Ky eshte reportazhi botuar ne gazeten “Republika e Tiranes” me date 16 qershor 2010: Dy popuj, dy vende, eksperiencë dhe motive jete.
Fillon nga fjalët komunikimi midis njerëzve, me fjalë ndërtohen themele urash, me fjalë krijohen edhe muret e pengesave ndërmjet popujve. Nuk është në të njëjtin mendim një miku im, emigrant shqiptar, studiues dhe intelektual, në Danimarkë… ”eh… ndjenjat ndërtojnë,- thotë ai,- jo fjalët”.
Megjithatë, unë po dëgjoj dhe lexoj fjalë sot, fjalë të një libri të shkruar me ndjenjë si ai i Antonio Caiazza, gazetar dhe shkrimtar italian, autor i librit “In alto mare”, një udhëtim në Shqipëri nga komunizmi deri në ditët tona. Ku është sot Shqipëria, fqinja me pak e njohur ndërmjet fqinjëve të tjerë të Italisë? Ai vend është i panjohur, kujt është mësuar t’i shikojë shqiptarët thjesht si emigrantë pa i konsideruar që një vend e kanë edhe ata: me jetë, që lëviz, mahnitës aq shume sa as e mendon!Vetëm kush, si Antonio Caiazza, e ka njohur dhe identifikuar, duke shëtitur me hap jo paragjykues, mund të zbulojë në atë det varka me personazhe që mbartin jetë, traditë, bukuri shpirtërore, aq të thella sa të ngjashme me peizazhin bregdetar dhe malor tonin. Njerëz të thjeshtë apo politikanë, personazhet e nderuar si Dritëro Agolli, që ai nuk e “kujton” se si i gjeti numrin e telefonit… kanuni… një dorë miqësore që e largonte nga ajo porta e kullës së hakmarrjes në qendër, buzë lumit Lanës, i cili e ndan Tiranën si kanalet e Venecias… fantazi dhe realitet që ka vend për mahnitje!”Ju keni akoma përralla të vjetra shqiptare si copëza mozaiku Omerian… unë uroj që gjyshërit shqiptarë të vazhdojnë t’i tregojnë ato”,- thotë ai me nostalgjinë e një shkrimtari në epokën e informatikës dhe rutinës së internetit. Nuk më kishte bërë kaq përshtypje një nënvizim i tillë, ndoshta se jam brez i atyre përrallave, jam mësuar, sa herë i kam mbyllur sytë e kam fjetur, jam tundur në djepet e mitologjisë, kam ëndërruar zana, shtojzovalle, mite Dorontine dhe Rozafe… Të njëjtat djepe përkundën edhe penën e re të gazetarisë shqiptare në Modena, në 12 qershorin e shkuar, në kuvendin e gazetës “Albania News”, të titulluar “Porti Cittadini” “Porte Qytetarie”. Kultura në rritje ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, që në këto okazione shpalosi flamurin shqiptar, të cilin rrallë e shikon nëpër rrugët e Italisë. U shpalos nga personazhe të ndritur, gazetarë shqiptarë dhe italianë, studiues të historisë shqiptare dhe kulturës sonë këtu. Giovanni Armillotta, kurues i rubrikës “Te vërtetat e fshehura”, “Le verità nascoste” në sitin Web revista italiane e gjeopolitikës “Limes”, si dhe docent universitar në Pisa. Me një natyrë kompetente dhe krenari koleksionisti, në degën e gazetarisë së mirëfilltë, foli dhe paraqiti me pasion gazeta të vjetra të viteve ’40, kur bashkëpunimi italo-shqiptare në atë periudhë ishte domethënës.
Një tavolinë ku në orët e para u ballafaquan tema shumë kulturore rreth çështjeve emigracion dhe përcjellje homogjene vlerash njerëzore pa dallim ngjyre dhe qytetarie. Interesante ndërhyrja e Alesia Giannoni-t, përfaqësuese e Cospe apo Barbara Burgalassi – e Rrethit të Emilia Romagna dhe e Azeb Lucà Trombetta – rrjeti Mier. “Jemi përpara një sfide globale kulturore. Nuk ekzistojnë më largësitë ekziston cilësim dhe pasurim i instrumenteve të auto-prezantimit”,- tha Barbara Burgalassi, duke promovuar kështu iniciativën e rrethit në drejtim të fondeve ekonomike në mbështetje të kulturës së emigracionit.
