Ishte ky urdhri i dalë nga zyrat e komitetit ekzekutiv të viteve 70’ ku ndëshkoheshin me ekzekutim të gjithë qentë e rrugës. Sikur të mos mjaftonte keq-ushqyrja, keq-trajtimi, keq-kuptimi, keq-bashkëjetesa.
Ja edhe goditja e fundit për kategorinë më të bukur në realitetin e egër Shqiptar. Shumë fëmijë apo të rritur u zgjuan me lot kur miqtë e tyre ishin shënjestruar si shkaku kryesor i keq-jetesës sonë.
Kur flas për këtë periudhë më vjen ndër mënd kalvari i vuajtjesë së poetit tonë Lazgush Poradeci për të shpëtuar Cucin e tij, fatmirësisht me fund të mirë. Edhe pse me shëndet të lig bëri gjithçka që i ëmbli i tij të rikthehej në familje… lotët dhe puthjet e pjatava ku ushqehej Cuci ishin të shpeshta së bashku me insistimin apo shfrytëzimin e miqve me influecë për të mundësuar marrjen e një vendimi për mos-ekzekutim.
Befasuese ishte edhe figura kasapiste e veterinerit të asaj kohe në ditarin e poetit tonë të dashur Lasgush Poradeci, por dashuria për mikun e tij besnik triumfoi. Një triumf fare i paimagjinuar për pjesën tjetër të familjarëve të cilët nuk mundën t’ia dalin, duke lënë nga pas një trishtim që koha nuk mundi tua fshijë.
Edhe im shoq kishte bubin, një qen lozonjar ngjyrë kaf, i cili e shoqëronte dhe e priste çdo ditë nga shkolla. Lidhja e tij me bubin ishte e pandarë dhe çlodhja më e bukur fëmijërore pas një dite studimi. Ditë e pashlyer ishte ajo kur kolibja e bubit qe bosh. Trishtimi ish kaq i madh saqë edhe sot kur kërkojmë qenin pas fshehjeve të saj lozonjare, ime vjehërr pyet “mos na e kanë marrë kur ishim në gjumë?”.
Pjesa tjetër nuk ia doli dot, nuk ia dolën dot ndaj gjithë këtij mekanizmi kundër Dashurisë. Fitoi dhuna dhe anti-njeriu, fitoi loti dhe e keqja brenda nesh, fitoi dhe trimërohet demonizmi.
Sot që kanë kaluar kaq vite, situata paraqitet ende e trishtë. Qenë dhe mace të cilët nuk kanë një vend ku të munden të jenë më të qetë për tu trajtuar, kuruar, vaksinuar, sterilizuar, si dhe nje shoqëri e tërë prezent në këtë skenë ku nuk mund të bësh dot asgjë i vetëm. i vetëm mundesh të shpëtosh fare pak krijesa nga kthetrat e rrugës apo bastardëve kriminelë. I vetëm je në pamundësinë e të jetuarit “normal” ku paqja dhe bashkëjetesa të jetë dhe aktualitet.
Gazetari Italian i “Striscia la Notizia” Edoardo Stoppa bën pjesë të kronikës së tij pikërisht këtë realitet Shqiptar. Gazetari nis kronikën me rrugët tona të pa sistemuara dhe ndalon në kushtet e vështira ku jetojnë. Arinjtë e “kopshtit zologjik”, pulat apo bagëtitë të cilat tërhiqen zvarrë, kasapër që i therrin nëpër rrugë… por problematika më evidente është ajo e qenve të e rrugës.
https://www.facebook.com/albnews/videos/10156193464403850/
“Kudo që të ndodhesh, përballesh me qentë e rrugës” – thotë Stoppa, e gjitha kjo sepse në Shqipëri nuk ekzistojnë “ strehëza për qenë”.
Gazetari i Striscia-s përballet me format mesjetare të ekzekutimit të qenve pa pikën e ndjeshmërisë apo përgjegjësisë, pasi tek ne nuk ka një ligj për mbrojtjen e këtyre krijesava.
Më kujtohet fare mirë indinjata ime kur pash për të parën herë filmin “Koncert në vitin 36” ku në një nga skenat punonjësi i bashkisë thotë se ”nuk ke të drejtë të godasësh kalin pasi ka një ligj mbi mbrojtjen e tyre”, qeshja e pjesës tjetër për këtë ligj ”absurd” pasohet me tekstin “unë jam pronari i tyre dhe bëj ç’të dua me ta”. Kjo tregon për një mentalitet të egër mbi këto krijesa kaq të dashura.
