Albania News
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Albania News Shqip
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Home Turizëm

Voskopoja – art, qytetërim, magji gjithëstinëshe

Flora Xhemani Baba
18 Dhjetor 2011
Në Turizëm
Voskopoja

Voskopoja

Ajo ndodhet diku mes malesh, shumë metra mbi nivelin e detit, e strukur mes kurbave të buta të kodrave, bri pyjeve të dendur e të përjetshëm, duke ngjallur vazhdimisht kërshëri e mister për mënyrat e saj të çuditshme të ekzistencës.

Lindi, lulëzoi e u shua, duke lënë pas pikëpyetje pa fund në kokat e studiuesve, historianëve, kureshtarëve e adhuruesve të saj, për shekuj me radhë. Nga Shën Prodhomi hapet para vështrimit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Nga pika të ndryshme të fshatit ngrenë krye kambanaret e tetë kishave dhe manastireve të mbetura. Nëpër rrugët e qytetit të dikurshëm tingëllonin gëzueshëm e trishtueshëm kambanat e plot njëzetepesë të tillave…

Është Voskopoja, qyteti që vazhdon të nxisë shkrimtarët të shkruajnë për të, të krijojnë histori dashurie të magjishme, të joshen prej qytetërimit të saj elegant, të mahniten prej erudicionit të saj, të intrigohen prej misticizmit të saj. Shkëlqimi i saj vrasës, ishte edhe varri i saj. Asnjë perandori e errët si ajo turke nuk mund ta duronte gjatë një shkëlqim të tillë në mes të zymtësisë së mesjetës. S’kishte për çfarë t’i duhej padijes totale një akademi, një shtypshkronjë… për të mos folur pastaj për njëzetepesë kishat në një hapësirë aq të vogël, në mes të morisë së pafundme mbytëse të rrumbullakësisë së kupolave dhe minareve…

 

Thonë që e krijuan vllehët, shqiptarët, grekët… diku rreth vitit të hershëm 1330. Lulëzimin më të madh e pati në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth tridhjetëmijë banorë. Pukëvili këmbëngulte se ishin gjashtëdhjetëmijë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndër të cilat vetëm tetë mundën tu mbijetojnë tri shkatërrimeve. Ky qytetërim i pashpjegueshëm pothuajse në mes të hiçit ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.

Ajo u bë qyteti i lakmuar i piktorëve, që erdhën aty të derdhin talentin e tyre të ikonografisë, u bë qendra e vëmendjes e tregtarëve të kohës, si qyteti më fitimprurës e më i pasur, me një tregti të zhvilluar fuqishëm, që lidhte me njëra-tjetrën qytetet më të pasura të Europës. Aty lindi bërthama e kapitalizmit, me shenjat e para të një kulture paraindustriale, prijëse në të gjithë Ballkanin e asaj kohe. Produktet që dilnin prej saj kishin vlerën e markës autentike, të paimitueshme, një shqiponjë, origjina e së cilës nuk mund të ngatërrohej.

 

Qytetërimi ishte ndërtuar në mënyrë perfekte në katërmbëdhjetë korporata, që funksiononin më mirë se njësitë bashkiake të kryeqytetit sot. Elita e qytetit ishte shtresa kapitaliste, zejtare, tregtare, por edhe mësuesit e Akademisë, piktorët zbukurues, autorët e afreskeve të lakmueshme nga të gjithë… Administrimi ishte aq demokratik sa të mahniste. Çështjet zgjidheshin aq drejt sa as në Senatin e dikurshëm të Romës vota nuk kishte pasur aq shumë vlerë. Gratë visheshin bukur, siç nuk ndodhte në asnjë vend tjetër të perandorisë. Qyteti kishte rrugë me kalldrëm, krejtësisht në kontrast me vijat e pluhurta të fshatrave të humbur, ku kalonin vetëm bagëtia… Aty flitej shqip, shkruhej shqip, mësohej shqip…. Guxim i madh për t’i bërë një sfidë të tillë Portës së Lartë…

Voskopoja ishte një qytet autonom që vetëqeverisej e që dukej se nuk ishte nevojë për dorën e madhe oktapodiane të Portës. Madje ajo vetë konsiderohej një qytet “me tentakula”, për shkak të tërheqjes së madhe që kishte. Aty jetuan Davidi, Kavaljoti, Grigori, aty vinin për të të jetuar të gjithë të rinjtë e zonave përreth e më larg, se e shihnin Voskopojën si tokën e premtuar.

