Vepra e Dr Gëzim Alpion, sociolog në Universitetin e Birminghamit në Angli, ‘Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa’, (‘Takimet e Civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza’), u botua nga Routledge në Londër dhe New Yok më 29 shtator 2017. Ky libër e ka gjenezën në turneun e leksioneve që Alpion zhvilloi në Indi në vitin 2005.
Përveç autoriteteve fetare dhe akademike, leksionet e Alpion tërhoqën edhe vëmendjen e botuesve. Një prej tyre shprehu dëshirën të botojë një vëllim me shkrime që reflektojnë interesat akademike të Alpion në lidhje me Ballkanin, Egjiptin, Britaninë e Madhe dhe Indinë.
Në 2008 Alpion dorëzoi për botimin librin ‘Encounters with Civilizations’, ku përfshihen 15 punime nga viti 1993, kur ai filloi të botojë si pasuniversitar në Kajro rreth civilizimit faraonik në gazetën ‘The Middle East Times’, deri në vitin 2007. Parathënia e librit është shkruar nga kolegu dhe miku i Nënë Terezës, studiuesi me origjinë kanadeze Profesor Gaston Roberge, autor i më se 20 librave, kryesisht për komunikimin masiv dhe kinematografinë indiane.
Në vitin 2009 Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa u botua në Amerikë nga Globic Press. Ndërsa në 2011 doli edicioni i dytë amerikan, këtë herë nga Transaction Publishers. Routledge është botuesi i katërt që e boton këtë vepër në më pak se një dekadë.
Që në fillim, libri tërhoqi vëmendjen e një numri ekspertësh të mediave dhe të disa sociologëve të shquar nga vende të ndryshme të cilët vlerësojnë aspekte të tematikës, njohurive, dhe stilit të Alpion.
Në reçencën e tij në revistën shkencore ‘Continuum: Journal of Media & Cultural Studies’, që botohet nga Routledge, studiuesi australian Profesor Brian Shoesmith i Universitetit Edith Cowan thekson: ‘Si çdo sociolog i mirë, Alpion ndriçon thelbin e shoqërisë duke analizuar ata që janë lënë në skajet e saj. Alpion e pareqet të ‘huajin’ nga një këndvështrim që nuk është i zymtë apo shkatërrues por pozitiv dhe sfidues’.
Studiuesja britanike Dr Claire Smetherham e Universitetit të Bristol-it, në reçencën e saj, që u botua në revistën shkencore ‘Albanian Journal of Politics’ në Amerikë, thekson se ky libër, i cili ‘të kujton shkrimet e Durkheim-it rreth të ‘huajve’ që vizitojnë vende të ndryshme…mbulon shekuj dhe kultura të shkuara dhe bashkëkohore. Alpion na inkurajon të mendojmë në mënyrë reflektuese dhe kritike rreth besimeve, eksperiencave dhe botëkuptimeve tona, duke krijuar në proces mundësinë për ndryshim dhe për takime me ‘civilizime’ që ndryshojnë nga civilizimi ynë, me të cilët ndeshemi çdo ditë ose personalisht ose nëpërmjet mediave.’
Nicolas Pelham, ish editori i gazetës ‘The Middle East Times’, aktualisht korrespondent i gazetës britanike ‘The Economist’ në Jeruzalem, shkruan: ‘Alpion synon të bëj në letër atë që (bashkëkombësi i tij) Muhamet Aliu bëri në politikë (para 200 vjetësh): pra, të çliroj Egjiptin nga psikoza e kompleksit të inferioritetit nacional, t’i rikthej këtij vendi krenarinë kombëtare, dhe të ringjall Egjiptin për Egjiptianët. Në shkrimin e tij të titulluar ‘Kompleksi ndaj të huajve’ Alpion përshkruan esencën e pesë mijë viteve të identitetit Egjiptian me më shumë saktësi se një mijë shkrime gazetash të dërguara nga Kajro’.
P. K. Pabla nga Kolegji Cordia në Indi, në reçencën e saj në revistën shkencore ‘International Journal on Humanistic Ideology’, që botohet në Rumani, ndër të tjera thekson se Alpion ‘trajton disa tema kontroversale në këtë libër. Volumi thekson rëndësinë e mirëkuptimit ndër-kulturor dhe të bashkë-ekzistencës mes civilizimeve. Mesazhi i librit për njerëz nga civilizime të ndryshme është të mirëpresin të ‘huajin’ pa paragjykime.’
