Shpend Kursani është studiues i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Aktualisht mbulon rolin e hulumtuesit për doktoratë në “European University Institute” ku hulumton shtetet e kontestuara të pas-Luftës së Dytë Botërore.
Kursani ka studiuar për Master të Filozofisë në Marrëdhenie Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ka shërbyer si ligjerues në disa universite dhe ka mbajtur poste hulumtuese për një sërë institutesh në Kosovë dhe ka bashkëpunuar me një sërë instituesh ne Evropë. Kursani ka qenë po ashtu edhe aktivist politik, si dhe ka botuar një sërë studimesh politike dhe akademike. Ai ka qenë edhe opinionist i rregullt për disa medie vendore dhe ndërkombëtare.
Intervistë me Shpend Kursanin
Z.Kursani, ju përgëzojmë për karrierën tuaj mbresëlënëse dhe ju falenderojmë për kohën që vendosët të ndani me ne gjatë kësaj interviste. Do të donim ta nisnim atë pikërisht nga hulumtimi qe po zhvilloni ne EUI, i cili është drejt përfundimit. Së fundmi në Asemblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u fol edhe për Kosovën. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama bëri thirrje për njohje ndërkombëtare të Kosovës të cilin ai e quan “realitet të pakthyeshëm”. Si e gjykoni strategjinë për njohje ndërkombëtare dhe a mendoni se përpjekja e palës shqiptare dhe fjalimi i Z.Rama do të ngelet vetëm në planin simbolik apo mund të ketë impakt real sidomos në rajon dhe Europë?
Roli i Shqipërisë në rritjen e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, edhe pse i rëndësishëm në disa aspekte, është i kufizuar. Ky kufizim rrjedh nga disa aspekte.
E para, Shqipëria nuk ka fuqi ekonomike e diplomatike të përmasave globale që të mund të ndikojë në ndryshimin e qëndrimit për njohjen e Kosovës të shteteve që tashmë kanë mbetur pa e njohur Kosovën.
E dyta, ngecja në njohjen e plotë të Kosovës si shtet i pavarur nga komuniteti i përgjithshëm ndërkombëtar, ka të bëjë jo vetëm me rrethanat konkrete ndërkombëtare që u krijuan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe me sjelljen e Kosovës, dhe deri diku të Shqipërisë, ndaj këtyre rrethanave.
Ajo që dua të them është se si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, e kuptuan vonë që komuniteti ndërkombëtar i shteteve, sidomos ai i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk përbëhet vetëm nga dhjetra vende perëndimore të zhvilluara – të cilët edhe e pëkrahën pavarësinë e Kosovës – por edhe nga shumë vende tjera të cilat dolën nga procesi i dekolonizimit.
Nuk është çudi që Kosova ngec më së shumti në sigurimin e njohjeve pikërisht nga shumë vende ne Afrikë e në Azi që u çliruan nga kolonizimi – kjo sepse këto vende kanë arritur ta lexojnë pavarësinë e Kosovës jo si rezultat i përpjekjeve për çlirim nga Serbia, por si projekt Amerikan e Evropian – dy hapësira këto gjeografike që shpesh lexohen si imperialiste e kolonizuese pikërisht nga vendet që dolen nga procesi i dekolonizimit. Këtu as Kosova e as Shqipëria nuk mbeten pa faj, sepse ne përpjekjet e tyre për kërkimin e njohjeve, shpeshherë fshiheshin pas Amerikës dhe Evropës.
Mbase pavarësia e Kosovës edhe është “realitet i pakthyeshëm” përderisa rrethanat e sotme ndërkombëtare nuk ndryshojnë, mirëpo duket që edhe ngecja njohjeve të metejshme të Kosovës mbetet “realitet i pakthyeshëm”. Këtë të fundit e them natyrisht për Kosovën siç e shohim sot, e jo për ndonjë Kosovë që në të ardhmen mund të coptohet territorialisht e të Bosnizohet në mënyrë që ta sigurojë njohjen nga Serbia dhe rrjedhimisht nga komuniteti i përgjithshëm ndërkombëtar.
Dhe për fund, një rol më të madh që Shqipëria mund ta luajë është të parandalojë tërheqjen e njohjeve ekzistuese nga disa shtete që mund ta bëjnë këtë si rezultat i fushatës diplomatike, sado të limituar, të Serbisë.
