Rrugës për në Korçë, për tà ndjekur inagurimin e Muzeut të fotografit të shquar Gjon Mili, ndodhem në makinë me dy fotografë; Njëra eshte mike e vjetër, Rozafa Shpuza, dhe tjetri njohur virtualisht, Osman Demiri. Natyrisht, biseda mori rrjedhën e artit të fotografisë dhe më pas, në mbyllje të ditës, mbas kënaqësisë dhe krenarisë që provova në sallat e muzeut dedikuar një nga 10 fotografët më të mirë të botës, Gjon Milit, kureshtja më shtyu të shfletoj albumet e fotografive të panumërta të Osman Demirit.
Ndersa shfletoja, ndjeva qe nder duar po kalonin vepra te nje artisti te mirefillte. Harmonia e ngjyrave, format, konceptimi I tyre, me lejuan t’i jipja nje emer stilit te tij: fotografi konceptuale bashkekohore. Osman Demiri, eshte artist me origjine nga Kumanova, por qe jeton prej shume vitesh ne qytetin e vjeter te Gostivarit ne Maqedoni. Qytet, ku shqiptaret perbejne 47,12% te popullsise se qytetit. Artisti i qaset botes se artit si gazetar, krijues I letrave edhe si fotograf. Kjo e fundit, i rremben shpirtin, mendjen dhe e shoqeron perdore ne çdo skute qe te eksploroje akoma me thelle boten, e ti dedikohet profesionit te fotografit. Puna e palodhur, vendosmeria dhe talenti japin frytet e saja shume shpejt: Drejtor i fotografise se shume filmave, regjizor i disa filmave, kryetar I Shoqates se Artisteve Figurative ne Maqedoni ( DRAUDACUM), koordinator dhe lektor I shkolles se Fotografise ne Universitetin e Tetoves, dhe se fundi Drejtor i Galerise private se Arteve “Kult”, ne Gostivar.
Autor i mbi 30 ekspozitave private ne Maqedoni, Shqiperi, Serbi, SHBA, Itali, Gjermani, Slloveni, TURQI, Austri, Belgjike, si dhe mbi 60 ekspozita kolektive ne Maqedoni dhe jashte saj.
Ishte e paevitueshme deshira per ta sjelle tek faqja e Albania News-it.
Nje tjeter aresye qe me shtyu, ishte dhe lidhja e tij me Italine. Artisti fotograf specializohet ne shkollen private te Fotografise “John Kaverdash School”, ne Milano, dhe ne vitin 2002 vjen po ne kete qytet metropolitan, aty ku arti bashkekohor shpaloset me te gjithe shkelqimin e tij, per te paraqitur nje ekspozite te pasur me punime vetjake, prane Muzeut te Giudizio-s, si dhe ne Muzeun e qytetit te Milanos.

Më poshtë
Intervista me Osman Demirin
1- Aventura në këtë botë është e lidhur gjithmone në tre elementë: sociologjia, teknologjia dhe estetika. Si ndërthuren tek fotografia juaj këta tre elementë? Cila ka përparësi dhe si merr rrugë?
Personalisht kur flas per fotografinë, aspak nuk e quaj si aventurë, sepse ajo për mua është frymëmarrje. Dhe mu për këtë po më pëlqen lidhja me këto tre elemente që I përmendët, të cilat janë boshti, sidomos për një fotograf, apo artist në përgjithsi.
Ështe shpirti, rrethi ose shoqëria së bashku me teknologjinë dhe dukja apo prezenca estetike e asaj që e punojmë. Ky është trekëndëshi, i cili po nuk u mbyll me cdo gjë, mbetet hapur dhe i papërfunduar. Pasataj vijnë përparësitë, të cilat normalisht që ekzistojnë në momente të caktuara, varësisht nga gjendja shpirtërore dhe ekonomike e artistit. Ndonjëherë njëra udhëheq apo tërheq tjetrën. Konkretisht në fotografinë time këto tre elemente janë të pandara. Ka momente kur bëj fotografi I frymëzuar nga momente që vijnë nga jashtë, por kryesisht kur fotografoj, nxjerr atë që e kam brënda dhe dua që sado pak të kontribuoj, dhe jo rrallë tentoj të udhëheq me situatën.