Tepër shkëlqim. Shumë dije e panevojshme që nuk hynte në punë askujt, e sidomos sunduesve të interesuar për sa më shumë injorancë. Ishte thuajse një ishull shkëlqimtar në mes të ujrave të turbullta të mesjetës, ashtu siç shkruan edhe i fundmi i të magjepsurve, Blushi. Ishte një fenomen, thotë Plasari. Një copëz Europe në mes të obskurantizmit aziatik, shkruajnë historianët…

Shkatërrimi i saj i parë erdhi në vitin 1769. I dyti, pas tridhjetë vjetësh, për të mos i lënë kohë ringjalljes. I treti pas njëzeteshtatë vjetësh, për t’u siguruar përfundimisht që brezat nuk do të mund të trashëgonin asnjë copëz të shklëlqimit të dikurshëm. Mbetën vetëm rrënojat e tetë kishave dhe tek-tuk ndonjë rrugëz me kalldrëm… Jo aq e pashpjegueshme, po të kihet parasysh ngarkesa e madhe shpirtërore e mistike e botës së Zotit dhe engjëjve…

Po sot?

Sot Voskopoja është një fshat piktoresk, i bukur në çdo stinë të vitit. Natyra nuk ka ndryshuar, është po ajo, me rrugën që gjarpëron mes kurbave kodrinore si gjire vajzukesh. Ata që jetojnë aty, janë përpjekur të ndërtojnë një qytetërim tjetër, gjithsesi larg atij të dikurshmit por gjithaq mikpritës. Ne erdhëm këtu për herë të fundit në ditët e para të shtatorit, gjatë ditëve kur Xhunga përgatiste Shqip-in e saj të radhës. E mrekulluar edhe ajo prej të shkuarës së këtij ish-qyteti, e kënaqur mes mikpritësve për programin e saj.

 

Kryetari i komunës Nexhipi, rrezaton vetvetiu një qytetari mbresëlënëse që në fakt nuk duhet të çudisë askënd. Ai na pret si miq, ashtu siç pritet çdokush që vjen në Voskopojë. Agroni sheh me kënaqësi se si stafi i Shqip bën pregatitjet e emisionit që do të zhvillohet pikërisht në ambientet e hotelit të tij, që nuk mund të quhej ndryshe përveçse Akademia. U bënë mëse dhjetë vjet që ai pret e përcjell miq e turistë në Voskopojë, të cilët ndoshta nuk gjejnë më asnjë pjesë të qytetit të dikurshëm, por gjejnë qytetërimin e tij.

Përvoja të reja kanë zënë vend në Voskopojë, si Agim Bulka me hotelin e tij, që është struktura më e re pritëse aty. Agimi vjen nga familja e shkrimtarit të njohur Nonda Bulka dhe ndoshta pak prej kësaj e pak sepse njëzet vjet përvojë artistike në Televizionin Shqiptar, nuk mund të sjellin veçse dashuri për artin, ai ka dëshirë të rizgjojë vlerat e këtij vendi, duke ngritur pranë hotelit të tij një muze entografik. Dhe do të mbledhë aty të gjitha gjurmët e mbetura që njerëzit të mësojnë për qytetërimin e djegur trefish. Biblioteka e Voskopojës mund të ringjallet duke vendosur në raftet e saj në radhë të parë librat e shumtë që janë shkruar për të. Dhe janë shumë, thotë Gimi, që ka filluar t’i mbledhë tashmë. Ai e ka mbështetur me qejf botimin voluminoz të Prof. Stilian Adhamit “Voskopoja e Ilustruar”, që do të jetë padyshim pjesë e fondit të bibliotekës.