Ndeshemi me ndeshje legale mes qensh dhe askush nuk i ndalon apo me mirë akoma dënon. Ne nuk jemi askush që të vendosim mizorisht për jetët e tyre. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë, mjafton të qënurit indiferent, por kurrsesi ekzekutor.
Qentë na duan dhe na pranojnë siç jemi, panvarësisht trajtimit jo të barabartë në mes nesh. Cilët jemi ne që paskemi të drejta të tilla mbi kafshët apo natyrën? Po sikur të ish e kundërta?
Qytetari përkthehet repekt për gjithçka që është në bashkëjetesën tonë dhe përkthehet jo vetëm në gjuhën e komunikimit, ligjeve dhe pozicionit. Qytetar model je nëse respekton lirinë tënde e të të tjerëve, dhe mbi të gjitha ndaj më të dobtit; terma të njohura këto që konsiderohen si moralizma.
Po pse jemi kthyer në bashkëjetues të këqinj me qentë?
Shpesh kur nis të shfaqet afeksioni që dikush ka për miqtë më të bukur tanë kafshët, përballet me reagime pro dhe kundër.
Dikush e sheh si fanatik, dikush si shembull i aktores Brizhid Bardo apo emrave të tjerë publikë të etiketuar “ adhurues kafshësh”. “Pse nuk adopton një njeri dhe i fal atij gjithçka që i ka munguar?” – gjykon dikush.
“Pse nuk i fal kohën tënde njerëzve, e jo kafshëve të cilët janë natyrshëm krijuar të jetojnë në natyrë, pa kushtet e komplikuara që njeriut si qënie i nevojiten?”
Ne dimë të kujdesemi për veten dhe të mbrohemi nga rreziqet që na kanosen; dimë të kuptojmë apo lexojmë të fshehtat tona, dimë gjithashtu se ekzistojnë mekanizma mbrojtëse dhe jo dinjitoze për të na i bërë të bukur ose ferr jetësën në fshatin tonë.
E kundërta ndodh me katër putrakët. Ata nuk munden dot të dëshifrojnë gjithë kodet e mekanizmave tanë të konsumuar, janë bujarë më dashurinë që falin pa kushte. Por mesa duket kjo jo vetëm që nuk mjafton, por keqpërdoret turpshëm nga ne njerëzorët.
Nëse duam mbijetesën e specieve, nëse duam të gjejmë kuptimin e jetës, nëse duam të shpëtojmë botën dhe çdo gjallesë që e popullon atë, dashuria është përgjigjja e vetme – thotë Ainshtain.
Dashuria është gravitet, sepse i bën disa njerëz të tërhiqen nga të tjerë. Dashuria është pushtet, sepse shumëfishon më të mirën tonë dhe i bën njerëzit mos të humbasin në egoizmin e verbër. Dashuria është e vetmja energji në univers që njeriu nuk ka mundur ta manipulojë dot.
Le të besojmë se pikërisht kjo dashuri të pushtojë të keqen dhe tu hap rrugë mendjes paqësore për të gjetur rrugë dhe zgjidhje sa më dinjitoze për heronjtë tanë.
Le të shpresojmë që dielli i dashuriësë të eklipsojë hijen e ferrit mbi mendjet e ngushta burokratike, dukë bërë që në qytetet tona të shohim sa me pak dhimbje dhe këlthitje kafshësh, apo më keq akoma, skena krijesash të shtypura, apo lojra makabre midis qensh të ashtuquajtur “ringu”.
Mbase nuk jemi ende gati të shpikim një bombë me dashuri, një pajisje të fuqishme që të shkatërrojë urrejtjen, egoizmin dhe lakminë që po gërryejnë planetin. Megjithatë, çdo individ mbart një “gjenerator” të vogël, por të fuqishëm dashurie, energjia e të cilit pret të çlirohet.
Dhe me ndihmën e asaj kategorie që këto krijesa i trajton me dinjitet, le të ndezim gjeneratorin tonë të madh në mbrojtjen ndaj tyre, sepse shoqëria do të përfitojë shumë më shumë qetësi, paqe e qytetari.
Ditari i Lasgush Poradecit në peripecitë për shpëtimin e Cucit
Tiranë, e Mërkurë 2 Prill 1975
Sot nga ora 1 pas mesdite, ardhë m’a muar me zor, konkën t’ime shumë të dashur dhe shumë besnike, “Cucin” që të m’a vrasin (pushkatojnë).
