Emigracion

Probleme ligjore: vonesë me nënshtetësinë italiane

10 vite banesë të rregullt në Itali apo pas martesës me qytetar italian

Ligji parashikon dhënien e nënshtetësisë italiane pas 10 vitesh banesë të rregullt në Itali apo pas martesës me qytetar italian.

Në rastin e parë, duhen dhjetë vjet residencë e vazhdueshme në territorin kombëtar, që provohet me certifikata që merren në bashkinë ku banoni (certificato storico di residenza). Në pjesën e dytë, mjafton martesa me një qytetar italian. Aplikimi për këtë të fundit mund të bëhet dy vjet pas datës së martesës, apo një vit nëse kanë lindur fëmijë.

Kompetenca për dhënien e nënshtetësisë për martesë, me një ndryshim të kohëve të fundit, i përket Prefektit, dhe jo të Ministrisë së Brendshme. Është pra Prefekti që vlerëson kërkesën dhe nxjerr dekretin. Me këtë në dorë, duhet të paraqiteni në Comune e të bëni një betim. Një ditë pas betimit jeni qytetar italian. Edhe dokumentet e kërkuara kanë pësuar ndryshime e lehtësime. Të gjitha dokumentet që merren në Itali (si certifikatë banimi apo certifikata penale) duhet të vetë deklarohen nga aplikuesi, duke kursyer kështu shumë kohë e shpenzime.

Pak më i ndërlikuar, ama, dokumentacioni që duhet marrë në Shqipëri, megjithëse anëtarësimi i Shqipërisë në Konventën e Hagës të 5 tetorit 1961 i ka lehtësuar shumë gjërat. Çertifikatat penale duhet të jenë të përkthyera dhe të legalizuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme, veprim që tani bëhet me postë brenda pak ditësh. Nuk duhet harruar, gjithashtu, që tashmë shumë zyra civile shqiptare lëshojnë një certifikatë (çertifikatë personale për jashtë, si e quajnë nëpër gjendje civile) shumëgjuhësh personale e nuk është më i nevojshëm përkthimi. Prej Majit të kaluar, midis të tjerash, kërkesa duhet bërë vetëm online nga siti i Ministrisë. Pas kësaj, Prefektura lëshon takim në të cilin duhet paraqitur dokumenti origjinal.

Problemi më i madh, në fakt, fillon pas paraqitjes së aplikimit sepse duhet pritur me vite. Kush ka bërë kërkesë, mund të regjistrohen në faqen e internetit të Ministrisë dhe të ndjekë zhvillimin e kërkesës. Megjithëse ligji italian parashikon që duhet dhënë përgjigje brenda dy vitesh, kërkesat e shumta dhe personali i vogël rrallë herë arrin që të përgjigjet brenda kësaj kohe. Shpesh herë duhen edhe 4-5 vite para se të mbërrijë dekreti.

Në radhë të parë, duhet të rregjistroheni te siti i Ministrisë e të kontrolloni se në çfarë faze ndodhet kërkesa juaj. Në këtë rast, pasi kanë kaluar dy vite, qytetari mund t’i kërkojë Ministrisë, me letër rekomande, që t’i përshpejtojë praktikën. E, nëse kalojnë dy vite, bëjeni patjetër duke përdorur këtë model pasi të keni futur të dhënat tuaja, e mos prisni më kot.

Kërko më shumë informacione duke na kontaktuar

Emri juaj (i nevojshëm)

Adresa e postës elektronike (e nevojshme)

Subjekti

Mesazhi juaj


Darien Levani është zv. drejtori i Albania News, e po ashtu, avokat dhe shkrimtar shqiptar që jeton në Itali.  Romani i tij i fundit është “Dopio Gjashta ” (Botime Pegi, 2015) Mund të kontaktohet për  pyetje, sugjerime, kuriozitete a kritika te  darienlevani@gmail.com ose Cel. 3295327386

Argumenta
Shfaq më shumë

komente për “Probleme ligjore: vonesë me nënshtetësinë italiane”

Na ndiq në Facebook

Close