Sot, duke ardhur vetëm prej pak ditësh nga festimi i Pashkëve katolike e sot të atyre ortodokse , më qëllon të dëgjoj nga shqiptarë të ndryshëm shprehje të tipit: “Gjëja më e mirë që bëri Enveri, qe ndalimi i fesë…!”
Dhe në të vërtetë, has pak vështirësi për të kuptuar “pse”-në e kësaj mendësie sipërfaqësore nga shqiptarët.
Ty shqiptar, përgjatë diktaturës të imponuan ateizmin, të imponuan njëkohësisht “njeriun e ri socialist”, të krijuan e modeluan si stereotip të ri, si në një laborator njerëzor, e ti u rebelove vetëm deri diku…
Ose më mirë: kush u rebelua vërtet, pagoi me jetë.
Si për ata që kundërshtuan regjimin e mbrojtën besimin e tyre fetar, apo ata që nuk u pajtuan me diktatin e stereotipit të “njeriut të ri socialist” e që nuk pranuan shpëlarje truri nga komunizmi i aplikuar në ekstrem e i personalizuar në Shqipëri, si nga më barbarët në botë.
Sot, duke ardhur vetëm prej pak ditësh nga festimi i Pashkëve katolike e në pritje të atyre ortodokse, më qëllon të dëgjoj nga shqiptarë të ndryshëm shprehje të tipit:
“Gjëja më e mirë që bëri Enveri, qe ndalimi i fesë!”
Më habit ky lloj qendrimi i shqiptarit, sipërfaqësor e në të njëjtën kohë, tregues i mosnjohjes së historisë së popullit të vet.
Sepse, nëse do ta njihte historinë e vet, nëse do të ishte i përditësuar mbi numrin e viktimave që komunizmi bëri mbi klerin shqiptar, atë të cilitdo besim, kryesisht katolik por, njëkohësisht edhe në atë mysliman e ortodoks, sikur të njihte torturat çnjerëzore e vrasjet nga më barbaret që u janë bërë eksponentëve të fesë në Shqiperi, sikur në të njëjtën kohë, shqiptari të përditësohej me numrin e viktimave të komunizmit, në emër të lartësimit të “njeriut të ri socialist”, njeriut model, sipas impostimit totalitar e rregullave te tij, nuk e di se sa, sot ai shqiptar, do të shprehej rrëmbyeshëm:
“Gjëja më e mirë që bëri Enveri qe ndalimi i fesë!”, sepse do të ishte njëlloj sikur të pajtoheshe me krimet ndaj klerit shqiptar e besimtarëve te tij, do të ishte njëlloj sikur të pajtoheshe me krimet e komunizmit ndaj njerëzimit dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut.
Nëse dikush mbart një besim apo një bindje brenda vetes – qoftë besim fetar apo ideologjik, i çfarëdo tipi – ai njeri këtë duhet ta kultivojë e derisa nuk i sjell dëm individëve apo shoqërisë, mund ta praktikojë lirshëm atë. Në rast të kundërt, kemi të bëjmë me diktaturë e krime, që asnjë popull nuk duhet t’i harrojë nëse, për më tepër, atë vetë ato padrejtësisht e kanë prekur e lënduar.
Përjetime personale
Më tregon ime më:
“Kur ne ishim të vogla, festonim si Bajramin, edhe Pashkët, pa dallim.”
Ishte koha, për brezin e tyre në Shqipëri, kur ndalimi i fesë nuk kishte filluar ende të ligjërohej krejtësisht…
Edhe diçka thotë: “E kishim për zakon që ne fëmijëve, për Bajram ose Pashkë, prindërit sipas mundësive, me stofëra që sajonin sipas rastit, të na qepnin te rrobaqepësit veshje të reja, në nderim të eventit në fjalë, në mënyrë që ta përjetonim me një frymë sa më të gëzueshme!
Gëzimi ynë bëhej akoma edhe më i madh, pasi në rastin tonë, si rrobaqepëse të familjes kishim motrën e madhe. Ajo rrinte tërë natën zgjuar që të na qepte veshjet e reja ne, motrave më të vogla: fustane të holla, zakonisht basmeje, njëlloj për të gjitha, edhe çanta prej lecke gjithashtu.
Ne fëmijët, me rrobat e reja veshur, më pas dilnim nëpër lagje për të uruar fqinjët për festat përkatëse – Bajram apo Pashkë – dhe ata na ofronin ç’tu gjendej në shtëpi: ndonjë copë ëmbëlsirë, ndonjë frut të freskët apo të thatë, ndonjë vezë të zier të ngjyrosur etj.
