Premisat për një shoqëri demokratike

Pikturë nga Petrit Ceno

Shpeshherë dëgjojmë të flitet për mosfunksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim, shohim edhe se vëmendja përqendrohet menjëherë te funksionimi i rregullt i zgjedhjeve, te lufta kundër korrupsionit, te lufta kundër ekonomisë joformale etj., si kushte të domosdoshme që të funksionojë demokracia. Por, duke u kushtuar mjaft vëmendje këtyre faktorëve duket se është lënë në harresë një faktor tjetër mjaft i rëndësishëm për demokratizimin e institucioneve, që është, kultura politike e shoqërisë.

Jo se mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk ka rëndësi për demokratizimin e institucioneve apo, aq më tepër, lufta kundër korrupsionit e ekonomisë joformale. Përkundrazi, ato janë sinjalizuesit bazë që tregojnë nëse funksionojnë institucionet demokratike, apo jo. Por edhe institucionet demokratike, që të funksionojnë ashtu siç duhet, kanë nevojë për një shoqëri demokratike.

Që institucionet demokratike të kenë baza të forta, thekson studiuesi i madh i demokracisë, Robert A. Dahl, duhet që të veprojnë në një shoqëri, e cila të ketë të ngulura në kulturën politike të saj idealet dhe vlerat e demokracisë.

Madje, një nga arsyet kryesore, pse institucionet demokratike funksionojnë më mirë në disa shtete sesa në disa shtete të tjera është pikërisht fakti se demokracia i ka rrënjët të ngulura më mirë në kulturën politike të shoqërisë së këtyre vendeve.

Pikërisht, për sa i përket demokratizimit kultura politike e shoqërisë shqiptare duket se është disi larg. Megjithëse kanë kaluar gati 20 vjet nga përmbysja e regjimit totalitarist, shumë koncepte të demokracisë që janë baza e kulturës politike në shoqërinë evropiane drejt së cilës duam të shkojmë, vazhdojnë të qëndrojnë ende larg mentalitetit të shoqërisë shqiptare.

Mjafton të shohësh frymën e jotolerancës që mbizotëron në përgjithësi në shoqërinë tonë dhe e kupton që demokracia akoma nuk i ka ngulur rrënjët ashtu siç duhet. Madje, pothuajse të gjithë jemi dëshmitarë që në disa zona të Shqipërisë vlerat e demokracisë ndeshen ende me koncepte mesjetare që mbahen gjallë, megjithëse jemi në shekullin XXI.

Në një kohë që filozofia e demokracisë, por dhe ajo e integrimit kërkon qytetarë që të mendojnë dhe të kërkojnë me forcë që çdo zgjidhje politike duhet të dalë brenda parametrave të demokracisë dhe procedurave demokratike, në Shqipëri shumë të rrallë janë ata që e mendojnë një gjë të tillë. Kjo mungesë e demokracisë brenda kulturës së shoqërisë sonë mendoj se nuk vjen vetëm si rrjedhim i së trashëguarës, por dhe si rrjedhim i një mungese të vëmendjes sot.

Në qoftë se politika shqiptare apo organizata të ndryshme janë përpjekur dhe përpiqen me reforma të ndryshme institucionale me qëllim për demokratizimin e mëtejshëm të këtyre institucioneve, për demokratizimin dhe emancipimin e kulturës politike të shoqërisë tonë duket se nuk është bërë dhe aq.

Kultura politike e shoqërisë tonë ka nevojë për një vëmendje më të madhe. Por, kjo vëmendje nuk duhet kërkuar thjesht te shteti shqiptar apo te qeveria shqiptare, por dhe tek shumë organizata e shoqata të ndryshme që veprojnë në vendin tonë e sidomos, tek ato shoqata e organizata të cilat merren më drejtpërdrejt me problemet e demokratizimit.

Sot në Shqipëri veprojnë shumë organizata apo shoqata të ndryshme të këtij lloji, por këto shumë pak janë marrë me problemin e kulturës politike të shoqërisë tonë. Megjithëse dihet që kultura politike është diçka e trashëguar dhe që të formohet një kulturë e re duhet të kalojnë disa breza.

Mendoj përsëri që shoqëria shqiptare ka shanse të mira për ta zhvilluar dhe forcuar më tej demokracinë. Për këtë do të ishte e nevojshme thjesht një vëmendje më e madhe dhe një angazhim më i drejtpërdrejtë i të gjithë aktorëve që luajnë rol në procesin e demokratizimit.

Pasi, pavarësisht problemeve të ndryshme, një pjesë e mirë e shqiptarëve duket se janë ndërgjegjësuar disi dhe e kanë kuptuar, duke parë edhe të shkuarën e tyre, që asgjë e mirë nuk vjen nga jotoleranca. Por, një ndërgjegjësim i tillë duhet të shtrihet edhe më gjerë. Ideja që toleranca dhe mirëkuptimi janë baza e progresit të shoqërisë duhet të shtrihet dhe në pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare, e cila, fatkeqësisht, ndodhet në zonat e thella rurale ku dhe kontakti me pjesën tjetër të shoqërisë është më i vështirë.

Shumë prej këtyre shoqatave apo organizatave që përmenda më sipër, vetëm sa kanë bërë një përshkrim të thjeshtë të problemeve që lidhen me demokracinë në këto zona. Do të ishte më frytdhënëse, mendoj, sikur këto të zbrisnin në terren dhe të jepnin ndonjë ide konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Gjithashtu, nuk duhet harruar dhe që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare jeton prej kohësh në ShBA dhe në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Madje, shumë të rinj studiojnë në universitete prestigjioze të këtyre shteteve, duke u edukuar kështu me një mentalitet të ri, me mentalitetin e Evropës, në gjirin e së cilës ne duam të integrohemi.

Një kujdes dhe një vëmendje më e madhe në kulturën politike të shoqërisë, si dhe një “shfrytëzim” më i mirë i kësaj pjese të shoqërisë që jeton në vendet perëndimore do të ishte mjaft domethënës, mendoj, për të forcuar dhe për të vazhduar më me sukses demokratizimin dhe integrimin.

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version