Kryepeshkopi Pal Engjëlli apo famulltari Gjon Buzuku? Brryla për primatin qysh në fillimet e shqipes së shkruar.
Dy emra të mëdhenj janë të lidhur deri më sot me fillimet e gjuhës shqipe të shkruar. Njëri është ai i krypeshkopit të Durrësit Pal Ëngjëlli dhe tjetri i famulltarit Gjon Buzuku. Pyetja se kush ka qenë i pari e kush i dyti nuk është shtruar kurrë në shkencën albanologjike, pasi po të mendojmë si na paraqiten situatat as që mund të konceptohet semund të ekzistonte një paradoks i tillë. Për vite e vite me radhë Formula e Pagëzimit është konsideruar si dokumenti i parë i shqipes së shkruar e cila edhe pse sot për sot nuk cilësohet më si e tillë prapë se prapë ruan akoma vlerat si një dëshmi e rëndësishme e gjuhës shqipe në mes të shek. XV. D
uke e lidhur me faktin se shkrimi i saj përkon me kohën e Skënderbeut edhe rëndësija e saj automatikisht merr një peshë akoma më të madhe duke entusiazmuar si historianët ashtu edhe gjuhëtarët shqiptarë. Mirëpo këtë shprehje kaq të shkurtër dhe kaq ugurmirë ne e marrim nga dora e nipërve të Pal Ëngjëllit dhe jo nga ndonjë dokument autentik. Se kush kanë qenë nipërit e Pal Ëngjëllit kemi folur më gjerë në veprën: “Barleti apo Beçikemi?”. Meqenëse këta pasardhës të kryepeshkopit Pal Ëngjëlli kanë marrë tashmë damkën si falsifikatorë të historisë e kulturës shqiptare, del nevoja të formulojmë pyetjen: Është shkruar me të vërtetë Formula e Pagëzimit më 1462 apo shumë më vonë?
I pari që e zbuloi këtë dokument ka qënë studiuesi rumun Nikolla Jorga i cili ia bëri të ditur botës akademike më 1915. Qysh nga ky vit formula e pagëzimit u bë objekt i studiuesve të shquar e të shumtë si brenda po ashtu edhe jashtë Shqipërisë, duke krijuar një repetor bibliografik mjaft të pasur. Mes këtyre emrave të shquar që kanë dhënë kontributin e tyre mund të përmendim me radhë: M. Roques, L. Skëndo, N. Jokli, Fr. Ribezzo, J. Rrota, N. Ressuli, M. La Piana, G. Petrotta, C. Tagliavini, Dh. Shuteriqi e shumë të tjerë të cilët po thuajse e kanë shteruar problemin. Në të gjitha këto studime përparësi ka pasur kryesisht aspekti gjuhësor i kufizuar vetëm në ato 9 fjalë, ndërsa vështrimi historik-kritik i tërësisë së volumit që gjendet në Bibliotekën Medicea- Laurenziana (Firenze) me dokumente të kopjuar që nga shek. XV-XVI është lënë gati disi në hije. Vlera e shkalla e vërtetësisë që ka tërësija e volumit kuptohet do të konfirmonte edhe vlerën e vërtetësinë e pjesëve të veçanta të tij, pra edhe të formulës të pagëzimit.
