Albania News
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Albania News Shqip
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Home Tregim

Turkish mesele

Vjen sërish Gimi i “Unë banoja në Tiranë” në situata tragjikomedike jetuar realisht

Arben Imeri
20 Shtator 2017
Në Tregim

Cërr…cërr…cërr… zilja e telefonit ra përsëri. Ishte orar dreke dhe unë rrija shtrirë mbi krevat. Njëri nga protagonistët e emisionit, një djalë simpatik e plot muskuj, i veshur me një palë xhinse gjysmë të çjerra, po i shfaqte dashurinë një tipeje me minifund. Vëmëndja ime ishte përqëndruar aty.

– Përgjigjuni ju !- urdhërova bijtë e mi.- Babi nuk është në shtëpi, është në punë. Vetëm nëse është gjyshi nga Tirana, sillmani mua telefonin.

Njëri nga bijtë iu drejtua sallonit dhe ngriti telefonin. Unë ngrita zërin e televizorit që të mos humbisja skenën e shumëpritur. Ishte momenti që më pëlqente më shumë, finalja. Pretendenti kish lexuar disa rrjeshta nga ndonjë tragjedi e grekut Sofokli dhe, me lotë në sy, dërdëlliste papushim. Në duar mbante një tufë me lule. Ai fliste dhe ajo përlotej. Në studio, publiku priste gojëhapur. Mua më rrihte zemra. Dëshiroja që vajza ti përgjigjej pozitivisht djaloshit të dashuruar.

Dëgjova zërin në shqip të tim biri që po fliste në telefon. Do jetë babai mendova, Ngrita telefonin paralel dhe përgjova.

– Babi ka ik në punë !- u përgjigj im bir.
– Thuaji që mori xhaxhi Gimi !- tha zëri matanë telefonit.- Mos harro, se ashtu e kam punën !
– Mirë, i them unë !

Ishte Gimi nga Dortmundi, shoku im i ngushtë.

– Prit o Gimo, se këtu jam !- iu drejtova atij, sa pa mbyllur telefonin.- Nuk gjeje dot orar tjetër, që merr tani ? Po ti ku je, pse nuk je në punë ?
– Jo,- u përgjigj me zë të zymtë e aspak entuziast, siç fliste përherë,- nuk kam ikur në punë dhe ndoshta nuk iki më ! E kam punën pisk ! Pisk fare, veçse !

Kërceva nga krevati sa hap e mbyll sytë.

– Ç’ka bërë vaki Gimo ! Fol se na tmerrove! Si e ke hallin ?

Gimi është njeri serioz, altruist dhe i dashur. Gjithmonë ka parë punën e tij. Kurrë nuk është ngatërruar me njerëz të tjerë apo me policinë. Në Tiranë rrinin gjithmonë bashkë. Të vetmen herë që u ndamë nga njeri tjetri ishte një ditë korriku e vitit 1990. Atë ditë e përcolla deri tek muri i ambasadës gjermane dhe para se të kalonte kangjellat e saj, bashkë me dy shokë të tjerë, e përqafova me ngazëllim. ” Kujdes ata të shtëpisë “, më porositi, ” shko e shihi ndonjë herë “.

– Pa merak Gimo ! Zoti ta bëftë mbarë !- iu përgjigja me lot në sy shokut tim që, tashmë, si shumë të tjerë, kishte kaluar matanë, në tokën gjermane.

Patjetër që do i shihja prindërit e urtë të shokut tim! Ata më kishin parë përherë, si të më kishin birin e tyre, pa bërë as më të voglin dallim…

… Kur merrja rrogën prej 4600 lekësh si hidraulik me kategori të III, grindesha gjithmonë me nënën time. Ajo pretendonte që treçereku i rrogës duhej të shkonte në arkën familjare dhe çereku në xhepat e mi. Mua nuk më pëlqente arithmetika e saj, protestoja me forcë, mundohesha ta bindja se kërkesat e jetës së pazarit vinin gjithmonë e në rritje, por me kë të flisje !

