Tregim nga Merita Berdica
Qyteti në atë muaj i kollufiste gjethet pa i përtypë mirë nga vjeshta e lagësht, e zbehtë, e cila sikur, si shumë e kishte përkul trupin para kohe.
Ajo mes detyrimeve i detyrohej stines së veres jo pak ditë, por më shume se mendohej. Hapat i hidhja kuturu, mes një oqeani të madh, ndërsa mendimet më notonin në vorbullën e mos ngushtimit të gjirit, por zgjerimit të tyre. Dhe kështu s’arrinin të më nxirrnin nga ajo rrugica qorre, në të cilën kisha kohë që kthesa e jetës më kishte futur.
Qyteti verior priste dhe përcillte çdo vit studentë. Dhe kishin të drejtë kur në shumë kronika televizive, që flisnin për jetën e studentëve, nuk e thirrnin më me emrin e lashtë, por me togun e fjalëve,“Qyteti i Artë”. Domethënja ishte për të, ndërtuesi i të ardhmes studentore! Fraktura, e cila më kishte goditur këmbën këta kohët e fundit, më pengonte të lëvizja shumë, por ama zotëroja fuqinë sa të prisja studenten e re, si në mëngjes ashtu edhe në drekë. Kisha një muaj që e ndiqja…e vëzhgoja …i merrja erë në distancë, dhe si e lajthitur nuk zhgulesha nga vendi me orë të tëra të mikëqyrjes, derisa ajo hynte në ndërtesën studentore, ose në ndërtesën ku merrte leksionet.
Në shtëpi isha bërë objekt i bisedave pa fjalë të shumta.Vajza e madhe Linda më qëndronte shumë më pranë se ç’ duhej. Tek-tuk me hidhte ndonjë pyetje, sidomos atë ditë që isha bërë qullë nga koka deri tek këmbët dhe çadrën nuk e mbaja mend ku mund ta kisha harruar. Por, nga ana tjetër mundohej të mos më lëndonte. Ndërsa im shoq me heshtjen e tij zaptuese m’i thërrmonte sytë deri në atë masë sa, priste që diçka do të mësonte nga ky ndryshimi im i menjëhershëm. Vetëm macja dhe Klea nuk kishin arritur akoma të më mbanin mëri. Unë justifikohesha, se thyrja e këmbës më ka shndërruar në një pikëçuditëse pa pikë shprese për të dhënë përgjigje, duke ma hequr humorin e ditëve si me pikatore. Por, nuk ishte kjo arsyeja, bota e pyetjeve tashmë kishte çuar krye, ato ishin bërë kaq shumë të lajthitura sa, tashmë luanin rolin e shigjetave helmuese, të cilat e thumbonin trurin tim në çdo sekondë të ditës, duke i dhënë përparësi frigës se unë do të humbja çdo gjë, çdo gjë, nëqoftëse do të bubrroja shumë në të kaluarën e errët.
Nuk dija ku të shkoja. Kujt mund t’i trokisja në derë dhe të shprazja mllefin tim, që përziehej brenda shpirtit, si një uragan pa drejtim nisje dhe përfundimi dhe t’i qepja arteriet e zemrës me gjilpërën e ndërgjegjes që të arrinte në një zgjidhje. Do të ishte një favorizim. Qyteti im verior ishte shumë i madh, por çelësat e dyerve “të rënda” e zvogëlonin kaq shumë sa e fusnin në lëvozhgën e arrës për t’u marrë shembull e thashetheme, dhe turpit që mund t’i dyllosja vehtes dhe gjithë ambientit, i cili më rrethonte. Të dy ishim në një pozitë të mirë pune. Im shoq punonte drejtor i përgjithshem i depertamentit te sportit dhe kulturës, ndërsa unë mësuese në një nga shkollat e mesme, më e dëgjuara e qytetit. Vajza e madhe ishte në shkollën e mesme, ndërsa e dyta në të 5-tën e shkolles 8-vjeçare.
Ditët kaplonin njëra –tjetrën dhe une isha gozhduar në trotuarin pa asnjë farë mase, se vjeshta po kalonte muajt e saja me një kënaqësi të krenuar, duke u harlisur në sytë e diellit dhe të hënës si një zonjë e rëndë. Atë ditë dhjetori, kishte marrë peng të gjitha pemët dhe të dukej sikur litarët e rrezeve të diellit të zbehtë varnin pa mëshirë degët e shkreta përbri qiellit gjykatës.
Ajo sapo doli nga godina e leksioneve. Paraliza, si metastaza kanceroze, po ma pushtonte pothuajse gjysmën e trupit, ndërsa gjysma tjetër gërmonte ecjen drej saj. U afruam kaq shumë njëra me tjetrën sa, ia nuhata frymën dhe syve ia pikturova edhe rrathin më të fundit të ngjyrës së shkruar.
-Mirëdita, i thashë! …Zëri më kishte marrë arratinë dhemë dukej se po jetonte në një rruzull tjetër tokësorë.
-Mirëdita, mu përgjigj!
-Kam dëshirë të pi një kafe këtu afër me ju! Nqs ke kohë në këtë moment, mund të shkojmë?
-Po kush jeni ju që me ftoni? Unë nuk ju njoh- mu përgjigj ajo me një vështrim jo shumë të vrazhdë.
-Të lutem- i thashë- nëse keni kohë, më pranoni. Jam këtupara teje, për të të treguar kush jam …!
Lokali ishte i mbushur plot, por unë arrita të siguroja një qoshe në të djathtë të tij. Kamarieri menjëherë na solli nga një çaj të nxehtë, pasi bëmë porosinë. Ajo kishte mbrumin e syve të mi. Çaji na kundërmonte nxehtësinë e trupit, llavë e vullkanit të sapo dalë nga vatra. Më shikonte me ngulmim dhe më dukej sikur më thërriste me klithmën e shpejtësisë së pyetjes: “Pse jemi këtu përballë njëra–tjetrës …Çfarë keni për të më thënë..
Kush jeni ju..
Nga vini..
Ç’kërkoni nga unë …??? ”
Çekanët më goditnin duke ngulur gozhdat në trurin tim diktat, se duhet t’ia hapja bisedën për të arritur në atë të vërtetë të hidhur, për të cilën shpirti im ishte përpëlitur vite me rradhë në hellin e zjarrit dhe ishte fërkuar kaq shumë mes dilemës sa, as mishi nuk i kishte mbetur më. Po ta mbaja fëmijën pas lindjes, opinioni do të më kryqëzonte mua dhe prindërit në turrën e drureve dhe drita neone me ngjyrë jeshile në shtëpinë tonë do të fikej përgjithmonë. Kështu që u detyrova të bëja atë për të cilën mora vetëm një shpërblim, vuajtje dhe dhimbje të thellë …aty thellë, ku u duk se është vënë drecka, por më kot…ajo nëçdo sekondë më diktonte se ekzistoj …
Kështu, në fakt në realen e përditëshme dukesha shumë e qetë, gazmore, një grua me një botë të lirë, e shkathët pa trysninë e mentalitetit hakërryes, por brenda meje ndërgjegja akumulonte, shumbullonte shkëmbinjtë, të cilët gërryheshin nga dallgët e fuqishme të detit përherë i trazuar edhe pse stinet ia ndërronin faqen moteve…edhe pse zogjtë hynin e dilnin si mysafirët e rradhës.
E mora filxhanin e çajit, e vendosa në buzë pasi provova hurthin e pare, ia ngula syte thellë në të sajat dhe duke e thirrë me emër fillova të flisja:
-Ela, unë jam nëna jote!
Në të mijëtat e sekondit mendova se ajo do të ngrihej, do të më linte vetëm si një varfanjake e gjorë pa pikë fryme në trup, duke më dhuruar edhe një shuplakë. Por ndodhi krejt e kundërta. Ajo vendosi shpinën afër ndenjëses së karriges, dy duart i shtrëngonin fort filxhanin e çajit dhe mori atë pozicion sikur donte të më tregonte se ajo ishte përgatitur për një takim të tillë. Nuk foli, vetëm m’i priste fjalët e mia si të ishin gurët e shahut, të cilat pretendonin vetëm të vendosnin medaljen e fitores në qafë.