2- Çfarë arrini të përktheni nëpërmjet shkrepjeve fotografike?
Jam nga fotografët që nuk vrapoj pas vendeve dhe momenteve ekzotike, të cilat mundohen t’na i tregojnë të gjithë. Dua që cfarëdo që të fotografoj, t’I jap shpirt dhe ta bëj atraktive. Mundohem t’I paraqes gjërat e vogla dhe të margjinalizuara, ato që nuk I vëren askush. Nuk kam qejf që në ora 12 të bërtas: Ja ku është dielli, sepse atëherë të gjithë e shohin. Hulumtoj momentet e turbullta dhe të padefinuara, që sadopak tu jap kahjen time. Kur arrij që sadopak shikuesi ta ndjej momentin e shkrepjes sime, atëherë jam i sigurtë se do e kuptojnë se në cfarë gjendje shpirtërorë gjendem unë dhe shoqëria përreth, gjegjësisht ata që botën e kuptojnë si unë.
3 A ngatërrohet fotografia me artet pamore? Ekziston një injorancë përreth fotografisë? Nëse po, përse?
Fotografia qysh në startin e saj kishte “problem” me piktorët. Në fillim u prit si një rrezik I madh për ata dhe në përgjithsi për artin, dhe më tepër u quajt si zanat se sa si art, por dalengadale ajo zuri vendin e duhur dhe meritor. Tani lirisht mund të themi se fotografia është alfabeti pa të cilin nuk do të kishte komunikim visual mes mediumesh. Injorancë normal që ka, ajo gjithmonë është prezent, është si një gojë e hapur e një përbindeshi, çdoherë e gatshme të përbijë pamëshirshëm. Mirëpo deri na aspektin amator ajo mund të falet, derisa të kalojë në atë professional. Vete fjala Fotografi do të thotë shkrim me dritë. Pra, ata që e njohin dritën dijnë edhe ta përdorin dhe të shkruajnë me të. Mirëpo puna është se a mjafton që vetëm të dish shkrim lexim që të bëhesh shkrimtarë i mirë. Kështu është puna edhe me fotgrafinë, vetëm ata që merren seriozisht me te, mund të shkojnë përpara. Dua të them se nuk mjafton që të kesh një aparat fotografik, pa marre parasysh se sa kushton dhe sa është i përsosur.Faktori njeri është ai që kryen punën.
4-Ju jeni mjeshtër i formës dhe i ngjyrës. Çfare force kanë objektet në fotografinë tuaj dhe si I transformoni?
Nëse keni vërejtur mirë fotografitë e mia, absolutisht është i parëndësishëm objekti, të cilit i qasem. Nuk i jap rëndësi asaj se cfarë fotografoj, por asaj se si do ta prezentoj ate. Objektet, apo më mirë thënë detajet të cilëve u qasem, janë vetëm një pikënisje drejt asaj se cfarë dua të them. Qëllimi im është që të nxjerr jashtë atë që mbaj brenda me ndihmën e këtyre detajeve, Dy dimensionet e fotografisë janë një pikënisje e asaj që ajo përmban në vete. Dimensionin e tretë I cili nuk duket vizualisht, duhet ta japë fotografi, e në të shumtën e rasteve edhe vete shikuesi.

Persa i përket ngjyrave, shpeshherë dëgjoj të thuhet se fotografia bardh e zi është më artistike, gjë me të cilën unë nuk jam pajtuar kurrë. Është mëkat i madh që në fotografi mos shfrytëzohet spekri i miliona nuancave. Unë “luaj” shumë me ngjyrat. I përdor ato për të treguar se nuk ekziston një formulë e përdorjes së tyre, sic jemi mësuar të degjojmë se kjo ngjyrë nuk shkon me këtë tjetrën. Mjafton që ti kombinosh bukur në situata të ndryshme, ashtu sikur njerëzit dhe problemet. Nuk ka problem apo situatë, e cila nuk ka zgjidhje, mjafton vullneti i mirë dhe qasje positive. Nëse e rrumbullaksojmë me pak fjalë, në jetë forca e cila zgjidh të gjitha problemet është vullneti I mirë dhe energjia positive.