Nuk e zgjasja shumë, ikja nga shtëpia dhe me ditë të tëra vetftohesha për ushqim tek shtëpia e Gimit, ku familja e tij, gjysmë përmetare e gjysmë tiranase, më priste me krahë hapur. Aty, në mes të atyre njerëzve fisnikë, ngaqë ushqimi i tyre më dukej më i mirë se ai i shtëpinë time, haja edhe më tepër se tre vakte.

Kur e kuptoja se edhe ata punëtorë të thjeshtë, donin të vinin ndonjë para mënjanë,- tre fëmijë nuk ishin pak për t’u mbajtur-, kthehesha përsëri në shtëpinë time. Ndërkohë, isha i lumtur sepse duke kursyer lekët e “dietave” që kisha ngrënë te shoku im, në xhep kisha më shumë të holla nga sa mbaja zakonisht nga rroga…

– Fol Gimo ! Si është puna ?- ju drejtova përsëri kur mu duk sikur po ngurronte.- Ke nevojë për ndihmë ? Fol pa merak !

Nga ana tjetër e telefonit zëri erdhi me pak vonesë.
– Nuk më ndihmon dot, vëllai im ! Nuk më bën derman as ti, e as perëndia ! I kam ditët e numëruara !
– Çfarëëë?! Ç’a thua ore?! Prit pak, prit !

Vrapova në frigorifer dhe mora një shishe me ujë të ftohtë. Pa u mbushur mirë me frymë, piva gjysmën e saj.

– Ç’a thu mor ti ! Çfarë muhabeti është ky ! Ke rrjedhur nga trutë ! Me kë je duke folur !- i bërtita.
Isha mësuar prej vitesh me ankesat e Gimit, në telefon, here të vërteta e herë imagjinare. Ndodhte që e dëgjoja me minuta të tëra teksa më tregonte për kollën që nuk i shqitej apo syzet e syve që duhej të ndërronte, por kësaj here gjendja m’u duk ndryshe.

– Unë ndoshta edhe kam rrjedhur !- vazhdoi Gimi duke i lidhur fjalët me vështirësi, – por analizat nuk rrjedhin. Ato tregojnë të vërtetën. Kam vetëm tre muaj jetë !

Largova telefonin nga veshi, si për të kuptuar diçka më mire, por Gimi ishte larg. Mimikën e tij nuk e vëzhgoja dot, nuk kisha se si të kuptoja nëse tallej apo tregonte të vërtetën. Nga zëri dukej jo vetëm serioz, por edhe tepër i bindur në ç’ ka më thoshte.

– Qetësohu Gim, qetësohu ! Fol më qartë të lutem, se po më luan mendsh ! Të kam vëlla, të dua shumë !

Gimi foli qartë. Qartë dhe pa doreza, ashtu siç flasin vetëm vëllezërit. Më tregoi gjithshka kish ndodhur. Para disa ditësh kishte bërë analizat e gjakut dhe rezultati i tyre kishte qenë për të vënë duart në kokë. Një sëmundje e keqe dhe e pashërueshme i ishte shfaqur në një nga organet jetësore. Mjekët gjermanë e kishin alarmuar akoma e më tepër duke i treguar se trapianti i pankreasit ishte i pamundur për shkencën e sotme. Gimi, babai i dy fëmijëve të vegjël, ishte tmerruar fare dhe kish tre ditë që nuk vinte gjë në gojë…

… Në televizor, vajza me minifund e emisionit kishte pranuar lulet nga muskolozi dhe ishte ulur në prehrin e tij. Tragjedinë e Sofos na e kishin lënë neve.

… Fola gjatë atë ditë me Gimin. Kujtuam rininë dhe vitet tona të përbashkëta. Më tepër qamë se sa folëm. Unë i jepja kurajo, ndërsa atij i dridhej zëri. Kur më dha amanetet më të rëndësishme, ndjeva brazdat e lotëve që zbrisnin mbi faqet e mia. Do ngelesha pa Gim!

Gjeta forcë dhe para se të ndaheshim, i premtova se pas dy javësh do shkoja në Dortmund që t’i bëhesha krahë në ato momente të vështira.