Do të na jepte garancinë më të madhe edhe për vërtetësinë e këtij dokumenti të shqipes së shkruar. Studimet apo vlerësimet në këtë drejtim edhe pse të pakta nuk mund t’i quajmë të pa vlera. Kështu M. Roques i cilëson tërësinë e këtyre dokumenteve “Shumë interesantë për historinë e brigjeve lindore të Adriatikut” dhe kjo ide është e pranuar më tej nga shumica e studiuesve por ndërkohë kemi edhe mendimin e kundërt të dhënë nga P. Peta i cili nuk e vë në dyshim falsitetin e tyre duke shprehur një farë rezerve në lidhje me formulën e pagëzimit. Një përshkrim të përmbledhur të dokumentave të kopjuar nga ky volum, na e ka lënë At Giuseppe Valentini i cili është i mjaftueshëm për të kuptuar se të gjitha dokumentat direkt apo indirekt kanë në qendër glorifikimin e familjes Ëngjëlli dhe tematika është po ajo që ishte pasqyruar në botimet e mëparshme të Andrea Ëngjëllit. Riqarkullohen pjesë të gjenallogjive, rifutet në variante të ndryshme kardinalati i Pal Ëngjëllit, përsëriten gabimet mbi vdekjen e Papa Piut të dytë në dhjetor të vitit 1463, referohen diploma perandorake mbi origjinën e Ëngjëllorve apo vendime të senatit Venecian për angazhimin e kryepeshkopit Pal Ëngjëlli mbi meremetimet në Durrësit për mbrojtjen nga sulmet e turqve etj..
Nga përshkrimi që i ka bërë at Valentini dokumenteve të këtij vëllimi përsa i përket faktit të rasës me mbishkrime antike mbi lashtësinë e fam. Ëngjëlli vërehet një hop cilësor në krahasim me variantin që na ka përshkuar Andrea më 1551 apo 1553. Kështu aty rasa prej mermeri e Isak Engjëllit nuk është më një gjetje arkeologjike e rastit në gërmadhat e qytetit të lashtë Dyrade (Drisht), por një informacion i besueshëm që vjen nga Arkivat e qytetit të Drishtit i shënuar në Librin e Artë të Lashtësive të burrave të ndritshëm dhe pllaka e mermerit ishte gjetur gjatë kohës që kishte qenë dukë në Drisht një Filip Engjëlli.
Valla prej këtij libri është nxjerrë një ekstrakt, i cili në vëllimin e Laurencianës na jepet me gërma gotike. I vetmi dokument i shkruar në këtë mënyrë. Aty nuk flitet më për vitin 558 të themelimit të Romës, por për vitin 841 ku zë fill edhe fisi i Engjëllorëve.
Si ta konsiderojmë këtë variant të plotësuar me biografi e bibliografi, përpara apo pas vitit 1551 kur fillojnë të dalin gjenealogjitë e Andrea-s? Përcaktimi i datës së hartimit të këtij dokumenti do të thotë përcaktim i datës për të gjithë vëllimin e Laurencianës pavarësisht nga pretendimet si një përmbledhje dokumentesh të shek. XV-XVI. Duke parë se nga viti në vit Andrea bënte modifikime në gjenealogjitë e tij duke i përshtatur ato sipas rrethanave duke i bërë më pompoze, logjika ta kërkon që edhe varianti i pllakës prej mermeri të jetë përpunuar më vonë mbasi kishin dalë gjenealogjitë e para.
Brenda variantit të shpjeguar nga At Valentini ka shumë elemente për të cilat Andrea nuk ka as idenë më të vogël më 1551 apo më 1553. I vetmi element që e afron në një farë mënyre me ato që kishte thënë Andrea është paraqitja e dokumentit me alfabetin gotik në stilin e katërqindshit, meqë edhe qyteti i Drishtit, sipas Andreas, ishte themeluar nga një mbret kelt. Kështu si një variant i përpunuar dhe më i plotë ky duhet të jetë hartuar mbas vitit 1553.
Ndërkohë është edhe problemi i Filip Engjëllit, dukë në Drisht, që paska gjetur pllakën prej mermeri që del tek volumi i Laurencianës. Mirëpo në Gjenalogjitë e Andreas asnjë Filip Engjëlli nuk përmendet dukë në Drisht nga viti 1200 e këtej. Pastaj kur Filipin nuk e njeh historiani kopetent i familjes, ku duhet ta kërkojmë ne? Para 1000 vjetësh apo diçka më afër? Kërkojmë më afër.
