Puç, puç zogu! Puç, puç zemra!
Atë ditë lokalet e bllokut ishin plot sikur të ishte hera e fundit.
-A mund të ulem në tavolinë me ty kështu i hedh një sy edhe Bencit që e kam parkuar aty përpara? – i drejtohet një burrë i gjatë dhe i kollarisur.
-Posi jo, – u përgjigj vajza, aspak e bezdisur.
-Ahaa u lodha, – e nisi bisedën burri duke u shtriqur. Gjithë këta këshilltarë.
-Pse me çfarë merresh? – e pyeti vajza plot kuriozitet, dhe me një farë kënaqesie; ndjeu se kishte gjetur dikë që ti paguante kafen.
-Po ja kështu, biznes, – u përgjigj, dhe përsëriti – biznese të ndryshme.
-Po ti? – e pyeti i panjohuri.
-Studioj në universitet, sapo kam filluar, – u përgjigj ajo – sot kisha një orë pushim dhe dola.
-Po prindërit e tu punojnë? – pyeti ai sërish.
-Mami punon në një firmë italianësh, babai andej këtej, ndonjë punë.
-I paguajnë mirë të paktën?
-140 mijë lekë të vjetra në muaj.
-Sa, saaa? – u çudit ai. – Punojnë akoma për aq lekë? Unë aq i harxhoj në ditë.
-Po ç’ti bësh.
I panjohuri hodhi vështrimin drejt kangjellave të ulëta që rrethonin barin. I tërhoqi vëmendjen një vajzë e gjatë me flokë të zeza, mbështetur pas hekurave. Në vesh kishte një palë kufje dhe herë pas here mbyllte sytë dhe tërhiqte kokën mbrapsht duke shtrënguar dhëmbët.
-Paska shkalluar, – gjykoi i panjohuri duke e treguar me gisht.
-Kush Sally?
-Sally? – u çudit me emrin i panjohuri.
-E thërrasin kështu sepse dëgjon gjithmonë një këngë të një këngëtari italian, Vasko Rosi. I duket sikur gjen veten në ato vargje. Ka pasur një jetë sa të bukur po aq të trishtë. Thonë se në këtë bar kishte njohur dikur një djalë me Benc të bardhë… – heshti pak vajza. Seç pati një parandjenjë të keqe. E mori pak veten dhe vazhdoi – Që atëherë vjen çdo pasdite dhe mbështetet te kangjellat e barit duke dëgjuar atë këngën.
-Ok, unë tani po bëj një xhiro nga rruga e Elbasanit – tha i panjohuri, që nuk dukej shumë i prekur nga historia. – Më kanë thënë se po hapen ca motele të reja. Po deshe mund të vish edhe ti.
Vajza hezitoi pak kur dëgjoi fjalën motel. Pëshpëritej shumë në universitet mbi motelet.
-Vetëm një xhiro, – i dha kurajo ai, por pa këmbëngulur.
Ajo u bind. U nisën duke i rënë nga qendra. Papritmas, kur po kalonin pranë partizanit të panjohur, vajza uli kokën.
-Çfarë ndodhi? – e pyeti ai.
-Ishte babai im…ai me xhaketë gri.
-Po çfarë bën aty me matrapik në dorë?
-Nuk e di, – u pergjigj vajza dhe u skuq. Të gjithë e dinin se atje ishte “tregu i krahëve të punës”.
I panjohuri nuk i dha shumë rëndësi gënjeshtrës.
– Paska shumë trafik, – u ankua. – Më vonë kam edhe një takim. Nuk të vjen keq ta lëmë për nesër?
– Nesër kam mësim.
-Po lëri mësimet, ç’të duhet të harxhosh kohën kot. Shijo jetën sa je e re sepse diplomën mund ta blesh në ndonjërin nga universitetet private me 3-4 mije euro. Pse kot i kemi hapur? Sidoqoftë unë jam i lirë edhe pasnesër.
-Pasnesër jam në protestë, – u përgjigj vajza.
-Në protestë? Për çfarë? Nuk të pëlqen jeta që po bën? – e bombardoi me pyetje i panjohuri. – Shiko çfarë jete, çfarë baresh, – vazhdoi duke treguar me gisht rrotull. – Sidoqoftë bëj si të duash, por njëri nga ata këshilltarët më ka thënë se nuk do të ketë përfundim të mirë ajo protesta juaj. Ai e di mirë, po ti bëj si të duash, – përsëriti ndërkohë që vajza po zbriste tek stacioni i autobuzit.
***
-Qenkan më shumë se ç’kishim parashikuar, – tha i Madhi duke larguar pak perden. – Por nuk po shikoj asgjëkundi atë horrin.
-Do të ketë ndjerë erën e gjakut dhe është fshehur në ndonjë lokal, – ja priti me ironi njëri i përkulur tek dritarja tjetër.
-Ha ha ha… si thiu, – qeshi dikush me dialekt shkodran. – Thonë se edhe ai sheh andrra t’kqija nji javë para se ta therin.
-Sapo mbaruam me ujitjen, – tha Hysni Tegeli me një zë ngadhënjyes, ndërsa po ndiqte veprimet e policisë. – Tani që i kemi zbutur po vazhdojmë me dajakun, – shtoi ndërkohë që te dera po ndodhte batërdia.
-Këta nuk dinë se si hapen dyert e kryeministrisë mër jahu. Mendojnë se puçi bohet vetëm me të gjallë, – foli papritmas “tironsi”. – Janë edhe injorantë, – shtoi duke u skërmitur. – Mjaftonte të shkarkonin në iPad atë lojën jo fort të vjetër, me arkivole dhe me tanke.
