Puka, një rajon malor në Shqipërinë veriore, varfëruar nga shpërngulja e vazhdueshme e popullsisë dhe nga harresa e institucioneve, po fillon të shpresojë tek bujqësia dhe turizmi.
Sabah Djaloshi është drejtori i Agropukës, një shoqatë e prodhuesve bujqësorë të angazhuar në zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, promovimin e demokracisë lokale dhe përfshirjen sociale në Pukë, rreth malor i Shqipërisë së veriut. Më poshtë intervista me të gjatë takimit në selinë e organizatës ku diskutuam për problemet dhe perspektivat e rajonit.
Me çfarë merret Agropuka?
Agropuka është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2001 falë nismës së disa specialistëve në bujqësi dhe blegtori. Aktualisht përfshin 300 njerëz, sidomos fermerë, por edhe teknikë të specializuar dhe shoqata të vogla. Agropuka është zhvilluar falë angazhimit të popullsisë, dhe sigurisht falë kontributit të disa donatorëve, përfshirë Swiss Development Cooperation, WeEffect dhe Bashkimit Evropian. Mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë për zhvillimin rural të zonës së Pukës ka pasur dhe vazhdon të ketë rëndësi të madhe.
Pas viteve 1990, popullsia e Pukës ka rënë ndjeshëm për shkak të emigrimit. Shumë prej banorëve janë shpërngulur në zonat fushore, në kryeqytet apo në Durrës, ose jashtë vendit. Fermat në zonë janë shumë të vogla, me prodhime të larmishme dhe ndodhen në një terren mjaft të vështirë. Puka është një rajon malor me fshatra shumë larg njëri-tjetrit, por me mundësi te mira zhvillimi. Kjo është arsyeja pse organizata jonë po përpiqet të përmirësojë kushtet e jetesës së banorëve të kësaj zone.
Vëmendje ndaj fatit të familjeve, vëmendje ndaj zhvillimit të komuniteteve lokale, vëmendje ndaj peizazhit, vëmendje ndaj temave të zhvillimit ekonomik. Këta janë katër elementët kryesorë që Alenca për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqesisë Familjare në Shqipërinë e Veriut synon të fuqizojë, duke u nisur nga njohuritë tradicionale, prodhimet tipike, dhe nga roli i grave.
Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).
Objektivi i nismës mund të ngjajë “tradicional” – zhvillimi ekologjik i qendrueshëm i një ndër territoreve më të prapambetura të Shqipërisë – por rrjeti dhe metoda që do të përdoret për realizimin janë inovative. Agropuka, duke pasur parasysh rolin e saj në rajon, merr pjesë si anëtare e përhershme e Komitetit per Menaxhimin e Fondeve per Zhvillimin e Bujqësisë Familjare, skemë financimi e parashikuar nga projekti.
A do të përcaktonit Pukën si një zonë të varfër?
Puka është rajoni më i varfër në Shqipëri. Është e varfër sepse ka pak burime. Toka e punueshme është e pakët. Në të gjithë rajonin janë regjistruar si tokë e punueshme 5000 hektar tokë, por në të vërtetë, toka e përshtatshme për përdorim nuk arrin më shumë se 2500 hektar, që do të thotë se madhësia e një ferme në Pukë është rreth 0.5-0.7 hektar për familje.
Çfarë mund të kultivojë një fermer, apo çfarë mund të prodhojë dhe të shesë në treg me tokë kaq të vogël? Për më tepër, siç e përmenda më lart, Puka është varfëruar nga shpërngulja e popullsisë jashtë vendit apo në zona të tjera të Shqipërisë. Shumica e të rinjve ka emigruar dhe kanë mbetur të moshuarit, për të cilët është e vështirë puna në ferma për të siguruar të ardhura. Si rrjedhojë, mirëqenia e shumicës së banorëve në këtë zonë varet nga njëra anë, nga remitancat e emigrantëve, dhe nga ana tjetër, nga shitja e produkteve bujqësore që tejkalojnë konsumin e familjeve.
Cilat janë perspektivat afatgjata për ata që vendosin të qëndrojnë në Pukë, në vend të atyre që kanë vendosur të largohen?
