Ripropozojme parathënie e romanit ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’, ribotuar në 20 vjetorin e Eksodit të Gushtit 1991
Si çdo njeri, edhe kombet përjetojnë atë që mistikët i referohen si ‘nata e errët e shpirtit’. Kombi ynë ka kaluar netë të tilla të errëta shpesh dhe, me sa duket, një fat i tillë që nuk është për t’u patur zili, ka të ngjarë të na ndjekë edhe në të ardhmen. Jo se nenët e errëta të shpirtit janë të dëmshëm, por në rastin tonë ata janë pjesë e një procesi që përjetohet pothuajse nga çdo gjeneratë, pa nxjerrë ndonjë mësim të vlefshëm.
Të shkruash për ‘natën e errët të shpirtit’ në aspektin fetar është një dhunti e veçantë e një numri të përzgjedhur shenjtorësh si Xhoni i Kryqit, Tereza e Aviles dhe më së fundi Nënë Tereza. Këta shenjtorë kanë arritur të kapin thelbin e këtij transformimi misterioz të shpirtit, mbi të gjitha sepse ata vetë kanë përjetuar proceset për të cilat shkruajnë me kaq delikatesë dhe nderim. Të komentosh për ‘vërtetësinë’ e rrëfimeve të tyre është vështirë dhe deri diku arrogancë, pasi përderisa dikush vetë nuk ka përjetuar të tilla sprova të shpirtit, sprova si rezultat i të cilave shpirti pastrohet aq sa është i denjë të ‘ulet’ pranë Zotit, është vështirë dhe deri diku e pamundur të kuptohet dhe interpretohet me objektivitet një proces i tillë transformues sa misterioz po aq edhe mistik.
Ashtu si shenjtorët e lartpërmendur (të tillë shenjtorë gjenden jo vetëm në Katolicizëm po edhe në degë të tjera të Kristianizmit si dhe në besime të tjera si në Islamizëm, veçanërisht të traditës Sufiste), edhe shkrimtarët janë në thelb studiues të shpirtit dhe të metamorfozave të tij. Të rrëfesh transformimet e shpirtit të një njeriu apo të një morie personazhesh në letërsi është një sfidë më vete; të analizosh dhe të bëhesh zëdhënës i shpirtit të një populli dhe kombi të tërë është një angazhim të cilin shumë krijues e marrin përsipër por vetëm pak e realizojnë me sukses.
Një krijues i tillë i talentuar, i guximshëm dhe i suksesshëm në letërsinë bashkëkohore shqiptare është edhe Thanas Jorgji. Romani i parë i Jorgjit ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’, që u botua fillimisht në 1997, sinjalizoi mbërritjen në letrat shqipe të një pende sa ambicioze po aq edhe origjinale. Në këtë roman debutant Jorgji nuk e lë në dyshim lexuesin dhe kritikun se ai kërkon të merret seriozisht. Dhe me të drejtë.
Si shenjtorët e lartpërmendur të shpirtit, transformimi që rrëfen Jorgji është origjinal pasi ai përqendrohet në një ngjarje të cilën ai e ka përjetuar vetë: eksodin e stërmundimshëm të dhjetë mijë vetëve në anijen ‘Vlora’ në Gusht të vitit 1991. Por qëllimi i Jorgjit në ketë vepër nuk është të regjistrojë eksperiencën personale. ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’ nuk është roman autobiografik. Dëshmia personale e një ngjarjeje të tillë sa tronditëse aq edhe simbolike është përdorur me mjeshtëri nga autori për të dokumentuar me një stil origjinal një ngjarje sa personale po aq sa edhe kolektive, një aventurë sa premtuese po aq edhe dështake, një eksod me nota biblike drejt një ëndrre për të cilën guximtarët e dëshpëruar duhet të pagëzohen me ujin e detit duke u zhytur me rrezik jete në fillim dhe në mbarim të kalvarit të tyre.Udhëtimi fizik është temë qëndrore në ketë roman por më të rëndësishme janë odisea dhe tranformimi i shpirtit individual dhe kolektiv që përjetojnë emigrantët. Këtu qëndron forca e Jorgjit. Si një Homer i verbër, autori e fashit prezencën e tij fizike. Ai është i kudondodhur. Ai është çdo njëri në çdo cep të Shqipërisë ku fillojnë të rrjedhin rrëketë e njerëzve që si një ortek me shpejtësi maramendëse shndërrohen në një magmë të papërmbajtshme. Ai është në çdo kamion, taksi dhe tren që ka për destinacion Portin e Durrësit. Ai kacaviret në litarin e anijes si mijëra të rinj e të moshuar, gratë shtatzëna dhe viktimat anonime që i përpin deti. Ai shoqëron mijëra bashkëpasagjerë në stadiumin-kafaz të Barit por në të njëjtën kohë nuk e ‘braktis’ gjysmën tjetër të shtrënguar të ngujohet në portin e qytetit që ngjan me tepër me një kopësht zoologjik.
