Elhaida, uragani i ëmbël

Intervistë me Elhaida Danin, këngëtaren e re shqiptare që triumfoi në programin “The Voice of Italy” 2013

Elhaida Dani

Elhaida Dani

Elhaida Dani, këngëtarja e re shqiptare që triumfoi në programin “The Voice of Italy” 2013, ka përfituar vlerësimet prej publikut italian, atij shqiptar apo ndërkombëtar me vetitë e saj zanore të padiskutueshme, por njëkohësisht edhe me ëmbëlsinë në të komunikuarit ndaj publikut.

E përshkruar nga njëri prej anëtarëve të jurisë, Piero Pelù, si “një uragan”, Elhaida ka aftësinë që të shndërrojë fuqinë e zërit të saj, në një qetësi të thellë që zakonisht mbërrin pas stuhisë, aty ku pashmangshmërisht ndjehen të perfshirë nga emocionet të gjithë ata që janë duke ndjekur interpretimet e saj cilësore.

Në këtë program muzikor, Elhaida pati mbërritur pas fitores së saj në programin shqiptar Star Academy 2009 dhe pas disa eventesh të tjerë muzikorë.

Nxënëse e mjeshtrit Riccardo Cocciante, Elhaida u shqua si më e përzgjedhura e publikut, tejet e vlerësuar nga juria në sallë, faktorë këta që, mundësuan kurorëzimin e saj si fituese e shfaqjes, me pjesëmarrës kryesorë, talentet në Itali.

Sot, Elhaida është e pranishme në Albania News, për t’i komunikuar ndër të tjera, edhe të rejat e saj profesionale, lexuesve tanë.

Kam kënaqësinë të të uroj mirëseardhjen në Albania News, Elhaida.

Përshëndetje të gjithëve!
Një përqafim gjithkujt ndjek Albania News nga Italia, Shqipëria, Kosova etj..
Është një kënaqësi komunikimi me të gjithë ju: jeni një realitet i rëndësishëm dhe një rrjet i bashkuar e i domosdoshëm për të mbështetur dhe promovuar njohjen dhe shpërndarjen e kulturës shqiptare në Itali!

Kur fillove të ndjesh se zotëroje këtë pasion për të kënduarit?

Të kënduarit ka qenë gjithnjë një pasion i imi, e kam përfituar prej nënës sime. Ka qenë ajo që ma ka përcjellë atë. Që e vogël, gjendesha tek këndoja në dhomën time, pothuajse fshehurazi dhe ëndërroja një të ardhme, të përbërë nga orkestra apo skena..

Nëna ime, me intuitë duke kuptuar këtë dhunti timen, mendoi të më regjistrojë në një shkollë muzike dhe në këtë mënyrë, nisi rrugëtimi im.

Bën pjesë në familje arti?

Nëna ime pëlqente të këndonte dhe kishte një talent të madh: do të kishte dëshiruar që muzikën, ta kthente në jetën dhe në profesionin e saj. Ato kohë veçse, në Shqipëri, nuk ishin të lehta dhe për një grua ishte tepër e ndërlikuar të ndiqte ëndrrat e saj. Kushtet e familjes së saj dhe të kohës së saj, nuk ja lejuan që ajo të ndiqte këtë ëndërr.

Ç’vend zë Shkodra në zemrën tënde?

Shkodra është qyteti ku kam lindur e jam rritur. Është qyteti ku ka lindur dhe është rritur pasioni im për muzikën. Prindërit e mi më thonin gjithnjë: “E gjithë Shqipëria është e bukur, por Shkodra është e ëmbël”.

Nuk besoj të ketë ndonjë epitet tjetër më të mirë për ta përshkruar: Shkodra është e ëmbël për mua, sepse çdo herë që kthehem në të, më pret dhe më mbështjell me ëmbëlsi e dashuri.

Kurora fituese e “The Voice of Italy 2013”, ç’domethënie pati për Elhaidën?

Është hapi i parë i një rrugëtimi, i cili shpresoj të jetë i rëndësishëm. Rruga është ende e gjatë, kam akoma gjithçka për të treguar, por më duhet të pohoj se për mua janë hapur skenarë të rëndësishëm, që nga kjo verë që kaloi.

Në nivel vetjak, do të thotë edhe të mbash mbi vehte një peshë të madhe, kryesisht në lidhje me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Itali, për të cilët, unë përfaqësoj diçka vërtetë të madhe, diçka që shkon përtej botës së muzikës. Pritshmëritë ndaj meje janë të shumta, shumë të mëdha dhe shpesh, i frikësohem zhgënjimit të tyre..