Politikat e jashtme shpeshherë pasqyrojnë “shëndetin” e brendshëm të një vendi. Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm mbi zgjedhjet e këtij viti në Kosovë? A ekziston sipas jush Z.Kursani, një kanalizim i pritshmërive të qytetarëve të Kosovës në subjektet politike garuese?
Këto zgjedhje në Kosovë janë shumë më ndryshe se të gjitha tjerat që Kosova ka pasur më herët. Kjo për arsye, siç duket, të lodhjes së qytetarëve me vazhdimin e politikave të njejta pa marrë parasysh ndryshimet e njëpasnjëshme të qeverive në Kosovë. Këtë lodhje të qytetarëve me politikat e deritanishme e shoh të kanalizohet tani së voni ne dy rrafshe.
E para është një kategori qytetarësh të cilët me gjasë kanë vendosur që të ardhmen e tyre mos ta gjejnë në Kosovë, dhe si rezultat kemi parë në vitet e fundit një dalje massive, sidomos të të rinjve nga Kosova për të gjetur punë dhe jetë më të mire jashtë. Kjo, sa i përket zgjedhjeve në Kosovë nuk është shumë mirë për shkak se keta qytetarë janë votues potencialë që, duke qenë të lodhur me politikat e deritanishme, do të mund të votonin për ndryshime më të mëdha.
E dyta është një kategori tjetër qytetarësh që duket se a kanë ndarë mendjen për te votuar për ndryshime më rrënjësore, edhe pse kjo kategori përbëhet nga nje klasë e mesme e lartë qe jo domosdoshmërisht i kanë punët keq.
Pa hyrë në detaje të partive politike, sondazhet deri më tani tregojnë që më shumë se gjysma e qytetarëve dëshirojnë një lloj ndryshimi (pra preferojnë partitë që së fundmi kanë qenë në opozitë, siç janë LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje). Ndërkaq rreth 25% i qytetarëve, një numër jo i vogël ky, dëshiron ndryshime rrënjësore, meqënëse ky çerek preferon të votojë vetëm Lëvizjen Vetëvendosje.
Marrëdheniet Kosovë-Itali: si e vlerësoni angazhimin Italian në Kosovë? A ekziston sipas jush mundesia për bashkëpunim më të gjerë ekonomik e kulturor?
Italia ka një vend politik të rëndësishëm në atë se çka vendoset për Kosovën, sidomos mes vendeve perëndimore. Në ndryshim nga ShBA-të, Franca, dhe Mbretëria e Bashkuar, Italia nuk ka ulëse të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-se, mirëpo ajo është pjesë e Quint-it, pesë shtetet perëndimore që shpesh mblidhen për të mbajtur qëndrim të përbashkët politik për dhe mbi Kosovën. Prandaj, Italia është pjesë e vendeve me rëndësi politike të madhe për Kosovën.
Deri më tani marrëdhëniet mes Kosovës dhe Italisë kanë qenë të mira dhe nuk ka pasur ndonjë çështje që ka mbetur gjatë pa u zgjidhur mes dy vendeve. Për sa i përket bashkëpunimit politik, ekonomik, e kulturor, mendoj se ka qenë nën kapacitetet e asaj që këto dy vende mund t’i ofronin njëra tjetrës.
Diaspora ka pasur dhe vazhdon te ketë një peshë të rëndësishme ne ekuilibrat shoqërore dhe ekonomike në Kosovë, sidomos ajo me vendndodhje në Europën Veriore. Së fundmi edhe në Itali ka pasur disa sinjale aktivizimi si për shembull çelja e Qendrës Italiane të LVV. Cfarë mund të thuhet për diasporën Kosovare në Itali?
Italia nuk përbën destinacion kyç per shqiptarët e Kosovës, siç është për shqiptarët e Shqipërisë. Megjithatë është vështirë të bëhet kjo ndarje kur flasim për Diasporën, sepse ajo më shumë shihet, dhe në fakt shpeshherë është, si Diasporë shqiptare (si e Kosovës ashtu edhe Shqipërise, dhe e shqiptarëve nga vendet e tjera).
