Italia është një nga vendet e para të Bashkimit Europian që ka njohur Republikën e Kosovës. Një ekip i ri diplomatesh punojnë në shërbim të shtetit të ri në ambjentet e ambasadës në Romë. Isi Ademi shkoi atje dhe realizoi këtë intervistë ekskluzive për Albania News, në të cilën Ambasadori Albert Prenkaj tregon prioritetet e përfaqesisë diplomatike që drejton prej rreth 4 vitesh.
Ju jeni një diplomat i ri në moshë, dhe me një eksperiencë pune që përfshin edhe organizata ndërkombëtare. Cila është gjëndja aktuale e trupit diplomatik kosovar dhe kriteteret e formimit?
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është themeluar në pjesën e parë të vitit 2008, menjëhere pas shpalljes së pavarësisë. Pra i tërë shërbimi diplomatik i Republikë së Kosovës është një trup i ri, i cili po ndërton një eksperiencë të vlefshme shtetndërtuese në politikën e jashtme, karshi vendeve mike, dhe në relacion me botën që heziton të njoh realitetin e ri të krijuar në rajon.
Kriter i parë i ndërtimit të trupit diplomatik të Republikës së Kosovës është qasja e re në rrethanat e reja të krijuara në procesin e shtetndërtimit. Tashmë kemi një trup diplomatik të konsoliduar me përvojë katër vjeçare. Gjatë rrugëtimit tonë po fitohen përvoja të reja. Do të thoja se jemi duke aplikuar devizën:”working by learning – learning by working!“Sot Kosova ka 20 ambasada të shtrira gati në të gjitha kontinentet. MPJ planifikon dhe hapjen e ambasadave dhe shërbimeve konsullore të reja.
Ndodh që në Itali disa pjesë të shtypit akoma vazhdojnë të dënojnë ndërhyrjen ushtarake të Natos në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës. Kjo ndoshta sepse nuk kanë mjaft informacion, qoftë edhe istitucional për sa i përket disa të vërtetave historike tashmë. Ka ndonjë nismë konkrete për përmirësimin e komunikimit të imazhit të Repubilkës së Kosovës?
Si Ambasadë me përvoj solide, gjatë kësaj periudhe katër vjeçare, kemi vërejtur një, ta quaj, paraqitje të njëanshme të procesit të pavarësimit të Kosovës. Për hirë të korrektësisë ndaj lexuesëve tuaj dhe opinionit të gjërë më duhet të ritheksoj se ndërhyrja e NATOs në çlirimin e Kosovës nga okupimi gati një shekullorë serb, ishte intervenim legjitim ushtarak për parandalimin e spastrimit etnik, politikës së tokës së djegur dhe gjenocidit ndaj popullatës me shumicë shqiptare në Kosovë.
Mekanizmat ushtarakë, policorë dhe paramilitarë të Republikës së Serbisë, që fatkeqësisht ende mbajnë strukturë të njëjtë dhe kan qasje të njëjtë politikë ndaj Republikës së Kosovës, aso kohe kanë marr përgjigjen e duhur, nga forcat aleate, sot mike të vendit tim.
NATO mundësoi rikthimin e më shumë se 800 mijë të dëbuarëve shqiptarë. Fundja, më duhet të rikujtoj lexuesit se baza ushtarake e NATO-s, Aviano është në Itali dhe jo në ndonjë vend tjetër. Kjo mbetet e pashlyer në kujtesën kolektive të popullit të Kosovës. Pra, ndërhyrja e NATO-s ishte legjitime, edhe pse ndëgjohen zëra, ti quaj interesant që flasin për mungesën e legalitetit ndërkombëtarë! Nuk më çudisin zërat e kontestuesëve të pavarësisë së Kosovës, por nuk do të doja t’a ndëgjoj këtë nga miqtë tanë që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Disa nga mediat këtu në Itali, kur flasin për vendin tim, pothuajse hyrjet e artikujve si në shtyp, apo në multimedia, detyrimisht potencojnë frazën, “ …krahina e vetshpallur e Serbisë…”. Dua të sqaroj se Pavarësia e Republikës së Kosovës nga vet Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është shpallur si valide, deklaratë që nuk e dhunon ligjin ndërkombëtar, sepse shpallja e pavarësisë si e tillë nuk sanksionohet nga e drejta ndërkombëtare. Ajo nuk mund të quhet shpallje e njëanshme, sepse është vetëm shpallje e vullnetit të lirë të një populli për të qenë i lirë dhe i pavarur.
