Në paraqitjen e saj fizike: një vajzë e re, me sy të kaltër, elegante, e karakterizuar nga një buzëqeshje e ëmbël e fisnike.
Në pamje të parë: një vajzë e brishtë, delikate, por që, mjafton ta shohësh të ulur pranë instrumentit muzikor me të cilin ajo, që në vogëli tashmë, ka ndërtuar një miqësi të pandarë, pianos që kjo vajzë elegante të kthehet në një fuqi të padiskutueshme, në një forcë natyre, që me tingujt, të cilët shpërndahen në atmosferë nga lëvizja energjike e me mjeshtëri e gishtërinjve të saj mbi tastierë, në mënyrë krejt të personalizuar e vetjake ashtu siç vetëm Ardita di të interpretojë mundësojnë atë që, publiku të mahnitet nga interpretimet e saj të shkëlqyer e tepër dinjitozë!
Në komunikim të parë me të, ajo që nuk ka sesi mos të të tërheqë vëmendjen: mënyra e saj e sjellshme, e thjeshtë dhe e edukuar e komunikimit e veçanërisht, diçka që sfidon shumë bashkëmoshatarë të saj brenda apo jashtë Shqipërisë njohja, përdorimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe, në mënyrë të saktë, të paprekur nga ndikimet e gjuhëve të huaja, me të cilat kjo vajzë, që në moshë adoleshenciale ka komunikuar, për shkak të transferimeve të ndryshme të saj për arsye studimi!
Ajo është Ardita Statovci, një pianiste shqiptare, lindur në Prishtinë, Kosovë. Pas mësimeve të para për piano në Prishtinë, që në moshën 15 vjeçare pranohet në universitetin ‘Mozarteum’ në Salzburg të Austrisë, në të cilin përfundon studimet me rezultate maksimale. Studimet e saj vijojnë në Indiana University, Bloomington, U.
S.
A dhe në Akademinë Pianistike në Imola, Itali, ku ndjek studimet pasuniversitare.
Një pianiste e re me rezultate të shkëlqyera në karrierën e saj artistike, tashmë e njohur në skenën botërore, ku ka interpretuar krahas artistësh, instrumentistë apo dirigjentë orkestrash të shquar të kalibrit ndërkombëtar karrierë ajo e saj e pasuruar nga një sërë çmimesh, bursash e kritikash veçse pozitive nga shtypi mbarë botëror.
Përshëndetje Ardita, mirësevjen në Albania News.
Përshëndetje, mirë se ju gjeta, ju falemnderit shumë për ftesën!
Mund t’i bëjmë të ditur lexuesve tanë, Ardita, nga cili shtet je duke komunikuar me ne, në këto çaste?
Në këto çaste, jam duke udhëtuar nga Italia për në Austri dhe ndërkohë, me qetësi e përqendrim, jam duke punuar përgjigjet për këtë intervistë.
Nga je, cila është kombësia jote?
Jam shqiptare, qyteti im i lindjes është Prishtina dhe aty kam jetuar deri në moshën 15 vjeçare, ndërsa më pas shkova në Austri, respektivisht në Salzburg, apo siç e quajnë ndryshe “Qyteti i Mozart-it” për të studiuar.
Ç’vend zë Kosova në zemrën tënde? Shkon shpesh në vendlindje?
Kosova është dhe mbetet vendlindja ime. Vendi ku kam kaluar fëmijërinë, aty ku jam shkolluar, aty ku kam filluar pianon. Vendi që më ka dhënë një bazë të fortë për të krijuar karakterin njerëzor, vendi që më ka dhënë dashuri, që më ka mësuar për të mos u lëkundur dhe për tejkaluar vështirësitë që mund të paraqiten.
Vendi ku kam fituar shprehinë e punës, energjinë dhe vullnetin për të mësuar dhe për të zhvilluar në vazhdimësi njohuritë. Patjetër e vizitoj rregullisht, si me koncerte, por edhe thjesht për dëshirë.
Kur lindi pasioni yt për pianon, a bën pjesë në familje arti?
Ne e kishim pianon në shtëpi, meqë prindërit dhe motrat luanin në piano (në kohën e lirë). Që të gjithë në familje merren me shkencë nga fusha të ndryshme, por janë adhurues të mëdhenj të artit.
Kurse piano ishte aty pra, kam përshtypjen që, gjithmonë e kam konsideruar si pjesë përkatëse, si pjesë timen. Kjo ndjenjë ishte, dhe vazhdon të jetë, fare e natyrshme.
Në moshën 15 vjeçare largohesh nga vendlindja e vendosesh në Austri. Në moshë të re, në vend të huaj, kur vendosje përballë: pasionin për pianon dhe vështirësitë e para në tokë të huaj, cili nga ata e fitonte këtë ‘duel’? Reagimi yt?
Sot, nga këndvështrimi i Arditës së rritur e shoh ndryshe, por atë periudhë, ajo që me shqetësonte ditë e natë dhe si pasion i madh e që lidhej me shumë sakrificë ishte muzika, ishte piano, përparimi, studimi i repertorit, studimi i historisë së veprave, analizës muzikore, filozofisë, psikologjisë muzikore etj.., pra ishin gjithë këto gjëra që më rrëmbenin përqendrimin dhe koha kaloi pa u vërejtur, fluturimthi.
Pra, nuk kisha kohë të mendoja nëse isha 15 vjeç, ose nëse isha larg familjes, meqë objektivi kryesor – pianoja, ishte parësor dhe vullneti për të arritur këtë, ishte i madh, pa mbarim.
