Kulturë

Muzika shqiptare: Nga ëndrrat e thurura tek marsi i thyer

Si fillon muzika rock/modernë shqiptare? Miq më të rritur flasin për vitin 1987 a ’88, kur diku aty te Parlamenti i Ri, formohet grupi X. Thonë edhe që udhëheqësi ishte Aleksander Gjoka e që po aty vërtiteshin Deda, Makashi, Gjipali, Hatibi e emra të tjerë që do shpërthenin më vonë.

Por këtu historia ngatërrohet pak me legjendën, ka pak prova të dokumentuara. Prova e parë vjen në 1989, kur tingulli s’është i zjarrte por akoma i vakët e Elton Deda është ulur në piano.

Kalohet nga muzikë klasike në “muzikë të lehte”, e kush e di se çfarë do të thotë. Impakti i parë për publikun e gjerë, ama, besoj se është në vitin 1991, kur Festivali i Këngës së Lehtë Shqiptare përdhoset nga ca çuna që këndojnë “Ëndrrat që për ty i thura“ , apo, siç njihet “ Sa shumë që kam gabuar”.

Diçka ndryshon atë natë për muzikën shqiptare e për publikun shqiptar dhe s’do ketë më kthim mbrapa. Meqë ra fjala, Demaliaj kujton akoma përçmimin e atij festivali. Përçmim jo vetëm nga publiku i mire i TVSH-së, por edhe nga shumë kolegë të Tiranës që nuk durojnë dot “këta malokët që vijnë e na këndojnë këtu”.

Por kjo është histori tjetër. [dëgjoni me kujdes videon në minutën 3.04 ]Vitet 90 kanë qenë eksperimenti i vërtetë i muzikës rock shqiptare. Grupet i njohim mirë, janë ata që mund të gjeni në Rock Albania Top 100 e s’dua t’i ripërmend. Dua ama vetëm të shtoj te këta emra një personazh roli i të cilit është nënvlerësuar gjithmonë: Leonard Bombaj.

Por nuk më interesojnë aq shumë grupet në vetvete, që i njohim mirë dhe që është e kotë ti ripërmend, se sa momenti.

E momenti është historik, sepse disa nga këta grupe mund të lindin e të vdesin vetëm në atë periudhë.Ka dy aspekte të rëndësishme: një është papjekuria muzikore, e tjetri është fakti që këta grupe interpretojnë momentin historik.

Të dëgjosh sot në mënyrë kritike “Ëndrrat që për ty i thura” apo “Twist Again ” s’mund të mos mendosh që muzikisht janë tepër të dobëta. Aq saqë DeD nuk e kanë përfshirë fare këngën e parë në përmbledhjen e tyre. Janë këngë që mund të këndohen vetëm atëherë, ashtu si Beatles mund të këndojnë “Love me do” vetëm në 1962, e “Let it be” në 1971.

Duhen konsideruar shumë faktorë për këtë mungesë, por më i rëndësishmi është debutimi e kultura e cekët muzikore. S’ka as se si të jetë ndryshe, duke menduar për çfarë dëgjohet në Shqipëri. Influencat janë nga më të ndryshmet, po në përgjithësi tregtare. GnR, Metallica, Pet Shop Boys, Scorpions, Doors. Grupet e rëndësishme nuk kanë arritur a nuk janë përtypur akoma.

E bukura, ama, është që kjo nuk ka rëndësi fare. Muzika që lind në atë moment mund të lindi e të mbijetoje vetëm në atë moment.

Aspekt tjetër është fakti që “optimizmi përshkon krijimin e tij” (© Silvana Braçe ).

Sot, askush nuk mund të këndojë rreshta të tipit “Ne drejt Evropës do ju çojmë” , apo “E duam jetën ndaj na lini të jetojmë…” që dikujt sot mund ti duken edhe qesharake. Atëherë s’ishin të tilla, por tamam për të interpretuar një optimizëm e një besim në të ardhmen shqiptare. Një pjesë e mire e tyre janë këngë proteste e besimi në të njëjtën kohë.

