Albania News
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Albania News Shqip
S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
Home Kulturë

Shkrimi mbi lëkurën e jetës – Kur poeti ishte mes të vrarëve të vet

Nga Visar Zhiti
31 Korrik 2012
Në Kulturë
Visar Zhiti

Visar Zhiti

Pasthënie në librin e Ali Podrimjes “Shkretëtirë përpirëse”, botuar në Itali.Ishim mbledhur në një festival ndërkombëtar poezie në Itali, poetë nga të gjitha anët e botës, nga Mesdheu, nga Evropa Qendrore, Afrika, Azia, Amerika. Nga Ballkani, nga gadishulli më poetik i botës, duhej të vinte dhe Ali Podrimja, që të lexonte poezitë e veta, por ai mungoi. Dërgoi vetëm një letër të shkurtër, që organizatorët e festivalit më dhanë leje ta lexoj. “Nuk mund të vij, shkruante Podrimja, se jam i zënë me bartjen e kufomave në truallin tim. Po varros të vrarët e mi. Lajmëroni dhe ministrin tuaj të Jashtëm, ta dijë edhe ai…”. U krijua një heshtje e rëndë, ashtu si vetë mungesa e Podrimjes, që kishte dërguar fantazmën e vet. Vinte nga ajo pllaja epike e Kosovës, ku kishin rifilluar genocidi dhe masakrat mbi një popull të pafajshëm, të përgjysmuar, që po duronte gjithë madhështi të heshtur e të zymtë. Më pas do të fillonte përzënia dhe eksodi i madh si në Bibël. Ata po iknin nga shtëpitë e tyre, që po digjeshin, ashtu siç iknin dikur nga Troja e lashtë, vargani i gjatë, Eneidë e re, duke mbajtur mbi kurriz etërit pleq, ashtu si Eneu të atin e tij. Eneu ishte dardan, ashtu si pararendësit e kosovarëve. Po përsëriteshin ikjet, luftërat, zjarret, vetëm se në qiell nuk po endeshin gjysmë-perënditë dhe perënditë e Olimpit, por avionët bombardues luftarakë të shekullit XX. Të fundit të atij shekulli dhe të fundit të asaj lufte. Mes kaosit dhe apokalipsit ishte dhe poeti Ali Podrimja, jo vetëm që të dëshmonte, por që t`i jepte kurajë popullit të tij. Mblidhte psherëtimat, plagët, amanetet, dritën e fundit të syve, shpresën, legjendat dhe i fuste në poezi. Duke i dhënë kështu zë heshtjes së popullit të tij, durimit-forcë, rebelimit-frymëzim. Ndërsa poezisë, ta themi patjetër, i dha modernitet, atë që nisi me poetët e tij bashkëkombës në Kosovë, me Esat Mekulin dhe vazhdoi me të tjerët, edhe me Din Mehmetin, për të cilin RAI në kohët e bombardimeve mbi Beograd dhe Kosovë dha lajmin e zi që ishte vrarë, por që e takuam të gjallë pas “vdekjes” së vet. Një plejadë e tërë poetësh kosovarë do të përkryenin poezinë e tyre. Kujtojmë Azem Shkrelin, poetin panteonik, që vdiq në kulmin e burrërisë, i pushoi zemra sa zbriti në aeroportin e Prishtinës. Kurse Ali Podrimja solli thirrjet e shpirtit, instinkteve, si ulërima e ujkut mbi borë teksa vështron hënën. Poezia e Ali Podrimjes vështron plagën e madhe dhe me dritë të lirisë.

* * *

Kur atdheu është përgjysmë, dhembja nuk është përgjysmë, por përkundrazi shtohet përtej vetvetes dhe bëhet e hiperpoetshme, vërshon me shkulme duke e përmbytur pa kufi truallin. Sheh se çarja e madhe e mespërmestë nuk është vetëm e tokës, por dhe e historisë, e ndërgjegjes kolektive, duke mbërritur dhe te vetanakja si mbi një rrafshinë, ku priten të rifryjnë shtrëngatat… shtrëngatat e frymëzimit poetik. Poeti i gjysmës së andejme, i Dardanisë së hershme, Ali Podrimja, është më i frymëzuari, sublim dhe i tëri dhembje prej dheu, e koskët, që trand peizazhet ballkanike ku përshfaqen pllanga gjaku mbi gurë, aq sa shpesh ai na ngjan si këngëtari elegjiak i gurëve të plagosur. Duke qenë sintetik, por dhe i asociacioneve tronditëse, vargu i Podrimjes na lejon, sipas meje, komentet e kapërcimeve pindarike, ndërkohë Poeti Ynë është më shumë homerik dhe konkretisht ngjan dhe me ortekët e Homerit më të fundit në Ballkan, me Gjergj Fishtën, bashkatdhetarin e tij, gjithsesi me të kundërtën e tij, se poemat e Podrimjes janë tejet të shkurtra, dramatikisht me pak vargje, ku satirën therëse bardi i ri e ka shndërruar në ironi të hidhët, similitudat në metafora, tradicionalen në moderne:

