Të lindësh grua në Shqipëri do të thotë të mbash mbi veten një mëkat të madh. Gruaja mbetet objekti apo edhe subjekti i një makthi të vazhdueshëm ekzistence.(Në fakt që prej zanafillës së botës Eva e mbart mëkatin mbi veten për dëbimin e njeriut nga Parajsa. Dhe vetëm me figurën e Shën Mërisë kjo qënie u hirëzua)
Gruaja, kjo qënie e brishtë, hyjnia e bukurisë së lashtësisë (Afërdita e grekëve të lashtë apo Venera e romakëve) në këtë gen duhet të jetë njeriu që përballet gjithëherët me tragjiken.
Historia e këtij kombi të dhunshëm e agresiv, të cilit i përkasim, gjithmonë femrën e ka pasur kultin e mundimeve, të punës dhe të flijimeve.
Është pjella që nuk trashëgon prej trungut të saj familjar të drejtën e pronësisë së mbiemrit të lindjes.
(Madje as të drejtën e pronës që nga Kanuni i Lekë Dukagjinit: Gruaja shqiptare farë trashëgimit s’ka tek prindja, as më plang, as në shpi- kanuja e xen gruen si një tepricë në shpi)
Shprehje të tilla si: “vajza është derë e huaj”, “djali i saj është i huaj, nuk trashëgon si djali i djalit mbiemrin e trungut familjar të nënës”, “vajza sjell një derr në shtëpi (dhëndrrin) e shyqyr zotit që e martuam”, etj, etj, janë shprehje të hapura të një racizmi të trashëguar nga patriarkaliteti që himnizon mashkullin.
Pra qenia e saj e mbyt familjen që në lindjen e vet. Një karakteristikë që shpreh psikologjinë e pritjes së një fëmije të sapolindur është zakoni i të shkrepurit të pushkës me lindjen e djalit dhe heshtja totale me lindjen e vajzës në të kaluarën e ndofta edhe sot në një pjesë të madhe të shqiptarëve.
Në kohën e Komunizmit në Shqipëri shumë baballarë nuk i afroheshin maternitetit kur gruaja e vet lindte vajzë. Ndër kohëra të vjetra e deri më sot për shqiptarin ndryshe përjetohet lindja e një djali për pushkë dhe ndryshe lindja e një vajze për punë.
Sa tragjike ardhja e një gruaje në jetë! “Mjerë ti o e shkretë, që linde femër!”- vajtonin nënat tona të sunduara nga pushteti i patriarkalitetit.
Gruaja, figura më tragjike e familjes, kishte e ka privime të vazhdueshme nga të drejtat e saj. Shprehje të tilla si: “Gruaja është me shpatulla pas murit. Mbyll gojën se është turp, je femër.” nëse nuk tregojnë diskriminim social dhe dhunë psikologjike mbi femrën, çfarë tjetër tregojnë?
Të lindësh grua në Shqipëri ku një në tre femra dhunohen fizikisht dhe dy në tre psikologjikisht është vërtetë tragjike. Të lindësh grua në Shqipëri do të thotë të mos mundësh të jetosh pa çatinë e një mashkulli babës, vëllait, burrit.
Pa një çati të tillë gruaja është lëneshë, e padenjë, e pamoralshme, e fëlliqur, e mjerë, qyqare e ku di unë, gjithfarë epitetesh fyese, përulëse e keqardhëse, një klasë shoqërore në moshë të mesme ndër më të përçmuarat, më të përbuzurat nga shqiptari.
Pothuajse asnjë shqiptar akoma edhe sot në shek. XXI nuk mund të konceptojë një grua të vetme në shtëpi larg babait, vëllait e të afërmve nëse është e pamartuar, ose nuk bashkëjeton me dikë.
Të gjitha vajzat shqiptare të pamartuara në Shqipëri edhe për shkak të mungesës së të mirave materiale, pasi gruaja paguhet minimalisht në Shqipëri për të përballuar e vetme jetën, jetojnë me prindërit nën klimën e nënshtrimit të pretendimeve prindërore për shërbim dhe privimit të lirive të saj jetësore.