E jam plotësisht i bindur që sikur njerëz si Mardit Leki , Qelbanix apo 00 Genti të ishin bërë pjesë e asaj skenë në atë moment, do kishin kënduar ndryshe nga sa këndojnë sot, me të njëjtin sukses që kishin Arb, DeD etj, etj.

Ndaj edhe muzika e re shqiptare ka një datë të sakte lindje e një datë të saktë vdekje. Vdes, bashkë më shumë shqiptarë, në mars të vitit 1997.

E njëjta gjë ndodh edhe me premtimet e tradhtuara të Amerikës së viteve 60. Kur gjithçka mbaron. “The Who” shkruajnë një testament politik ku thonë që s’do të merren më me politike, do u kthehen kitarave e muzikës. Titullohet “Won’t get fooled again” .

E disa rreshta duken sikur janë shkruar për rastin shqiptar:There’s nothing in the streetLooks any different to meAnd the slogans are replaced, by-the-byeAnd the parting on the leftIs now the parting on the right[…]Pick up my guitar and playJust like yesterdayThen I’ll get on my knees and prayWe don’t get fooled againDon’t get fooled again[…] Meet the new bossSame as the old boss

Pastaj?

Marsi shkund edhe muzikën shqiptare dhe krijon një Para e Mbrapa. Mbas 1997 nuk mund të bëhet më poezi, nuk mund të ketë më shpresë. Grupet e mëparshëm kanë lindur nga një moment lirie si 1991, ndërsa ata që bëjnë muzikë sot lindin e formohen nga tragjedia e luftës civile. Shqipëria ka ndryshuar, Evropa largohet ditë për ditë, në treg fillojnë të dëgjohen gjëra më të errëta e grupe të tipit Sepultura apo Joy Division. Ndryshojnë edhe influencat, ndryshojnë objektivat, ndryshon publiku.

Emigrimi korr breza, lind T.

A.

R e pastaj T.

C që janë të afta të krijojnë e të spostojne preferenca. Edhe në Shqipëri, si gjetkë, shpërthen fenomeni Eminem, skena pushtohet nga rapper që këndojnë për gjëra të tjera. Lind edhe një lufte qesharake e tipit Rapper kundër Rocker! Askujt nuk i shkon në mendje që një rryme muzikore që këndon ” Fuck Rock!” është rock në vetvete, e muzikës rock mund ti bëjë vetëm mirë. Sidoqoftë, shkurt muhabet, në pak vite ndryshon gjithçka.

Kush do shkruajë muzikën e viteve 00?

Në këto vite, skena muzikore ka nxjerrë gjëra interesante. Natyrisht të gjitha të shoqëruara me një problem të vështirë, siç është mbijetesa në skenën muzikore. Problemi është sa praktik aq edhe estetik. Nga ana praktike, një vend si Shqipëria ka një aftësi të kufizuar, qoftë edhe gjeografike për të mbajtur e për të paguar një skenë.

Mund të mendojmë që çdo artist do bëjë 2 data në vit në Tiranë, 2 një Prishtinë, ja edhe 4-5 nëpër qytetet e tjera. Janë rreth 10 data në vit, e askush nuk mund të mbijetojë me 10 koncerte në vit, shpesh herë të keq paguar. Problemi estetik pastaj ka të bëjë me kulturën muzikore shqiptare, e cila, si lavjerrësi i Fukosë, shkon sa andej këtej, duke përjashtuar rrymat e tjera. Nëse në vitet 90 skena ishte e zaptuar nga fenomeni rock, duke përjashtuar muzikat e tjera, sot po ndodh e kundërta. [Nëse po lexon këtë shkrim në internet, shko të paragrafi tjetër.

Nëse e lexon në ndonjë letër higjienike me format gazete, vazhdo këtu. Futa këtë paragraf për të të thënë që kjo gazete që ti ke blere me lekë, vjedh artikuj në internet, e doja që ti ta dije. E që ti lexues po financon ca hajdutë duke e blerë. Nëse po më lexon në gazetë, e po e lexon këtë paragraf, do të thotë edhe që ai që e ka futur ka përtuar edhe të lexojë shkrimin.