– Tre muaj jetë më kanë dhënë,- përsëriti Gimi, duke ma ngulur edhe më thellë thikën në zemër,- kështu që besoj se do më gjesh gjallë.
– Patjetër Gim, patjetër,- belbëzova duke e mbyllur telefonin.

U mërzita shumë për shokun e mirë. U mërzitëm të gjithë në shtëpi. Ne të mëdhenjtë u trishtuam për fatin e tij të zi. Fëmijët, të cilët nuk para kuptojnë nga mjekësia, u dëshpëruan që Gimi me familjen e tij nuk do vinin në plazh, bashkë me ne, ashtu siç bënin çdo vit. Nga plazhi na ndanin veçse dy muaj dhe unë sapo kisha prenotuar në pensionin ku shkonim gjithmonë.

Fillova të mos ha as unë. Rifillova cigaren dhe nuk qeshja më. Lajmërova prindërit dhe vëllain tim për fatin e Gimit. Në internet nuk lashë argument pa lexuar e horoskop pa qëmtuar. Në një javë mësova mbi trupin e njeriut aq shumë informacione sa nuk kisha mësuar gjithë jetën time. Sapo kthehesha nga puna ndizja kompjuterin dhe lexoja të gjitha lajmet që kishin të bënin me sëmundjen në fjalë. Nuk lash lypës pa i falur monedha e gota qelqi pa thyer.

Çdo ditë flisja në telefon me Gimin dhe gruan e tij. Mundohesha t’i inkurajoja, por nga zërat e tyre të pajetë, kuptoja se ishte e pamundur. Iu dërgoja të fala nga të gjithë, nga shokë e nga kushurinj, nga vëllezër e motra, por ato nuk pinin ujë që të rrisnin moralin e tyre. Vetëm ata e dinin dhe e vuanin mënxyrën që ju kish trokitur në konak të shtëpisë. Fjalën e fundit e kishin specialistët, ishin ata që do vendosnin mbi trajtimin me rreze apo me ndonjë kurë me ilaçe. Ndërkohë, unë qaja shokun tim që nuk e kishte të gjatë…

… Më kishin mbetur veçse katër ditë nga nisja ime për në Gjermani, kur Gimi mori përsëri në telefon. Prisnim rezultatin e analizave të reja. Shpresonim që ndonjë laburante e pavëmëndshme gjermane, që ndoshta ishte në krizë me të dashurin e saj, të kishte ngatërruar epruvetat e gjakut të Gimit me ato të ndonjë plakushi matuf. Sa dëgjova zërin e tij në telefon, sikur ndjeva diçka.

– Hë Beno, ç’kemi ?

Ishte një “hë Beno, ç’kemi” jo si herët e tjera, kur zëri i tij nuk kishte forcë, kur për ta dëgjuar atë, duhet të ngrija volumin e telefonit, deri në maksimum. “Hë Beno, ç’kemi” e sotmja ishte më e mbushur, më e vendosur, me më ritëm. Gjatë atyre dy javëve, isha bërë specialist i njohjes së emocioneve të zërave njerëzorë.

– Mirë Gimo ! Po ju si jeni ?- e pyeta duke përdorur enkas përemrin vetor në shumës.
– Dëgjo këtu !- nxitoi të përgjigjej Gimi.- Prenotimi i hotelit është akoma i vlefshëm, apo e ke anulluar?

Zëri i tij ishte i vendosur. “Po ky, ç’punë ka me hotelin e plazhit”, mendova, “ka hallin e paradhënies apo do që të takohemi familjarisht për herë të fundit… apo mos ndoshta ilaçet kanë filluar të ndikojnë pozitivisht në luftën kundra sëmundjes “.

– Jo mër Gim, jo ! Aty është hoteli, por të lutem më thuaj nëse ke ndonjë lajm të mirë, se po më habit. I more analizat e reja ? Si dolën ?

