Bisedë me Fatos Kongolin pas botimit në italisht të librit “Jetë në një kuti shkrepsesh” dhe promovimit të romanit në Romë
Nga Arta MARKU
Bledin e ka braktisur e dashura. Në të njëjtën kohë ka mbetur pa punë. Jeton i vetëm në apartamentin e tejmbushur me portrete të ish të dashurës dhe vegjeton. Të luajë me vajzat që nuk kanë asnjë kundërshtim ta kalojnë kohën me të i duket e vetmja gjë që mund të bëjë për momentin. Derisa një ngjarje e papritur dhe e paimagjinueshme trondit rutinën e ditës së tij: Një troktije në derë, një vajzë rome që qëndron pas saj, një ftesë që ajo mendon se nuk ka asnjë arsye ta refuzojë dhe VDEKJA! Gjithçka përmbyset, gjithçka tronditet. Rrugët që i hapen përpara protagonistit janë të errëta, të panjohura, të ecet mbi to është aventurë. E teksa ai çon përpara ditët e tij me ndjenja pështhjelluese dhe ide të pazakonta për zgjidhje të çuditshme, i shfaqet para sysh si në një ekran filmi, E SHKUARA, domethënëse padyshim… Koha kur jetonte në “një kuti shkrepsesh”, përzihet me të sotmen…
I botuar në Shqipëri në vitin 2007, libri “Jetë në një kuti shkrepsesh”, së fundmi ka parë dritën e botimit në gjuhën italiane, duke ofruar përtej Adriatikut një copëz botë kongoliane. Në fakt nuk është hera e parë që Fatos Kongoli botohet në Itali, por i sapo kthyer nga një takim me lexuesit Italianë një Romë ai i ka të freskëta përshtypjet.
-Zoti Kongoli, a mund të na i rrëfeni përmbledhtazi mbresat e takimit tuaj në Romë?
Ka qenë një takim mbresëlënës për mua, i treti radhazi në Itali, pas atyre të organizuar gjatë muajit qershor në Milano dhe Torino. U preka shumë nga vlerësimet që i bënë librit, i gjashti i botuar në Itali, dhe përgjithësisht prozës sime, nga të gjithë ata që e morën fjalën. Përmend zotin Mario Bova, ish-ambasador i Italisë në Shqipëri dhe president i shoqatës italo-shqiptare “Occhio Blu Anna Cenerini Bova”; zotin Neritan Ceka, ambasador i Shqipërisë në Itali. Vlerësime të larta u shprehën edhe nga shkrimtari Alessandro Leogrande, njëherazi zv.drejtor i revistës “Lo Straniero”, si dhe përkthyesja e librit Caterina Zuccaro. Emocione m’u përftuan kur shkrimtari dhe publicisti Mauro Geraci lexoi për të pranishmit disa fragmente nga romani.
-Ku e vinin theksin lexuesit italianë?
Përgjithësisht ata vlerësuan origjinalitetin e këtij libri, tablotë sugjestive të jetës që sjell ai nga një vend fqinj pak i njohur për ta. Në mënyrë të veçantë te metafora që përmblidhet në vetë titullin e romanit, etj.
-Çfarë ndryshimi ka mes lexuesve shqiptarë dhe italianë? A janë këta të fundit të qartë në kuptimin e një personazhi kongolian, që është i përcaktuar nga e shkuara tipike shqiptare?
Sigurisht, ka ndryshime midis lexuesve shqiptarë dhe atyre të huaj, në këtë rast italianë, kjo përcaktohet nga veçanësitë e tyre. Por lexuesit, kudo që të jenë, i kthen në emërues të përbashkët vlera e një libri. Një libër i mirë, i çfarëdo autori, lexohet dhe mirëpritet nga lexuesit, kudo që të jenë.
-GRIJA mbizotëruese e letërsisë suaj është: këndvështrimi juaj; realiteti; apo DRAMA që i duhet letërsisë për ta bërë atë të fuqishme (Dostojevski: më jepni një dhimbje t’ju jap një kryeveper)?