Ose nëse s’po më lexon – dreq, u bë pak e komplikuar – do të thotë që ky artikull që nuk po lexon nuk është mendimi im, është ndryshuar. Sidoqoftë, ajo që doja të thoja është kjo: mos beso kollaj çdo gjë që lexon e mos financo hajdutë. Kush e thotë që DeD dolën në 91 e jo në 95 për shembull? Ndoshta po gënjej. Nëse mundesh, verifiko çdo lajm tre herë. Krijo një grup miqsh që interesohen për të njëjtat tema, diskutoni. Shkruani, botoni online.

Mos mendo që je ti që po blen gazetën, kupto që është gazeta që po të shet ty, qoftë mes reklamave, qofte mes shit-blerjesh politike. Gazetari që ti lexon, shumicën e rasteve është një tip që rri në zyrë e bën gjithë ditën kopjo-ngjit. Kështu lindin pjesa më e madhe e gazetave. Por, duhet të kuptosh edhe që e drejta për tu informuar kushton shumë më shumë se sa 20, 30 a 50 lek që ke paguar sot në mëngjes. Nuk kërkon aq shumë lek, sa kërkon impenjim e dëshirë. Fat të mbarë. ]

E megjithatë lëviz.

Në diasporë ka zëra interesant që orientohen shumë drejt jazzit. Në Itali, dy talente shqiptar si Olen Çezari e Robert Bisha, po rriten ditë pas ditë, respektivisht në violinë e piano. Çezari ka bashkëpunuar me shumë grupe të rëndësishme e konsiderohet si talenti më i rëndësishëm i viteve të fundit.

Në 2010 ka publikuar edhe albumin e tij të parë, “Unexpected”. Akoma më i ri, vetëm 26 vjeç, Robert Bisha jep shpresa për një të ardhme piano jazz, si në mënyrë soliste, si me grupin Aoin Teater ku, midis të tjerëve, gjejmë edhe Marsel Leskaj. Ardhja e tyre në Shqipëri është e lidhur ngushta me iniciativën e mrekullueshme “Shkodra Jazz”. E ardhmja e festivalit për momentin nuk dihet.

Në pashaportat e djemve të “Peppa Marriti Band” nuk gjendet emri “shqiptar”, po kjo s’do të thotë asgjë. Tashmë me një karrierë të gjatë në shpatulla, me dy albume shumë të mira, “RockArbëresh”, (2005) e “Këndo”, ( 2009 ), PMB përmbledhin muzikën shqiptare, e përpunojnë në rock dhe e kthejnë në formën e saj më të pastër.

Interesante edhe eksperienca e Elina Dunit , që ka lënë Shqipërinë për Zvicrën. Këngëtare e talentuar, nga ato që “me zërin mund të bëj ça të më dojë qejfi”, Elisa dhe kuarteti i saj jazz luajnë një rivlerësim të muzikës popullore ballkanike.

Ajo që është sublime te Duni është fakti që ka respektin e pjekurinë e duhur për të lejuar që kjo muzikë ta përdori. Boll kemi parë njerëz që këtë muzikë e kanë përdorur, më në fund diçka e dlirë.

Nga Anglia (Brighton) mbërrin një grup nga ata të këqinjtë. Quhen “Orchid Trip” e janë James Gasson, Eddie Sombra e Genti Aliaj. Prej gjashtë vitesh lëvrojnë botën underground muzikore të Londrës, duke lundruar nga rock të grunge, punk, indie e dreqi e di se çfarë tjetër.

Në 2007 dalin me Orchid Trip, prodhuar nga “Duçe Albini”. Janë një grup që për momentin nuk kanë suksesin që meritojnë. Tomorrow never knows!Po nga Anglia vjen zbulimi më i vyer: “Cute Babulja” , me vokalist Genc Salihun. Në 2004 dalin me albumin me të njëjtin emër e, jam i sigurt, është një album që koha nuk do plaki.

