Bujqësia biologjike në Shqipëri, një potencial i pashprehur

Shqipëria ka mundësi për të zhvilluar me sukses bujqësinë biologjike, por ky sektor ka akoma nevojë për ndërhyrje strukturore.

Bujqesia Biologjike Ne Shqiperi

Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa foli për këtë temë me Profesor Enver Isufin, drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike të Durrësit. Intervistë nga Francesco Martino

Në cilën fazë të zhvillimit ndodhet aktualisht bujqësia bio në Shqipëri?

Bujqësia biologjike shqiptare ndërmorri hapat e saj të parë në vitin 1997, kur u themelua Organic Agriculture Association (OAA) me mbështetjen e disa donatorëve ndërkombëtarë si Avalon (Holandë), Instituti Zviceran për Bujqësinë biologjike, USAID, Cooperazione italiana, etj. Sot, aktorët kryesorë që punojnë për zhvillimin e bujqësisë biologjike në Shqipëri janë Instituti për Bujqësi biologjike, Shoqata Shqiptare e Marketingut dhe organizmi certifikues Albinspekt. Aktualisht ne kemi rreth 80 prodhues biologjik aktiv në tregjet vendore dhe ndërkombëtare, që veprojnë nën kujdesin e Institutit për Bujqësi biologjike.

Si e vlerësoni zhvillimin e sektorit të bujqësisë biologjike në Shqipëri, duke filluar me hapat e parë, të nisur në fillim të viteve 2000?

Nga vitet 2001 deri në 2011 Shqipëria kishte një numër më të madh fermerësh: në atë kohë bujqësia biologjike pati mbështetje të madhe nga donatorë të ndryshëm. Më pas, numri i fermerëve të përfshirë në bujqësinë biologjike është ulur nga viti në vit. Në vitet e fundit, megjithatë, kemi vënë re një trend pozitiv, me një rritje të konsiderueshme të bio-fermerëve, sidomos në fushat e bimëve mjekësore dhe të vajit të ullirit bio. Ky trend është (gjithashtu) pasojë e rritjes së financimeve nga qeveria shqiptare në dy vitet e fundit.

Cilat janë prodhimet më të pranishme dhe më premtues bio në Shqipëri sot për sot?

Aktualisht bimët mjekësore, bimë të freskëta dhe vaj ulliri, të cilat gjithashtu përfaqësojnë eksportet kryesore në tregjet ndërkombëtare. Në vitet e fundit kemi parë një rritje të numrit të fermerëve që kultivojnë bimë mjekësore dhe aromatike, ndërsa ato që prodhojnë fruta dhe perime janë zvogëluar.

Cilat janë fermerët që kanë treguar interes për të kaluar nga bujqësia tradicionale te ajo biologjike?

Shumë fermerë të ndryshëm tregojnë interes për të kaluar nga prodhimi tradicional te ai biologjik. Shumë, megjithatë, nuk i kanë burimet e nevojshme financiare. Në përgjithësi, unë besoj se nëse mbështetja financiare do të ishte më e lehtë për t’u marrë, shumë prodhues të tjerë do të ishin gati për të kaluar te prodhimi biologjik.

A është legjislacioni aktual i përshtatshëm për të mbështetur nevojat e fermerëve biologjikë? A ka fonde publike të konsiderueshme apo kontribute financiare të dedikuara për këtë sektor?

Në vitin 2016, parlamenti shqiptar miratoi një ligj të ri, i projektuar posaçërisht për të zhvilluar dhe për të mbështetur bujqësinë biologjike në vend. Rregullat për zbatimin efektiv të ligjit të ri tani janë gati, por qeveria ende nuk i ka zbatuar ato.

Subvencionet ndryshojnë nga 700 deri në 1.500 euro për çdo fermer të certifikuar, në bazë të fazës së konvertimit në prodhimin biologjik (viti i parë, viti i dytë dhe bioprodhimi i plotë në vitin e tretë). Duke marrë parasysh nevojat e fermerëve të vegjël shqiptarë (të cilët kanë një fermë mesatare biologjike prej rreth dy hektarësh), mendoj se ky nivel i mbështetjes financiare është i mirë dhe, të paktën teorikisht, i lejon fermerët në fjalë të fillojnë të merren me prodhimin biologjik. Deri më tani, megjithatë, fermerët jo gjithmonë i kanë marrë shumat për të cilat kanë të drejtë.

A ka një strategji afatgjate për zhvillimin e bujqësisë biologjike në Shqipëri?

Për momentin, qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë plan veprimi të ri për zhvillimin e bujqësisë biologjike, pas përfundimit të fazës së parë (2007-2013), i cili është zbatuar vetëm pjesërisht dhe ka mbaruar. Ne besojmë se është i nevojshëm një plan i ri për të kuptuar dhe për të arritur synimet në këtë sektor.

