Artan Shabani, një ndër emrat shqiptarë më të shquar në botën ndërkombëtare të artit, mund të konsiderohet një mik i Albania News, pasi shumë herë na ka frymëzuar me intervistat e tij dhe shpeshherë na ka përfaqësuar me ekspozitat e artit, vetjake apo kolektive, si piktor apo si kurator, në botën mbarë.
Megjithatë, këtë radhë na paraqitet me një mision të ri, në një veshje të re, me një përgjegjësi akoma më të madhe: atë të Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve.
Pas përzgjedhjes nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe shpalljes nga ana e kryeministrit Edi Rama, artisti i shumëanshëm është ndër të parët që i përgjigjet apelit të Rilindjes për kthimin e njerëzve tanë të suksesshëm jashtë vendit sepse, siç tha kryeministri, ‘Shqipëria ka nevojë për talentin, aftësinë, eksperiencën, pasionin, profesionin dhe dashurinë e tyre për këtë vend’.
Drejtori i ri, që ka nisur pikërisht këtë javë punën e tij në këtë fushë, na tregon rrugëtimin e tij, emigrimin, përgjegjësitë dhe synimet afatgjata të ‘kthimit të tij me kohë të plotë’ në Shqipëri dhe përkushtimin e tij ndaj artit shqiptar.
-Së pari urime: për kthimin në Shqipëri, për drejtimin e institucionit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe për moshën e re. Kryeministri Rama gjatë emërimit tuaj rinovoi apelin për kthimin në atdhe të shqiptarëve të suksesshëm jashtë vendit. Si emigrues synonit kthimin dhe, pikërisht, në këtë mënyrë të lavdishme?
Shumë faleminderit për ftesën dhe urimet. Kthimi në Shqipëri nuk ka qenë i papritur për mua dhe familjen time, sepse për një kohë të gjatë kam jetuar me këmbë të mbështetura fort në të dy brigjet e Adriatikut. Dhe është një ndjesi speciale të jetosh jetë paralele. Megjithatë erdhi një çast që ndalova dhe rishikova rrugën e bërë deri më tani. Arrita në përfundimin se për të ardhmen duhej të ndërmerrja hapa të rëndësishëm. Gjithmonë kam menduar, dhe mendoj akoma, se kemi një atdhe kaq të bukur e të veçantë dhe, duke punuar, do t`i japim atij vendin që e ka merituar prej kohësh. Për sa i përket kësaj, kam fatin, moshën e re, pasionin dhe dëshirën që t’i jap ndihmën time.
Ju e shihni kthimin tim si të lavdishëm, unë e shoh si një fat të madh, pasi gjithë përvojën time të grumbulluar në vitet e emigrimit mund ta aplikoj në Galerinë Kombëtare, si një pjesë e rëndësishme e vendit tonë.
Të jesh pjesë e projektit sa vizionar aq edhe ambicioz të Kryeministrit të Shqipërisë Z. Rama është një rast i papërsëritshëm. Shumë miq, kuratorë e artistë shqiptarë, që jetojnë dhe kanë sukses në botën e madhe, do të dëshironin të ishin në vendin tim, aspak për xhelozi, por për zhvillimin e arteve pamore, për zhvillimin kulturor dhe qëndrueshmërinë e mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.
-Keni pak ditë që keni filluar punën si drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Si do e “shkundni pluhurin”? Cilat ekspozita do të shohim në vazhdim?
Kjo është një nga pyetjet e përgjegjësisë, pasi për mua ajo nuk përbën thjesht një godinë ku ruhen dhe ekspozohen vepra të artit pamor, por është një realitet i ri që duhet të kthehet në një realitet të gjallë dhe të prekshëm nga publiku i të gjitha moshave, dhe kryesisht nga brezat e rinj që janë në kohën e tyre të edukimit.
Dhe ky realitet kërkon shumë punë për ta çuar në vizionin që kemi planifikur e që duhet aplikuar konkretisht në mjediset e Galerisë. Mendoj se një nga hapat kryesorë do jetë krijimi i bordit drejtues, i cili do të vendosë bazat e një profesionizmi të lartë e të kërkuar. Bordi drejtues do të ketë impenjim konkret dhe vendimmarrës, pasi së bashku do të planifikojmë ekspozitat dhe veprimtaritë e ardhshme.
Do t`i kushtojmë vëmendje të posaçme dhe të rëndësishme marrëdhënieve të këtij institucioni me publikun, ku marrin prioritet programet e edukimit dhe të familjes, të cilat realizohen përmes veprës së arteve pamore, e cila është një gjuhë e munguar në Galerinë Kombëtare. Këshilli drejtues do të kërkojë të arrijë binjakëzimin me muze e galeri të rëndësishme të Europës dhe të botës.
Njëkohësisht do jetë prioritet rivlerësimi mbi ruajtjen dhe restaurimin e fondit ekzistues të veprave të artit në Galeri, pasi aty ruhen vlerat tona të trashëgimisë kombëtare. Gjithashtu do t`i jepet një rëndësi e parë punimeve restauruese dhe ndriçuese të ndërtesës, si në hapësirat e brendshme ashtu dhe të jashtme të saj. Nuk përjashtoj edhe punë të tjera, të cilat ndikojnë në mbarëvajtjen e veprimtarive të Galerisë.