Voskopoja do të ketë një zyrë informacioni turistik, thotë kryetari, pasi e meriton të dihet më shumë për të. Vizitorët do të gjejnë aty çdo gjë, madje edhe guida që t’i udhëheqin përreth zonave të saj të mrekullueshme. Kishat dhe manastiret e saj, që tashmë kurohen me dashuri nga At Thomai, tentojnë të reflektojnë pak nga shkëlqimi i dikurshëm.

Voskopoja ka amvisa të mrekullueshme, fantazia e të cilave e kalon shumë herë numrin e produkteve me të cilat gatuajnë. Me perimet e stinës ju mund të shijoni receta shumëformëshe e plot shije. Ju nuk mund të largoheni nga Voskopoja pa provuar lakrorin me dy petë, mishin e pjekur apo petullat e fshira.

Voskopoja ka një pistë skish, për të mos e lënë dimrin të jetë vetëm një kënaqësi ndanë oxhakut të ndezur por edhe një vend plot jetë ku zhvillohen aktivitete e kampionate. Pyjet e saj mbulohen nga veli i bardhë e kthehen në labirinthe të magjishëm ku çdokush do të humbiste me dëshirë.
Vjeshta e Voskopojës është ndër më të bukurat që mund të këni parë. Peisazhi fiton një numër ngjyrash që kthehen në një spektakël të vërtetë.

E kaltra e qiellit të kristaltë, përzihet me ngjyrën e kuqërreme të pemëve dhe të gjelbrën e barit mbi lëndina, duke ju shkaktuar një ndjesi trishtimi e kënaqësie njëkohësisht, përzierje që shkon gati-gati në lumturi. Çdo kthim koke nëpër kodrinat e saj fal një panoramë të denjë për kartolinë.

Ka më shumë se kaq arsye, për të shkuar të vizitoni Voskopojën…


Artikulli është përgatitur për Albania News nga Flora Xhemani

Argumenta të trajtuar: Historia Shqiptare
Google News
Ndiq Albania News në Google News! Regjistrohu

Artikujt më të fundit

Klaudia Kumaraku

Klaudia Kumaraku: Një zë i ri për Karpin

Dafine Vitija Collage

Mikrokozmi i gruas shqiptare në pikturën folk nga Dafinë Vitija

Albania News

Klaudia Kumaraku

Klaudia Kumaraku: una voce nuova per il futuro di Carpi

Figli Europa Jack Aliu Celpica

Lettera all’Europa: figli di immigrati, figli dell’Europa

Albania Letteraria

Lucia Esposito 1

Intervista a Lucia Esposito. «Ho voluto rendere Ershela immortale, eterna»

5 Maj 2025
Nertila

Nertila Ljarja: “L’uomo che non doveva mai morire, un libro per comprendere meglio l’Albania”

30 Prill 2025

Librat më të fundit

Figlia del temporale

Figlia del temporale

Shtator 2024
Mondadori
9788804783244
Sulle strade dell’inferno. La mia vita nel carcere di Spaç

Sulle strade dell’inferno. La mia vita nel carcere di Spaç

Mars 2022
Visar Zhiti
Besa Muci
9788836292370
L’ultima città

L’ultima città

Shkurt 2024
Petro Marko
Besa Muci Editore
9788836293322
  • Kush jemi
  • Kontakt
  • Italisht
  • Privacy
  • Cookies
[email protected]

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali

Albania News
Ne kujdesemi për privatësinë tuaj
Albania News përdor cookies për të optimizuar faqen e internetit dhe shërbimin e ofruar.
Funksionale Always active
Ruajtja teknike ose aksesi është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin legjitim për të mundësuar përdorimin e një shërbimi specifik të kërkuar në mënyrë eksplicite nga pajtimtari ose përdoruesi, ose për qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistikore
Ruajtja teknike ose aksesi që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Reklamimi
Ruajtja teknike ose qasja kërkohet për të krijuar profile të përdoruesve për të dërguar reklama, ose për të gjurmuar përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
Manage options Manage services Manage {vendor_count} vendors Read more about these purposes
Preferenca
{title} {title} {title}
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
  • Kulturë
    • Histori
    • Muzikë
  • Opinion
  • Intervista
  • Aktualitet
    • Emigracion
    • Itali
    • Politikë
    • Ekonomi
  • Projekte
  • Italisht
  • Video
  • Libra

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali