A nuk ju ka qëlluar ndonjëherë të gjithëve që, një rastësi,e cila në dukje, të ngjante aq e pamundur që të verifikohej, t’ju ketë ndodhur realisht, aq sa t’ju krijohej përshtypja se në atë çast, disa fije të padukshme të ndërthureshin për të mundësuar pikërisht atë takim të ashtuquajtur “të rastësishëm”?
Besoj se ju ka ndodhur, e kjo, në lidhje me shumë sfera të jetës: atë sentimentale, shoqërore, miqësore, profesionale etj.
Më ka ardhur shpesh dyshimi edhe se ekziston një lidhje e fortë ndikimi ndërmjet një mjedisi të përcaktuar që ti frekuenton, dhe ty vetë si individ.
Duhet të jetë ky, shkaku që ndoshta, edhe pa dëshirën tënde konkrete në një çast të veçantë, pa vullnetin tënd, pa planifikime të mirëfillta nga ana jote, ngaqë ti ke njëfarë mahnitjeje, prirjeje, interesi apo pasioni rreth diçkaje të përcaktuar, të krijohen situata rastësie, të cilat për ty do të mbartin një rëndësi të veçantë, një vlerë simbolike njerëzore të dallueshme. Atëhere, ti e ke në dorë vetë nëse t’i quash “koinçidenca”, “fat”, – pozitiv apo negativ, kjo eshte relative – apo “mrekulli”.
Eshtë pak kjo që më ka ndodhur jo vetëm një herë në jetë, por po veçoj njërën nga këto koinçidenca të këndshme:
Ishte viti 1989. Fare pak vite, vetëm katër vite kishin kaluar nga vdekja e diktatorit dhe gjendja në Shqipëri ishte në pikëpyetje të madhe. Tranzicioni përgatitej në heshtje, mbi një terren të shënuar thellë – thellë, apo të dëshiruar nga populli prej shumë kohësh.
Për familjet italiane të mbetura në Shqipëri e të bllokuara nga regjimi, fillonte një rrymë frymëmarrjeje e re, e cila lidhej me një fije shprese pak më të solidifikuar për të shkelur tokën e tyre mëmë, Italinë, për t’u takuar me të afërmit e tyre.
Ndër këto familje bënte pjesë edhe ajo e imja, ose më mirë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, protagonistja e çështjes në fjalë, ishte gjyshja ime italiane, që jetonte tashmë prej një jete në Shqipëri.
Vendos të niset për në Itali tek motrat që e prisnin me padurim dhe e veçanta e atij udhëtimi, për gjyshen vetë, përveç faktorit të magjishëm të diçkaje të shumëdëshiruar që realizohej pas kaq vitesh larg nga njerëzit e zemrës, takimi me to, përsa më përket mua, mbesës së saj 15 vjeçare, më shkaktonte një magji më vete.
Gjyshja vendosi të më marrë me vete në udhëtimin e saj në Itali!
Faza parapërgatitore, e më duhet të them, ajo më delikatja, d.m.th, sjellja e garancisë nga të afërmit italian (në vitin 1989 duhej akoma një garanci nga shtetasit e huaj për ata shqiptarë, në vijim u hoq ky kriter) dhe marrja e vizës, u përfunduan me sukses nga ana ime dhe e gjyshes.
Në ambasadën italiane na pritën me shumë mallëngjim e mirësjellje – për gjyshen sidomos, si bashkështetase e tyre, si rrjedhojë e nje historie të gjatë e të dhimbshme emigracioni nga ana e saj si italiane në Shqipëri – dhe dokumentacioni ishte gati!
Tani, përveç emocioneve të gjyshes, mëse të kuptueshme e njerëzore, a i imagjinoni dot ndjesitë e mia lidhur me këtë ngjarje?
Isha vetëm 15 vjeçe, në vit të parë në gjimnaz dhe përgatitesha të udhëtoja, në atë periudhë të errët e konfuze për Shqipërinë, jashtë saj, drejt Italisë!
Deri atëherë, e gjithë shoqëria ime, të afërm apo miq, i kishin kryer këto udhëtime veçse në imagjinatë, – me përjashtim vetëm të ndonjë personaliteti që dilte nga Shqipëria për punë – ndërsa unë, po konkretizoja një ëndërr, në adoleshencë madje, e në këtë ëndërr, ndonëse në distancë, po më ndiqnin të gjithë ata që më njihnin ose më mirë: unë po ëndërroja edhe për ta!.
Më tej, udhëtimi me avion drejt Romës, ky përbënte në vetvete emocione të tjera të forta, jo vetëm kaq: edhe thjesht të afruarit ndaj territorit të aeroportit. Ato, siç e dimë, ishin pika strategjike, të pamendueshme për t’u shkelur nga qytetaret e thjeshtë.
Provoja një ndjesi të çuditshme, të pashpjegueshme. Në aeroportin e Rinasit nuk kishte fare udhëtarë shqiptarë, por vetëm të huaj që linin Tiranën, pjesa më e madhe e të cilëve ishin pjesëtarë trupi diplomatik të akredituar në Shqipëri, që ktheheshin si duket për pushime në vendet e tyre.
Normalisht që, duke më parë si udhëtaren me të re aty, unë u rrethova në mënyrë spontane nga një grup fëmijësh të tyre: me ata që flisnin italisht e frengjisht komunikoja pa problem, aq sa, ata i “harruan” në ato çaste prindërit e tyre..
Do të kisha shumë për të treguar për mbërritjen në Itali dhe për mbarëvajtjen e atij udhëtimi në tërësi, por, pa dashur të zgjatem, pasi për këto detaje ndoshta do të shkruaj një herë tjetër, po kaloj nga aeroporti në aeroport, d.m.th nga ndjesitë në aeroportin e Rinasit në vajtje, në atë nga Italia, në kthim.
Pas kontrollit të dokumentave zumë vend me gjyshen në sallë dhe në ato momente, ndodhi ajo rastësi e këndshme që parashtroja në hyrje:
pa dijeninë tonë, pa pasur imagjinuar se do të kishim si miq udhe, persona aq të veçantë, të përzgjedhur, ne u gjendëm fare rastësisht pranë në ndenjëse, ulur në sallën e pritjes, me një çift në gjysmë moshe.
Ata ishin: mbesa e Ismail Qemalit, zonja Nermin Vlora dhe bashkëshorti i saj, z. Renzo Falaschi!
Pse përmendja më parë lidhjen ndërmjet mjedisit, në të cilin ti rritesh, me rastësitë e jetës?
Për arsyet e thjeshta që ju shpjegoj më poshtë:
Zonja Nermin u bë kureshtare për faktin se kishte pranë një gjyshe me një mbesë, të cilat flisnin bashkë, herë italisht, e herë shqip rrjedhshëm. Italishtja e një italianeje, si gjyshja, kuptohej fare mirë, por edhe unë nuk qëndroja shumë prapa, ngaqë ajo më kishte rritur duke ma mësuar gjuhën e në shtëpi më fliste vetëm italisht. Ne kalonim natyrshëm nga një gjuhë, në tjetrën, ndaj zonja Nermin na drejtohet, duke pasur perceptuar diçka: “Ju jeni italiane zonjë, të paktën kjo përshtypje m’u krijua…!” – i thotë gjyshes. Dhe ti vajzë, sa bukur flet italisht!”- më drejtohet mua.
Të njëjtën gjë ndërkohë pohonte edhe i shoqi. Këto ishin këmbimet e para të fjalëve tona, më pas në mënyrë të përmbledhur gjyshja u tregoi për rastin e jetës së saj, për shkakun e gjendjes së saj në Shqipëri.
Unë, si e apasionuar pas historisë shqiptare dhe pas letërsisë, gjithnjë në përputhje me moshën natyrisht, e apasionuar pas letrave përgjithësisht, – përveç faktit se, gjithçka që ndër të tjera, lidhej edhe me persona shqiptarë apo që kishin pasur një farë lidhjeje me Shqipërinë e që për shkaqe të ndryshme jetonin në Itali, për përzierjen e familjes sonë si italo-shqiptare, – më duhet të them që atë zonjë me tipare elegante, me flokë të thinjur, e njoha menjëherë: fotografi të saj unë i kisha parë!
Ndaj, për këtë arsye, këtë gjë ia bëra të ditur menjëherë, edhe me natyrshmërinë karakteristike të moshës sime të atëhershme: “Unë ju njoh zonje!” – i thashë, – “Ju jeni Nermin Vlora, mbesa e Ismail Qemalit!”
Në atë moment, të dy bashkëshortët u panë në sy, dhe vërejta një shkëlqim të veçantë në sytë e tyre.
Ata, deri në ato momente ishin munduar të kalonin në heshtje në aeroport, në mënyrë të rezervuar, për shkaqe të tyre personale mëse të kuptueshme, pa menduar ndoshta se dikush, e për më tepër një vajzë adoleshente shqiptare,- që shtetase italiane do të bëhej pas pak – do t’u bënte të ditur që i njohu se kush ishin!
Arsyet e mallëngjimit të tyre, të asaj heshtjeje njerëzisht të kuptueshme, lidheshin edhe me një faktor të rëndësishëm për ta e për Shqipërinë: në atë vit, pra në 1989-ën, në atë moment, ata po vinin në Shqipëri për herë të parë që pas 1944-ës, të ftuar nga shteti shqiptar!
Dhe këtë detaj, ma përforcoi në mendimin tim, edhe stërnipi i Ismail Qemalit, që kontaktova, miku im, Darling Vlora.
Ndër pyetje të tjera që më drejtoi, ishte edhe kjo: “ç’shkollë frekuenton, Adela?”
“ Oh, zonjë, do të më duhet t’ju ofroj edhe një kënaqësi tjetër, edhe kjo, krejt e rastësishme!- iu përgjigja. Unë frekuentoj gjimnazin që mban emrin e Ismail Qemalit!”
Natyrisht, buzëqeshja dhe kënaqësia e saj u shumëfishuan e më shoqëruan deri sipër në avion.
Ai, qe për mua një udhëtim i magjishëm, i mbushur me mijëra copëza udhëtimesh në brendësi të tij. Unë udhëtova në atë moshë: në kohë, në histori, në ngjarje, në raporte njerëzore, në raporte shtetesh, që për moshën time të atëhershme, ndikuan pa dyshim shumë pozitivisht dhe u bënë njëri nga shumë shkaqe të krijimit të këtij botëkuptimi që edhe sot unë me kënaqësi them se mbart brenda meje.
Ndaj, këto mbresa, të atij udhëtimi të veçantë, – që vetëm “udhëtim”, është pak të quhet – ai ishte nje farë projektimi i rrugëtimit të jetës sime në vijim, parapëlqeva t’i ndaj edhe me ju, duke shkëputur këtë fletë nga ditari im.
Të dy bashkëshortet, Nermin Vlora dhe Renzo Falaschi u ndanë nga jeta në vitin 2004 dhe që në 2005 – ën, ata prehen në varrezat e Kaninës, në Vlorë. Në varrin e tyre që ju sjell në foto, si epitaf, shkruhet: “Deshën dhe duan Shqipërinë” – “Amarono ed amano l’Albania”.