Në 1541 në relacionin që Andrea bën për famullinë e S. Angelo di Salla e quan veten: Andrea i quajtur Engjëlli nga fisi i Parisë Romake Kont e Kanonik i Drishtit. Më 1547 në aktin noterial për pronat e Engjëllorëve në Drisht, të trajtuar nga I. Zamputi, e gjejmë:…
I shkëlqyeri dhe i Madhërishmi z. Andre i quajtur Engjëll, kont i Drishtit, i biri i të ndjerit zot të madhërishëm Petri i të ndjerit zot të madhërishëm Andre… (…
Illustris et Magnificus D. Andeas cognomento Angelus Comes Drivasti fillius quondam Magnifici D. Petri quandam Magnifici Domini Andree…)
Më 1551 e më 1553 si autor të Gjenealogjive e gjejmë: Andrea Filipi, dukë e kont i Drishtit (Andrea Filippo Duca & Conte Drivasten…). Më 3 prill të vitit 1555 përsëri si autor i Gjenealogjisë në dedikimin që i bën perandorit Karli i V dhe Henrikut II e quan veten: Andrea Engjëlli, princ i Durrësit, kont dhe dukë i Drishtit (Andreas Angelus Dyrrachiensis Princeps, Comes, ac Dux Dryuasten), ndërsa në fund të veprës e gjejmë përsëri: Shumë i shkëlqyeri princ Zot i Zotërinjve Andrea Filip Ëngjëlli (Illustrissimi Principis D.
D. Andreae Philippi Angeli). Më 9 maj të vitit 1555 vëllezërit Doriko në të ashtuquajturën vepër e tretë e Barletit e emërtojnë Shumë i Shkëlqyeri zotëri Andrea Engjëlli, princ i Durrësit e Pultit të Vogël, dukë e kont i Drishtit.
Pra, në njëfarë mënyre një Filip Engjëlli, dukë në Drisht, që e dinte punën e pllakës prej mermeri, e gjetëm: është dora vetë Andrea që nga viti në vit sistemonte të gjitha gjenealogjitë dhe kuptohet ka sistemuar e
dhe çështjen e Arkivit të Drishtit e të “Librit të Artë të lashtësive të burrave të ndritshëm” Titujt nga kont, në dukë e në princ e kanë kompletuar figurën e tij, por edhe zotërimet imagjinare, që i rriten nga viti në vit e nga muaji në muaj, më 1555 janë më të shumta. Një aspekt tjetër është ai i kardinalatit të Pal Engjëllit. As At Valentin dhe as studiuesi i shquar arbëresh I. Parrino nuk kanë gjetur ndonjë dokument të kohës që të referojë një fakt të tillë prandaj asnjëri prej tyre nuk e pranon atë që reken të dëshmojnë niprit e tij në mes të shek XVI.
Tek Komentarët gjejmë tendencën për ta justifikuar dhënien e kësaj grade të lartë kishtare si meritë që bindi Skënderbeun të prishte paqen me turqit e të bashkohej me Venedikun e kryqtarët që i ishin përgjigjur thirrjes së papës. Nga pikëpamja logjike kjo arsye është e pranueshme, por në realitet ngjarjet patën një tjetër rrjedhë. Pal Engjëlli vërtet është një nga klerikët që u aktivizua në ato ngjarje, por në ato momente nuk ishte figura qendrore. Mirëpo tek vëllimi i Laurencianës disa dokumente e referojnë kardinal qysh më 1463. Meqë Andrea e dinte se papa Piu II vdiq në dhjetor të vitit 1463 është normale që shpallja duhej të vinte para kësaj date. Vetëm se në këtë vit mungojnë konditat që, sipas Komentarëve e shtynë papa Piun II për zgjedhjen e tij kardinal.
