Sa herë afrohet një fundvit, është e udhës që të bëhet një farë bilanci personal i vitit që lamë pas krahëve, kjo përsa u përket arritjeve, sukseseve e realizimeve vetjake e përse jo, edhe vështirësive, humbjeve, gabimeve, pengesave apo mungesave që secili nga ne ka hasur në 12 muajt e mëparshëm, shoqëruar me pritshmëritë apo projektet për vitin e ri.
Përveç kësaj, pikërisht sepse ndoshta atmosfera festive me efektin e saj të ngrohtë e ndriçues kthehet në një stimul për t’u mbledhur të gjithë pranë vatrës familjare për të festuar, edhe për ata që jetojnë tashmë anembanë botës, atëherë ky kontekst transformohet vetvetiu edhe në një farë pikënisjeje tregimesh, dëshmish apo rrëfimesh me shfletimin e albumit të kujtesës së festimeve të shqiptarëve ndër vite…
Kartolinat e urimeve dhe Babagjyshët festivë midis modernizimit e traditës.
“Mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova!”
Kjo ka qenë një nga formulat, me të cilat mbusheshin tekstet e kartolinave prej letre të festave nga brezi ynë, ai i viteve ‘70-‘80 në Shqipëri.
Në një Shqipëri, në të cilën, shkëmbimi i kartolinave për Vit të Ri – theksoj “Vit të ri”, pasi Krishtlindjet nuk festoheshin si shtet ateist që prej 1967-ës – përbënte jo një përjashtim por, një rregull etik.
Kartolinat, të një rëndësie të veçantë ndër persona, të konsideruara si shenjë mirësjelljeje e dallueshme ndaj miqve e të afërmve, nuk mund të mungonin në periudhën festive.
Çuditërisht të formuluara të gjitha në mënyrë të homologuar me të njëjtat shprehje standard e me rimë:
“Frynte era nga përjashta, tundte perdet e mëndafshta, mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova!”
Ose: “Pjatat me meze, gotat me raki, të uroj nga zemra Vitin e Ri!” , ose akoma:
“Sa deti ka valë, sa qielli ka yje, aq urimet e mia për ty, këtë doja që ta dije!”
Është e habitshme sesi kanë mbetur të fiksuara në kujtesë këto shprehje, me të cilat sot vetëm buzëqeshim e na duken qesharake. Pak ashtu siç memorizohen tabelat e shumëzimit apo formula në fushë shkencore matematikë-fizikë. Edhe ato veç një herë mësohen e më tej, fiksohen.
Qesharake tingëllojnë sot, sepse shprehje naive e pasi, një kartoline mund t’i shihje vetëm imazhin në ballinë që mund të ishte i ndryshëm nga njëra tek tjetra, ama brendësia përmbante në mënyrë të pashmangshme kryesisht këto formulime urimesh njëlloj për këdo.
Përse ndodhte kjo? Përse një person që dërgonte një urim nga krijimtaria e tij, nga origjinaliteti i tij, pa përdorur këto fjalë, në vend që të vlerësohej, mund të përshkonte edhe “rrezikun” se kartolina e tij nuk do të kishte pasur të njëjtin efekt befasues tek marrësi, ashtu si kartolinat me fjalitë standard në brendësinë e tyre? Me pak fjalë, një “trasgresor” i cliché-së së urimeve të rrymës së kohës.
Është e habitshme edhe diçka tjetër.
Në ditët sotme, unë dhe një mikja ime, e cila jeton në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, e vazhdojmë prej vitesh traditën e shkëmbimit të kartolinave prej letre. Kjo traditë siç e dimë të gjithë, në epokën digjitale, tashmë është në zhdukje.
Por, ne i japim asaj një rëndësi të veçantë afektive, pasi jo vetëm na shkurton në një farë mënyre distancat gjeografike por, pikërisht na afron edhe më tepër me njëra- tjetrën, në momentin që marrim në dorë kartolinat tona, sapo hapim postën e këtyre ditëve në prag të festave e gjejmë diçka ndryshe nga faturat, letrat normale apo publicitetet.