Ishte sekretari i Këshillit të Lagjes nr 1 me një polic dhe dy të tjerë me pushkë. Thanë: “Kemi urdhër t’i vrasim qentë!”
Unë ju luta me 1000 të lutura të m’a lënë 2-3 ditë, të marr lejë të mos m’a vrasin. Ata nuk pranuan në asnjë mënyrë. E mbanja Cucin siç ish i lidhur, me rrypin e tij poshtë shkallëve, m’a rrëmbyen egërsisht.
Megjithqë polici i tha sekretarit të m’a lënë këto 2-3 ditë, sekretari një individ zemër ashpër, dha urdhër të m’a marrin.
Sbriti polici poshtë ne “Cuci” m’a mori megjith rryp dhe me gjith hallkën e rrypit prej së cilës i vinja rrypin “Cuci-t” kur e shëtisnja nga pak në mëngjes dhe më drekë nga ora 11-12-1.
Passi m’a rrëmbyen “Cuci-n” në këtë mënyrë kaq të egër, zura të qaj, sbrita poshtë shkallëve ku e mbanja lidhur me rrypkën e tij elegante (që m’a dha Kostaqi i Frosës në Poradec) dhe m’u shkreh zemra dhe zura të qaj me lot për “Cuci-n”, puthnja peronën ku kapnja rrypin, puthnja safkën e ujit ku i shtinja ujë të freskët, putha 2-3 herë dhe shumë herë enën ku i shtinja të hajë “Cucit” dhe qanja me psherëtimë.
Kaq shumë m’u dhemb “Cuci”. Passi m’a muarr Cucin dhe e vunë në karrocë dhe u larguan 60-70 hapa prej meje, u vesha shpejt dhe ju vajta pas dhe i gjeta në një rrugicë pranë shtëpisë s’ime, i-u luta me shumë të lutura përsëri, të m’a lenë pa e vrarë, i-u thashë të vete ne Sekretari i Komit. të Partisë së rrethit Manush Myftiu, do vete ne Sekretari i Kom, Ekz. të Rrethit, do vete në Seksionin e Shëndetsisë të marr leje për konkën (Cucin), por ata nuk m’a pranuan lutjen (nuk pranonte, prapë, Sekretari (Elem Haxhia).
Ardha menjëherë në shtëpi, dhe megjithqë jam i sëmurë prej 17 Janarit gjer më sot i shtrirë në shtrat, u vesha dhe shpejt mora Marien me mua, vajta me autobus gjer në Kom. Ekz. E mora Marien se prej 17 Janarit s’jam ngritur prej shtratit, e mora shpirtin nër dhëmbë dhe u nisa i shoqëruar prej Maries, që po të rrëzohem rrugës i sëmurë siç jam, t’a kem Marien pranë.
Vajta me Marien në Kom. Ekz. Më thanë Sekretari i Partisë (Manush Myftiu që është antar i Byrosë së Komitetit Central) nuk vjen këtu në zyrë, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashi) nuk priste, Zëv-kryetari (janë 4 zëv-kryetarë) nuk kish pritje.
Poeti Pano Taçi, që ish poshtë në parterë, më tha, të vete në Seksionin e Shëndetsisë, po inspektori i Seksionit nuk kishte pritje sot të Mërkurën, kishte pritje të Martën edhe të Premten prej orës 1-2.
Ika i dëshpëruar jashtëzakonërisht. Ardha në shtëpi. Kostandina më tha të vete ne Arkit. Petraq Kolevica që Petraqi t’i thotë nesër të Enten, inspektorit të Shëndetsisë, të më pranojë nesër të Enten.
Petraqi, që është nënpunës në Komitetin Ekzekutiv, banon afër shtëpisë s’ime (nja 200-300 hapa larg). Vajta ne Petraqi, me Marien, e ëma e Petraqit më tha se Petraqi është shtruar në spital para 1 jave.
Do vete nesër të Enten ne Ministri i Shëndetsisë Doktor Llambi Ziçishti, të përpiqem për Cucin, t’i japë Ministri urdhër Seksionit të Shëndetsisë, të mos m’a vrasin Cuci-n.
Shpresë s’kam, por, prapë do vete ne Ministri. Kur ardha prej Petraqit në shtëpi, sbrita të shoh vëndin ku e mbanja Cucin poshtë shkallëve; atje m’u mbush shpirti dhe shpërtheva në qarje e vajë, putha dyke qarë peronën ku lithnja Cucin me rryp, e putha peronën 3 herë dyke qarë, putha safkën ku i shtinja ujë të freskët e putha 3 herë, putha 3 herë edhe enën prej alumini ku i jipnja Cucit të hajë, edhe u ngjita prej shkallëve të Cucit për në kuzinë, ku kam shtratin tim.
