Pushime në Shqipëri: destinacioni Lezhë

Vlerat historike dhe arkeologjike të Lezhës, bregdeti dhe plazhi i Shëngjinit. Si të arrini në Lezhë

Kështjella e Lezhës

Kështjella e Lezhës

Lezha është një qytet i ngritur në ajër, që mund të shihet nga të katër anët”, – shkruante në shekullin XII, Ana Komnena e Bizantit. “Si rrallë në ndonjë vend tjetër, – shkruan ajo, – brenda pak kilometrash, në Lezhë rrinë bashkë si syri pranë syrit, deti me rërën, mali me pyjet, Drini me lagunat dhe historia me kulturën.

Vlerat historike dhe arkeologjike

Qyteti i Lezhës gjendet në Shqipërinë veriperëndimore, afër detit Adriatik. Është një ndër qytetet më të hershme të Shqipërisë, themeluar në vitin 385 para erës sonë nga Dionizi i Sirakuzës. Në 1444, u mblodh këtu, i pari Kuvend i Princave shqiptarë dhe u themelua shteti i parë mbi bazën e principatave. Ne Lezhë ndodhet edhe Memoriali i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti “Skënderbeu”, një ndër pikat më interesante dhe më të vizituara nga turistët vendas e të huaj. Është e një rëndësie të madhe dhe Kështjella Mesjetare e qytetit e ndërtuar me një stil të veçantë e në një pozicion tepër interesant. Gërmimet arkeologjike të kryera përreth kalasë si dhe brenda mureve ilire dëshmojnë lashtësinë e këtij qyteti.

Lumi Drin e përshkon mes per mes dhe lidh qytetin me detin Adriatik. Dy lagunat e Lezhës, “Kune” e “Vain”, janë të njohura e të vlerësuara në Mesdhe për florën e faunën e pasur që kanë. Në afërsi të të tyre shkonte edhe Ciano, dhëndri i Musolinit, dhe pikërisht për shkak të këtyre vlerave ai ndërtoi Hotelin e Gjuetisë, nje tjetër pikë turistike interesante, që meriton të vizitohet.

Bregdeti

Tre kilometra nga qyteti, ndodhet plazhi i Shëngjinit. Një nga plazhet më të frekuentuar në Shqipëri, për rërën me përmbajtje të lartë jodi, plot vlera kuruese për mjaft sëmundje. Pastërtia e ujit të detit është nga më të mirat në vend. Nuk mungon ajri i pastër. Shëngjini është nga ato vende të rralla ku mali dhe deti bashkohen në një pikë. Hotelet e ndërtuara buzë detit, ofrojnë kushte komode për pushuesit dhe çmime të përshtatshme për të gjitha kategoritë e turistëve.

Jeta e natës është mjaft e organizuar. Janë të shumtë baret dhe restorantet që organizojnë mbrëmje me muzikë live me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare. Nuk mungojnë as pubet e diskotekat për rininë. Ushqimi është i jashtëzakonshëm, ku spikat shumëllojshmëria e produkteve të detit e nderthurur me kuzhinën tradicionale shqiptare. Shërbimet publike që afron komuna janë në kushte optimale. Është një zonë ku turistët mund të peshkojnë, Shëngjini është mjaft i favorizuar në këtë drejtim dhe shumë pushues amatorë të peshkimit e preferojnë pikërisht për këtë.

Si të arrini në Lezhë

Lezha ndodhet 45 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Tashmë në portin e Shëngjinit, ka filluar nga 26 qershori linja Shëngjin – Bari, dy herë në javë, të hënën dhe të enjte, me tragetin “Azzurraline” që ka një kapacitet prej 700 pasagjerësh. Çmimet variojnë nga 35 euro për poltronën deri në 60 euro për kabinën.

Mos hezitoni të vini për pushime në Lezhë. Do të ngeleni mëse të kënaqur

Lexoni kete artikull ne italisht

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version