Për konkurentet shqiptare, i ngjashëm përfundimi i këtyre nismave me protagoniste ‘bukurinë’.
I ngjashëm, zhgënjimi i tyre, ndonëse të ndryshëm, shkaqet.
Duket se bukuria e këtyre vajzave shqiptare – qoftë për një arsye, qoftë për një tjetër – nuk shkon në përpjesëtim të drejtë me intensitetin e pjesëmarrjes në aktin përfundimtar të kurorëzimit të bukurisë: në konkurset, sidomos ato ndërkombëtare!
Që vajzat e bukura shqiptare, ato të cilat do të merrnin pjesë në konkursin e bukurisë Miss Universe 2013 në Moskë që do të organizohet në muajin nëntor, do të linin mënjanë një ëndërr të tyren, ëndërr që u copëtua përpara se të niste, ky lajm – mëse e kuptueshme – u prit me indinjim nga publiku shqiptar, nga dashamirësit e Shqipërisë e Kosovës dhe nga gjithkush shkon përtej këndvështrimit, i cili ishte parësor për të vulosur këtë vendim.
Ky event që do të organizohet në Moskë, në fillim të muajit nëntor, përjashtoi nga gara përfaqësuesen e Kosovës, Mirjeta Shala, për shkaqe të thella, që shkojnë përtej kufijve e kritereve që zakonisht vendos ‘bukuria’ në vetvehte në një konkurs të tillë, për shkakun se Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Natyrisht, për solidaritet ndaj ‘motrës’, edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Fioralba Dizdari u tërhoq nga kjo garë bukurie.
Si për shaka të fatit – ndonëse për ndryshim të shkakut – ky është i njëjti mos realizim që ndjek edhe përfaqësuesen e Shqipërisë, Miss Earth Albania 2013, Natalia Stamuli.
Edhe Natalia, Miss Earth Albania 2013, nuk mundet të marrë pjesë në konkursin Miss Earth International 2013, që do të organizohet në muajin dhjetor në Filipine, për të konkuruar për kurorën botërore me vajzat fituese të shteteve përkatëse, për një shkak tjetër: moshën e saj të re, ose më mirë për faktin se konkursi zhvillohet një muaj përpara se ajo të arrijë moshën madhore, 18 vjeçare.
Edhe Natalia, Miss Earth Albania 2013, nuk mundet të marrë pjesë në konkursin Miss Earth International 2013, që do të organizohet në muajin dhjetor në Filipine, për të konkuruar për kurorën botërore me vajzat fituese të shteteve përkatëse, për një shkak tjetër: moshën e saj të re, ose më mirë për faktin se konkursi zhvillohet një muaj përpara se ajo të arrijë moshën madhore, 18 vjeçare.
Rast analog, ai i Miss Universe Albania 2013, Kristina Bakiu, e cila për arsye të moshës së papërshtatshme, do të zëvendësohej në garën ndërkombëtare në Rusi, nga Fioralba Dizdari ( edhe pse, kjo e fundit, dimë që për arsyet e lart përmendura, nuk mundi të marrë pjesë.)
Duhet kryer faktikisht një punë gjithëpërfshirëse – fatkeqësisht, duhet pohuar se kjo, jo gjithnjë është e realizueshme – e me vëmendje nga organizatorët, ndaj pikës së rregullores së konkursit që i referohet udhëzimit mbi moshën e konkurenteve, duke marrë në konsideratë edhe muajin përkatës të lindjes, përveç vitit,( sipas normave ndërkombëtare), por edhe thjesht përzgjedhjes fillestare të konkurueseve, në konkurimet kombëtare. Kuptohet, nuk është i lehtë koordinimi i të gjithë këtyre elementeve, por një elementi si mosha, përparësia i duhet siguruar, për të evituar përveç të tjerash, edhe thjesht rastin e mos vazhdimësisë për një konkurente në konkurimet që vijojnë, edhe në nivel botëror.
Përtej shkakut – i cili mundet të jetë relativ e këtu nuk diskutojmë arsyet politike – në rastin kur arsyet politike nuk qëndrojnë, kur i dhurohet kurora fituese, ajo kombëtare e një shteti, një vajze në konkurs, ky në vetvehte duhet të përbëjë hapin e parë të sigurimit të pjesëmarrjes së saj të mundshme në një konkurs të një niveli më të lartë, atë ndërkombëtar. Këtu është dallues indinjimi që i shkaktohet një vajze të re, e cila është në hapat e para të kësaj karriere.
Megjithëse, deri diku, këto vajza janë të ndërgjegjshme ndaj realitetit të vështirë të botës së artit e të modelingut, të sfilatave apo konkurseve të bukurisë në përgjithësi. Gjithsesi, është thjesht keqardhje që, po ashtu si vajza kosovare dhe ajo shqiptare të Miss Universe 2013 të përjashtuara, të cilat në forumet online rezultonin si nga më të preferuarat, e njëjta ‘linjë’ pikësh e pëlqimesh – konsideruar kjo, fatmirësisht apo ‘fatkeqësisht’- ndjek dhe rastin e Natalisë. Në një listë prej 104 vajzash konkurente nga globi, Natalia, akoma sot – e pa larguar nga këto site – rezulton e 10-ta për pëlqime.