Ashpërsia dhe vrazhdësia tragjike mbi femrën e konsoliduar prej shekujsh në ndërgjegjen shqiptare gjen mishërimin e vet në figura të grave që shndërrohen në burra për të shpallur pavarësinë e tyre të fortë ndaj kësaj shoqërie që edhe sot e kësaj dite kërkon të shndërrojë identitetin e saj të ëmbël në fortësi me fjalën burrnesh në Veri e kapedane në Jug.
Gra, që shfaqeshin përkrahë burrave me kobure në brez edhe në kohë paqjeje, pinin duhan e uleshin këmbëkryq në Kuvende (të drejta këto që nuk i gëzonte asnjë grua me burrë) duke hequr dorë përfundimisht nga të qenurit grua. Gra-burra për nga forca dhe vrazhdësia, ndofta edhe më arrogante se edhe vetë burrat, si disa prej femrave të sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Një lloj i shëmtuar njerëzor, i larguar nga e natyrshmja për shkak të instiktit të vetmbrojtjes në këtë mjedis agresiv.
Kultura e të qenurit femër në Shqipëri është ajo e një dhune psikologjike dhe sociale, që mjedisin e mbush me mllef, nëse i duhet dikur të rebelojë (pasi ku mungon reforma nis revolucioni), nëse nuk pranon kuadrin e përgjithshëm në të cilin kjo shoqëri kërkon ta vendos dhunshëm. Një rebelim i tillë është divorci.
Pasoja që sjell, përveç “vdekjes së vogël” të jetë së kaluar, shpesh për t’i dhënë fund një stresi të vazhdueshëm që pjell çrregullime psikologjike e në raste ekstreme edhe psiqike, sjell edhe një jetë të konsideruar si të pasuksesshme në vazhdim, pra një diskriminim të ri social ndaj femrës. “E la burri të shkretën. Kush dreqin e di ç’i ka bërë qyqarit!”
Një tjetër tragjedi sociale nis. Një femër për t’u treguar me gisht, për t’u sulmuar prej të gjithë aventurierëve të një ndërgjegjeje të pashpirt. Një tjetër viktimë-femër që duhet të shndërrohet në burrë për të mbijetuar…
Kultura e të qenurit femër në Shqipëri sot lidhet me një stereotip të ri njerëzor që duhet të kapërdijë hidhërimin e tradhëtive të bashkëshortit bashkëkohor me “digjitet”. I duhet të mos ulërijë, pasi ky është mashkulli i suksesshëm për shqiptarin që ka nisur të mëkëmbet ekonomikisht përballë një femre, që nëse do ta tradhëtonte të shoqin, shoqëria e “moralit” në Shqipëri do ta dënonte tmerrësisht ashpër, nën gjykimin “e drejtë” si të përdalë, të pamoralshme, të pandershme e gjithçka vulgare. Për të njëjtin mëkat qëndrimi social sigurisht që do të ishte edhe këtu diferencial. Burri, kjo qenie kaq e adhuruar prej vetvetes në jetën shqiptare do të quhej i zoti, ndërsa gruaja e ndyrë dhe e pështirë.
Shpesh qëndrimet mohuese e ndëshkuese ndaj femrës arrijnë deri në hakmarrje. Sa krime për “motive të dobëta” realizohen në Shqipëri për tradhëtinë bashkëshortore! Madje nga burra që kanë tradhëtuar kush e di sa herë gruan e tyre. Pa analizuar aspak arsyet dhe pasojat shqiptari kalon përherë në ekstrem me “krenarinë” mashkullore dhe “fëlliqësinë” femërore. Sa marrëdhënie të dyfishta e shpesh të shumfishta?!
Dukuri të reja sociale, ndofta edhe të vjetra, por tashmë tepër të shfaqura haptazi. Në gjithë këtë absurditet mentaliteti të ashpër, dënues e brutal vlen të përmendet koncepti i flijimit femëror bazuar mbi konceptin nder dhe krenari në Shqipëri.