As vet Serbia nuk e ka pyetur Perandorinë Osmane kur është vetshpallur e pavarur, as Italia nuk e ka pyetur Perandorinë Austro-hungareze apo Mbretërinë e Burbonëve për bashkimin dhe pavarësinë e saj. Në këtë shembëlltyrë pa e dhunuar ligjin ndërkombëtar, Kosova në koordinim me shtetet mike, njëra nga të cilat është Italia, e realizoi të drejtën e vet për vetvendosje, që deri më tani ishte e mohuar.
Kemi përvoja të vështira me mediat italiane.
Thjeshtë ofrohet qasje e limituar, dhe qe kane veshtiresi te ofrojnë një komunikim normal. Është për të ardhur keq kur vëren njëanshmërinë. Bile hasim edhe në shkrime derogative për Republikën e Kosovës. Pa dyshim kemi të bëjmë me ndërhyrje e makinacione propagandistike agresive të mekanizmave serbe prezente në Itali e që fatkeqësisht, më duhet të pranoj, kanë ndikuar tek opinioni italian. Unë megjithatë më duhet të falenderoj disa agjenci, si: ADNkronos, ANSAmed, NOVA, magazinin Liberal, si dhe disa media shqiptare këtu në Itali, të cilat ofrojnë hapësirë për Ambasadën tonë dhe përcjellin aktivitetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Edhe mediat shqiptare në Itali fillimisht me përtesë i janë ofruar Ambasadës sonë.
Ne jemi përpjekur dhe po përpiqemi të vendosim kontakte të shëndosha dhe miqësore me mediat italiane.
Në këtë drejtim MPJ italiane po na ndihmon, dhe unë dua t’i falenderoj sinqerisht. Shfrytëzoj rastin të thërras me këtë rast të gjitha mediat italiane, ato shqiptare në itali, si dhe asociacionet shqiptare dhe të gjitha asociacionet vullnetmira të fjalës së lirë të shkruajnë lirshëm dhe pa anime për Kosovën.
Çfarë roli ka Italia në nivel ekonomik me Kosovën. Është një ndër partnerët tregtar/investues? Ka të dhëna rreth kësaj çështje? Po instrumente që ndihmojnë investimet e huaja?
Italia është një nga partnerët parësorë të Kosovës sa i përket bashkëpunimit me BE-në. Ne jemi përpjekur dhe po përpiqemi të inkurajojmë ndërmarrësit Italian që të marrin guximin dhe të bëjnë hapa në investimin e kapitalit të tyre në Kosovë. Në prillin e vitit të kaluar kemi bërë një vizitë të vlefshme në Pulia ku kemi takuar ndërmarrje të shumta të prodhimeve bujqësore, kooperativa që janë shembull i mirë i bashkëpunimit, apo rrjetizimit të bashkëpunimit të ndërmarrjeve të vogla.
Atje takuam dhe zyrtarë të lartë të odave ekonomike lokale të Barit, Foxhes, BAT (Barleta, Adria, Treni) përfaqësues të qeverive lokale e rajonale, si dhe rektorëve të universiteteve. Ne vazhdojmë të mbajmë lidhje shumë të ngushta me miq puliez të cilët shprehin interesim të investojnë në Kosovë. Përpos kësaj kemi bërë takime me odat ekonomike të Firencës, Bolonjës dhe Romës.