5-Cfarë kuptimi ka tek ju fjala esenciale?
Për mua esenca e jetës është të dish cka kërkon, që mos shëndrrohesh në një kalimtar rasti në këtë botë. Duhet që secili prej nesh të lejë gjurmë të dukshme në jetë, secili në profesionin e tij. Mendoj që arti është fusha më e mirë për tu realizuar kjo që thashe. Këtë botë njerëzimi e gjeti të virgjër, ndaj sejcili duhet munduar që me pranine dhe me punën e tij, nëse nuk mund të ndërtoj dicka të mirë, madje të mundohet që atë te mos ta prishi. Ndersa, persa i përket fotografisë, gjegjësisht artit të fotografisë, ajo nënkupton punë intelektuale, dhe jo cdoherë është punë që relakson, ajo kërkon dituri dhe përkushtim, kërkon disciplinë, vetëkritikë, fantazi, bisedë me vetveten deri sa mos të vij në dukje ajo që kërkojmë, ajo esencialja, ajo që zgjon interes, emocion, porosi etj.
6- Cili ështe roli i kulturës në fotografi?
Kultura është boshti kurrizor i njerëzimit, ajo që na bën të dallohemi prej gjitha krijesave te tjera. Kultura është ajo që kudo që të lëvizësh e ke me vete, ajo që të paraqet, të dallon nga tjerët. Mirëpo, cili është roli I fotgrafisë në kulturë? E ceka më lartë se fotgrafia tani është alfabet pa të cilin nuk do të kishte funksionuar komunikimi modern. Dinamika e sotme nuk duron që ky komunikim të jet i gjatë, dhe si e porositur nga natyra ka ardhur fotografia, apo komunikimi përmes saj. Mendoj se imazhi është e vetmja forcë që ta mbyll gojën me heshtje, domethënë vetëm me pranine e saj. Është akt i kryer, dëshmi e plotfuqishme, kurse nga ana tjetër mundësi krijuese, mundësi e shprehjes së lirë.
7- Ju kujtohet momenti kur keni shkrepur fotografinë e parë?
Të jem i sinqertë, nuk më kujtohet shkrepja e parë, sepse kam shkrepur edhe si i vogel. Por ajo që më kujtohet mire, është kontakti i parë me një aparat fotografik, i cili ishte dhuratë nga vëllau im, që ishte vetëm i imi. Kam qenë në moshën 14 vjecare dhe momenti që e kapa në dorë e dija se kjo do të jetë bota ime. Prej atëherë unë dhe fotografia jemi shokë të pandashëm. Kam ndjekur kurse dhe shkolla të ndryshme që atëherë. Edhe pse kam pasur sfida të ndryshme në jetë, fotografia është ajo që më ka mbështetur shpirtërisht në këmbë.

8- Sa disiplinë duhet për t’i thënë vetes artist?
Jo rastësisht thuhet se arti është i lidhur ngusht me shpirtin, andaj kur flasim për të është njësoj sikur flasim për shpirtin tonë. Tani me zhvillimin e teknologjisë bota është shumë e vogël për ta njohur sa asnjeherë tjetër, mirëpo edhe shumë e madhe për ta gjetur veten si artist, sepse “nuk ka ç’ka nuk ka”.E vetmja gjë që mund të bëjmë është të mundohemi të jemi sa më origjinale, të mos mundohemi të bëhemi ata që nuk jemi, të japim sa më tepër nga vetvetja dhe nga rrethi më i ngushte i yni. Arti është edhe pasqyrë e jetës së përditshme, por vetëm kur kalon dhe pasqyrohet përmes shpirtit të artistit. Shpesh degjojmë të thuhet se në art nuk ka rregulla, rregulla ka, por guxojnë ti thyejnë vetëm ata që i njohin mirë.
9- Si paraqitet sot arti fotografik ndër trevat shqiptare? Ekzistojnë probleme?