Për hajër inshallah, u luta pa zë. Pata ndjesinë që Gimi po më hante në kandar, sepse, në vend që të më përsëriste për të një miliontën herë për amanetet dhe testamentin, po më pyeste për plazhin. Ashtu qoftë, mendova, le të ma fusë sa krahu!

– Lajme të mira, Beno, të mira fare ! Analizat e reja dolën shumë mirë ! U alarmuam kot !
– Çfarëëë?! Çfarë thua more ! Me tërë mend e ke ti ! Po tallesh ? Për atë zot fol, se nuk po kuptoj gjë!

Familjarët e mi, kur dëgjuan fjalët e mia, lanë çdo punë dhe vrapuan drejt meje duke më pyetur me sy. Ashtu, me vështirësi në frymëmarrje nga emocionet, vetëm sa ngrita dorën e majtë në ajër, të mbledhur grusht, si për t’iu thënë që po na trokiste në derë fitorja.

– Do flas, se mjaft kam heshtur! Do flas se kam nevojë!- ia bëri.

Gimçja foli gjatë. E dëgjova me zemrën që gati më dilte nga kraharori, aq shumë u preka. Më tregoi se nuk do vdiste më, sepse analizat e dyta kishin dalë me sukses. Jo vetëm të dytat, por edhe të tretat.

O zot, të qofsha falë, që më dhe të tillë haber, mendova! Folëm dhe qamë përsëri. Ishin lotë gëzimi, veçse. Lotë malli, lotë vëllezërish që për pak do ishin ndarë jo vetëm gjeografikisht por edhe fizikisht.
Pastaj qeshëm, shfrymë tensionet e gjithë atyre ditëve dhe gati uluritëm. Doja ta kisha përballë shokun tim dhe ta përqafoja fort, ta shtrëngoja në gjoks e mos ta lëshoja më. Aty e kuptova, edhe pse nuk kisha dyshuar kurrë, se sa shumë e doja. Kuptova për të një miliontën herë se çfarë plage e rëndë ishte mërgimi… Zot i madh!

Rilindi Gimi, rilinda edhe unë. Fëmijët u gëzuan që do takoheshin me fëmijët e tij përsëri në plazh. Ime shoqe qau nga gëzimi në telefon me gruan e Gimit. Më ngelej vetëm të lajmëroja farefisin dhe gjithë të tjerët që njihnin atë. Im vëlla do gëzohej, atje në Amerikën e largët.

– Po mirë mër plak! – e pyeta kur hareja kish pushtuar zemrat e dy familjeve tona.- Si shpjegohet që analizat e para dolën aq negative. Të gabojnë edhe gjermanët, thua ! Më keq se në Shqipëri ?! Apo njësoj është e gjithë bota!
– Nuk ishte faji i gjermanëve, ishte faji im !- mu përgjigj Gimi si i zënë në faj.
– Pse, faji yt ?
– Atë mëngjes që do bëja analizat, harrova që duhej ti bëja me barkun bosh !- u shfajësua.

Në çast harrova mallin dhe vëllazërinë, harrova mërgimin dhe vuajtjet e tij shpirtërore. Gimi nuk mund të luante kështu me nervat dhe sistemin tim kardiovaskular.

– Gimo ! Mos më thuaj që ke pirë kafe ditën e analizave, se nuk ta fal alarmin dhe shqetësimin që na shkaktove !- iu hakërreva gjithë nerva,- Do prishemi një herë e përgjithmonë bashkë. Ti ma njef kaptinën ! Tronditjen që më ke shkaktuar, nuk ka gjykatë në botë që ta vlerësojë, more vesh apo jo?
– Mora, mora, por po deshe mos bërtit, se nga telefonatat e shumta, më dhëmb veshi.
– E po, fol pra!
– Nuk piva kafe, jo!- tha me zë të butë, Gimi.
– Po çfarë pive, praaa? Nxirre, se nuk kam durim.
– Nuk piva, o njeri, hëngra!
– Çfarëëë ! Çfarë thua o njeri ! Fol si duhet e mos u tall me mua, se mora makinën dhe të erdha në Dortmund! Ore, je në vete ti, apo qysh? Fol, të them !
– Po më le ti, edhe flas. Po të thoja që atë mëngjes që dola të bëja analizat, ngaqë kisha pak uri, vajta e hëngra një doner kebab ke turku… ndaj dhe analizat më dolën keq !