Ndoshta janë që të treja bashkë.
-“Jetë në kuti shkrepsesh” ishte për letërsine tuaj KAPERCIMI. Ndryshe e thënë kaluat, siç vetë jeni shprehur: nga një hapësirë letrare në një tjetër. Për çfarë konkretisht e keni fjalën kur përmendni shprehjen “hapësirë letrare” ndërsa vijon të jetë sërish atmosfera kongoliane?
-Kjo lidhet me “etapat”, “fazat” e krijimtarisë time. Unë vetë dalloj katër “faza”. E para është ajo e para viteve `90, kur kam shkruar e botuar nja katër-pesë libra. Pas përmbysjes së ditaturës nis një etapë e re për mua me romanin “I humburi”. Rrjedhimisht u futa në një “hapësirë” të re letrare, që vazhdon edhe sot e kësaj dite e që deri më sot njihet përgjithësisht me termin epokë e tranzicionit. Por edhe brenda kësaj hapësire të re unë dalloj disa “faza”. Romani “Jetë në një kuti shkrepësesh” vjen i shtati në vargun e romaneve të shkruar pas viteve `90. Unë e përfshij në një fazë që nis me romanin “Te porta e shën Pjetrit”, për të mbërritur në një fazë të katërt, pas librit “Iluzione në sirtar”. Kjo fazë e katërt nis me romanin “Si-Do-Re-La” dhe vjen deri te libri im më i fundit “Gjemia e mbytur”. Të gjitha këto, për arsye që nuk është as koha as vendi t`i shpjegoj, unë i shoh si “hapësira” të reja letrare, pavarësisht atmosferës së tyre.
-Në ciklin e librave të mëparshëm që e keni quajtur BURGJET E KUJTESES flisni për të shkuarën e largët (para viteve ’90) dhe tashmë shkruani për të shkuarën e afërt, shumë të afërt madje. Pikat kyçe të historisë janë KORRIK ‘90, MARS ‘91 MARS ‘97… (pa u shmangur lidhja me para ’90). Kishit bërë një plan qysh në krye të herës për të përcaktuar një linjë kronologjike të subjekteve tuaja?
-Më pëlqen konstatimi lidhur me momentet historike Korrik `90, Mars `91 dhe Mars `97. Këto janë piketa, “pika kondensimi” të historisë tonë postdiktatoriale. Kjo është arsyeja që disa romane të mi strukturohen dhe vërtiten rreth këtyre piketave, monumentale për nga rëndësia e tyre, që përcaktuan ngjarjet dramatike të epokës moderne dhe sjelljen e personazheve të mi.
Nuk mund të them se kisha ndërtuar ndonjë plan. Një varg librash erdhën natyrshëm tek unë, si plotësim i njëri-tjetrit, me strumbullar këto piketa. Por, pa dyshim, romanet e mi në thelb ndjekin një linjë kronologjike. Prirja ime është të zhytem në të përditshmen e jetës, kam synuar vazhdimisht ta ndjek dhe ta përjetoj intensivisht këtë përditshmëri.
-“Jetë në kuti shkrepsesh” qëndron në kuptimin real dhe atë metaforik. Pra hapësira e ngushtë në të cilën zhvillohej jeta e shqiptarëve, në kuptimin fizik dhe atë psikologjik. Apartamente të ngushta por edhe liri e kufizuar. Pse i lidhni bashkë këto të dyja?
Sepse në epokën e diktaturës, ato hapësira të ngushta banimi sa një kuti shkrepësesh bëheshin me qëllimin e qartë, veç të tjerash, që njeriu të ndrydhej brenda tyre, të deformohej në karakter, të bëhej i vogël, pa pretendime, një qenie e nënshtruar.
-Por e përshkon veprën edhe një kjoncept tjetër: E SHKUARA. Çfarë thotë libri dhe personazhi juaj në lidhje me ndikimin e të SHKUARËS te njeriu?
