KosovëOpinion

Nga kufijtë e mundësive te mundësitë për kufijtë

Në orët e vona të 25 korrikut 2011, njësitë speciale të Policisë së Kosovës i morën nën kontroll pikat doganore 1 dhe 31. Vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 20 korrik 2011 për moslejmin e mallrave prej Serbisë në Kosovë po bëhej absurd pa këtë vendimin tjetër që urdhëronte policinë për vendosjen e doganave në veri.

Të gjitha mallrat që nuk do të lejoheshin të hyjnë në pikat kufitare në Merdarë të Besianës dhe te Dheu i Bardhë në Dardanë do të orientoheshin kah veriu dhe do të hynin edhe më shlirë prej andej. Vetëm duke e mbyllur kufirin në veri për maunet nga Serbia do të mund të thuhej që vendimi i Qeverisë i para një jave për masat e reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare me Serbinë do të mund të zbatohej.

Mirëpo, le të mos harrojmë që strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë nuk i patën djegur pikat doganore 1 dhe 31 në veri të vendit më 17 shkurt të vitit 2008. Ata e bënë këtë të pasnesërmen e shpalljes së pavarësisë, pra më 19 shkurt 2008. Asokohe, në Prishtinë dhe gjithandej nëpër Kosovë vazhdonte të festohej masivisht pavarësia e shpallur dhe nisën të numëroheshin njohjet, porse kufiri në veri u zhduk me shpejtësi brenda fare pak orësh. Ngjashëm, më 12 qershor të vitit 1999, po ashtu festohej largimi i forcave të Serbisë dhe hyrja e NATO-s në Kosovë, mirëpo pak ditë më vonë ndahet Mitrovica duke e shndërruar lumin Ibër dhe urën mbi të në kufi faktik të ndarjes së veriut.

Prandaj, shteti dhe populli i Kosovës kurrsesi nuk bën të relaksohen tash dhe të konsiderojnë që mbaroi edhe kjo punë. ”Bac, u kry” mund të tingëllojë interesante, por gjithsesi e ka çmimin e shtrenjtë. Orët e ditët në vijim janë shumë të rëndësishme. Ato mund t’i përcaktojnë vitet e ndoshta edhe dekadat e ardhshme. Nga relaksimi ose euforia, nga cinizmi ose pesimizmi, nuk kemi kurrfarë dobie. Përkundrazi.

Qeveria e Kosovës nuk bën të zmbrapset tash. Pavarësisht se sa të mangët e ka planin e strategjinë, pavarësisht nga trysnitë mbi të e vështirësitë për të, çfarëdo tërheqje do ta kthejë gjendjen në veri në më të keqe edhe seç ishte. Nuk mund të ketë më status quo: ose do të ketë përmirësim ose përkeqësim. Suksesi në veri nënkupton që shteti i Kosovës ta mbajë iniciativën dhe ofensivën. Po i ndali ato, do ta përjetojë iniciativën dhe ofensivën e kundërshtarit.

Qytetarët e Kosovës dhe zyrtarët institucionalë nuk bën të ndërmarrin veprime individuale kokë më vete. Tash është shansi për unitet gjithëpopullor dhe veprim të përbashkët shtetëror. Serbia, armiku ynë tradicional e kujdestar, herë me gabimet e më shumë me ligësinë e saj, gjithmonë ka qenë faktor i rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve. Kjo duhet të shfrytëzohet posaçërisht tani. Të bashkuar e me vullnet, gjithnjë e më pak i shohim kufijtë e mundësive (tona) dhe gjithnjë e më shumë mundësitë për kufijtë (e Kosovës).

Policia e Kosovës dëshmoi që ka kapacitete dhe potencial, që ka gatishmëri dhe kurajo për ta mbrojtur Kosovën në kufijtë e saj. Qeveria e Kosovës duhet ta dëshmojë që ka vullnet politik të palëkundshëm. Aksioni i Policisë së Kosovës në veri tregoi se ka qenë e mundur (edhe më herët) të merret nën kontroll kufiri me Serbinë në veri. Përderisa Policia e Kosovës duhet t’i përgjigjet urdhrave politikë të Qeverisë së Kosovës, është vetë Qeveria e Kosovës ajo që duhet t’i përgjigjet kësaj gatishmërie njerëzore dhe aftësie profesionale të Policisë së Kosovës.

Një zëdhënëse, një përfaqësues dhe vetë shefja e politikës së jashtme e të sigurisë së BE-së, u shprehën kundër intervenimit të Policisë së Kosovës në mbrojtje të integritetit të kufijve të Kosovës. Këto deklarata ishin në përputhje me sjelljen e EULEX-it. Në veçanti, një fjali e zëdhënëses Maja Kocijançiq, është shumë e vlefshme. Për Radion Evropa e Lirë, ajo tha që ”Duhet të kthehemi aty ku ishim, për të qetësuar situatën dhe për të vazhduar punën rreth dialogut.”

Së pari, ajo e kërkon zgjidhjen e keqe për neve: zmbrapsjen e shtetit të Kosovës dhe kthimin në gjendjen para intervenimit të 26 korrikut. Asisoj do të ktheheshim në një situatë edhe më të keqe se para 26 korrikut sepse do ta mbanim edhe vulën e dështimit, të kotësisë së aksionit dhe humbjeve, duke errësuar kështu çfarëdo perspektive për aksione të ngjashme shtetndërtuese në të ardhmen.

Së dyti, ajo shpërfaq një synim të padrejtë: situatën në Kosovë gjykon se duhet ta karakterizojë qetësia dhe jo drejtësia. Kosova (edhe në veri, sidomos në veri) na u dashka të jetë e qetë përkundër padrejtësisë në të cilën është pllakosur. E, kur qetësia është e padrejtë, drejtësia sigurisht se nuk vjen e qetë.

Dhe, së treti, ajo vendos kundërthënien midis dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel dhe aksionit të Policisë së Kosovës për kontrollin e kufirit: duhet ndalur e kthyer mbrapsht ky aksion si devijim që na qenka për ta vazhduar punën rreth dialogut. Ndonëse qëndrimi i saj është i gabuar logjika e saj është e drejtë. Po dialog, jo aksion, sugjeron Kocijançiq. Ose, me fjalë të tjera: po negociata, jo vetëvendosje. Sepse, ose negociata, ose vetëvendosje, apo jo?

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “Nga kufijtë e mundësive te mundësitë për kufijtë”

Mund t'ju interesojë gjithashtu

Na ndiq në Facebook

Close