtarisht. Me siguri do ta bëjmë atë në pranverë, por ndërkohë kemi vendosur ta prezantojme në kontekste të këtij lloji.
Ideja është ajo e një marke për produktet e bagëtive të imëta që mund të veprojë si një forcë tërheqëse për produktet e tjera tipike dhe për bujtinat e vogla – “guesthouse” – që i ofrojnë vizitorëve produkte lokale.
Përdorimi i promovimit të një produkti shumë tipik siç është djathi i dhisë për t’i tërhequr drejt produkteve të tjera tipike të zonës është thelbësore. Me këto veprime duam të eliminojme problemet që lidhen me dimensionin e vogël apo shumë të vogël të aktiviteteve prodhuese lokale.
A kishte ndonjë prodhues në Pukë që ju bëri përshtypje të veçantë?
Emigrimi këtu prek shpesh të rinjtë, të cilët kërkojnë punë jashtë dhe për këtë arsye në zonat rurale shpesh mbeten të moshuar. Sidoqoftë, si në nivelin e publikut, ashtu edhe të prodhuesve në Agrofest, ne ishim në gjendje të përfshinim të rinj midis moshës 25 dhe 35 vjeç, të cilët dëshmuan se ishin veçanërisht aktivë.
Dhe kane arritur nje fare suksesi si në aspektin e produkteve por edhe ne thyerjen e imazhit të sektorit të bagetive te imeta që shpesh shoqërohet me situata “nuk ka gje tjetër për të bërë, na duhet ta bëjmë këtë”.
Rastet e këtyre të rinjve që kanë sukses në fushën e tyre kanë një ndikim të madh në atë që shihet si një punë margjinale e cila fillon te kthehet ne një punë që mund të çojë në rezultate të mira.
E gjithë kjo gjithashtu ka një ndikim në përmirësimin e proceseve te prodhimit: këta të rinj janë të gatshëm të eksperimentojnë, prezantojnë gjëra të reja, përfshihen.
Tashmë jeni prej disa vitesh në Shqipëri duke u përkujdesur për zhvillimin e territorit. Cilat janë elementet më kritikë?
Elementet më kritike kanë të bëjnë me anën strukturore. Para së gjithash, mungesa e infrastrukturës, nga rrugët deri në faktin se furnizimi me energji elektrike në disa zona është akoma i paqëndrueshëm – ose nuk ka fare – dhe kjo paraqet probleme serioze për ruajtjen e produkteve.
Gjithashtu ekziston paarritshmëria ndaj subvencioneve institucionale dhe vështirësia për të marrë kredi. Është e vështirë të bësh investime nëse nuk ka subvencione qeveritare ose nëse shkon në bankë për të kërkuar një kredi, dhe kërkohen kushte që janë të paarritshme për shumicën e prodhuesve vendorë. Marrim si shembull normat e interesit që janë mbi 10% për një fermer në këto zona që nuk japin dot garanci. Edhe subvencionet e ministrive vazhdojnë të jenë të paarritshme për shumicën e tyre, ose sepse duhet të transferohen në qendrat urbane për të aplikuar ose sepse kërkohen një sërë kërkesash që shumë prej tyre nuk i kanë.
Në fund duhet pasur parasysh që shumë nga këto aktivitete ekonomike mbeten – të paktën pjesërisht – joformale. Nuk ka përfitime duke rregulluar aktivitetin dhe nuk ka gjobitje nëse nuk bëhet. Sidoqoftë, kjo ngadalëson mundësinë e zhvillimit në këtë sektor, duke kufizuar për shembull kontrollet e vazhdueshme për cilësinë e prodhimeve ose një marketing më të organizuar.
Elemente pozitive?
Para së gjithash fakti – po e përsëris – që ekziston një numër i konsiderueshëm i të rinjve që lëvizin në këtë sektor, që është mbase një trend që kemi parë edhe në Itali vitet e fundit. Dhe pastaj ka përpjekje – megjithëse të ngadalta dhe jo të lehta – për të krijuar rrjete të prodhuesve. Për shembull, dimrin e kaluar, një grup i mbarështuesve na kërkuan t’i ndihmonim për këtë. Dhe në një vend ku – duke pasur parasysh të kaluarën komuniste – çdo formë e bashkëpunimit dhe kooperimit shihet me mos interesim ose negativisht, ishte një sinjal i fortë. Prandaj filluam këtë udhëtim që çoi në lindjen e një shoqate të mbarështuesve në korrik, duke përfshirë disa të rinj, përfshirë disa vajza. Ky është veç një hap i parë. Ne kemi filluar të bëjmë aktivitete. Çdo gjë mund të përfundojnë në gjashtë muaj, por mund të çojë gjithashtu në organizimin e grupeve të blerjeve të përbashkëta, sistemeve të shitjeve të përbashkëta, fillimin e trajtimeve veterinare të përbashkëta. E gjithë kjo mund të lëvizë diçka.
Ndër të tjera, kemi vënë re se një sërë masash, trajtimesh dhe procedurash që nuk ishin miratuar më parë, tani janë bërë pjesë e aktivitetit të përditshëm të këtyre prodhuesve. Kur krijohen raste të praktikës së mirë, atëherë ato përhapen shumë shpejt: nëse punoni me prodhuesit më aktivë dhe jeni të gatshëm të eksperimentoni, merrni rezultate të mira, atëherë janë ata që ua komunikojnë kolegëve. Disa masa që kanë pasur rezultate pozitive janë përhapur edhe jashtë përfituesve të projekteve tona.
Po nga konsumatorët? A ka më shumë vëmendje për këto lloj produktesh?
Disa produkte për të cilët kemi punuar shumë, veçanërisht mishi i dhisë dhe djathi, tani shiten me një çmim mesatarisht më të lartë se disa vite më parë. Dhe kjo, për prodhuesit, është absolutisht pozitive. Eventet promovuese sigurisht që kanë përfituar. Por edhe fakti që këta prodhues kanë më shumë besim në vetvete dhe nuk kanë më frikë se nuk mund të shesin produktin. Më parë pranonin një çmim të ulët për t’u liruar sa më shpejt nga produkti, dhe të arkëtonin sa më shumë të mundnin. Tani nuk ka më frikë se mund të ngelë produkt i pashitur. Djathi i dhisë zakonisht bëhet nga qershori deri në shtator dhe këtë vit me siguri do të jetë panairi i fundit në të cilin do të marrin pjesë shumë prodhues sepse ata tashmë kanë mbaruar rezervat. Tani prodhimet e vogla që po shkojnë mirë arrijnë Tiranën, ndërkohë që më parë kufizoheshin në Pukë ose më së shumti në Shkodër. Dikush gjithashtu ka filluar eksportimin në shtetet fqinje, dhe shërben si shembull dhe një forcë lëvizëse për të gjithë të tjerët.
Projekti
Vëmendje për fatin e shumë familjeve, zhvillimit lokal, peizazhit, çështjeve të zhvillimit ekonomik. Këto janë, në përmbledhje, elementët kryesorë të Alencës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut.
Programi ka filluar më 4 korrik 2017 në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.
Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).
Shiko dosjen dedikuar Shqipërisë Veriore