Njerëzit e kanë braktisur Pukën jo vetëm prej vështirësive ekonomike, por edhe për shkak të problemeve të tjera, veçanërisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.
Nëse mësuesit, infermierët dhe doktorët largohen, si mund t’i rrisim fëmijët? Ku mund të marrin ndihmë mjekësore? Ku do të shkojnë në shkollë?
Megjithatë, unë mendoj se ka pasur përmirësime në vitet e fundit. Menaxhimi i autoritetet vendore është përmirësuar, ka më pak pabarazi midis zonave të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara, dhe ka më shumë interes në mbështetjen e rritjes rurale të Pukës nga donatorët ndërkombëtarë. Falë gjithë kësaj, ne kemi arritur të prodhojmë dhe të tregojmë produkte që e kanë bërë të njohur Pukën dhe kanë zgjuar shpresën e fermerëve.
Cilat janë produktet që rajoni i Pukës mund të ofrojë në tregun shqiptar dhe ndërkombëtar?
Në vitin 2013 kemi përcaktuar katër prioritete në prodhim dhe rritje: zhvillimin e sektorit të mbarështimit të kafshëve dhe prodhimit të djathrave të cilësisë së lartë, veçanërisht nga bagëtia e imët si dhitë, për tregun lokal dhe kombëtar; zhvillimin e prodhimit të produkteve si kërpudhat dhe manaferrat, të cilat mund të kultivohen dhe mblidhen; zhvillimin e turizmit malor, i cili është ende në një fazë zhvillimi potencial, por që mund të rritet në vazhdim. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është bletaria.
Kanë arritur sot këto produkte tregun shqiptar dhe nderkombëtar?
Perimet dhe ushqimet e përpunuara, sidomos ato të thata, si kërpudhat, kanë arritur tregun kombëtar. Edhe kërkesa për mjaltë është e kënaqshme. Për sa i përket djathrave, përpjekjet për përmirësimin e cilësisë kanë filluar vetëm një vit më parë. Më parë nuk kishte baxho në Qarkun e Pukës dhe kushtet e bagëtisë linin për të dëshiruar.
Sot, në sajë të ndërhyrjeve të bëra nga Reggio Terzo Mondo, një nga partnerët tanë, ka pasur një përmirësim të dukshëm dhe dy ose tre baxho të vogla kanë filluar të prodhojnë djathë me cilësi të mirë.
Për tregtimin e këtyre produkteve, sfida kryesore është respektimi i standardeve. Të gjithë ne duhet të punojmë shumë në mënyrë që produktet tona të arrijnë standardet evropiane. Mbetet ende problemi sasior i produketeve: për momentin mund të flasim vetëm për kg dhe jo për ton.
Popullsia e fshatrave të kësaj zone ka rënë në 20 vitet e fundit. A mendoni se ka ndonjë mundësi që emigrimi të ndalet apo të mund të ketë një emigrim kthimi?
Burimet njerëzore janë një nga pikat kritike të zhvillimit, veçanërisht të rinjtë. Kam vënë re nisma pozitive nga autoritetet vendore dhe donatorët tanë. Gjatë dy viteve të fundit kanë filluar të punësojnë gjithmonë e më shumë të rinj. Ky është një trend pozitiv që ofron mundësi të mira.
Agropuka po përpiqet të nxisë jo vetëm zhvillimin ekonomik të rajonit, por edhe përmirësimin e shërbimeve, aspekt po aq i rëndësishëm. Po përpiqemi t’u ofrojmë të rinjve aktivitete, lehtësira dhe mundësi për t’u përfshirë në projektet tona, duke identifikuar fushat më me interes për punë.
Bujqësia është një sektor i vështirë, jo për të gjithë, por shumë njerëz janë të tërhequr nga turizmi.