I ndritën sytë, duke mendur se kishte ngjallur tek i Madhi, nostalgjinë e kohëve të largëta dhe të lavdishme. E befasoi vështrimi i vëngërt dhe i shoqëruar me ulërimë, – Nuk dua ta dëgjoj fjalën “puç” që tani. Është shpejt.
Pastaj hapi prapë cepin e perdes dhe i shkuan sytë tek një ndërtesë që nuk gjendej fort larg. Një afsh zilie i pushtoj krejt trupin. “Kur dilte Ai atje tek dritarja, të gjithë brohorisnin”, deshi të bërtiste, duke ulur me kujdes perden që të mos tradhëtonte veten.
-Po ikin, po ikin! – thirri sekretarja duke hyrë me vrull, sikur po sillte një lajm të mirë. U habit kur i pa të gjithë të topitur.
-Kush i duron këta përditë… Duhen ca të vdekur që tu hyjë frika sepse… – deshi të mbaronte fjalën Besniku, duke e parë të Madhin në sy. Nuk arriti ta përfundonte sepse e ndërprenë breshëritë e automatikëve dhe thirrjet “Po vdes! Po vdes! ” Uli kokën plot mirëkuptim…
***
-Plani i parë po na groposet, sepse na tradhëtuan ata batakçinjtë e televisioneve. Kështu që na duhet të kalojmë tek i dyti, i cili është shumë i komplikuar. Ja strategjia, – tha me atë pak zë të ngjirur që i kishte mbetur pas deklaratave për shtyp. – Do të akuzojmë ata që kanë treguar, ata që kërkojnë të hetojnë, ata që thonë se dhuna e shtetit nuk është e hijshme dhe armiqtë e zakonshëm. Sigurisht që na duhen edhe prova, – shtoi, duke lënë të kuptohet se duheshin gjendur, sajuar, shpikur.
-Për shembull ti Z……….
Marash.
Deshi ta thërriste me mbiemër siç bëhet në rrethana zyrtare, duke harruar se mund ta fyente. Megjithëse nuk ishte faji i tij që kishte atë mbiemrin e çuditshëm, “Zagar”.
-Cfarë ndihme mund të na japësh ti? Cfarë ke zbuluar këto kohët e fundit? Apo rri gjithë ditën e zdërhallesh kot kafeneve?
-Është e vërtetë se rri edhe kafeneve, – u përgjigj Z. i tromaksur. – Por ç’është e vërteta, e mbaj gjithmonë një sy tjetërkund. Këtë javë kam zbuluar se Mëhill P. i cili shet pirunj me shumicë ka sjellë nga jashtë një sasi të konsiderueshme dhe të pajustifikueshme pirunjsh, ditën e diel në mesditë.
-Kush more, Mhill Piruni? – u hodh njëri prej tyre, me uniformë. – Ai nuk është i zoti të vrasë as edhe një mizë.
-E dimë të gjithë se ti e ke baxhanakun e djalit të hallës, – u mbrojt Z.
-Nuk më duket se ka vend për zemërbutësi, – ndërhyri i Madhi, – megjithatë nuk është e mjaftueshme si provë.
-Ceni, ai pronari i dyqanit të artistikes, këtë javë ka marrë shtatë furka më shumë se javën e shkuar. Ku i çon gjithë keto furka? – shtoi Z. i vetëkënaqur.
-Nuk mjafton, nuk mjafton!- ja preu shkurt i Madhi. – Mendova se do të kishe ndonjë gjë më të bujshme. Gjëra të tilla na duhen.
Z. ngriti kokën dhe zgurdulloi sytë sikur të kishte bërë zbulimin e shekullit.
-E gjeta! – thirri gati në ekstazë. – Hakiu! Vetëm muajin e fundit ka porositur një kuintal çamcakëzë.
Të Madhit i ndryshuan ngjyrat e fytyrës si dritat e pemës së vitit të ri.
-Edepsëz! Të erdhi koha të tallesh edhe ty? Më trego pak se si bëhet puçi me çamçakëzë.
-Ja, ja, – u përgjigj Z. duke nzjerrë duart përpara sikur të priste ndonjë goditje. – I ke parë filmat amerikanë? Personazhet përtypin çamçakëzët dhe pastaj i vendosin te porta dhe shpërthejnë.
I Madhi shfryu lehtaz dhe lëshoi duart si i shpenguar. Ishte e
para herë që gjeti rehati nga ajo “ditë”. Largoi perden edhe njëherë. Një vorbull ere e sapo krijuar shkëputi nga pema portretin e njërit prej viktimave dhe e mori me vete diku larg. Ju duk shenjë e mirë.
-Harrojnë, harrojnë këta, – pëshpëriti. – Kanë harruar edhe tragjedi të tjera.
Asfalti që humbiste i pafund mes pallateve ju shndërrua në kohë që mbarte harresë.
***
Sally po hidhte hapat e saj të shkurtër dhe të shpejtë drejt bllokut. E çuditi rruga e zbrazur. I solli ndërmend ca vargje që kishte lexuar diku:
“Luleuji
Parakalojnë,
në asfaltin e lanë jetim
të mesditës
që veç hapi im i papuls
i prish rehatinë e vetlanjes!!!” 1.
“Është koha e matrapazëve, jo e poetëve”, mendoi e frikësuar dhe shpejtoi më shumë hapat.
-Puç puç baby! – i kapi veshi një zë të dëgjuar.
“ Paska mësuar edhe një fjalë të huaj ky katundari”, mendoi duke vënë kufjet. E ngriti volumin aq shumë sa copëzat e këngës dëgjoheshin deri në cepin tjetër të trotuarit:
“…se jeta është një drithmë………ekuilibër mbi çmendurinë”
1. Shënim nga Redaksia: Poezia është e Dritan Mesulit.