Gjëra këto që mjaftonin për të na bërë të lumtur, me pak… Kishte madje nga ata fqinj aq të dashur e të përkujdesur, saqë para se ne fëmijët e lagjes t’i trokisnim në derë, duke e njohur traditën, do të na i kishte bërë gati paraprakisht nëpër paketime apo qese të vogla këto dhurata të personalizuara për ne.
Kaluan vitet dhe unë, vajza e saj, do të vëreja një gjë analoge:
Atë që brezi im, ai i viteve ’80, rritur në Shqipëri nën diktaturë dhe nën sloganin e “shtetit të parë ateist në botë”, do ta ruanim fundja atë zakonin e “veshjes së rrobave të reja në një ditë të përcaktuar të vitit për ne si fëmijë!” Do të gëzonim të vishnim një fustan të ri apo një palë këpucë të reja me ardhjen e pranverës, kjo po! Do të ndryshonte pra, vetëm eventi për të veshur me gëzim gjëra të reja zakonisht e për të dalë shëtitje me prindër e të afërm: eventi, të cilit t’i dedikohej ky përkushtim nga ana jonë, nuk do të përbëhej më nga Bajram apo Pashkë por, çuditërisht nga 1 Maji, festa e punëtorëve!
Do të dilnim në sheshin Skënderbej shëtitje apo nga Liqeni në Tiranë, zakonisht ne fëmijët, veshur me rroba të reja!
Se “pse” pikërisht kthyer e përshtatur për 1 Maj këtë “zakon”, atë të veshjeve të reja, e jo më për festat fetare, brezi im, ndryshe nga ai i prindërve, as që do ta njihte arsyen.
Edhe sepse, indoktrinimi kishte filluar me kohë. Edhe sepse, nëse prindërit tanë, për Bajram apo Pashkë do të dilnin në grupe fëmijësh, duke trokitur e uruar nëpër dyert e të afërmve apo fqinjëve, duke kaluar nëpër rrugica që mbanin ndoshta emra shenjtorësh ose që të paktën, toponomastika popullore i njihte si të quajtur në atë mënyrë ne, “brezi i censurës e diktaturës”, do të dilnim më 1 Maj të gëzonim duke shëtitur me prindër e të afërm, duke ecur nëpër rrugë e rrugica që emërtime fetare nuk bëhej më fjalë të mbanin por, nëpër rrugë që mbanin emra dëshmorësh apo heronj të punës socialiste.
Sepse, me ne po formohej brezi i ri, i indoktrinuar apo i impostuar sipas diktatit diktatorial apo totalitar, ose më mirë ne po mishëronim “njeriun e ri socialist”…
Ti a e di të paktën se çfarë je: nëse darvinist, teist, ateist, laik, agnostik…?
Madje ty shqiptar, fatkeqësisht e duke folur me objektivitet, në këtë drejtim të lanë qëllimisht injorant.
Nuk të ofruan informacionin e duhur, përkundrazi, ta ndaluan rreptësisht atë, nuk të lanë as të zgjedhësh nëse të ishe teist, ateist, laik, apo agnostik e jo më, praktikant i fesë. Ti nuk dite dallimin ndërmjet këtyre rrymave apo filozofive, thjesht sepse, ty ndërmjet teizmit apo ateizmit nuk t’u la hapësirë ndërveprimi e preference.
E sot nuk është nevoja të devijohet nga tema, as të bëhen keqinterpretime banale e të sillen shembuj cliché si ato të disa priftërinjve pedofilë apo të disa myslimanëve lidhur me terrorizmin.
Ndaj, të lutem, sot përpara se të dalësh me shprehje siperfaqësore të tipit:
“Ndalimi i fesë, gjëja më e mirë që bëri Enveri!” lexo, informohu, merr njohuritë bazë si mbi fenë dhe aplikimin e saj – dhe këtu je i lirë të besosh apo të mos besosh, të praktikosh apo jo kultet fetare, kjo është çështje krejt më vete – por, më kryesorja, njihu me historinë e popullit tënd dhe vuajtjet e tij, në të cilat, vuajtjet e persekutimet edhe për fenë zënë një vend mjaft të rëndësishëm.
Jepi rëndësi vetes duke pretenduar të paktën sot, aplikimin e të drejtave të njeriut, mohimi i të cilave për gjysmë shekulli ka shkelur me këmbë personalitetin tënd.