Në ato kartolina prej letre gjen shkrimin e dorës të mikes tënde dhe kjo është një vlerë e shtuar, një tjetër veçanti që sot ka humbur në komunikimin virtual e mesazhet e postave elektronike.
Gjen ndoshta edhe një foto të familjes së saj të stampuar në kartolinë në mënyrë të personalizuar, si në rastin e mikes sime, e cila duke qenë fotografe profesioniste, këto kartolina të realizuara me art, i personalizon edhe me foto familjare, që ua dërgon miqve e të afërmve në të gjithë botën.
E kjo përbën një ndjesi të bukur e të veçantë sot, në kohët frenetike që kalojmë, të përpirë nga mekanizmi i jetës sociale, i impostuar në një mënyrë të tillë, që kohën tonë e ka copëzuar në aq hapësira sa duhen, kufizuar thjesht në nivelin më thelbësor e më të nevojshëm, të cilat janë të shpërndara në nevojat tona më kryesore, ku pjesën më të madhe e rrëmben puna apo angazhime të tjera direkte personale e sociale.
Në një epokë ku mbizotëron aparenca, kur gjejmë pak kohë për miqtë, pak kohë për t’i dedikuar gjithkujt që meriton vërtet. Epra, format e aplikimit të këtij përkushtimi apo kësaj vëmendjeje mund të jenë nga më të ndryshmet e jo detyrimisht materiale, si për të mbushur boshllëqet afektive.
Kartolinat e sotme virtuale, bota digjitale, urimet zinxhir…
Sot dërgohen kartolina virtuale që, po ta mendosh thellë nuk janë asgjë tjetër, veçse versioni më i modernizuar i atyre kartolinave prej letre që ne shkëmbenim një herë e një kohë. Kuptohet, me dallimet përkatëse.
Nëse një herë tekstet e kartolinave të festave, siç përmenda më lart, i mbushnim me ato formula pa fantazi, të ftohta e të homologuara, njëlloj për të gjithë – natyrisht kishte edhe përjashtime, kishte dhe nga ata kreativët që shquheshin, që i personalizonin ato me urimet personale por, flas për cliché-në, për shumicën “aplikuese formulash” e që përfaqësonte gati-gati, “një rregull” – sot, një kartolinë virtuale, përveç faktit që me një “tagg” ia dërgon të njëjtin urim një liste të tërë miqsh në rrjetet sociale apo ia përcjell miqve në whatsapp njëkohësisht, nuk pretendon fundja as një shumëllojshmëri kushedi se çfarë idesh apo urimesh ajo kartolinë. Mbetet diçka e pa ndier, diçka thjesht formale, ose siç thotë populli: “Sa për qokë!”
Ajo është e efektit të menjëhershëm, mbërrin në çast e njeriu i bie shkurt madje, ndihet edhe i stresuar në një farë mënyre nëse harron dikë pa e uruar, pasi numri i miqve virtualë e kalon në mënyrë të shumëfishuar numrin e miqve realë dhe aktivizimi i kësaj poste festive, kërkon pse jo, kohë e dedikim të veçantë.
Edhe kartolina prej letre nga vendet ku jemi me pushime, ndryshe nga më parë, sot dërgohen pak, pasi nga ai vend pushimesh, madje në kohë reale, njerëzit postojnë e shkëmbejnë fotografi – selfie me panoramën e lokalitetit turistik në sfond nuk mungon – ndër miq, nëpër rrjetet sociale apo me mesazhe e video të çdo lloji, me sms, mms nëpër smartphone, pc etj. Kartolinat prej letre nga lokalitetet turistike sot i poston vetëm një në njëzet persona.
Ndaj sot përbëjnë një pasuri me vlerë koleksionet e vjetra të kartolinave dhe ato filatelike.
Nëse me fenomenin virtual kanë marrë përhapje shumë pozitivitete e lehtësira, në të njëjtën kohë janë përhapur siç e dimë edhe rrezikshmëritë e komunikimit online.