Natyrisht, e kemi për detyrë të mbështesim rininë dhe t’i japim forcë që të kapërcejë zhgënjimet e para në jetë, qofshin ato të sferave të ndryshme, emocionale, profesionale etj..
Jeta në tërësinë e saj, për pjesën më të madhe të njerëzve, numëron ndoshta më tepër sfida apo zhgënjime, sesa suksese, nga të cilat duhen nxjerrë veçse mësimet e duhura e duhet të kthehen në frymëzuese për arritje të reja.
Natalia, sot është e pranishme tek ne, për të shkëmbyer mbresat e saj nga kjo sfidë e re, nga ky komunikim i ri profesional që ju drejtua, që për të, ishte aspak i këndshëm..
E ndjekim në atë çfarë ajo dëshiron të bëjë të ditur.
Përshëndetje Natalia, mirësevjen.
Pjesë përbërëse e botës ‘Art’ me sa duket janë dhe zhgënjimet, apo jo?
Përshëndetje!
Po, vërtetë, kjo botë përveç pjesës së bukur të saj, ka dhe zhgënjimet. Në ditët e sotme, në çdo fushë ekzistojnë zhgënjimet por, them se në botën “art”, ato janë më të dukshme.
Në rastin konkret, si u ndjeve kur të komunikuan që nuk do të merrje pjesë si përfaqësuese e Shqipërisë, në konkursin ndërkombëtar në Filipine Miss Earth International 2013?
U mërzita sigurisht, por edhe u zhgënjeva. E prisja me padurim këtë konkurs ndërkombëtar si fituesja e vetme e Miss Earth Albania 2013.
Sa kohë përpara eventit ndërkombëtar u lajmërove për mos pjesëmarrjen?
Në fakt, nuk u lajmërova fare, por u interesova vetë për t’u vënë në dijeni nëse do të shkoja apo jo, për vetë faktin se dhjetori po afron dhe unë s’kisha akoma një njoftim zyrtar nga organizatorët.
Pas një bisede të shkurtër nëpërmjet facebook, që pata me Agnesa Vuthaj – organizatore e Miss Earth në Shqipëri dhe Kosovë -çuditërisht më bëhet e ditur që nuk kisha moshën e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë në Filipine.
Ishte krejt i papritur për ty ky lajm apo deri diku, ishe e informuar?
Gjatë përgatitjeve për Miss Earth dhe Miss Universe na ishte bërë e ditur që fituesja duhet të ishte mbi 18 vjeç, por nga ana tjetër vetë organizatorët thanë që ky rregull ishte vetëm për Miss Universe, ndërsa për Miss Earth nuk vlente.
Gjithkush në juri e dinte që unë isha 17 vjeç dhe më ndërgjegjie të plotë më dhanë kurorën e Miss Earth Albania 2013.
Kur fiton një shkallë konkurimi, siç është ajo kombëtare, teorikisht nuk duhet të ketë pengesa të mëtejshme për konkurentin /en, të kalojë në shkallën vijuese, atë ndërkombëtare. Ti, si mendon?
Mendoj se pengesat i bëjnë vetë njerëzit.
Nëse konkurset e bukurisë vërtetë kanë rregulla, ato duhen respektuar, por pa prekur dhe pa cënuar dinjitetin dhe sedrën e konkurenteve, sepse është shumë e lehtë t’i thuash një konkurenteje pas fitores: – “Nuk e dinim që s’kishe mbushur 18 vjeç.”
Si u pate ndjerë për dy Misset e tjera shqiptare që nuk mundën të konkretizojnë garën në Moskë?
U mërzita shumë kur dëgjova lajmin. Nuk mendoj se mosmarrëveshjet politike duhet të ndikojnë në organizime të tilla, të cilat përveçse shumë të bukura, duhet të ndikojnë përgjithësisht pozitivisht në marrëdhëniet e ndërsjellta midis shteteve.
Ti mendon se kriteri i moshës është në të vërtetë themeltar në mos pranimin tënd në këtë event ndërkombëtar, apo ka diçka kontradiktore?
Nuk dua të futem në detaje. Meqënëse rregullorja kështu është, edhe unë po e respektoj, pavarësisht se informimi ishte i vonuar. Kontradikta them se ka plot, por nuk është momenti i përshtatshëm për t’i përmendur.
Përtej kësaj gare, si po vazhdon e përditshmja jote?
Aktualisht jam në vit të fundit të shkollës se mesme dhe po i jap përparësi provimeve dhe degës universitare që do të zgjedh.
Suksese në studime e të urojmë që vitin e ardhshëm, konkurse të tjerë që të presin, ose më mirë, ato konkurse që presin pikërisht moshën tënde madhore, të jenë për ty burim realizimi vetjak e profesional.