Vlen të theksoj se në fund të vitit të kaluar Ambasada jonë, ka asistuar në themelimin e Odës Ekonomike Italo-Kosovare (Camera di Commercio Italo-Kosovara – CCIK) me seli në Romë. Kjo odë tashmë ka filluar aktivitetin për motivimin e ndërmarjeve të vogla dhe të mesme për të investuar në Kosovë, si dhe përpiqet të identifikoj tregje këtu në itali për prodhuesit nga Kosova. Shpreh bindjen time të thelle se CCIK-ja do të jetë një mjet i vyeshëm që do të lidh bizneset e të dy vendeve tona.
Kosova ka një ministri diaspore. Keni të dhëna rreth diasporës kosovare në botë dhe më specifikisht në Itali?
Ju njoftoj se vetëm para pak ditësh Ministri Diasporës, z. Makolli ka vizituar Italinë. Ai fillimisht ka vizituar ministrinë e Punës dhe Çeshtjeve Sociale të Italisë. Aty kemi mësuar për numrin e migrantëve të regjistruar nga Kosova.
Ministri Makolli ka vizituar komunitetin shqiptarë të Kosovës në Firencë dhe në Bassano di Grapa.
Ky ishte një rast i mirë për të bashkëbiseduar dhe për të paraqitur problemet, vështirësit me të cilat ballafaqohet diaspora jonë, por dhe solucionet dhe ndihmesën e pa rezervë që i ofrojnë institucionet italiane në nivele të ndryshme të qeverisjes.
Numri i mërgimtarëve tonë që jetojnë e punojnë në Itali është vështirë të përcaktohen, duke u nisur nga fakti se kjo është një diasporë e re, dhe se jo të gjithë kosovarët janë furnizuar me pasaporta të Republikës së Kosovës.
Llogarisim se përafërsisht janë rreth 60 mijë kosovarë që kryesisht janë të koncentruar në veri të Italisë, duke përfshirë këtu përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve etnike. Pra, këtu në Itali përpos shqiptarëve, si komunitet shumicë, jetojnë e punojnë përfaqësues të etnive: goran e boshnjak në Siena, romë-ashkali – egjiptian në Firence.
Nuk kemi të dhëna për përfaqësuesit e komuniteteve tjera etnike, siç janë serbet, etj. Deri më tani janë lajmëruar vetëm disa serb qytetarë të Kosovës, që kanë kërkuar shërbime konsullore.
Cilat janë mardhëniet me ambasadën shqiptare në Romë. A ekzistojnë plane për aktivitete të përbashkëta, sidomos në promovimin e gjuhës shqipe?
Që nga fillimi i themelimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, bashkëpunimi, konsultimi dhe bashkëveprimi ishin mënyrë e punës. Ambasada simotër ka ndihmuar pa rezervë ambasadën më të re në të gjitha fushat. Sot si dy ambasada mirë të konsoliduara, bashkëpunojnë në nivel diplomatik, e posaçërisht kur bëhet fjalë për aktivitetet kulturore.
Ambasada e Kosovës është gjithmonë e pranishme kur bëhen organizime kulturore nga Ambasada e Shqipërisë, dhe anasjelltas. Këtë vit të dyja ambasadat tona së bashku me insitucionet italiane dhe ambasadat tjera, janë së bashku në të gjitha aktivitetet kulturore që lidhen me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë londineze.
Këto ditë, siç kam paralajmëruar në përvjetorin e 544 të vekjes së Skenderbeut, në Piazza Albania, pranë shtatores së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, të dy ambasadat po lehtësojnë themelimin e Institutit Humanistik “Pjetër Bogdani” me seli në Romë, e që do t’i paraprijë një ditë themelimit të Akademisë Kulturore Shqiptare këtu në Romë. Bartës të kësaj nisme janë intelektual shqiptarë të të dy vendeve tona, intelektualë arbëresh, italianë e të tjerë.
Qëllimi i këtij institucioni të rëndësishëm është riaktualizimi i kulturës shqiptare dhe mikrokulturave tjera që bashkëjetojnë me shqiptarët, këtu në Itali, por dhe më gjërë. Ky institucion shpresoj se do të hap debat kulturorë në kuluaret akademike italiane, përmes tryezave, simpoziumeve dhe studimeve të mirëfillta në të gjitha segmentet e kulturës sonë.