Vdekja më e shpejtë se unë megjithatë deri në vdekje do ta kërkoj atë që e humb kryesorja: Jetën ta jetosh pa e vrarë

Dikur kam shkruar se Ali Podrimja, ashtu si Naim Frashëri, poeti kombëtar i shqiptarëve. Dantja i tyre i vonë, e ka shkrirë poezinë intime me atë të fatit kolektiv të kombit. Dhe jo ku mbaron njëra dhembje, të fillojë tjetra, por së bashku, më shumë se luftëtari me armët e veta. Libër pas libri, fjalë pas fjale, poeti ka mbushur ditarin e atdheut, shkrimi shpesh i ngjan grafikut të temperaturës, zëri i tij është i ngarkuar me barrën e jetës si me gjënë më të çmuar dhe më të shenjtë, duke përvijuar kështu figurën e profetizuesit dhe si në legjendë gjysma kërkon gjysmën:

Unë e shoh aty ku nuk është më

Prandaj dhe Podrimja sjell britmën e thellë të gjakut të fisit të lashtë dhe ne befas kuptojmë se ajo është dhe britma jonë e tanishme dhe rrojmë edhe nga shkaku i asaj britme… shpesh pa shenja pikësimi, madje dhe pa atë shkronjën e madhe nistore, moderne, pra, ku fuqia e demontë shemb kohërat, kufijtë mes saj dhe mbetet bëma e pakohë ose e gjithëkohëshme.

Koha heraklitiane te Podrimja, aq sa rrjedh, po aq ngrin e pezullt me magjinë e poezisë. Imazhet janë sa të befta, edhe të çuditshme. Dhe s`është befasia që i bën të çuditshme dhe as çudia që i kthen në të befta.

Sytë i lan në shuplaka të engjëjve

Mbi të gjitha është poet i dinjitetit njerëzor. E zbulon atë sidomos te vuajtja, te humbja dhe plaga, te kujtimi, te guri i themelit, te çelësi, ashtu si dhe te shpata, te heshtja dhe patjetër te fjala. Prandaj, përditshmërinë e sintetizon me fuqinë absolute të varrit. Ndërkohë, jep kushtrimin që fisi i tij të mbijetojë, ekzistenca është detyrë. Jeta, edhe ajo e jona, është pasuri e botëve dhe kohërave, si e tillë meriton gjithçkanë e mundur dhe të pamundur, luftën në emër të saj. Ali Podrimja thërret në ndihmë simbolet kombëtare dhe ballkanike, të të gjithë arealit mesdhetar, bëhet këngëtar i qëndresës së madhërishme dhe si poet është hermetik po aq sa dhe kraharori i njeriut. I mjafton plaga për të parë brenda. Dhe na duket sikur shohim më shumë me plagët, se sa me sytë. Dhe besojmë bashkë me të se…

Dritë e plagës i verbëron kohërat dhe sunduesit e tyre.

Poeti ynë është ekzistencial, por jo individualist. Mbartës i mbijetesës së kombit të vet, jo vetëm si histori, por dhe si përvojë dhe si thesar i ardhmërisë. Ai shpesh është qytetar i acartë i një dimri të pambarimtë, i pambrojtur mes erërave në ishullin e atdheut të përgjysmuar, ku s`ka det, por dallgë të ngrira. Duke qenë në gjysmëitakën e vet, njëkohësisht ai rravgon brenda vetes për në Itakën tjetër të atdheut. Atdheu i tij është prej mishi, jo vetëm prej malesh, fushash e bëmash, prej gjaku aq sa dhe prej ujërash, është njeriu dhe qielli i tij, jo vetëm trualli ku shkel, madje është dhe nëntoka e të vdekurve, ëndrra e tyre që krijon sipër vesë, mjegulla e fantazma.

Letra, ku shkruan Podrimja, sikur është lëkura e jetës. Poezitë e tij janë hedhur mbi pergamentë të hershme, një palimpsest kohërash, por dhembja është e gjithsecilit si një rrjepje, si një torturë e porsa shpikur, moderne, që i bëhet i shpirtit. Ai i përket një populli martir, që ndërsa i jep botës një kryetrim, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, për të cilin në piedestalin e statujës së tij në Romë, në sheshin “Albania”, shkruhet “Impavido difensore della civiltà occidentale”, (“Mbrojtës i paepur i qytetërimt perëndimor”) nxjerr dhe një Nënë Terezë, e cila bën profesion dashurinë ndaj gjithë njerëzimit, prandaj dhe poezia e tij ka ashpërsinë e shpatës dhe përdëllimin e lutjeve të murgeshës së madhe. Është një shpatë që lutet për paqe dhe krijim, por më parë për drejtësi dhe më parë për punë dhe triumf për të qenë sa më njeri. Ndaj dhe vepron. Njerëz të jenë edhe gurët, edhe pemët, edhe ujqit, pra t`i kthejmë poetit edhe atë që ishte edhe gur, edhe ujk, edhe pemë, kryq dhe kambanë, varr edhe djep. Dhe shfaqet bukuria:

trupi yt, oj grua – mbrëmje e rrëzuar në gjunj

Poezia e Podrimjes vazhdon të përkthehet dhe në gjuhë të tjera, pas atyre ballkanike, edhe në polonisht, turqisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht, duke emocionuar lexuesit kudo, edhe përtej kontinentit. Shpresojmë dhe në italishten e ëmbël. Por poezia e Podrimjes, mbi të gjitha u bë pasuri shpirtërore e popullit të vet, duke i sugjestionuar ata që të kuptojnë më mirë vetveten, të luftojnë për vetveten në emër të individit, që kolektivitetit të tij, të identitetit dhe universalitetit, për të qenë shqiptar dhe evropian njëkohësisht, gjithnjë e më shumë njeri. Edhe vetë Presidenti i parë i Kosovës, Gandi i Ballkanit, Ibrahim Rugova, gjeti herët te Podrimja pajtueshmërinë e idealitetit me realitetin, që kur nuk përputhen në jetë, lindin tragjiken. Poezia e Podrimjes, sipas tij, është “rrëfim i pambyllur”.

* * *

Po unë po tregoja në fillim për një festival poezie në Itali, ku Ali Podrimja mungonte. Ai është poet i mungesës që kërkon të përmbushet, që ndikon në ndryshimin. Se ja, të gjithë poetët nga bota, të mbledhur në atë festival, pas letrës së Podrimjes, donin të ndryshonin diçka në përzgjedhjen e poezive të tyre, donin të shtonin apo donin të hiqnin, varg, strofë, metafora, se Ali Podrimja u kishte shkruar të gjithëve që s`mund të vinte dot, se ishte i zënë me varrosjen e të vrarëve të tij. Dhe të vrarët e Ali Podrimjes në këtë libër këndojnë.

Argumenta të trajtuar: Poet Shqiptar
Google News
Ndiq Albania News në Google News! Regjistrohu

Artikujt më të fundit

Ermal Meta Libro

“Nesër e përgjithmonë”, romani debutues i Ermal Metës, në librari, Itali, më 19 maj

Fatto Quotidiano Fabio Mini

“Il Fatto Quotidiano” dhe gënjeshtrat e tmerrshme për ngjarjet e luftës që përjetuan kosovarët

Albania News

Corso Lingua Albanese

Novara, al via il corso di lingua albanese per bambini nati in Italia

Hueyda El Saied

Natale, momento per includere un’amica che non c’è più…

Albania Letteraria

Statua di Enver Hoxha

Da piccino nella svolta dell’Albania

3 Shkurt 2023
Richiamare Bene Valbona Jakova

Il richiamo alla vita nelle poesie di Valbona Jakova

1 Shkurt 2023

Librat më të fundit

Sotto il cielo delle aquile

Sotto il cielo delle aquile

Korrik 2022
Robert Shkurti
Besa Muci
9788836292264
Antonio Bellusci. Cultura tradizionale a San Costantino Albanese

Antonio Bellusci. Cultura tradizionale a San Costantino Albanese

Prill 2021
Nicola Scaldaferri
Maddalena Scutari
Squilibri
9788885571488
Il lago

Il lago

Maj 2022
Kapka Kassabova
Crocetti
9788883063596
  • Kush jemi
  • Kontakt
  • Italisht
  • Privacy
  • Cookies
[email protected]

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali

S'ka rezultate
Shfaq gjithë rezultatet
  • Kulturë
    • Histori
    • Muzikë
  • Opinion
  • Intervista
  • Aktualitet
    • Emigracion
    • Itali
    • Politikë
    • Ekonomi
  • Projekte
  • Italisht
  • Video
  • Libra

Albania News, zëri i diasporës shqiptare në Itali

Albania News
Ne kujdesemi për privatësinë tuaj
Albania News përdor cookies për të optimizuar faqen e internetit dhe shërbimin e ofruar.
Funksionale Always active
Ruajtja teknike ose aksesi është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin legjitim për të mundësuar përdorimin e një shërbimi specifik të kërkuar në mënyrë eksplicite nga pajtimtari ose përdoruesi, ose për qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistikore
Ruajtja teknike ose aksesi që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Reklamimi
Ruajtja teknike ose qasja kërkohet për të krijuar profile të përdoruesve për të dërguar reklama, ose për të gjurmuar përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
Manage options Manage services Manage vendors Read more about these purposes
Preferenca
{title} {title} {title}