Hyra në kuzinë dyke qarë, mezi pushova. Pastaj mora Marien, vajta me Marien në rrugët ku nxirrnja pak Cucin që më vinte keq t’a mbaj vetëm lidhur. Përshkova me Marien rrugën prej shtëpisë s’ime gjer buzë lumit Lanë, shkova buzë Lanës, siç shkonja me Cucin kur e nxirrnja, vajta me Marien nëpër rrugët dhe rrugicat ku e nxirrnja Cucin, nja 20 ose 30 ose 60 minuta për dita, që të çmallem me rrugët ku shkonte Cuci.
U këtheva pastaj në shtëpi, prapë zura të qaj se m’u mbush prapë shpirti dhe shkrojta këto rradhë për Cucin t’im shumë të dashur, shumë të dhemshur dhe shumë besnik.
Sytë Cuci i kishte shumë të bukur, shumë të dashur, njerëzit theshin kur e baresnja Cucin, rrugëve: “sa i bukur”, edhe fëmija, edhe nuset, edhe burrat theshin sa i bukur.
Cuci është leshator, i bardhë në roza, të gjithë theshin sa i bukur. Më vjen të pëlcas për dhimbjen e Cucit, po s’kam ç’bëj. Po rri këtë ditë me shpresë për nesër, që të vete nesër ne Ministri i Shëndetsisë, dhe të shoh a mos më pranojë inspektori i Shëndetsisë, me anën e ndonjë miku, ndonjë shkrimtari që t’a njohë inspektorin. Lasgush.
Tiranë, e Enjte 3 Prill 1975
Megjith që jam i sëmurë që prej 17 Janarit (kur ardha prej Poradeci), prapë i dhashë kurajë vetes dhe dola për të parën herë nëpër Tiranë, t’i bje pas punës së “Cuci-t”.
Vajta në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku, që në mëngjes gjer në ora 1.30’ pas mesditës mezi takova atje Dritëro Agollin, Kryetar i Lidhjes. Dritëroj, pas lutjes sime, i telefonoj Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv (Ndue Marashit) që të më pranojë “për 1 çështje”.
“Le të vijë” i tha Kryetari i Kom. Ekz. Lasgushi. Vajta, pas urdhërit të tij, portieri më la të hy. Atje më thanë se puna e “Cucit” (që m’a muarr dje të m’a vrasin) mvarret prej Seksionit të Shëndetsisë (që i ka zyrat brenda në Kom. Ekz.).
Në zyrën e inspektorit të Seksionit më priti me respekt inspektori Shpëtim Gjebréa, kështu m’a tha mbiemrin Dritëro Agolli, emrin s’m’a tha inspektori, më dha cigare, më tha që ay më njeh: “kemi folur” tha “prej 2 vjetësh” etj.
Shpëtim Gjebréa më tha: “do t’ju japim lejë prej Seksionit” dhe doli prej zyrës me mua të vemi në zyrën e veterinerit, që e ka zyrën brenda në Kom. Ekz., “t’ju them” tha “t’ju japin lejë për të mbajtur qenin” (konkën time).
Veterineri s’ishte. “Ecni t’i thoni” më tha “Sekretarit të Lagjes nr 1 të mos e vrasin qenin, se nesër, kur të jetë këtu veterineri, do t’ju japim lejen për mbajtjen e qenit”. Vajta te Sekretari i Lagjes nr 1 (Lelem Haxhia) i thashë ç’më tha Inspektori Gjebréa.
Elemi e mori Inspektorin në telefon, i tha Lelem-it “do t’i japim Lasgushit lejë për qenin, nesër, se sot nuk është veterineri. Unë u shqetësova shumë që s’u mbarua puna (sepse termini i vrasjes së Cucit është vetëm 3 ditë, dje 1 ditë, sot shkoj dita e dytë).
Tiranë, e Premte 4 Prill 1975
Megjith që jam i sëmurë e mora shpirtin t’im nër dhëmbë dhe, nga çqetësimi për Cucin, u ngrita në mëngjes më ora 5, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 e mëngjezit (kur vijnë gjithë nënpunësit në zyrë).