Gabimin mbi vdekjen e Piut II dhe shpalljen e Pal Engjëllit kardinal, që takohet te vëllimi i Laurencianës, e gjejmë edhe në veprën Compendium… (1555) të Barletit. Madje këtu na jepet edhe një ditë e saktë e shpalljes, më 4 maj, po nuk referohet viti. Nëse do të pranojmë tani gjithë arsyetimet e bëra nga Ëngjëllorët duhet të themi 4 maj 1463. Mirëpo në këta muaj Skënderbeu zhvillonte tratativat për paqe me Sulltan Mehmetin dhe aty nga korriku i atij viti i pranoi kushtet e paqes. Pra në këtë moment s’ka vend të flitet për ndonjë meritë të shquar të Pal Ëngjëllit që të merrte nga kisha një nderim të veçantë. Supozojmë se Andrea Ëngjëlli u ngatërua me vdekjen e Papa Piut II dhe xhaxhaj i tij u shpall kardinal në 4 maj të vitit 1464 pra gati dy javë përpara se papa të largohej nga Roma e të merrte rrugën për Ankona nga ku do të niseshin kryqtarët për në Durrës e gjetkë.
Skëndërbeu pas tetorit të vitit 1463 ndodhej para një dileme të madhe mes paqes dhe luftës. Ai nuk nxitohej dhe kishte kohë të bënte një vlerësim total të situatës, duke marrë kontakte me oborret kryesore italiane. Në linjë të parë si ambasadorë janë Gjergj Pelini, Andrea Smaçi e pak më vonë edhe Pal Gazuli që trajtonin interesat e Skënderbeut me Venedikun. Në Milano, te Francesco Sforca, kundërshtar i Venedikut, në qershor të 1464-ës u dërgua Pal Engjëlli e Alessio Albanese, ndërsa tek papa ishte dërguar më parë Martin Muzaka. Në prill 1464 vetë Skënderbeu udhëton për në Napoli ku dihet bëri betimin për besnikëri dhe marrja e feudit që i kishte premtuar mbreti Ferante. Ja pra edhe në këtë situatë Pal Ëngjëlli nuk mund ta quajmë si figurën qëndrore në ngjarjet e Shqipërisë. Nëse do të ishte shpallur kardinal do ti takonte Pal Ëngjëllit të bisedonte me papën dhe jo Martin Muzakës.
Pra në këtë pikë është e qartë se gjithçka u krijua dhe u amplifikua nga nipërit e tij në mes të shek. XVI. Po ashtu edhe volumi i Laurencianës nuk është gjë tjeter veçse një nga manipulimet e Andrea Ëngjëllit aty nga mezi i shek. XVI me fjalë të tjera një kompletim i gjenalogjive të tij të botuara në vitt 1551-1555. Ideja e shtirur se ato i përkasin kopjimit të dokumenteve të shek. XV-XVI duhet parë në relacion me gjithë krijimtarinë falsifikuese të kësaj familje kur ngjarje e fakte të ndryshme sforcohen t’i paraqesin për të vërteta duke shtrembëruar realitetin historik. Pastaj nëse nga 12 dokumentet e kopjuar aty nuk ka askund gjurmë të ndonjërës prej tyre në variantin origjinal, kur në të kundërt shumë prej tyre na trasmetojnë gabime të rënda historiografike apo fakte të paqëna, edhe pretendimet e dikujt për vërtetësinë tërësore apo të pjesshme të volumit të Laurencianës janë tashmë një e kaluar historike e pranuar pa shumë kujdes. Kthehemi tani tek fjalëzat shqip të futura në veprat e publikuara prej Ëngjëllorve. Te Epistula… (1522) e Paolo Pietër Ëngjëllit gjejmë fjalën arnauth për shqiptarët e për Skënderbeun që për ambientin italian ka pothuaj barasvlerën e një fjale shqip apo më mirë të një fjale të re që i përket ambientit shqiptar. Te Komentarët (1539) që u manipulua po nga Paolo Pietëri gjejmë të shkruar “Embetha che in Albanesco vol dir adosso” të thënë nga Lek Dukagjini më 1467. Një kushtrim të cilin do të na pëlqente mjaft ta konsiderojmë edhe si një thënie të vërtetë të kohës por grafija th me një h të pazëshme në të dy fjalët krijon një farë dyshimi. Tek Gjenealogjia… (1553) të hartuar nga Andrea Ëngjëlli takojmë mendimin për gjuhën epirotike që është shqipja dhe fjalën shqip Perendor që i referohet fillimit të shek. XIII.