Studiuesja britanike Antonia Young e Universitetit të Bradford-it në shkrimin e saj për këtë vepër, që u botua në revistën shkencore ‘Central & Eastern European Review Journal’, thekson: ‘Alpion vështron në mënyrë shumë depërtuese metodat nëpërmjet të cilave shumë individë, por veçanërisht grupe fetare, politike dhe mediat, kanë keq-interpretuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës, përfshirë edhe Malcolm Muggeridge i cili e ‘zbuloi’ atë në 1968’.
Ndërsa akademikja e Universitetit të Kalkutës Profesoresha Bonita Aleaz në shkrimin e saj, që u botua në Indi në gazetën ‘The Statesman’, nënvizon: ‘Dy tipare të rëndësishme nga pikëpamja e sjelljes dhe qëndrimeve e përshkojnë këtë vepër. Autori ka bërë ç’është e mundur që të thurë manifestimet e këtyre tipareve në të gjitha vendet e ndryshme që mbulon libri. Këta dy tipare jane ‘kompleksi i inferioritetit ndaj të huajve’, si dhe ‘izolimi social’. Aleaz e përfundon shkrimin me këto fjalë: ‘Libri përcjell mesazhe të rëndësishme për ata që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në vend të huaj’.
Akademiku i mirënjohur i Universitetit të Nottingham-it në Angli dhe Presidenti i Shoqatës Britanike të Sociogjisë, Profesor John Holmwood nënvizon: ‘Globalizimi ka nxjerrë në pah një përceptim më të ndjeshëm të ndërlidhjeve të kulturave në një kohë kur përceptimi tradicional dëshmon arrogancën që rezulton nga përceptimi i qendrës së privilegjuar. Dr Gëzim Alpion është një shoqërues ideal në udhëtimet ndër dhe përtej kulturave. Ai sjell një humanizëm sensitiv dhe këndvështrimin e një dijetari mendjemprehtë në trajtimin e një morie kulturash komplekse në botën e përçarë.’
Studiuesi indian Profesori G. Gispert-Sauch, në shkrimin e tij, që u botua në revistën shkencore ‘Journal of Theological Reflection’, ndër të tjera thekson: ‘Një nga tezat kryesore të librit është se ekziston, veçanërisht në akademi, një diskriminim dhe padrejtësi organike ndaj vendeve që nuk përfshihen në Botën e Parë, dhe se Shqipëria dhe vende të tjera në Europën Lindore përjetojnë të njëjtin diskriminim, ashtu siç ndodh me vendet islamike në Azinë perëndimore dhe në kontinentin afrikan dhe atë aziatik.
Kjo vepër dallohet për shumë tipare të vlefshme: ky është një libër i domosdoshëm për programe që përqëndrohen në studimin e avancuar të etikës së mediave, veçanërisht pjesa e tretë, që mbyllet me një apel ndaj gazetarëve perëndimorë, apel që në fakt do t’ju vlente të gjithë gazetarëve për të ‘dhënë kontibutin e tyre të çmueshëm për të bërë Europën, unë do të shtoja, edhe botën, një të vetme.
Libri, gjithashtu, eksploron rëndësinë e ‘natës së errët të shpirtit’ të Nënë Terezës në kulturën post-moderniste; nxjerr në pah rëndësinë e konceptit sociologjik të ‘kapitalit të famës’ si një variable në kontekstin kombëtar dhe ndërkombëtar, trajton politikën e besimit dhe mugesës së tij në kulturën tonë, shtjellon temën e pronës kognitive dhe intelektuale, si dhe rëndësinë e së drejtës së autorit. Natyrisht, libri na mundëson të mësojmë shumë edhe rreth Shqipërisë dhe fqinjëve të saj.
Kjo vepër nxjerr në pah një zë nga skajet që buron në fakt nga brendësia e gjeografisë që ndonjëherë konsiderohet gabimisht si një ‘botë e pasur’ në mënyrë uniforme’.
Dhe se fundi, publicisti dhe shkrimtari i njohur amerikan Stephen Schwartz thekson se ‘libri ofron edhe më shumë prova se Profesor Gëzim Alpion është një nga observuesit më inteligjentë dhe më të mprehtë i kulturës shqiptare, si dhe i përfaqësueses së saj më të famshme në kohët moderne, Nënë Terezës’.
Xhemail Peci është poet dhe shkrimtar. Ai ka një MA në Studimet Amerikane, Histori dhe Politikë nga University College London