I bëmë telefon Gjebréa-s prej Lidhjes, disa herë, s’kish njeri në zyrën e “Shpëtim Gjebréa-s”. Gjer më ora 1 pas mesdite telefonuam shumë herë, po s’dilte njeri në telefon. Vajtmë me djalin e prof Çiços, prej zyrës së të cilit i kishim telefonuar shumë herë Gjebréa-s. Hymë në Komitet Ekz. Në zyrën e Seksionit të Shëndetsisë takova Gjebréa-n, “haj” tha “Lasgush, të vemi këtu në zyrën e doktorit veterinar”.
Doktori s’ishte, prapë, në zyrë. Gjebréa më tha: “I telefonova sot Lelem Haxhisë se do t’i japim lejë Lasgushit për mbajtjen e qenit, po edhe sot s’është këtu doktori veterinar”.
Me qënë që sot është dita e tretë dhe kisha shumë frikë mos m’a vrasin Cucin, e mora, prej Lelemit adresën e Përgjegjësit të qenve, vajta në zyrën e Komunales (e cila jep urdhër për vrasjen e qenve), në Zyrë s’kish asnjeri, pyeta ku e ka shtëpinë private përgjegjësi dhe vajta në shtëpinë private.
Ky përgjegjës, më priti mirë, më tha se qenin s’kam dhënë urdhër të vritet sepse mora vesh që ky qen është i poetit Lasgush Poradeci. Përgjegjësi më tha: “sapo të m’a sillni Lejën e qenit, do t’ju a lëshoj qenin”. M’u qetësua zemra që s’ma paskan vrarë Cucin e dashur dhe vajta në shtëpi të ha 1 çikë bukë, i lodhur, i këputur nga fuqitë siç isha.
Hëngra pak bukë, dhe u shtriva në shtrat i potresitur. Tashi më mbetet që, nesër të vete prapë në Kom. Ekz. ne Shpëtim Gjebréa a mos m’a japë Lejën (në qoftë se do të jetë veterineri aty në zyrat e Kom. Ekz.).
Tiranë, e Premte 4 Prill 1975
U ngrita shpejt që në mëngjes (ora 5 para mëngjesit, të vete në Kom. Ekz. më ora 7 (përpara se të hyjnë nënpunësit) t’i them inspektorit të Shëndetsisë (Shpëtim Gjebréa) t’i thotë veterinerit të Kom. Ekz. të mos m’a vrasin “Cucin”.
I tha po s’desh. i vajta dhe unë veterinerit (në zyrë) po s’pranovi. U dëshëprova shumë, po veterineri is hi pashpirtshëm. Thashë t’i them Kryetarit të Kom. Ekz., Kryetari s’ish. Komiteti ka 4 zëvëndës-kryetarë.
Trokita te njëri, s’isht. Trokita në derë të tjetrit, tha “hyrë”. Ky quheshe Hektor Konomi. J’u luta t’i thotë veterinerit të urdhërojë mospushkatimin e qenit (konkës s’ime). Hektor Konomi passi më pranoj dhe më dëgjoj me shumë kujdes, u ngrit, vajti vetë në katin poshtë ku është zyra e doktorit veterinar dhe ardhi më tha: “ecni poshtë të merrni Lejen prej veterinerit që të mos ekzekutojnë konen tuaj”.
Vajta mora Lejën, që atje vajta në Repartin e Komunales së Tiranës, mora prej përgjegjësit të Repartit, njoftimin me shkrim që i bënte përgjegjësi (Ferik Pilkati) mbajtësit të qenve të kapur: “Shokut Riza Gjini ose jevgu. Shoku Riza jepi Profesorit qenin e tij mbasi ka marrë lejë nga Kom. Ekz. i K. P. Rrethit. 5/4/1975” Në kulmin e gëzimit vajta (1 orë larg) mora “Cucin” prej jevgut.
Cuci sapo më pa i-u shkëput jevgut prej krahëve dhe u vërsul drejt meje, si e përkëdhela 2-3 sekonda, i dhashë 1 qofte t’a hajë, Cuci, prej gëzimit, nuk e hante qoften, pastaj, si i dhashë prapë, e hëngri, i dhashë edhe qoften e dytë, s’desh t’a hajë prej gëzimit që më pa përsëri, pas disa sekondash përkëdheljeje, i dhashë prapë t’a hajë, i dhashë edhe të tretën, të tretën s’e hëngri nga gëzimi, e mora qoften në letër dhe u nisa me “Cucin” për në shtëpi (¾ ore larg). Isha i lodhur, i këputur. Rrugës për në shtëpi i-a dhashë prapë qoften edhe Cuci e hëngri. Maria kur e pa Cucin (sapo ardhi Maria nga shkolla) u gëzua jashtëzakonërisht, e mori në krah dyke e përkëdhelur.