Jorgji, rrëfyesi që gjendet kudo, metamorfozohet si Visari, Rubini, Tino, Helena, Nidha, Niska, Gaci, Lazëri dhe Sugari. Ai ‘prezantohet’ shpesh si ‘ne’, gjë që e bën atë të identifikohet me mijëra refugjatë dhe në të njëjtën kohë mundëson pa u ndjerë krijimin e empatisë dhe simpatisë tek lexuesit për sprovat e shumta që eksodasit kalojnë veç e veç dhe së bashku. Kjo mënyrë e pozicionimit të rrëfyesit është një gjetje origjinale edhe për të njësuar lexuesin me emigrantët.
Jorgji është i prirur ta shikojë njeriun thellësisht si një qënie pozitive por ai nuk nguron të nxjerrë në pah pa mëshirë edhe anët më shtazarake të njerëzorëve. Personazhe si Lad Vampiri, Pantera, Hiena, Bishtcigarja, Kuqoja Al Kaponia, Kokë Preshi apo Qimja e Derrit identifikohen vetëm me nofka; Jorgji ua heq të drejtën këtyre ‘pjellave të krimit’, sic i quan ata Visari, për të pasur emra normalë. Autori pa dyshim beson se e mira dhe e keqja ekzistojnë krahas njëra tjetrës; ka momente kur e keqja duket edhe sikur mbisundon dhe në këto raste të trishtueshme koncepti ‘civilizim’ bëhet një fjalë pa kuptim. Aktet kriminale dhe veprimet makabre që këta njerëz-shtazë kryejnë si hedhja në det e një të riu nga Hiena dhe Lad Vampiri vetëm se thotë se nuk ka vend ku të shtyhet, si dhe përdhunimi i një gruaje dhe më vonë i Helenës në mes të mijëra dëshmitarëve në stadium të revoltojnë dhe vazhdojnë të të trondisin edhe kur ke përfunduar romanin.
Për Jorgjin, një eksperiencë e tillë si eksodi i Gushtit 1991 simbolizon nadirin dhe zenithin e shpirtit njerëzor. Siç thamë me sipër, autori me të drejtë beson se edhe pse kurajoja njerëzore për t’iu kundërvënë hapur së ligës tulatet përkohësisht nga instinkti për të mbijetuar, njeriu përgjithësisht është në shpirt qënie e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme. Në pamundësi për të ndihmuar viktimat e krimit, veçanërisht gratë e përdhunuara, burrat e çburrëruar vidhen si hije për të vuajtur në heshtje dënimin me të cilin ndëshkojnë veten për impotencën e tyre morale.
Në të njëjtën kohë, romani regjistron edhe akte të shumta bamirësie, ndoshta të parëndësishme dhe në pamjen e parë edhe të rëndomta, por megjithatë shumë domethënëse; njerëzit janë të gatshëm të kontribuojnë me të holla për të blerë ujë dhe ushqim për të tjerët nga spekulatorë të pashpirt, apo ndajnë ushqimin për të cilin rrezikojnë kokën kur u hidhet pa dinjitet në port dhe stadium.
Jorgji është i ndërgjegjshëm se romani i tij nuk është ‘argëtues’. Të shkruash për eksodin e Gushtit 1991 në një kohë kur plagët, brengat dhe kujtimet janë akoma të freskëta dhe veçanërisht në një kohë kur demokracia në Shqipëri shpesh duket si një ‘lindje’ e stërgjatur dhe e mundimshme, aq sa ndonjëherë duket se do të rezultojë në një ‘dështak’, si dhe t’i kujtosh popullit tonë të lodhur në shpirt nga rumpalla e tranzicionit që duket se nuk ka fund, vuajtjet që hoqi gjatë dhe pas regjimit komunist është jo sadizëm por dëshmi e kurajos intelektuale të autorit dhe e besimit që ai ka në aftësitë e tij krijuese. Mbi të gjitha, ky roman shqetësues është provë e bindjes së Jorgjit në forcën ripërtëritëse të shpirtit të kombit shqiptar, të njeriut i cili përngjan me një feniks që ringjallet çdo herë që flakët e historisë shkrumbëzojne përpjekjet e tij të stërmundimshme për të mbijetuar.