Kështu mbasi na ka prezantuar Aleksi Andrea Duka, Kont i Drishtit, Princ i Sërbisë, Maqedonisë dhe Epirit në fillim të shek. XIII sipas Andreas tonë ky u quajt ndryshe qysh në atë kohë Stephano Perendor in quella Epirotica lingua detto Albanesca. Në këtë vazhdë duket se hyn edhe formula e pagëzimit në volumin e Laurencianës të cilën besimtarët duhet ta thonin “in vulgari Albanico Vnte’ paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”, që siç dihet kjo i referohet vitit 1462. Nëqoftëse këtë gjuhë in vulgari Albanico duam ta shpjegojmë ndryshe a nuk do të ishte quella Epirotica lingua detto Albanesca. Mentaliteti për gjuhën shqipe i Andrea Ëngjëllit dhe format se si janë servirur këto dy situata janë gati paralele paçka se njëra i referohet viteve 1230-1240 dhe tjetra vitit 1462. Njëra referohet në kontekst italisht, tjetra në atë latinisht me një Albanico greke, ndryshe epirotike dhe jo latine. Janë të gjitha kushtet që meritën e formulës të pagëzimit t’ja njohim Andrea Ëngjëllit pra të nipit dhe jo xhaxhait të kryepeshkopit të Durrësit Pal Ëngjëllit.
Në rastin e dytë nuk duhet të ketë qenë thjeshtë dëshira për të zbukuruar shkrimet me ndonjë fjalë shqip por mbrapa saj fshihen edhe qëllime të tjera që kanë si bazë pretendimet e madhërishme të Engjëllorëve. Sipas shumë gjasave, po ta lidhim me veprimtarinë e Andrea Engjëllit mund ta shtyjmë shkrimin e formulës dhe hartimin e gjithë vëllimit aty mbas vitit 1555-1556. Stimul në rastin e Formulës së Pagëzimit mund të kenë qenë sakrificat madhore të një prifti gati të panjohur Gjon Buzuku që sfilitej të mblidhte fjalët e shqipes për të kryer shërbesat fetare në gjuhën amtare. Të njëjtën gjë që bënin grekët e dalmatët në shkollat e tyre në Venedik. Shqiptarët nuk mund t’ja lejonin vehtes të mbeteshin prapa të tjerëve. Madje të parët që u përpoqën aty të kishin bashkëvllazërinë e tyre kanë qenë disa drishtanë shumë të devotshëm qysh nga fundi i shek. XIV mirëpo shkolla (Scuola degli Albanesi) filloi të funksionojë zyrtarisht më 1442 e pastaj më 1448. Me drishtanët u bashkuan më vonë shkodranë ulqinakë etj. Pas pak u krijua bashkëvllazëria e dalmatëve dhe shumë më vonë edhe grekët të cilët u përpoqën shumë derisa nxorën lejen që të kishin edhe ata zyrtarisht shkollën e tyre si ajo e shqiptarëve. Duke pasur parasysh tani madhështinë me të cilën Engjëllorët e prezantonin veten para botës e para shqiptarëve, a mund të pranonin që një meritë e tillë kaq e madhe t’i kalonte një prifti aq të vogël të një famullie? Pra, ngjarja shtyhet 100 vjet më parë dhe i pari që hodhi farën e gjuhës shqipe në shërbesa të thjeshta fetare paska qenë kryepeshkopi i Durrësit, Pal
Engjëlli e nëse nuk mjafton kjo edhe kardinal.