Edhe disa dukuri boshe siç janë ato urimet zinxhir që sidomos këtë periudhë qarkullojnë në hapësirat sociale e në çdo hapësirë komunikimi digjital. Ata zinxhirë, me një përmbajtje qesharake, edhe ata të homologuar, që u percillen njerëzve duke ua bombarduar postën elektronike apo çdo hapësire mesazhesh virtuale, ku disa përmbajnë edhe një farë “kërcënimi” të tipit: “Mos e ndërprit këtë zinxhir urimesh, se kjo gjë do të ndikonte negativisht në fatin tënd për vitin e ri që po vjen!”
Dhe fatkeqësisht shumë njerëz, të mahnitur apo sugjestionuar nga magjia e tyre, u besojnë.
Ky është një tregues i faktit sesi bota digjitale sot ka tejkaluar në psikozën njerëzore çdo pritshmëri…
Ndaj mbetet aktual vlerësimi i Umberto Eco-s që:
“Kompjuteri nuk është një makineri inteligjente që ndihmon të metët por, një makineri e metë, e cila funksionon vetëm në duart e inteligjentëve”
Si rrjedhim, edhe urimet e fundvitit, preferohet që të jenë fryt i natyrshmërisë apo origjinalitetit personal. Kjo, të paktën në përmbajtje pasi, në formë sot fundja janë të pranueshme e të pashmangshme kartolinat virtuale, nuk mund të mos i përshtatesh kohës.
Ama, duke i dhënë përparësi përmbajtjes e jo edhe aq formës.
Teksti i tyre të paktën të jetë i krijuar nga fantazia jonë personale e jo nga epidemia “kopjo e ngjit”…
Babagjyshët teknologjikë të Vitit të Ri apo të Krishtlindjeve!
Sot, thonë që edhe babagjyshit të Vitit të Ri fëmijët nuk i shkruajnë më letra, por i shkruajnë në whatsapp! Sot kemi të bëjmë me Babagjyshë të Vitit të Ri apo të Krishtlindjeve, teknologjikë!
Madje, me dhuratat e porositura online, ai Babagjyshi klasik po mbetet pa punë, po verifikon edhe ai vetë krizën globale të papunësisë, nuk po ka më edhe aq dhurata për të dorëzuar.
Atyre, me të cilat ai mbushte thesin, destinuar familjeve – përtej mundësive ekonomike të diskutueshme e relative të popullsisë sot – ia kanë zënë vendin korrierët e postës që sjellin nëpër shtëpi dhurata që personat kanë porositur online, duke kursyer kohën për të shëtitur dyqaneve, përkushtimin, koston por, njëkohësisht edhe duke prishur efektin e surprizës. Të paktën korrierët e postës të vishen si Babagjyshët e Festave, sidomos aty ku ka fëmijë.
Dy fjalë mbi historinë e kartolinës postale në nivel botëror
Kartolina postale është e përbërë nga një karton i hollë i përmasave 8x14cm, e lëshuar nga shtete të ndryshme për komunikime korrespondence të hapur dhe emri i saj vjen nga “chartula”( letër e vogël), shkurtues i fjalës latine “charta” – “letër”.
Mjeti i ri komunikimit në fjalë ishte i përbërë në pjesën e prapme – “recto” nga latinishtja – nga hapësira me prirjen për t’u shkruar adresa dhe nga pjesa ballore me hapësirë të bardhë për t’u shkruar teksti.
Aktivizimi i kësaj “njësie postale” synonte nisjen e një mjeti komunikimi të ri, i admistruar edhe nga populli i thjeshtë, i cili me penën e me të shkruarit nuk kishte një raport të mirë, në mënyrë që të shtonte shkëmbimet e korrespondencës postale e njëkohësisht të rriste të ardhurat e Shtetit.
Korrespondenca deri atëherë ishte e organizuar në mënyrë të tillë, që përmbante letra të dyllosura mirë, në të cilat dërguesi vendoste adresën dhe pullat e ajo qarkullonte vetëm ndërmjet një numri të kufizuar personash.
Të përgatisje letrën, zarfin dhe pullat, të shkruaje adresën në mënyrë të rregullt e në rresht të drejtë, kjo gjë kërkonte kohë, shpenzim dhe aftësi.