Që zëri më i mirë i dalë nga ky program, organizuar nga RAI, të ishte ai i një vajze shqiptare, çfarë emocionesh zgjoi brenda teje?

Kjo “ndryshueshmëri” e imja, krahas konkuruesve të tjerë, qe një shumëzues emocionesh për mua, për familjen time dhe për ato mijëra persona që më kanë ndjekur. Bëri gjithçka më të bukur, më të pabesueshme!

Përgjatë javëve të gjata të programit, ndjeja mbi supe një përgjegjësi të madhe dhe fitorja e 30 majit, më çliroi nga kjo ndjesi, më bëri të ndjehem e lumtur dhe krenare.
Kjo qe fitorja e shumë e shumë prej nesh, jo vetëm e imja.

Duke u vënë në dijeni si rrjedhim që, edhe mijëra e mijëra italianë më kishin votuar, duke shkuar përtej çdo paragjykimi, ky qe për mua një mësim i madh kulture dhe korrektësie!

Nga mjeshtri Cocciante, sa ke mësuar profesionalisht?

E njihja dhe më pëlqente Riccardo që kur isha e vogël. Konsideroj si një privilegj të vërtetë, faktin e të punuarit me të dhe një nder, të vlerësuarit e zërit tim prej tij.

Përgjatë “The Voice”, me të kam punuar shumë mbi fushën emocionale, me tepër se mbi anën teknike. Riccardo më ka ndihmuar të shkoj përtej anës teknike, mbi të cilën, deri atëherë isha kryesisht e përqendruar.
Më ka nxitur që të çliroj atë çka ndjej nga brenda kur këndoj, që të nxjerr jashtë atë ngarkesë emocionale natyrale që vlen më tepër se çfarëdo teknikë.

Riccardo Cocciante dhe Elhaida Dani

Riccardo më ka mësuar që të realizoj me interpretimin, jo një shtirje skenike, por një shprehje të vetvehtes.
Dhe tashmë, kjo ngarkesë përfaqëson vetë esencën e shprehurisë sime artistike dhe muzikore, ndaj për këtë arsye, këtej e tutje, dëshiroj të interpretoj vetëm pjesë që të më përfaqësojnë krejtësisht.

Ç’emocion ndjeve kur ai erdhi për të vizituar Shqipërinë dhe qytetin tënd, Shkodrën? Të shprehu se çfarë i pëlqeu me tepër nga vendi ynë?

Riccardo më ka bërë këtë nder të madh: të vinte me mua në tokën time dhe mes njerëzve të mi. Ajo që, më tepër se gjithçka tjetër i bëri përshtypje, ishte ngrohtësia e pabesueshme me të cilën, u mbështollëm prej të gjithëve.

Nuk e dinte as ai vetë të ishte kaq i famshëm në Shqipëri, nuk e dinte se ç’përfaqësonte “Margherita”, domethënien që ka shënuar për ne, muzika e tij. Patëm biseduar për këtë në “The Voice”, por ta zbulonte këtë gjë aty, në mes të njerëzve, kjo qe diçka vërtetë shumë emocionuese edhe për atë vetë.

Cilët janë kompozitori dhe këngëtari shqiptar më të parapëlqyer nga ty?

Kompozitori im i parapëlqyer do të jetë gjithnjë mjeshtri i madh, Shpëtim Saraçi, me të cilin kam punuar njëkohësisht për tre vjet në programin “E djela shqiptare”.

Ka krijuar muzikë të mrekullueshme për të gjithë ne shqiptarët, unë jam rritur me muzikën e tij. E quaj si një fat dhe një nder të madh që ta kem njohur: është një person me të vërtetë i mrekullueshëm.
Ndër këngëtarët shqiptarë ka shumë, janë të shumtë ata të aftë e që unë i vlerësoj.

Nga këngëtarët e huaj, idhulli yt?

Unë jam e dashuruar pas këngëtarëve ‘black’.

Adhuroj M. Jackson, W. Houston dhe së fundmi, Beyonce. Më dhurojnë emocione të mëdha me zërin e tyre dhe me muzikën e tyre. Për mua, është emocionuese, qoftë edhe vetëm të ndjekurit e lëvizjeve të tyre: arrijnë të komunikojnë qoftë dhe vetëm me lëvizjen e trupit, i cili është gjithnjë, i pushtuar mrekullisht nga muzika e ritmi.

Nga kuzhina shqiptare, specialiteti i parapëlqyer i Elhaidës?
Po nga kuzhina italiane?