Në mes të shekullit XVI bijtë e Pjetër Ëngjëllit e më shumë Pali, Andrea dhe më vonë dhe Jeronimi krijuan një profil biografik dhe gjenalogjik të familjes së tyre që i nxirnin ata të parët në të gjitha aspektet e jetës politike, fetare e kulturale në Shqipëri. Njëra pas tjetrës u ndërtuan: Prejardhja nga perandorët e Romës e të Bizantit. Familja më e fuqishme feudale në Shqipëri në shek. XV për hatrin e të cilës Venediku lejoi Skëndërbeun të mbante Kuvëndin e Lezhës më 1444. Ëngjëllorët ishin kundër, dukë, princër e mbretër në shumë vise të Shqipërisë dhe në Ballkan. Kardinali i parë në Shqipëri kishte qenë nga familja e tyre. Kryepeshkopi Pal Ëngjëlli u bë i famshëm në të gjithë Republikën e Krishterë (d.m.th. në gjithë Evropën.) Skënderbeu në gjithë veprimtarinë e tij ndiqte mësimet e Pal Ëngjëllit. Ndër Gjenalogjitë…dalëngadalë mësojmë se Skënderbeu nuk paska pasur ndonjë vëlla apo ndonjë motër pasi vëllezërit e tij të gjakut paskan qenë kryepeshkopi Pal Ëngjëlli dhe Petro Ëngjëlli të cilët luftuan për 26 vjet kundra turqve dhe korën 24 fitore. Nga Andrea Ëngjëlli nuk jemi shumë të qartë nëse luftërat i bëri Skënderbeu apo Pal Ëngjëlli me Pietro Ëngjëllin.
Historinë e Skëndërbeut vërtet e shkroi Barleti, por ama ai që e shtyu e frymëzoi dhe e informoi për gjithçka paska qenë Pietro Ëngjëlli. Ky i fundit kishte ruajtur edhe portretin e Skëndërbeut. Venediku për të mbrojtur qytetin e Durrësit nga sulmet e turqve e për të bërë aty ndërtime përforcuese mbështej në potencialin ekonomik të fam. Ëngjëlli dhe pikërisht të kryepeshkopit Pal Ëngjëlli. Siç shihet ata paraqiten kudo të parët në aspektin fisnikëror, fetar, diplomatik, ekonomik e gati- gati edhe atë ushtarak. Janë ata nxitësit e themeluesit e vërtetë të historiografisë shqiptare. Pra, nuk janë të dytët në asnjë fushë. Gjithë këto informacione ne i marrim nëpërmjet bijve të Pietro Engjëllit si nga dokumente pseudo-origjinale kancelareske po ashtu edhe nga shkrime historiografike e gjenealogjike të sistemuara në mes të shek. XVI.
Baballarët e kombit shqiptar, siç e pamë, kishin qënë Engjëllorët e vetëm Ëngjëllorët e nuk mund të pranonin që dikush tjetër të na paraqitej si një Atë i vërtetë i shqiptarëve që përpiqej me mish e me shpirt të fuste gjuhën amtare në shërbesat e kishës. Këtë mendim e kishte pasur dhe e kishte realizuar 100-vjet më parë kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli. Buzuku u kujtua tepër vonë kur priftërinjtë e mëdhenj i kishin zgjidhur këto probleme. Shtytja me brryle për primatin e shqipes të shkruar kishte filluar qysh në hapat e para të saj. E shikojmë edhe sot me mosmarrëveshjet e profesorëve të mëdhenj në Shqipëri që duan të mbajnë një tubim për të rivendosur rregulla të reja për drejtshkrimin e shqipes. Do të jetë edhe kjo një ngjarje e shënuar historike por historia do të dijë t’u japë vlerat që meritojnë si atyre që cfiliten të ulen në presidium, si atyre që shtyhen me brryle në radhët e fundit të sallës.
Ilia S. Karanxha
Firence 7.
XI.2010