A ka një treg lokal funksional, i mjaftueshëm për të përthithur prodhimin vendas dhe për të nxitur më shumë prodhime bio në tryezat e Shqipërisë?

Vitin e kaluar kemi parë një ulje të numrit të pikave të shitjes për prodhimet biologjike në Shqipëri, edhe për shkak të zvogëlimit të numrit dhe të varieteteve të produkteve në shitje, veçanërisht për sa u përket frutave dhe perimeve. Shqipëria aktualisht nuk ka një rrjet të përshtatshëm të kanaleve të shitjes, mungojnë pikat e grumbullimit dhe dhomat e ftohjes për shpërndarjen dhe ruajtjen e prodhimeve biologjike të freskëta. Në të njëjtën kohë, nuk ka mbështetje financiare për zhvillimin e edukimit të konsumatorit, promovimin dhe tregtimin e produkteve biologjike.

A ka potencial për të eksportuar produkte biologjike shqiptare? Nëse jo, cilat sfida dhe pengesa duhet të tejkalohen?

Shumë produkte biologjike shqiptare kanë potencial të qartë të eksportit. Edhe një herë, pengesa kryesore është mungesa e mbështetjes financiare në dispozicion të fermerëve për të eksploruar tregje të reja jashtë vendit. Një sfidë tjetër është mungesa e mjeteve dhe mundësive për të marrë njohuritë e nevojshme: bio-inputet, trajnimet, shërbimet e zgjerimit, publikimet, mbështetja e marketingut dhe edukimi i konsumatorëve do të ishin veçanërisht të mirëpritura. Nëse dhe sikur këto burime të jenë të mundshëm, numri dhe sasia e produkteve të eksportuara mund të rritet ndjeshëm.

Si kontribuojnë aktualisht donatorët ndërkombëtarë, si financiarisht ashtu edhe në aspektin e shkëmbimit të njohurive, në sektorin biologjik shqiptar?

Në vitet e fundit, për fat të keq, projektet e financuara nga instrumentet e BE-së si IPARD dhe IPA dhe donatorët ndërkombëtarë në përgjithësi. nuk i kanë dhënë përparësi bujqësisë biologjike. Nuk është e lehtë të kuptohen arsyet për këtë mungesë interesi: ndoshta nuk kanë besim në potencialin e tregut shqiptar për prodhimet biologjike, ose donatorët janë të frikësuar nga standardet e larta të kërkuara nga bujqësia biologjike. Nga ana ime, e kam të vështirë të kuptohet se pse BE-ja nuk e mbështet më shumë sektorin e prodhimeve bio në Shqipëri. Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë lajme për donatorë të ndryshëm, të gatshëm për të filluar projekte të reja, por ende nuk është e qartë nëse kjo do të ndodhë apo jo. Ndërkohë, ajo që mbetet në terren janë disa projekte të vogla nga donatore si Cospe (Itali) dhe Giz (Gjermani), të cilat ende arrijnë të mbështesin disa fermerë dhe prodhime biologjike.

A ka bashkëpunim të rëndësishëm rajonal në Ballkan për të mbështetur dhe për të zhvilluar një bujqësi biologjike afatgjatë të qëndrueshme?

Në vitin 2011, u krijua një rrjet biologjik e evropës juglindor (SEEON) për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë biologjike në nivel rajonal. Platforma ka organizuar mbi dhjetë takime, në të cilat kemi rrahur probleme dhe sfida të përbashkëta, kemi diskutuar mbi njohuritë e fituara, etj. Iniciativa është e dobishme, por fatkeqësisht ende nuk ka plane konkrete për një zhvillim real dhe të qëndrueshëm të bujqësisë biologjike në rajon.

Projekti

Vëmendje për fatin e shumë familjeve, zhvillimit lokal, peizazhit, çështjeve të zhvillimit ekonomik. Këto janë, në përmbledhje, elementët kryesorë të Alencës për Zhvillimin dhe Vlerësimin e Bujqësisë Familjare në Shqipërinë e Veriut.

Programi ka filluar më 4 korrik 2017 në Pukë dhe në 7 korrik në shkollën profesionale të Bushat-Vau i Dejës.

Projekti trevjeçar, nisur më 4 korrik në Pukë, promovohet nga dy OJQ italiane – Reggio Terzo Mondo (RTM ) dhe Cooperazione per lo sviluppo paesi emergenti (COSPE ) – me mbështetjen e Agjensisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS).

Shiko dosjen dedikuar Shqipërisë Veriore

Kjo intervistë është e disponueshme dhe në italisht

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version