Ndërsa, të shkruaje mbi një karton të hollë me pullën e ngjitur të gatshme, pullë e ngjitur me stampë dhe e predispozuar paraprakisht për vendndodhjen e marrësit, kjo i thjeshtonte operacionet në mënyrë të dukshme.
Kjo formë korrespondence u propozua në vitin 1865 nga Heinrich von Stephan, këshilltari i postave gjermane por, dërgimi i parë i kartolinës ndodhi në Austri në vitin 1869 nga drejtori i postës, Kolbensteiner.
Në Itali, ekzemplari i parë i kartolinës u dërgua më 1 janar 1874.
Gjithsesi, aplikimi i saj shkaktoi debate e kritika të forta nga ata që akuzonin për një humbje të fshehtësisë së mesazheve: në fakt kartolina është pikërisht një komunikim “i zbuluar”, ndryshe nga letra që përkufizohet si “e mbyllur”.
Nga siti zyrtar i Postës Shqiptare:
Pulla postare është një simbol i historisë, traditës dhe zhvillimit të një vendi.
Me emetimin e pullës së parë postare shqiptare u konsolidua dhe shërbimi postar me indentitet shqiptar, e cila ka qënë kurdoherë pjesë shprehëse e identitetit tonë kombëtar. Vetë udha e gjatë dhe e bukur , e pullës është një pasuri e vyer e jona. Si pasqyrë adekuate e historisë së popullit shqiptar, ajo ka patur perherë fytyrën e saj të papërsëritshme, portretin e vet autentik. Ky portret filloi të skicohej menjëherë pas Aktit madhor – Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912. Fillimisht, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane. Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke.
Gjërat hynë në normalitet duke filluar nga 5 maji i vitit 1913, kur u emetua dhe u vu në qarkullim pulla e parë kombëtare shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, duke patur në përbërje të saj si Ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të vecantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave posacërisht. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për antarësim në Bashkimin Postar të Përbotshëm, realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Pikërisht në tetor të vitit 1922 Shqipëria u bë anëtare e UPU-së.
Po kështu, nisur nga nevojat tejet të mëdha për pulla postare në fillimet e shtetit shqiptar, Ministria e Postave bëri zgjidhje shumë efektive e praktike.Brenda një periudhe tetëmujore, mars-dhjetor 1913, u emetuan gjashtë emisione pullash.
Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, sic janë pullat aktualisht,por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa. Kjo pullë-vulë në zarfa me ngjyra të ndryshme kushtonte 1 grosh dhe u nxorr në shitje në 11 qytete ku funksiononin zyrat postare të ngritura gjatë pushtimit osman. Ajo u vu në qarkullim më 5 maj 1913. Karakteristikë ishte edhe prerja e vulës nga zarfet origjinale dhe vendosja e qarkullimi mbi zarfe të tjerë, praktikë e njohur dhe e përligjur nga Ministria e Postave.
Emisioni i “14 shtatorit 1943” përkon me datën e mbajtjes së mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, që përligji shtetin kuisling shqiptar. Seria përbëhet nga 14 pulla të viteve 1939-1940, nga të cilat 13 vlefta ordinere dhe 1 ekspres, të mbishtypura me “14 shtator 1943”. Ajo u vu në qarkullim më 18 shtator 1943 në postën e Tiranës, por pa kaluar dy ditë u urdhërua bllokimi i saj, pasi ishin konstatuar rreth 23 gabime në mbishtypje në 153 vlefta. Si e tillë është pranuar data 23 tetor 1943, e miratuar kjo edhe nga UPU-ja, që është njëherësh edhe dita kur në sportelin e postës së Tiranës emisioni ridoli në shitje.
Në qytetet e tjera të Shqipërisë ky emision u vu qarkullim gjatë muajit nëntor 1943, gjë që dëshmohet edhe nga zarfat që filatelistë të ndryshëm kanë në koleksionet e tyre.
Një tablo tërheqëse paraqet për filatelinë edhe periudha pas clirimit të Shqipërisë dhe deri në vitet 90 te shekullit XX. Ajo shquhet sidomos për bollëk emisionesh (mesatarisht 10 emisione në vit), për tematikë më të larmishme se më parë, për një raport deri diku të drejtë midis tematikës kombëtare e asaj të huaj, për pamje të shumta në cdo emision etj. Përgjithësisht pullat janë të politizuara e të ideologjizuara. Ka emisione të përsëritur cdo pesë vjet për ngjarje të caktuara përkujtimore historike , sic ka dhe tirazhe shumë të mëdha. Një sy i vëmendshëm nuk e ka të vështirë të dalloj se në këtë periudhë është pasuruar tematika me emisione nga flora dhe fauna, nga sporti, nga arti (pulla me pamje veprash arti në pikturë e skulpturë), nga arkeologjia etj.
Por gjithashtu është fakt se ka fare pak Zarfa FDC dhe Kartëpostale zyrtare.
Pas mbishtypjeve të bëra në fund të vitit 1944 dhe në fillim e në vazhdim të vitit 1945, më 28 nëntor 1945 administrata e Postës hodhi në qarkullim një emision me tri pamje e gjashtë vlefta, me ngjyra të ndryshme me mbishkrimin “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”. Më vonë këtij emisioni iu bënë katër mbishtypje radhazi. Mbishtypja e parë mban datën 10 janar 1946, e dyta 1 korrik 1946, e treta 26 korrik 1946 dhe e katërta 22 shkurt 1948. Këto emisione do të pasoheshin nga mjaft të tjerë që do t’i kushtoheshin ngjarjeve të caktuara të historisë së popullit tonë apo përvjetorëve të figurave të shquara , ndërtimit të hekurudhave të para, fluturimeve në kozmos, lojërave olimpike etj.
Deri në vitin 1957 pullat shtypeshin jashtë Shqipërisë. Pas këtij viti ato u shtypën në shtypshkronjat tona. Eshtë rasti këtu të kujtojmë me respekt dhe t’u shprehim mirënjohjen tipografëve të parë të pullave shqiptare të specializuar në Gjermani, Sadik Dinga dhe Sulejman Maci.
Në dhjetëvjecarin e fundit, duke filluar pas vitit 1990, pra me proceset demokratike, krahas oshilacioneve të kuptueshme të viteve të para të tranzicionit 91, 92, 93, janë bërë përpjekje serioze nga Komisioni Shtetëror i Pullës dhe Drejtoria e Postës Shqiptare për mënjanimin e politizimit të pullave; cilësia e botimit të tyre është më e mirë, pasi janë shtypur në Zvicër e Greqi, kurse tash e tutje do të shtypen në Angli. Po kështu përgjithësisht janë mbajtur tregues optimalë për tirazhet e pullave, nisur nga nevojat e afrankimit dhe të koleksionimit të tyre. Karakteristikë e kësaj periudhe është edhe fakti se thuajse cdo emision i emetuar shoqërohet me Zarfin FDC, të vulosur me vulë speciale. Kjo ka bërë që te filatelistët, vendas e të huaj, të rritet interesi për koleksionimin e këtyre zarfeve.
Aktualisht katalogu i pullave postare shqiptare numëron mbi 3640 pamje të ndryshme pullash. Me shume kujdes eshte patur parasysh qe temat kombetare te zene vendin me te madh ne emetimin e emisioneve te reja Shqiptare. Vlen te permendet paraqitja me dinjitoze e saj si nga ana cilesore, kompozicionale dhe futja e elementeve te reja filatelike sic jane karnetet me nje dhe dy seri, zarfa te dites se pare me skica grafike, foldera te madhesive te ndryshme,albume vjetore filatelike etj.
Foto të “Shqipërisë së vjetër,” si ishte para diktaturës komuniste. Publikuar nga i ndjeri, studiuesi Robert Elsie. Autor i fotove: Historiani amerikan Edvin Xhejks (1908-1996), misionar baptist i cili punoi si mësues në Korçë në vitet 1932-1940, ku filloi të grumbullonte materiale për historinë e Shqipërisë.