-Isha vetëm 17 vjeçe kur u njoha me babain tënd. Ai punonte ekonomist tek ndërmarrja e përpunim drurit. Mendova se lidhja me të do të më siguronte një të ardhme të sigurtë për krijimin e çerdhes së ngrohtë, por ndodhi krejt ndryshe. Ai, pasi mori vesh se kisha mbetur shtatëzanë, nuk më braktisi menjëherë, por gradualisht dhe në mënyrë misterioze.
Me ardhjen tënde në jetë më shoqëruan për një kohë të gjatë shumë fatkëqësira: shkëputja nga mishërat e mia e qenies tënde, meqënëse prindërve dhe hallës time të vetme, e cila që nga vdekja e të shoqit (shumë e re) jetonte me ne, ju kisha “premtuar”, se do të dërgonim menjëherë në shtëpinë e fëmijës.
Dhe këtë gjë e bëri vetëm halla me duart e veta. Vdekja e mamasë pas 2 muajve. Pas një vitit babai pësoi një paralizë në gjysmën e trupit të anës së djathtë dhe kështu qëndroi pothuajse 10 vjet, derisa vdiq.
Halla kujdesej për gjithçka. Ndërsa pas dy viteve shkëputje nga shkolla e mesme, fillova të jetoja duke kryer të gjitha detyrimet ndaj vehtes…dhe ja ku jam sot. Prindërit megjithëse më kishin dritën e vetme të syve, më rritën me një botë shumë të ndrydhur.
Ndoshta kjo qe edhe një nga arsyet që unë mbeta viktimë e realitetit, të cilin pothuajse nuk e njihja. Kjo është e gjitha, nuk kam dëshirë të justifikohem, apo të të jap argumenta pse …e pse … e pse….!
Kur përfundova bisedën, mu duk vehtja sikur u shëmba në karrige si një gardh i vjetëruar, të cilin toka e ka braktisur pa pikë mëshire. Ajo ktheu kokën nga xhami i dritares së lokalit. Vështroi për pak sekonda turmën e njerëzve që shkonin e vinin në rrugë dhe m’u duk se të gjithë i thonin:”Po …Kjo është e gjithë e verteta!”
U kthye nga unë me filxhanin në dorë, të cilin në asnjë çast nuk e uli në tavolinë, por ama as buzet nuk ia provuan, dhe me pyeti:
-Po sikur unë të vendosi të mbështetem tek supi yt, a thua çerdhja jote do të më pranojë?
U shtanga në vend. Nuk e prisja këtë pyetje. Prisja dicka më të rëndë. Prisja gjykime, sharje fyerje, të qara, gëlthitjet e zerit të dalë nga shpella e abandonuar nga të gjithë, edhe pse jetonin aty afër. Një natë përpara i kisha pergatitur për gjithçka të mijët. Im shoq nuk arriti të stepej, sepse këto kohet e fundit ma kishte blerë mendimin, pavarësisht se asnjëherë nuk më trazoi. Më la si një rrymë vale e lehte në lumin që nuk shqetëson as shtratin e vet. Ndërsa vajzat, sidomos e madhja, u angazhua në shumë pyetje, të cilave përgjigjen jua merrte me presje dhe pikë nga vetë goja e babait të saj.
Atë mesnatë Dhjetori çdo gjë u fashit sikur të mos kishte ndodhur asgjë në shtëpinë tonë … Në instiktin e lëvizjes u afrova me karrige afër saj. Më erdhi një erë e ngrohtë në gjoks dhe mu duk se ajo në atë çast kishe hyrë brenda meje dhe ia dëgjoja rrahjet e zemrës si dikur, kur krijesa e saj po vanitej për tu mbështjellë në lëkurën time, në mishrat e mi, në frymën e frymës time ….dhe më pas … i harrova krejt momentet e këqia, mendova vetëm t’ia merrja dorën dhe t’ia mbuloja me puthjet e mia…me ata puthje që vite e vite i kishin munguar dhe mua pikërisht më kishin dërrmuar.