Mos na lashtë zoti pa probleme, sepse ato i japin qëllim jetës. Duhet që cfarëdo problemi apo sfide që të kemi para vetes ta vemë në funksion të ecjes përpara. Kjo ndodh edhe me fotografinë. Ne si shqiptarë duhet të krenohemi që fotografia ka qene e pranishme qysh në hapat e para të saj. Kemi patur mjeshtër të vjetër të fotografisë, pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, por për fat të keq nga mungesa e shkollimit adekuat ajo filloi të zbehet. Tani kemi djem dhe vajza të reja që janë në hap me kohën, me erën e fotografisë dhe shpresoj se koha e humbur gjatë periudhës komuniste do të kompensohet. Epoka digjitale i mundëson që secili ta provojë veten në këtë lëmi, sepse kurre nuk i dihet se cka fshihet në ne. Për mua, problem kyc është leximi i fotografisë, apo i asaj që shkruajmë me dritë. Duhet të dijmë t’I lexojmë fotografitë e tjerëve për të arritur t’i bëjmë ato vet.

10- Përse një fotograf pranon të intervistohet,mos fjala i shton diçka asaj që ju komunikoni me fotografinë?
Njeri nga fotografët e njohur, ka thënë : “Sikur të dija të flisja bukur, nuk do të merresha me fotografi”, që don te thotë se atë që nuk është në gjendje ta thotë me gojë e bën përmes imazhit, dhe mendoj se sa më pak të flasish për një vepër artistike, aq më virgjine mbetet ajo. Shpesh herë edhe vet autori gjatë sqarimeve i jep kahje të gabuara shikuesit dhe nuk e len atë ta përjetoje në mënyrën e vet. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti, artisti ndonjëherë ndjen nevojë që të flas me dikend, të jap sqarime dhe mendime të tija. Sidoqoftë, mendoj që komunikimi përmes fotografisë është më i mirë dhe më i saktë!
11- Dhe së fundi, ëndrra jua ende në sirtar?
Nuk e njoh veten si ndonjë ëndërrimtar të madh, sepse cdoherë jam munduar që aftësitë ti harmonizoj me mundësitë e mia. Ëndërra ime është të shoh një plejadë të mirëfilltë fotografësh, një mundësi të shprehjes së lirë, të shëndoshë dhe të pa çensuruar dhe vetçensuruar. Një mundësi morale dhe financiare për të rinjtë, të cilët cdo ditë po na ikin nga vendi, në kërkim të mundësive të reja. Është një mëkat i madh që i gjithë ky potencial krijues të shpërndahet nëpër botë për arsye banale.
Këtu ndërlidhet edhe hapja e galerisë KULT, të cilën e udhëheq per 9 vjet me radhë. Ideja e hapjes së saj ishte pikërisht ky fakt, që t’ju ofrojmë artistëve një hapësire ekspozimi, sepse qaleritë nacionale me dekada jane të okupuara nga politika dhe klane të ndryshme. Ne në Gostivar kemi filluar me ekspozita nëpër kafeiteri dhe lokale të ndryshme, sepse vepra e artit vetëm kur varet në gozhdën e vet e fiton buzeqeshjen e saj. Kemi hapur qindra ekspozita personale dhe kolektive.
Në Galerinë Kult, janë mbajtur shume ekspzoita të autorëve të njohur, si piktore, skulptorë, fotgrafë, grafistë etj, nga vendi dhe jashtë Nuk është aspak lehtë të mbahet një galeri privatë sepse nuk ka fonde.
Deri tani kemi bashkepunuar me vete artistët për ti realizuar ato. tash e tutje do të shohim se si do të rrjedhin gjërat. Sidoqoftë, një galeri arti i bën mirë qytetit. Të jesh drejtor I një galerie private këtu në Maqedoni, është një telash, plus në biografinë tende, mirëpo njëkohësisht edhe një kënaqësi e madhe, me vet faktin që mundesh qe qytetarëve t’u ofrosh që të përcjellin për së afermi rrjedhën e artit dhe zhvillimet e reja në kulturë.
Ndiqni faqen KULT në Facebook
Për të mos humbur artikujt publikuar nga Albania News na ndiqni në Google News