E ndershme për ndërgjegjjen sociale është femra që nuk bën dashuri, krenar është mashkulli që ka një listë të gjatë femrash në triumfet e veta. Por, të dyja këto raste janë profile psikologjike të sëmura në jetën seksuale të njeriut, nëse mungesa e seksit është absolute për femrën dhe poligamia qëllim në vetvete për mashkullin.
Eja dhe shuaja shqiptarit absurd e agresiv tabunë sociale të seksit, pa ekuilibrimin shpirtëror. Eja dhe thuaji shqiptarit se koncepti i burrneshës apo kapedanes e shndërron femrën në mashkull e pasoja e parë dhe më e rrezikshmja është lindja dhe rritja e një mashkulli të pasigurt, frikacak e të dobët në shpirt që vishet me petkun e një agresori të dhunshëm social. Si t’i thërrmosh këto koncepte sociale të rrënjosura tashmë në ndërgjegjje të sëmurë?
Pa dyshim koncepti i gruas si një qenie sublime, e cila duhet respektuar me brishtësinë e saj, me bukurinë dhe mirësinë e saj, pasi është pikërisht ajo që i jep kuptimin e forcës dhe lumturinë një mashkulli, është pikërisht terapia sociale.
Shqiptari i sotëm ndodhet përballë një femre të lirë e të pavarur, e cila ka nisur të çlirohet prej mbetjeve patriarkale të së shkuarës. Kjo barazi e huton disi mashkullin shqiptar, i cili vjen prej një pjedestali të rrënuar të një mbetjeje patriarkale të lodhur.
Dominuesi, i plotëfuqishmi, kryelarti tashmë ndihet inferiori që nuk mund të vendosë pa pushtetin dhe dominimin, nuk mund të bashkëvendos. Dhe këtu ai përdor dhunën fizike apo psikologjike, gruaja që sipas Kanunit në martesë kishte për detyrë:
- me i ruejt nderën burrit
- me i rrogue pa zhibla
- me i ndejtë nën sundim
- m’u përgjegj detyrve të kunorës
- me rritë e me mkambë fmin me nderë
- me i ndejë gadi me të veshmen e të mathmen
- mos me iu përzie në fejes të të bijve e bijave
sot është qenia sublime që i jep kuptim jetës së tij dhe kërkon respekt e vlerësim.
Martesa që deri dje ishte “m’u ba shpi, me ia shtue shpisë një rob ma tepër, sa për krah t’punvet, sa për t’shtuem t’fmivet”, sot është bashkudhëtim i ëmbël dhe paqësor, cilësor dhe sublim, të paktën teorikisht për një marrëdhënie të shëndetshme. Nëse nuk është i tillë, nuk zgjat për gjithë jetën dhe detyrimisht është traumatik. Pa dyshim që janë tronditur themelet e tij të ekzistencës në këtë kohë të re dhe si në çdo tranzicion udhët janë të paqëndrueshme. Si adoleshent social mrekullohet e mahnitet me ndryshimet e femrës shqiptare, por përsëri luhatet në pasigurinë e gjetjes së vetvetes në të ardhmen.
T’ju them të drejtën, më dhimset kjo qenie e brishtë që në dukje është kaq e ashpër, e egër dhe agresive që përpëlitetet për të gjetur ekuilibrin shpesh me dhunë, shpesh me pendime…
Nuk është aspak e lehtë të tejkalohet vetvetja, por jo edhe e pamundur! Mjafton të jetë i duruar, i dhembshur, tolerant e mendjehapur. Të mos shohë si kërcënim për humbjen e pushtetit një femër që ka të drejtë të jetë përkrah tij me dinjitetin që i takon dhe jo me andagonizëm.
Gruaja nuk mund të jetë kurrë fatkeqësi e domosdoshme e realitet tragjik. Ajo, e bukura, e mira, lozonjarja, e duruara, e dhembshura është bekim për shoqërinë.
Prej saj nis jeta, prej saj nis edhe një shoqëri më e mirë ndër shqiptarë, sepse është ajo që ka në duar të ardhmen e fëmijëve të vet, e këta të fundit të ardhmen e këtij vendi duke pasur nevojën jetike për mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit.
Opinion nga Marije Hysko