Por, ajo që nevojitej pa kursim në këtë rrugë, ishte puna e madhe e në shtëpi, prindërit, na kishin mësuar se: “Me punë arrihet çdo gjë!”pra, kjo ishte ajo rregulla e artë dhe pikënisja për gjithçka.
D.m.th, talenti dhe studimi i disiplinuar: një binom parësor për Arditën..
Pikërisht.
Talenti, pa disiplinën nuk mund të ekzistojë, meqë nuk mund të zhvillohet, nuk mund të shndërrohet, si ajo gonxhja delikate, në një trëndafil me hijeshi.
Vetë akti i të luajturit piano është një akt fizik dhe atletik (përveç intelektit dhe anës emocionale). Pra, nevojitet studim i përditshëm me orë të tëra. Vetëm kështu mund të ekzistosh si instrumentist.
Ke dhënë koncerte së fundmi në Kosovë? Po në Shqipëri? A ke qenë ndonjëherë në Shqipëri, qoftë edhe si turiste?
Në Kosovë kam koncertuar vitin e kaluar, kurse në Tiranë koncertova për herë të parë në prill 2013 si soliste me Orkestrën e RTSH-së.
Ishte një përvojë shumë e bukur dhe jam pritur ngrohtësisht.
Kompozitori yt i preferuar?
Ka shumë dhe secili mbart veçantinë e tij. Bukuria në veprat e tyre paraqitet në forma të ndryshme dhe mendoj që, secili të bën për vete me diçka të veçantë, përfshirë këtu edhe kompozitorët nga trojet shqiptare.
Ti vetë, ke studiuar kompozicion? Ke kompozuar ndonjë pjesë apo je vetëm interpretuese?
Në rradhë të parë jam interpretuese, ndërsa gjatë studimit në Universitetin “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë, kishim edhe lëndën “Harmoni”, për të cilën duhej që të kompozonim vetë.
Po, kam kompozuar disa pjesë.
Një koncert që të ka mbetur në zemër deri sot..
Çdo koncert ka po ashtu një veçanti të tijën. Nuk mund t’i ndaj dot, secili përjetim është i bukur në vetvehte, secili të dhuron një emocion të ndryshëm.
Ç’këshillë do t’u jepje të rinjve pianistë, që sapo përfundojnë studimet në këtë degë e fillojnë rrugëtimin e mirëfilltë profesional të artit?
Për të ekzistuar si instrumentist profesionist, nevojitet një dashuri e pakushtëzuar ndaj muzikës, si edhe disiplinës për punë, por edhe sakrificë ndaj dëshirave vetjake. Vetëm kur njeriu është i pajisur me këto karakteristika, mund të sfidohen vështirësitë e fushës së artit, mendoj.
Lejomë të të shpreh befasimin tim në komunikimin me ty përveç mirësjelljes e simpatisë edhe në një fakt tjetër: në përdorimin e saktë nga ana jote të gjuhës shqipe. Kjo dukuri në rastin tënd kujt i detyrohet?
Faleminderit shumë për komplimentin.
Ndërkohë që kam jetuar gjatë nëpër vende të ndryshme, kam mësuar edhe disa gjuhë të tjera, por gjuha shqipe mbetet gjuha ime e parë dhe kësaj i kushtoj shumë rëndësi.
Në Prishtinë, në shkollën fillore kishim një mësuese, e cila është njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe Seniha Vokshi dhe që në fillim, mendoj që pata fatin e mirë të fitoj bazën e drejtë. Ndërsa si fëmijë, edhe sot, lexoj vazhdimisht dhe mundohem që në asnjë mënyrë të mos e mënjanoj gjuhën, por ta pasuroj dhe zgjeroj fjalorin edhe më tutje.
Unë mendoj që, nëse nuk e njeh mirë gjuhën tënde, nuk mund të jesh njohës i mirë as i gjuhëve të huaja..
”Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë, sa e dlirë, sa e bukur, sa e vlerë!..” thoshte Frashëri.
Ke studiuar dhe në Imola, Itali, nuk është kështu? Cilat qytete të tjerë të Italisë ke vizituar? Ç’të pëlqen më tepër nga Italia?
Në Imola ndodhet Akademia Pianistike e njohur dhe studimin aty e konsideroj si një përvojë shumë të vlefshme dhe të çmuar në jetën time. Kam vizituar disa qytete të Italisë dhe ajo që më bën përshtypje, është arkitektura, jo vetëm në Romën e mrekullueshme, por edhe në vendet e vockla. Çdo herë më frymëzon dhe me tërheq. Mendoj që arkitektura italiane është unike.
Koncerte të planifikuar së shpejti? Plane profesionale për të ardhmen?
Sapo mbarova një turne koncertesh në Gjermani, ndërsa tani së shpejti fillon një turne tjetër në Austri, pastaj prapë në Gjermani e kështu me rradhë..
Suksese të mëtejshme, Ardita, në karrierën tënde të shkëlqyer.
Jemi të gjithë krenarë për ty!
Ju falënderoj shumë për përgëzimet dhe fjalët e mira, të cilat më detyrojnë të përkushtohem edhe më tepër përpara punës.
Ju dëshiroj po ashtu, gjithë të mirat në Albania News dhe faleminderit shumë për intervistën!
Gjithë të mirat!
Për më shumë, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të Arditës