Kam pasur shpesh rastin të pohoj një të vërtetë të njohur: gjithçka ndodh sot në realitetin tonë nuk mund të shpjegohet pa të kaluarën, në forma të ndryshme, në një mënyrë apo në një tjetër, kjo e kaluar është e pranishme tek e sotmja.
-A është e mundur që kufijtë e përcaktuar ngushtë në krye të herës të zgjerohen? A është njeriu një qenie elastike, e përshtatshme?
-Kjo pyetje më ngatërron pak. Sepse, për çfarë kufijsh e keni fjalën? Është një e vërtetë e pakundërshtueshme: s`mund të ketë kufij të përcaktuar, të dhënë një herë e përgjithmonë. Në këtë kuptim qenia njerëzore është “elastike”, “e përshtatshme”, lëviz me ndryshimin e kushteve, ose të “kufijve”, siç thoni ju. Ky është rregulli i mbijetesës. Mirëpo personazhet e mi përgjithësisht nuk i përmbahen këtij rregulli, ata s’janë fort “elastikë”, nuk përshtaten lehtë. Këtu e kanë burimin edhe dramat e tyre, siç ndodh edhe me protagonistin e romanit “Jetë në një kuti shkrepësesh”.
-Ç’i bën të tillë personazhet tuaj? Prsh Bledi (kryepersonazhi i “Jetë në kuti shkrepsesh”), tejet pasiv, e lë rrjedhën e jetës së vet të rrëshkasë. Nuk i merr (as që i shkon në mendje të marrë) frerët në duart e veta, i gatshëm pa e prishur gjakun, të pranojë çdo kthesë që të tjerët i japin jetës së vet. Ç’e ka përcaktuar ndërtimin e karakterit të tij?
-E kam thënë shpesh, jam i paaftë për të shpjeguar librat e mi, aq më pak sjelljet e personazheve. Po them se këta, e kam fjalën për protagonistët, janë përgjithësisht të tillë, “të dobët” në një botë “të fortësh”. Ata mendojnë, arsyetojnë, janë fisnikë në ndjenjat e tyre, kanë shpirtin e drejtësisë, por vetëm kaq, nuk shkojnë më tej. Unë kam shkruar një libër të tërë për ta dhënë këtë personazh jo si gjithë të tjerët, në një realitet të egër, në një shoqëri gjithnjë e më indiferente, gjithnjë e më e pandjeshme. Të gjitha këto, secila në mënyrën e vet, besoj se kanë ndikuar te karakteri i Bledit që nga fëmijëria e më pas. Por, sigurisht, ky është vetëm një shpjegim i përafërt, qenia njerëzore është tepër e ndërlikuar.
-E keni vënë përballë GRAVE që duket sikur e marrin në dorë (ose e marrin përdore) personazhin mashkull të librit. Duke nisur që nga familja: Në mos mamaja, e motra është superiore ndaj tij. E po kështu vajzat me të cilat e lidh jeta: Jana, Suela, kamarierja… deri edhe vajza rome edhe pse jo vullnetshëm, e përcakton rrjedhën e fatit te Bledit… Cili është kënvështrimi juaj në lidhje me pushtetin femëror?
-Sa më përket, kam menduar dhe mendoj modestisht se Femra është qenia më e sofistikuar e universit.
-Gazetar ai është sepse i duhet ky profesion subjektit tuaj? Apo gazetar duke qenë se është një mjedis që e njihni mirë?
-Të dyja qëndrojnë.
-Një shishe Jack Daniels mbi tryezë nuk është thjesht për një detaj më shumë apo për një ngjyrë më shumë. Alkooli është një “personazh” i librave tuaj. Çfarë i shton ai letërsisë suaj?
-Nuk mendoj se i shton ndonjë gjë. Ai thjesht është pjesë e ekzistencës së personazheve të mi.
-Rishfaqen krimbat. Cili është kuptimi i pranisë së tyre?
-Ata shfaqen e rishfaqen si simbol i kalbëzimit. Në kuptimin konkret (krimbat e drurit që brejnë mobiljet e vjetra të familjes), dhe në një kuptim më të gjërë, metaforik, ata që brejnë themelet e një shoqërie.