Një album kompleks ku tregojnë se si mund të bëhet muzikë moderne pa mohuar rrënjët ballkanike. Janë grupi që çdo shqiptar e ka dëgjuar patjetër, duke qenë se kënga Tandurere është përdorur, pa leje sipas Salihut, për reklamën e Lori Kafe në Shqipëri.

28 mije metra katror nuk janë mjaft?

Në Shqipëri, gjithashtu, lëviz shumë e shumë shpejt. Më së shumti është një skenë që mbështetet a, më saktë, mbështetej te Top Fest. Në këto vite T. F. ka ndihmuar vërtet në krijimin e një skene muzikore e në zbulim talentesh. Si Qelbanix, për shembull, që mund të konsideroj pa frike si grupi më i mirë shqiptar i viteve 00. Herë gjenial, here minimalist, grupi i drejtuar nga Endrit Mesiti mund të ishte vërtet muzika e re shqiptare.

Qelbanik përziejnë një vorbull tingujsh muzikore, nga jazz deri te punk, e arrijnë ta bëjnë duke qëndruar gjithmonë besnik vetes së tyre. Për shumë probleme, për fat të keq, grupi nuk ka arritur të publikoje një dëshmi, a një album nëse preferoni. Albumi qëndron prej kohësh në ndonjë sirtar e kjo është keqardhja më e madhe. Pak a shumë e njëjta gjë që mund të vihet re edhe te “Linda në Boten e Çudirave”, një grup gjithmonë në punim e sipër, ku pjesëtarët ndryshojnë shpesh dhe e vetmja që ngelet është gjithmonë deus ex macchina, Linda Rukaj.

Statistikat na thonë që ka fituar disa herë Top Alternative Top Fest a ndonjë gjë të tillë, po kjo s’ka ndonjë rëndësi të madhe. Ajo që ka rëndësi është se si vazhdojnë të këndojnë prej shumë vitesh, më shumë për merita të Lindës që ka ide të qarta muzikore, edhe kur i “tradhton” duke kaluar nga pop në rock a në këngë autori.

Thotë që tani po punon në një album, e presim.

Edhe një çun tjetër, ama, që quhet Mardit Leki i “Projekti/Undertow”. Marditi duket një nga ata muzikante për të cilët muzika nuk ka rëndësi, rëndësi ka vetëm tingulli. Shpesh herë ne harrojmë që muzika devijon nga tingulli, e përqëndrohemi vetëm tek notat. Por notat nuk ekzistojnë në natyrë, natyra ka vetëm tingull. Ndaj ka edhe një ndryshim thelbësor midis Marditit e shumë prej emrave që shkruajta më lart: nëse tek të tjerët muzika është shprehje, të Mardit muzika është në radhë të parë kërkim.

Është si të jesh Brian Eno, “Kraftwerk” e “Velvet Underground“ në të njëjtën kohë.

Po ndalem këtu para se ky artikull të bëhet tepër i gjatë e i palexueshëm. Me shpresën që një ditë të shkruaj vërtet Enciklopedinë e Rockut shqiptar me data, albume e emra, sepse për pjesën më të madhe nuk arrita të flas. Sepse pastaj ka “Permit Of Stay” , “Cody”, “00 Genti” , “Votra”, “The Aliçka Problem” “Gillispie“, “Asgje Sikur Dielli”, e shumë, vërtet shumë të tjerë. Ajo që është e rëndësishme dhe që doja të kuptohej është fakti, që ka një skenë të gjallë, të vlefshme e mbi të gjitha, një skenë që lëngon.


Në fund të fundit vlera e këtyre rreshtave është vetëm kjo: mund t’ja plasni ballit ndokujt që thotë: “Ja më, n’Shqipni ska muzik”.

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “Muzika shqiptare: Nga ëndrrat e thurura tek marsi i thyer”

Na ndiq në Facebook

Close