Shoqatat e donatorëve janë të rëndësishme dhe të mirëpritura. Por zakonisht, kur bëhet fjalë për zhvillimin e një rajoni, institucionet luajnë një rol qendror. Çfarë mendoni për politikat e zbatuara nga institucionet qendrore? Ne kemi dëgjuar ankesa të shumta, si për shembull, infrastruktura …
Problemi nuk qendron vetëm tek infrastruktura por edhe tek shkollat, shërbimet shëndetësore … Për shembull, kemi probleme me të drejtat e pronësisë, që duhet të zgjidhen sa më parë. Në thelb, fermerët nuk janë ligjerisht pronarë të tokave të tyre, edhe pse i punojne ato prej vitesh.
Autoritetet janë përqëndruar më shumë në zhvillimin e zonave urbane dhe më pak në zonat rurale. Fermerët gjenden shpeshherë vetëm dhe ndonjëherë mbështeten vetëm nga shoqatat e donatorëve ndërkombëtarë.
Sipas mendimit tim, nevojitet që autoritetet vendore të vënë në dispozicion të fermerëve teknikë të specializuar për t’i mbështetur ata në zhvillimin dhe përshtatjen e fermave të tyre: pa këtë lloj aftësish nuk mund të presim rezultate konkrete në këtë sektor.
A mendoni se problemet e vemprimtarive të vogla familjare mund të tejkalohen, për shembull, nëpërmjet një sistemi koperativash?
Është shumë e rëndësishme të nxiten fermerët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Fermat në këtë zonë janë shumë të vogla dhe kjo është rruga e vetme për të dalë nga modeli i prodhimit për mbijetesë. Bashkëpunimi është një temë mbi të cilën po punon edhe organizata jonë. Kemi krijuar grupe bashkëpunimi dhe po shohim reagime pozitive nga pjesëmarrësit.
A është krijimi i koperativave i ndikuar negativisht nga trashëgimnia e regjimit të vjetër komunist?
Ndonjëherë po, fermerët janë mosbesues. Megjithatë, është e nevojshme të gjejmë mënyra bashkëpunimi, për shembull, duke krijuar grupe bashkëpunimi që përfshijnë veçanërisht gratë. Këto grupe kanë një efekt të dyfishtë pozitiv: në kushtet që ka Puka, bashkëpunimi nuk do të thotë vetëm të prodhosh dhe të shesësh së bashku, por edhe të krijosh shoqëri. Njerëzit e fshatit ndonjëherë mblidhen vetëm në në dasma apo varrime. Grupet tona po rindërtojnë komunitetin.
Cila ka qenë reagimi i përgjithshëm ndaj nismave që përfshijnë shoqatat e grave?
Nevojitet shumë kohë për t’i zhvilluar. Me ndihmën e partnerëve tanë zvicerianë, që nga viti 2005 kemi krijuar gjashtë grupe bashkëpunimi grash. Pika kryesore është gjetja e një figure kyçe në fshat, një grua që gjithashtu mund të tërheqë gra të tjera. Për shkak të presionit të ushtruar nga burrat, nga komuniteti dhe nga shoqëria në përgjithësi, udhëheqëset janë personalitete të domosdoshme në këtë fushë. Në këto grupe, gratë mund të ndihen pjesë e komunitetit, duke mos u ndjerë më kështu të përjashtuara dhe pa një rol shoqëror. Ne krijuam grupin e parë në qytet dhe, më vonë, pjesëmarrëset shkuan në fshatra dhe organizuan grupet e tjera.
Unë vij nga këto anë dhe punoj këtu prej vitesh. Ka pasur përmirësime të mëdha në lidhje me gjendjen e grave. Sipas mendimit tim, çelësi për këtë përmirësim, qëndron tek bashkëpunimi. Dikur në fshatra gratë ndoshta mblidheshin një herë në vit. Sot, duke qenë pjesë e një grupi, mund të takohen një herë në muaj.
Kjo do të thotë që një grua nuk mund të dalë nga shtëpia?
Nuk është e lehtë pasi duhet të merren me të gjitha punët e shtëpisë. Nuk kanë një jetë shoqërore. Kjo situatë mund të përmirësohet duke zhvilluar bizneset e grave. Është shumë e rëndësishme të gjejme mënyrën për t’i afruar këta njerëz.
Ky artikull është publikuar më parë në italisht në OBC Transeuropa me autor Francesco Martino. Titulli origjinal: “Albania: le speranze di Pukë”