O perëndi, pse zgjodhe mua, aman?! Ndjeva që kërcyen damarët nga nervat. Nuk e lashë të zgjatej më. U zgjata unë, me fjalët që i thashë. Nuk ishin fjalë, ishin të shara.

Shaja dhe qaja nga inati. Shaja dhe pastaj, kur m’u mbaruan lotët, pa i dhënë të kuptuar në telefon, fillova edhe të qesh. Gimi vetëm dëgjonte të sharat. Herë më kërkonte të falur, por, edhe pse qeshja me vete, nervat e mia ishin në kupë të qiellit.
U qetësova shumë minuta më vonë, me ndihmën e dy cigareve.

– Po, Gimo, prenotimi i hotelit është akoma i vlefshëm. Do takohemi në plazh.
– Aman, se na ka marrë malli për të parë diellin me sy!- u përgjërua Gimi dhe filloi të më tregonte se në Gjermani bënte akoma ftohtë.
– Po, Gim, edhe mua më ka marrë malli, por më tepër kam mall të të vërtis një kovë me ujë të ftohtë në kokë, ok?
– Ok,- tha Gimi dhe qeshi gjithë gëzim.

Folëm dhe pak dhe pastaj e mbyllëm telefonatën.
Më pas, mora biçikletën dhe dola të bëja një xhiro në natyrë.
Kisha nevojë…

Qershor 2013

 

Argumenta të trajtuar: Tregim Shqip
Google News
Ndiq Albania News në Google News! Regjistrohu

Artikujt më të fundit

Klaudia Kumaraku

Klaudia Kumaraku: Një zë i ri për Karpin

Dafine Vitija Collage

Mikrokozmi i gruas shqiptare në pikturën folk nga Dafinë Vitija

Albania News

Klaudia Kumaraku

Klaudia Kumaraku: una voce nuova per il futuro di Carpi

Figli Europa Jack Aliu Celpica

Lettera all’Europa: figli di immigrati, figli dell’Europa

Albania Letteraria

Lucia Esposito 1

Intervista a Lucia Esposito. «Ho voluto rendere Ershela immortale, eterna»

5 Maj 2025
Nertila

Nertila Ljarja: “L’uomo che non doveva mai morire, un libro per comprendere meglio l’Albania”

30 Prill 2025

Librat më të fundit

L’Albania

L’Albania

Gusht 2022
Olimpia Gargano
Antonio Baldacci
Ledizioni
9788855265034
Domani e per sempre

Domani e per sempre

Maj 2022
Ermal Meta
La Nave di Teseo
9788834609859
Il palazzo dei sogni

Il palazzo dei sogni

Nëntor 2023
Ismail Kadare
La Nave di Teseo
9788834615621
  • Kush jemi
  • Kontakt
  • Italisht
  • Privacy
  • Cookies
[email protected]

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali

Albania News
Ne kujdesemi për privatësinë tuaj
Albania News përdor cookies për të optimizuar faqen e internetit dhe shërbimin e ofruar.
Funksionale Always active
Ruajtja teknike ose aksesi është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin legjitim për të mundësuar përdorimin e një shërbimi specifik të kërkuar në mënyrë eksplicite nga pajtimtari ose përdoruesi, ose për qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistikore
Ruajtja teknike ose aksesi që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Reklamimi
Ruajtja teknike ose qasja kërkohet për të krijuar profile të përdoruesve për të dërguar reklama, ose për të gjurmuar përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
Manage options Manage services Manage {vendor_count} vendors Read more about these purposes
Preferenca
{title} {title} {title}
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
  • Kulturë
    • Histori
    • Muzikë
  • Opinion
  • Intervista
  • Aktualitet
    • Emigracion
    • Itali
    • Politikë
    • Ekonomi
  • Projekte
  • Italisht
  • Video
  • Libra

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali