Në tetor 2010 në Tiranë doli në qarkullim prej shtypshkronjes KUMIPRESS vepra “Barleti apo Becikemi? Një pështjellim në shkencën shqiptare”, hartuar prej studiuesit Ilia S. Karanxha i cili jeton e punon në Firence të Italisë prej vitit 1997.
Mbas një pune shumëvjecare nëpër bibliotekat e atij qyteti, ky studiues ka hartuar pesë vepra me vlera të rëndësishme për jetën e bëmat e shqiptarëve që jetuan në diasporë në Italinë veri-lindore në shek. XV-XVI-të. Me studimin Barleti apo Becikemi?… hapet kjo seri veprash që ka për të pasuruar shkencat albanologjike dhe humanizmin evropian.Vepra që kemi në duar sjell hipoteza e teza të reja lidhur me autorësinë e dy veprave monumentale të albanologjisë Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut… të cilat, si dihet, deri më sot janë konsideruar si vepra të Marin Barletit.
Që në leximin e parë të bie në sy se hartimi i kësaj vepre ka kërkuar punë e pasion të madh, kualifikim të shumanshëm, guxim shkencor dhe logjikë të mprehtë. Vetëm të tilla tipare mund ta ndihmonin këtë autor të luftonte, që me veprën e tij të pare, për krijimin e tezave dhe hipotezave të reja, kur teza e hipoteza të vjetra kishin kohë që ishin përhapur e kishin zenë vend.
Duke krahasuar një mori të dhënash historike, filologjike e ikonografike, duke u thelluar në leximin e tekstit dhe duke përqasur pjesë teksesh nga panegjirikët e njohur të humanistit Marin Becikemi me tekstet e veprave të lartpërmendura, Karanxha përmes arsyetimesh logjike, ka tronditur fort një sërë problemesh dhe ka sjellë përfundime të reja bindëse. Këto përfundime sqarojnë autorësinë e këtyre veprave, duke e lidhur atë me emrin e humanistit të njohur prof. Marin Becikemit e duke e lënë Marin Barletin thjesht si një emër mbas të cilit është dashur të fshihej autori i vërtetë; sqarojnë se i quajturi portret i Marin Barletit është vetëm një klishe ikonografike e përdorur dhe në vepra të tjera si portret autori, saktësojnë datën e botimit të Historisë së Skënderbeut… duke e spostuar atë në vitin 1522; shpjegojnë ndërhyrjet e pasardhësve të Pal Engjëllit në botimet e mëvonëshme për qëllime lavdie familjare, si dhe plotësojnë me të dhëna biografike jetën e humanistit të madh shkodran Marin Becikemi dhe të botuesit B. Vitali, një shqiptar tjetër ky që u shqua si editor në botimet veneciane të shek XV-XVI. Jeta dhe veprimtaria e vëllezërve Vitali është objekt studimi i njërës nga pesë veprat e I. S. Kakranxha që do të dalin në vijim. Mbas qëmtimesh të kujdesëshme të fakteve të fshehura brenda në tekstin e veprave, janë mbledhur të dhëna biografike për persona historikë që përmenden aty, janë krahasuar ato me të dhëna dokumentare dhe është ngritur me guxim teza e re. Sipas kësaj teze nuk ka qenë vëzhgues e përshkrues i shumë ngjarjeve autori i këtyre veprave, i quajturi Marin Barleti, si është konsideruar deri sot, por babai i Marin Beçikemit. Ky person i njohur historik, i cili quhej gjithashtu Marin, kishte qenë një nëpunës i Venedikut që kishte shërbyer shpesh herë si i dërguar, si ndërmjetës, pra si vëzhgues i Republikës së Shën Markut (i Venedikut) tek drejtuesit e trupave osmane, edhe nëKrujë pranë Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Shkodër pranë komandantëve venecianë A.Loredan, dhe A.da Leçe. Ky vëzhgues e luftëtar, i cili u vra gjatë luftimeve heroike të rrethimit të dytë të Shkodrës, duket se ka qenë kronikani i shumë ngjarjeve, hartuesi i relacioneve, të cilat janë shfrytëzuar për hartimin e këtyre dy veprave madhore prej hartuesit te tyre.
Mbasi jepen sqarime biografike për marrëdhëniet midis qeveritarëve të Venedikut e prof. Marin Becikemi, mbasi jepen sqarime lidhur me opinionin konkret të qeveritarëve venedikas për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, të cilët nuk donin t’ia dëgjonin më emrin në dhjetvjecarët e parë të shek. XVI-të, argumentohet fakti pse vepra madhore Historia e Gjergj Kastriotit Skenderbeut… u desh të botohej jo në Venedik, po në Romë, pa datë botimi, pa emrin e vërtetë të autorit, pa emrin e plotë të botuesit, si dhe me prezantues të maskuar në kopertinë.
Sqarohet se emri Marin Barleti me cilësimin prelat shkodran, u përdor për fshehjen e emrit të hartuesit të vërtetë Marin Beçikemit me që vepra e tij sillte interpretime të ndryshme nga historiografia zyrtare veneciane. Emri Marin Barleti që shfaqet në disa dokumenta, si emër i një djaloshi para vitit 1497, humbet krejt gjurmët e veta si person fizik në kapërxyell të shek XV dhe del vetëm si emër autori i dy veprave të mirënjohura, mirëpo nuk ka asnjë dëshmi ndër letra, ligjërata, libra, ose dokumente të botuara për jetën e tij si person konkret. Një farë biografie që është sajuar për këtë autor është krijuar kryesisht duke u mbështetur në të dhënat e brendshme të tekstit të veprave Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut… dhe Rrethimii i Shkodres, të cilat në të shumtën e rasteve duhet t’ipërkasin babait të Marin Becikemit. Ndërsa për personin Marin Becikemi sillen të dhëna që dëshmojnë se ai kishte qenë tepër i ri kur kishte emigruar në Venedik. Këto fakte e shtyjnë studiuesin të hedhë idenë se Marin Barleti dhe Marin Becikemi përjashtohen nga mundësia e të qenit pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të luftimeve në rrethimet e Shkodrës, e aq më pak në betejat e mëparshme skënderbejane. Rrëzimi i hipotezës ekzistuese sipas së cilës autori i këtyre dy veprave kishte qenë pjesëmarrës në luftimet që përshkruhen aty, shoqërohet me të dhëna biografike e biobiliografike për të supozuarin Marin Barleti dhe për profesorin real Marin Becikemi. Duke përqasur të dhënat biografike të këtyre dy humanistëve, autori i studimit thekson faktin se jetët e tyre afrohen shumë me njëra tjetrën, kurse duke gërmuar në të dhënat e brendshme filologjike të tekstit të veprave, ai ka mbritur në rezultatin se prapa emrit Marin Barleti prift shkodran, duhet parë profesori universitar Marin Beçikemi. Bëhet një hap i parë e i sigurt në një rrugë të gjatë e të braktisur prej shekujsh duke rrikthyer në plan të parë meritat e mohuara të humanistit të shquar italian nga Lombardia Paolo Xhovio (Jiovio). Studiuesi Kakranxha e njeh mirë jetën dhe pasuritë artistike e ikonografike të këtij humanisti Italian dhe së shpejti do të hedhë në shtyp veprën e tij të dytë titulluar Shqiptarët në Muzeun e Paolo Xhovios. Të dhënat për prelatin e devotshëm Marin Barleti, tregojnë se ai mbetet i projektuar në një situatë sureale, gati komplet i panjohur dhe jashtë ambientit të Rilindjes italjane. Kurse të dhënat për profesorin universitar Marin Becikemi tregojnë se ka qenë një hartues i talentuar fjalimesh, ligjëratash biografike dhe komentesh për autorë e personalitete të antikitetit romak e Italian dhe se ka qenë një gërmues i njohur i arkivave, sidomos i atyre veneciane. E kaluara e largët dhe e afërt e popullit shqiptar ishin temat e preferura me të cilat Beçikemi rekej të afirmonte identiten e dinjitetin e popullit të tij në arrati.
Kështu bëhet e pranueshme hipoteza e re sipas së cilës autori i veprave Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka qenë profesori i talentuar Marin Becikemi. Për hartimin e tyre, ky gërmues i arkivave ka shfrytëzuar si kronikat e relacionet e shkruara prej babait të tij edhe aftësitë e tij oratorike e letrare për mbushjen e veprave me ligjërata të shumta në përshtatje si me periudhën historike dokumentare kur ndodhën ngjarjet po ashtu edhe me mendësitë e kohës kur u shkruan dhe u botuan veprat.
Të dhëna të shumta bëjnë të qartë pse Marin Becikemi nuk donte të komprometohej me argumenta delikate historike në një ambient ku faktet e ngjarjet e ndodhura në Shqipëri mes venecianve dhe shqiptarve ishin tepër të mpleksura me fërkime të shumta. Në Venedikun e dozhëve, nga shumë persona këto argumenta do të shiheshin me një sy jo dashamirës. Me një fjalë historiografia e Beçikemit
me një mjeshtëri të hollë e me mençuri të madhe arriti të delte nga konturet e historiografisë zyrtare veneciane, si dhe nga ligjet që pengonin e dënonin ata që guxonin të diskutonin veprimtarinë e Republikës së Venetikut. Pra përdorimi i emrit Marin Barleti prift shkodran e mbronte autorin e vërtetë nga pasojat, si dhe veprën e parë monumentale shqiptare e thënë me fjalët e vetë autorit nga kafshimet e zemërkëqijve. Vepra Barleti apo Becikemi… ka dhe merita të tjera. Aty analizohet në një kapitull të veçantë mpleksja e dhunëshme e familjarëve Ëngjëlli në themelet e kulturës shqiptare.Këto vëzhgime e kanë shpënë studiuesin në kokluzionin se të afërmit e pasardhësit e Pal Engjëllit, peshkopit të devotshëm të Durrsit dhe bashkëpunëtorit të afërt të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, gjatë shekullit të XVI-të shkuan tepër larg në ambicjet e tyre për të ngritur sa më lart origjinën e lidhjet e tyre fisnore duke e lidhur familjen e Engjëllorëve me familje të shquara të Perandorisë Romake e asaj Bizantine. Kjo mani i çoi ata në shtrembërime, thjeshtime dhe shtesa të tjera në veprat e hartuara prej Marin Beçikemit të cilat na janë trasmetur deri në ditët e sotme me emrat Marin Barleti (1555) apo Paolo Xhovio (1539, 1541) e Dhimitër Franku (1584 e më tej).
Si konkluzion themi se studiuesi Karanxha me rezultatet e reja mbi autorësinë e veprave Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me sqarimet e shumta për rrethanat e botimit, me shpjegimet për ikonografinë kastriotiane, me ndjekjen e idesë për helmimin e Gjergj Kastriotit, me fundin misterioz e të papritur të Marin Beçikemit, etj, ngul piketa të reja në studimet skënderbejane. Me rezultatet e veta ai tërheq me sukses vëmendjen e studiuesve dhe hap hapësira të reja në këtë fushë të rëndësishme të studimeve albanologjike me vlera të mëdha edhe për studimet e humanizmit evropian.
Duke ia njohur vlerat këtij studimi të hartuar prej një studiuesi të diasporas së sotme, I cili nuk ka mundësi të merret me shhpërndarjen e veprës, sugjerojmë që Ministria e Arsimittë ndërmarrë shpërndarjen dhe shitjen e tij si në Shqipëri dhe Kosovë. Jemi të sigurt se leximi i kësaj vepre do të ndihmojë lexuesit, sidomos studentët e degëve histori dhe letërsi shqiptare të marrin një formim më shkencor.