Optimizmi është një leitmotiv kryesor në ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’, veçanërisht kur tragjikja binjakëzohet me komiken. Me Jorgjin letërsia shqiptare ka gjetur një mjeshtër të ri humori. Humori i Jorgjit nuk është thjesht argëtues; ai është thellësisht humor filozofik dhe terapik. Humori është i pranishëm pothuajse në çdo moment të eksodit. Humori bëhet bashkudhëtari më i besueshëm i këtyre qënieve pa fat që braktisin veten në dorë të një fati që nuk i dihet fundi. Personazhi i Nidhës, për shembull, megjithëse jo figurë qëndrore (ky roman ka për personazh kryesor dhjetë mije refugjatë) është ndoshta një ndër protagonistët më komikë të dekadave të fundit. Është vështirë të mos e vësh buzën në gaz kur dëgjon Nidhën bujar të shprehet për pasagjerët që merr në Tiranë: ‘Le të vijnë! Le ta kenë kujtim pe mua Italinë. Le të thonë: deri në Durrës na shpuri një shofer pe Korçe. Pa leka!’; apo kur rrëfehet gradualisht pas ngacmimeve të shumta të ‘panxharit’ Niskë, se arsyeja kryesore për emigrimin e tij është të bëhet ‘milioner’ duke punuar si shofer në Itali dhe të kthehet në Korçë për t’i fituar zemrën dhaskalicës së frëngjishtes, Marjankës, bijës së Pavlinës; apo kur mëson se megjithëse e quan ‘qelbanik’ një çunak që shkul një tapet nga tribuna e stadiumit, për vete bën të njëjtin ‘mëkat’ para se të kthehet me avion në Tiranë: merr nga stadiumi kupën e futbollit të ekipit të Barit. ‘E mo ja: thashë ta shpija në Korçë. Meqë “Skënderbeu” s’ka ndonjë kupë’, justifikohet Nidha i sikletosur.
Jorgji e përdor humorin me mjeshtëri edhe kur përshkruan degradimin që u bëhet eksodasve në Portin dhe në Stadiumin e Barit nga autoritetet italiane. Si çdo shkrimtar i madh, Jorgji indinjohet kur shikon se si përbaltet dinjiteti njërëzor në Italinë e civilizuar dhe anëtare e Komunitetit Evropian. Ai di të vlersojë dhe të shprehë mirënjohje për italianët e thjeshtë si Karla dhe Domeniko të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë emigrantët fatkeqë me sa munden dhe në mënyrë dinjitoze. Por satira e Jorgjit fshikullon pa mëshirë autoritetet italiane, policinë italiane, mediat italiane dhe shtetin italian për trajtimin që u bëjnë eksodsave të Marsit dhe të Gushtit. Me të drejtë, autori u kujton italianëve, diku me fakte, diku nëpërmjet humorit dhe diku me sarkazëm se në vitin 1943 ishin etërit e këtyre emigrantëve të mjerë që strehuan dhe mbrojtën nga ushtria naziste mijëra dezertorë të ushtrisë së Musolinit. Ndryshe nga shteti italian, që vihet në lëvizje ‘për të bërë diçka’ për refugjatët ngaqë e ‘zë turpi’ si rezultat i jehonës sensacionaliste që i bën eksodit media italiane që i filmon fatkeqët shqiptarë nga helikopterët ‘deri në fyerje’, apo ngaqë duan të evitojnë ndonjë ‘vërejtje’ që mund t’iu vijë nga Komuniteti Evropian, zemërgjerësia e shqiptarëve të varfer por zemërbardhë në 1943 motivohej thjesht nga shpirti i civilizuar i një kombi i cili nuk ka lejuar kurrë që padrejtësitë historike t’i mjegullojnë ndjenjën e përgjegjësisë së shenjtë për njerëzit në nevojë, përfshirë edhe hallexhinjtë fqinj që ndonjëherë janë sjellë si barbarë me të.