Sa i përket Diasporës shqitpare në Itali, deri më tani nuk ka pasur ndonjë organizim strukturor më përfshirje të gjerë. Diaspora shqiptare në Itali funksionon më shumë në grupime të vogla studentore në njërën anë, dhe ato biznesore e familjare në anën tjetër. Mendoj se përpjekjet e reja të Lëvizjes Vetëvendosje për ta krijuar një qendër të saj në Itali janë të qëlluara. Nuk besoj qe ka ndonje organizatë politike mes shqiptarësh si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, që është më e besueshme ta bëjë një gjë të tillë se sa Lëvizje Vetëvendosje. Kjo rrjedh pikërisht nga vetë qendrimet dhe konceptimet politike të kësaj Lëvizje mbi kombin shqiptar – pra, edhe me mos-pajtimet që ekzistojnë, është Lëvizja e vetme që hapur ka tentuar te mos bëjë dallime mes shqiptarëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, e të tjerëve në Ballkan. Kështu që përpjekjen e kësaj Lëvizje për hapjen e qendrës se saj në Itali e shoh si lëvizje të natyrshme të saj. Mirëpo, hapja e një qendre të tillë do të ishte vetëm fillimi.
Shumë do të varet nga hapat që një qendër e tillë do t’i ndërmerrte ne lidhjet, si politike, ashtu edhe ekonomike e politike të shqiptarëve me Italinë por edhe të shqiptarëve mes njëri tjetrit. Kjo mbase edhe kërkon shumë punë për ta bëre. Shumë do të varet edhe nga pozita politike e kësaj Lëvizje, sidomos në Kosovë, por edhe në Shqipëri – meqë tashmë ka edhe një qendër aty.
Ju Z.Kursani jeni gjithashtu nje njohës i mire i fenomenit të radikalizimit fetar, foreign fightersave dhe ekstremizmit të dhunshëm në hapsirën shqiptare dhe në Ballkanin perëndimor. Në ç’masë ka qenë e rrezikuar shoqëria mbarëshqiptare nga ky fenomen dhe a vazhdon te jete aktual ky kërcënim?
Këtë dua të përgjigjem shkurt, duke thënë që ajo që lexohet nga mediat vendore e ndërkombëtare për “radikalizmin fetar” të shqiptarëve apo të popujve të tjerë të Ballkanit është një realitet virtual që nuk ekziston. Këtë e bazoj edhe në punën time disa vjeçare në terren, por edhe në studimet e bëra për këtë aspekt, e që janë publike. Persona që janë fetarisht të radikalizuar, edhe pse ekzistojnë, numri i tyre mbetet tej mase i vogël. Biles, bëj thirrje që studimet e radhës të përqëndohen se pse shqiptarët jane kaq pak të radikalizuar, fetarisht apo jo-fetarisht, se sa anasjelltas.
Ideja e shkëmbimit territorial ka krijuar pasoja si në Kosovë dhe në Shqipëri. A mendoni se ky opsion ka perënduar përfundimisht? Dhe nëse jo a mendoni se ekziston nje lidhje realistike mes shkëmbimit territorial dhe bashkimit Shqipëri-Kosovë?
Ideja si e tillë nuk besoj që ka vdekur. Edhe pse ka pasur shumë ndryshime në elitën politike të Serbisë, që nga rënia e Millosheviçit, mund të them që sa i përket Kosovës, qënrdimet e Serbisë janë pothuajse të njejta.
Nuk shoh ndryshime të ambicjeve të Serbisë për ta kthyer gjithë Kosovën apo një pjesë të territorit të saj, sërish nën kontroll. Kjo nuk po ndodh aktualisht, jo sepse Serbia ka ndryshuar, por për shkak të rrethanave momentale ndërkombëtare dhe rajonale.
Fatkeqesisht, kemi Presidentin momental të Kosovës, Hashim Thaçin, i cili, besoj për të fituar vëmendje dhe për të zgjuar interes ndërkombetar në të si person, ngriti idenë e ndryshimit të territoreve më Serbinë – gjoja për të siguruar njohjen e Kosovës. Nëse do të ndodhë copëtimi i Kosovës, varet shumë edhe nga qëndrimet e ardhshme të strukturave politike në Kosovë. Nëse ato do të kenë dorë të lirë për dhënien e territorit në këmbim të njohjes, mendoj që edhe aktorët kyç të komunitetit ndërkombëtar (që momentalisht janë kundër kësaj ideje), mund ta ndryshojnë qëndrimin. Kështu që nëse në Kosovë kemi në pushtet akrobatë si Presidenti aktual, Hashim Thaçi, një gjë e tillë edhe mund të ndodhë. Por momentalisht duket e vështirë. Rezistenca e brendshme dhe e jashtme nga perspektiva e Kosovës vazhdon të jetë e madhe kundër kësaj ideje.
Si i gjykoni përpjekjet për integrimin e strukturave politike dhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës?