Më pëlqen kuzhina tradicionale shqiptare, adhuroj thjeshtësinë e saj: është një kuzhinë e thjeshtë, por njëkohësisht edhe e shumëllojshme, ku takohen traditat e gatimit të shumë vendeve të ndryshme. Natyrisht adhuroj të gjitha pjatat që gatuan nëna ime!

Nga kuzhina italiane më pëlqejnë shumë makaronat.

Si e priti publiku diskun tënd të ri, je e kënaqur?

Po, në korrik doli EP (Extended play) im i parë, jo një album i mirëfilltë. U krijua në një kohë të shkurtër, mbi gjurmën e suksesit të “The Voice”, sipas formës së “The Voice” dhe tërësisht i menduar për të vënë në dukje këtë përvojë.

Faktikisht pati një sukses shumë të dallueshëm në javët e para të daljes së tij. Ndoshta, prisnim një sukses më të madh mbi kohëzgjatjen me afat të mesëm dhe të gjatë.

Ndërsa, albumi i ardhshëm do të jetë një përvojë krejtësisht e ndryshme, do ta krijojmë jo mbi të shkuarën, por mbi të ardhmen, do të jetë një produkt krejtësisht i imi, që do të më përfaqesojë 100%.

Të ngjitesh në skenën e Teatrit Ariston për takimin e 2014 – s të Festivalit të Sanremos, sa e dëshiron Elhaida arritjen dhe realizimin e këtij objektivi?

Jemi duke e menduar këtë gjë.
Ndoshta do të paraqisim një projekt për Sanremo, por këto janë zgjedhje që duhen shqyrtuar me kujdes të madh. Nëse paraqitet një projekt për Sanremo, ky duhet të jete i rëndësishëm, i përkryer në çdo këndvështrim.

Këto javë gjendem në studio për të dëgjuar dhe regjistruar këngë të reja. Por, nuk është akoma e sigurtë nëse do të paraqisim një projekt për Sanremo.

Koncerte së shpejti? Projekte profesionale për të ardhmen?

Kjo është një periudhë, në të cilën duhet të përqendrohem mbi projektet e mia të reja, të punoj, të mendohem, të krijoj.

Gjëja më e rëndësishme, mbi të cilën duhet të përqendrohem tani, është ajo që të gjej identitetin tim artistik, i cili duhet të jete i përveçëm dhe i vërtetë.

Duhet të gjej rrugën time, të ndryshme nga të gjithë dhe origjinale, duhet që të shquhem si artiste, si Elhaida Dani e kaq, pa krahasime apo përballje me të tjerë. Për këtë, ndoshta tani është më e udhës që të qëndroj në heshtje, për t’u shfaqur shpejt më pas, me diçka madhështore.

Çfarë mendon për pjesëmarrjen nga ana e një vajze italiane, në një event – garë zanore të zhvilluar në Shqipëri? Ç’ndjesi të ngjall kjo analogji?

Unë mendoj se muzika – ashtu si çdo shprehuri tjetër artistike – nuk duhet të njohë kombësi apo pasaporta. Arti i përket të gjithëve, pa kushtëzime kombësie.

Aty ku rregulloret e konkurseve zanore e lejojnë, është diçka shumë e bukur që artistë të kombësive të ndryshme të përballen me njëri-tjetrin, madje mendoj që kjo gjë sjell një pasurim të madh për të gjithë, për publikun dhe vetë konkuruesit.

Unë vetë kam marrë pjesë në manifestime në Rumani, Mal të Zi, Bullgari..
Më duket diçka shumë e bukur që konkurentë të huaj të vijnë në Shqipëri!
Madje, nëse kjo vajzë meriton të ecë përpara, besoj se është çasti i duhur për të treguar që jemi një popull pa paragjykime.

Me urimin për një arritje të shkëlqyer – në një pjesëmarrje të mundshme nga ana jote në garën zanore të Sanremos – ashtu si edhe në karrierën tënde në tërësi, të përshëndes Elhaida, edhe nga ana e lexuesve tanë.

Ju falënderoj me të vërtetë për mundësinë që më dhuruat për të folur në rrjetin tuaj.
Dëshiroj t’ju lë, duke përcjellë për të gjithë ju, një mesazh pozitiviteti: le të besojmë në forcën që ndodhet tek secili prej nesh, le të besojmë në mendimet dhe në dëshirat tona, le të udhëhiqemi nga emocionet tona dhe të provojmë ta ndryshojmë jetën që na rrethon!
Le të rindezim ëndrrat tona!

Ju ftojmë ta ndiqni Elhaidën në rrjetet sociale Facebook (faqja zyrtare)  dhe Twitter

 

Per non perdere gli articoli di Albania News seguiteci su Google News

Discussione su questo articolo

Exit mobile version