Në ç’pikë është aktualisht rruga e shtetit kosovar drejt proçesit të integrimit në BE?
Pas shpalljes së Pavarësisë, Republika e Kosovës me suksesë shtë duke ndërtuar institucionet demokratike. Këtë vit, Kryeministri i Kosovës ka shpallur implementimin e Dokumentit të Ahtisarit mbi 90%, që nënkupton se jemi duke ecur mirë në shtetndërtim, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ky vit është vit i integrimeve Europiane!
Jemi duke punuar intensivisht në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, sepse siç e dini Kosova ka mbetur vendi i vetëm jashtë zonës së Shengenit të Bardhë. Në ndërkohë jemi në pritje të raportit të fizibilitetit për të kaluar dritën e gjelbërt për procesin e Asocim Stabilizimit si dhe proceset tjera integruese në mekanizmat e BE-së. Procesi i integrimit në mekanizmat e BE-së duhet të kuptohet si proces inkluziv/gjithpërfshirës. Pikerisht për këtë quhet integrues.
Kjo pjesë e Evopës, pra rajoni të cilit i përkasim do të duhej të integrohet në pako, pa politika përjashtuese përzgjedhëse të udhëhequr me subjektivizma. Kjo pjesë e Evropës do të duhej të integrohej në stilin e integrimit të vendeve të Baltikut, apo të Rumanisë dhe Bullgarisë!Shtrohet pyetja, pse? Disa, t’i quaj, qendra që kultivojnë kulturën e bllokimit, duke nxjerr në pah mentalitetin tipik dominues ballkanik dhe ato kuluare diplomatike promotore të zgjedhjeve partikulariste në BE, rrezikojnë të futen në kurthen e këtij mentaliteti duke mos nxjerr mësime nga rastet konkrete.
Kjo qasje do t’i ofronte hapësirë p.sh. Serbisë të bllokojë Kosovën dhe madje dhe Shqipërinë e Maqedoninë apo dhe Malin e Zi, të aplikojë mentalitetin jo-evropian, përjashtues. Në vend të kësaj, ne jemi të interesuar për aktuelizimin, promovimin dhe aplikimin e politikës inkluzive, ku të gjitha vendet e rajonit do të aderojnë në BE në një pako, duke mos ikur nga përgjegjësia e plotësimit të kritereve të kërkuara nga Këshilli i Evropës për integrim.
Nuk mund të ketë shpërblim për ata që rrezikojnë duke luajtur me dy lloj standardesh. Derisa në njërën anë kemi vende në rajon që pa asnjë ekuivoke politike, insitucionale, të shoqërisë civile, me të gjitha mjetet tregojnë vullnetin integrues në BE dhe në NATO, në anën tjetër kemi vende që nuk shprehin as interesimin më të vogël për të aderuar në NATO, përkundrazi kanë çasje të quditshme hibride.
Ndërsa për integrim në BE, shtrojnë kushte, kinse Evropa do të integrohet tek ata dhe jo ata në Evropë.
Pra Republika e Kosovës pa asnjë alternativë ka shprehur vullnetin konsensual politik e institucional, ashtu dhe karshi vendeve mike të rajonit, të Evropës dhe me SHBA-të, se integrimi në BE dhe në NATO nuk ka alternativë!
Këto ditë ditë në shtyp po lexojmë se opozita siriane po stërvitet në Kosovë. Çfarë ka të vërtetë në këto lajme?
Me sa jam në dijeni, di që eksponentë të opozitës siriane janë shprehur të gatshëm se do të njohin pavarsinë e Kosovës në momentin që mund të jenë në pushtet. Në këtë kuadër janë organizuar disa takime në Kosovë dhe një seminar publik mbi gjendjen aktuale në Siri.
Kjo interviste eshte e disponueshme dhe ne italisht