Në fillim të viteve 1990 ishin njerëzit e thjeshtë në Greqi dhe Itali që ndihmuan popullin tonë të ‘dezartuar’ ndërsa policia greke dhe karabinieria italiane i ndiqte refugjatët shqiptarë siç ndiqen kafshët nga gjahtarët e pashpirt. Ndjekja nga policia nëpër rrugët e Barit e autobusit të drejtuar nga Nidha është një nga skenat me të arrira tragjiko-komike në letërsinë bashkëkohore shqiptare, e denjë për penën e Servantesit. Në Evopën e lirë të ëndërruar me çiltërsinë e të miturve, refugjatët kriminalizohen vetëm se ëndërrojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë. Kjo skenë demaskon jo vetëm Italinë dhe Komunitetin Evropian po edhe Perëndimin ku shqiptarët, edhe dy dekada pas eksodit të Gushtit 1991, akoma nuk gëzojnë të drejtën të emigrojnë në mënyrë të civilizuar.
Dështimin moral të Perëndimit Jorgji e simbolizon mjeshtërisht edhe me rikthimin në Tiranë nga autoritetet Italiane të Dante Kalogierit i cili kur kapitulloi Italia fashiste u mirëprit në Shqipëri ku edhe krijoi familje. Dante, apo Dane, siç e pagëzuan shqiptarët, vuan nga humbja e kujtesës si pasojë e një plage në luftë. I gjori nuk e ka idenë se italianët ‘e tij’ po e përzenë nga vendlindja ku ka ëndërruar të kthehet për afro gjysëm shekulli. Puthja e pllakave të sheshit qëndror në Tiranë nga Dantja, i cili kujton se më në fund, mbërriti në qytetin e lindjes Peruxhia, është një nga skenat me të arrira të ironisë dramatike që kam lexuar ndonjëherë. Ky moment simbolizon braktisjen e dytë të Dantes nga Italia dhe ri-biresimin e tij në patrian e adoptuar.
Amnesia e Dantes është një bekim i trishtueshëm ndërsa amnesia e shtetit italian moralisht e dënueshme. Kjo ide është simbolizuar në bisedën e trazuar që Luixhi, një ish dezertor i mbrojtur nga shqiptarët në 1943, i cili ndryshe nga Dantja, arriti të kthehet në Itali pas luftës së Dytë Botërore, zhvillon me shefin e policisë. Luixhi ka 50 vjet që kërkon ta ‘lajë borxhin’ dhe për këtë merr rrugën nga fshati i tij për në Bari kur dëgjon në televizor se ç’po ndodhte në stadiumin-geto. Kur shikon se argumenti i tij nuk ka efekt tek shefi i policisë i cili, si një robot besnik i aparatit burokratik italian, i kujton Luixhit se ‘rregullat’ nuk e lejojnë që ai të strehojë në shtëpinë e tij asnjë refugjat, veterani nuk heziton ti kujtojë atij se po të ishin zbatuar ligjet e luftës, pesëdhjetë vjet më parë, atij do t’i kishte ikur koka si ‘ushtar i ushtrisë sonë të kapitulluar’.
Jorgji është një ndër shkrimtarët tanë më produktivë dhe origjinalë të dekadës së fundit. Nëpërmjet një stili që ndonjëherë të kujton ‘kick-writing’ e Kerouac-it, në romanin e tij të parë ky autor regjistron në prozë dhimbjen njerëzore me intensitetin që vihet re në ‘Guernica’ të Pikasos. ‘Ëndrrat Treten në Mëngjes’ është padyshim romani më i arrirë për eksodin e shqiptarëve në fund të shekullit të njëzetë. Dhe jo vetëm të shqiptareve. Ky roman simbolizon tragjedinë e miliona njërëzve fatkeqë për të cilët mërgimi shpresëdhënës kthehet në një llahtar të pafund. Ndoshta në një të ardhme të afërt kjo vepër do të tërheqë vëmendjen e ndonjë regjisori me vizion të mjaftueshëm për të regjistruar në film një ndër tragjeditë me të dhimbshme të kohës sonë.”Ëndrrat Treten në Mëngjes” është një anti-Kështjellë Kadareane. ‘Kështjelltarët’ e Jorgjit u zbuan nga Evropa të cilën nuk shkuan ta zaptonin. Zbimi i tyre ua treti ëndrrat. Por shpirti i tyre i lënduar u bë më i mençur, erdhi në moshë. Ata mësuan, si të gjithë ne që jemi në mërgim, se ‘El Dorado’ jonë është trualli amëtar të cilin me tepër e kemi nëpërkëmbur ne se të huajt. Ndoshta klasa politike shqiptare do ta kuptojë këtë fakt të hidhur një ditë. Me tepër se lexuesi i thjeshtë, romanin e Jorgjit duhet ta lexojnë me vëmendje politikanët shqiptarë që janë në pushtet apo që aspirojnë për të në mënyrë që eksode si i Gushtit 1991 t’i përkasin historisë. Shpresojmë në shpresë.