Nga një pushim i shkurtër në tjetrin, dëshira për t’u njohur me të pranishmit të sillte në njohjen e eksperiencës së tyre, të sillte në një optikë komplete idesh ndërtuese. Gazetarë shqiptarë, në armët e para apo me eksperiencë. Te gjithë me ide te qarta. Siç theksoi Olti Buzi, një ndër organizatorët e kuvendit, bashkë me shkrimtarin dhe gazetarin e ri, Darien Levani, që në këtë okazion promovonte edhe librin e tij “Solo andata, grazie”, “Vetëm e shkuar, faleminderit” – ”Ne kemi zgjidhur një mënyrë, atë të komunikimit në gjuhën italiane në këtë gazetë, për vet faktin se jetojmë këtu. Duam t’i tregojmë lexuesit italian atë që nuk arrin dot t’i tregojë stampa nacionale. Kemi faqen shqip dhe do të hapim edhe atë në anglisht… Si objektiv do të arrijmë aty ku paragjykimi pengon një rrugë për të sjellë një labirint” – ambicion qe meriton një duartrokitje!Edhe në debatin me tavolinën e rrumbullakët të përfaqësuar nga mediat Modenese: Paolo Tomassone, Barbara Manicardi kryeredaktore e gazetes “Il Resto del Carlino” si dhe Roberta Vandini e Telemodena u hap një ndërhyrje e ndezur mbi çështjen promovim emigracioni nëpërmjet medias. Gazetarja shqiptare, Darina Zeqiri, e provokuar nga debati, iu përgjigj modalitetit te gabuar qe ka media italiane sot, në shërbim të lajmit ndaj emigracionit. “Me shumë besim në gazetarinë shqiptare dhe atë të huaj, jemi hallka që njohim mirë realitetet tonë dhe nuk merremi në konsiderate. Si mund të pretendojë stampa dhe informacioni te bëjë një punë komplete kur nuk bashkëpunon dhe injoron figurën tonë këtu!?”Paolo Muner, gazetar dhe bashkëpunëtor “i orëve të para” të Albania News, ka jetuar për disa vite në Shqipëri për motive pune. Ka publikuar “Një histori shkodrane”, “Una storia scuterina”, mbi flamujt e parë marinar të marinës shqiptare mbas pavarësisë 1913/’14. Një dëshmitar i asaj shtrese intelektuale ishte e pranishme ne kuvend edhe regjisorja, shkrimtarja, Serena Luciani. Autore e librit “Terrmoto a Tirana”, që flet mbi eksperiencën e saj në vitet ‘80, në Shqipëri, kur punonte në Ambasadën Italiane në Tiranë. Me nostalgji vitesh dhe personazhesh reale të një eksperience në tokën e shqiponjave.
Si gjithmonë ka një delegacion apo përfaqësues nderi të pranishëm që përçon zërin e Shqipërisë këtu edhe se ne të gjithë jemi shtegtarë të një ideje në përfaqësimin e denjë të vendit tonë. Vargje qe i dedikohen këpucëve të burgut. Hapa që hidhen, sot thotë ai, por më e rëndësishme është që dinë për ku nisen… motiv poezie i Visar Zhitit, i cili hapi këtë ditë të larmishme me aktivitete stampe, editorie dhe kulture midis dy vendeve. Të shikosh një personazh kaq të thellë, me botën e tij poetike, në një thjeshtësi pothuajse të pabesueshme të injekton vetëm admirim për një figure nderi si ajo që përfaqëson ministrin e Kulturës së Shqipërisë në Romë. “Është një arritje që shqiptarët këtu shpalosin kulturë,- thotë ai.- Deti që na ndan është si deti që na bashkon. Ky det kulturor, sot, po e ndjej që po me godet me dallgët e tij. Si mund të mos konsideroi një fakt të tillë, Shqipëria, që ka një diasporë më të madhe se vetvetja. Ju jeni ambasada natyrale e Shqipërisë dhe unë kam ardhur të marr nga ju këtë energji që i duhet demokracisë.
Në fjalën e mbylljes i drejtohet të pranishmëve ”Unë nuk pashë një flamur shqiptar në këtë godinë apo jashtë në rrugë… edhe se ishte një ditë e gjatë ku Shqipëria foli dhe ishte e pranishme. Jeni ju miq, – duke iu drejtuar studiuesve shkrimtareve dhe gazetareve italianë,- qe e ngritët atë flamur me fjalët dhe nderin qe i bëtë komunitetit shqiptar sot, këtu.”Shoqata shqiptare “Scanderbeg”, si gjithmonë e ftuar dhe e pranishme, e përfaqësuar nga imprenditori Durim Lika, së bashku me Resi Group, Bota shqiptare, Juvenilia e sponsor të tjerë.
Në përfundim mbrëmja nën yjet e qiellit Modenes u ndez nga tingujt e muzikës rrok të grupit Peppa Marriti Band. Të cilëve nuk i pengon fakti i përfaqësimit të rrënjëve të tyre shekullore, të kulturës arbëreshe, për të ecur në një nivel më grupet rok këtu. Është kjo nje nder arsyet që i ka bërë të jenë me shumë sukses dhe protagonist në
muzikën rok arbëresh. Një koktej partiturash që bëhen muzë në një natë speciale si ajo e 12 qershorit në Modena.