Si të vona. Ashtu siç janë të vona përpjekjet për integrimin e këtyre strukturave të Shqipërisë dhe Kosovës me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Nuk shoh arsye as parimore e as politike që të kundërshtohet integrimi i strukturave politike e ekonomike mes dy shteteve të pavarura – cilado qofshin ato. Gjithmonë e them që ky integrim ka sens në qoftë se bëhet me qëllim të përmirësimit të mirëqenies dhe jetës së qytetarëve pa i bërë dëm popujve tjerë.
Cili është mendimi juaj për Gjykatën speciale, tarifen doganore, dhe peshën që kanë këto për zhbllokimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës?
Po filloj me Gjykatën Speciale. Gjykata Spciale u krijua për t’i gjykuar krimet e luftës që ka mundur t’i kryejnë pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullatës civile serbe dhe shqiptare në Kosovë.
Është e domosdoshme që krimet krimet e luftës të hetohen në secilin konflikt, dhe drejtësia të veprojë mbi të gjithë ata që kanë kryer krime. Megjithatë unë i kam tre probleme me këtë Gjykate.
E para, kjo Gjykatë është krijuar për të hetuar vetëm njërën palë në konflikt, dhe jo palën tjetër – pra Serbinë. Mund të thuhet se Serbia, për dallim nga Kosova, ka arritur të gjykojë disa nga kriminelët e saj të luftës. Kjo është sa e vërtetë aq edhe qesharake. Dënimet që Serbia ka shqiptuar për kriminelët e saj të luftës sillen mesatarisht nga 1 deri në 2 vite burgim, dhe shpeshherë i liron nga burgu para kohe ata që kanë kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë.
E dyta, krimet e luftës në Kosovë nga UÇK-ja, apo të tjerët, kanë qenë sferë ekskluzive e mekanizmave tjerë ndërkombetar, duke filluar nga UNMIK-u nga viti 1999-2008, pastaj EULEX-im nga viti 2008 e deri më sot, pastaj edhe Gjykata në Hagë për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi. Nëse këto mekanizma ndërkombëtarë deri më tani kanë dështuar të gjykojne krimet e luftës, më mbeten pak shpresa që tashmë kjo Gjykatë e re ta bëjë.
E treta, dhe si rrjedhojë e dy pikave të mësipërme, mua më më duket se kjo Gjykatë do të përdoret më shumë për shantazhimin e disa politikanëve, ish-komandantëve të UÇK-së, në Kosovë, se sa për të sjellë drejtësi. Mbes me shpresën më të madhe që të del të jem gabim.
Sa i përlet tarifës doganore që Kosova i ka vendosur Serbisë, nuk mendoj që do ta sjellë njohjen nga Serbia, sepse njohja e Kosovës çon peshë në Serbi shumë më shumë se sa ulja e tarifës doganore. Megjithatë mendoj se tarifa doganore ka arritur që ta vendosë Kosovën nga pozicioni i vazhdueshëm në mbrojtje që kishte në negociatat me Serbinë per 10 vite, ne një pozicion më sulmues ne shtrimin e kërkesave më konkrete ndaj Serbisë.
Për 10 vite negociata në fakt nuk është arritur asgjë konkrete, sa i përket Kosovës. Përderisa negociatat zhvilloheshin për gjoja arritjen e njohjes nga ana e Serbisë, kjo e fundit në vazhdimsi zhvillonte fushatë ndërkombëtare për çnohjen e Kosovës nga shtetet e tjera. Prandaj negociatat dukeshin se nuk ishin të sinqerta, dhe në fakt nuk sillnin ndryshime konkrete në terren. Vendosja e tarifës mbase edhe mund të thuhet se i pezulloi këto negociata tashmë për një vit nga edhe kur u vendos kjo tarifë. Entuziastët e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë janë të qëndrimit që kjo tarifë të hiqet nga ana e Kosovës në menyrë që të vazhdojnë negociatat.
Mirëpo, politikisht, ky qëndrim nuk bazohet në ndonjë parim të përgjithshëm, përpos në parimin e zbehtë që negociatat duhet të vazhdojnë, kaq. Por pa ndonjë pritje apo qëndrimi konkret politik. Në parim nuk besoj që kjo tarifë duhet të hiqet, kjo për shkak se nuk ka ndonjë ndryshim të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës. A ka ndonjë humbje për Kosovën nëse vazhdon ta mbajë këtë taksë? Jo, dhe me një gjë të tillë do të pajtoheshte edhe Serbia, e edhe entuziastët e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.