Mos harrojmë se kjo ka mungesa të marrëdhënieve të saj me institucione homologe jashtë Shqipërisë, ku një vend të rëndësishëm zënë kuratorët. Jam në kontakt me kuratorë të njohur në botë për organizimin e ekspozitave të rëndësishme, që mendoj se duhen hapur në Galeri, por edhe të ekspozitave që kjo vetë mund të hapë jashtë vendit. Nuk do të doja të jepja informacione me “lugë boshe”, por mund t`ju siguroj se shumë shpejt do të kemi një plan konkret për ekspozitat e ardhshme, si edhe një plan në aspekte të tjera menaxheriale, që janë po aq të rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve të këtij institucioni që më është besuar të drejtoj.
-Përveç punës si artist e kurator jeni gjithashtu themelues i PromenadeGallery, në Vlorë. Cili ka qenë synimi dhe çfarë rezultatesh po korrni? Si do e pajtoni veprimtarinë krijuese vetjake me drejtimin e Galerisë Promenade dhe tani me Galerinë Kombëtare të Arteve?
PromenadeGallery ka lindur si kërkim për një alternativë të re në panoramën artistike shqiptare. Lindi si një laborator stimulues për artistët e rinj shqiptarë dhe më gjërë. Mund t`ju them se brenda një kohe të shkurtër e kemi kthyer në një qendër shumë të rëndësishme dhe kam besim se e ardhmja premton edhe më shumë në lidhje me funksionimin e saj.
Artisti dhe kuratori janë dy linja paralele që jam përpjekur mos t`i bashkoj, pasi një realitet i tillë të pengon të shohësh të veçantën. Dhe e kam fjalën për Promenadën, që për mua dhe artistët e saj, është e veçantë. Ndërsa mendoj se trasparenca do më ndihmojë të di të mbaj edhe më të qartë dallimin specifik, mes asaj që e quajmë veprimtari vetjake si artist e kurator i PromenadeGallery dhe tjetrës si administrator artistik në drejtimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, institucioni më i rëndësishëm i ekspozimit të arteve pamore. Të dy këto veprimtari në personin tim do të zënë vende përkatëse dhe nuk do të arrijnë kurrë të bashkohen me njëra – tjetrën. Unë e kuptoj të parën si një përvojë që më ka rritur dhe të dytën si një rrugë, e cila me pret përmes sfidave.
-Cilin rrugëtim bëtë për të qenë këtu? Si e përjetuat emigrimin në moshën 22 vjeçare? Cilës kombësi i përket shpirti juaj artistik?
Rruga ime ka qenë e ngjashme me rrugën e shumë të rinjve të Shqipërisë para viteve `90-të. Ajo ishte plot me pasione të mëdha dhe ëndrra utopike dhe shpeshherë në pamundësi realizimi.
Largimin nga atdheu në atë kohë e kemi ndjerë njëkohësisht edhe të detyrueshëm edhe të përkohshëm. Jam larguar i ri, me fare pak informacion për botën e madhe që më priste. Mendoj që si unë, edhe shumë të rinj shqiptarë pasionantë, me kalimin e viteve, filluam të inkuadrohemi, përmes punës tejet këmbëngulëse, me kontekstin e ri dhe jetën e bashkëmoshatarëve perëndimorë. Kuptohet se nuk ka qenë një rrugë e lehtë. Megjithatë, kjo është rruga që shkruan historinë e emigrantëve ndër shekuj. Apo s’është kështu?
Kohët tani kanë ndryshuar. Një frymë dhe energji e re e jashtëzakonshme ka përfshirë vendin tonë. Kjo situatë na ka përfshirë edhe ne, që asnjëherë nuk e lamë, qoftë atëherë në mendimet tona dhe qoftë tani në kohët reale. Kudo që jam ndodhur, kam mbartur thelbin e ekzistencës tonë mbi supe, pasi shpirti im artistik i përket prejardhjes sime, shqiptarisë. Në thelb ngelem, ai, fëmija i rritur në detin e Vlorës dhe trojet e thepisura të Labërisë por, në të njëjtën kohë, meqë jetojmë në kohëra moderne, është e nevojshme të kem edhe një mendësi e kombësi globale.
-Keni thënë që “arti krijon imazhin e një kombi”. Cilët artistë shqiptarë japin imazhin e Shqipërisë? Si do ndihmojë kryeministri piktor në imazhin tonë si komb?
Prej kohësh historike emri i Shqipërisë është dëgjuar falë veprimtarisë së njerëzve të shquar të saj. Gjatë fundit të shekullit XX dhe fillimeve të shekullit XXI emri i saj është mjaft domethënës falë kreativitetit plot vlerë të artistëve të saj të rinj, me famë ndërkombëtare e të konsoliduar si: Anri Sala, Adrian Paci, Sisley Xhafa dhe së fundmi Driant Zeneli, Helidon Gjergji e Fani Zguro, që kanë krijuar një imazh shumë cilësor dhe kërshëror për elitat artistike botërore. Detyra jonë brenda vendit është t`i bëjmë më tepër jehonë e në të njëjtën kohë, me profesionalizëm, të rrisim nivelin e prezantimit të artistëve të tjerë shqiptare si brenda ashtu dhe jashtë vendit.
Kemi fatin të kemi një Kryeministër që është i lidhur thellësisht me artin. Ai ka konfirmuar, pafundësisht, mbështetjen e tij dhe të qeverisë së re, për artin dhe kulturën, pasi me të drejtë i konsideron aspekte shumë të rëndësishme të kulturës shpirtërore dhe materiale të thelbit të një kombi.
-Njëqindvjetori numëroi aktivitete të shumta nëpër botë që shfaqën artin dhe kulturën shqiptare. Tani që po afrohet përvjetori i 101-të, çfarë mendimi e këshillash keni për këto lloj aktivitetesh?
Përvjetorët janë fenomene historike me entuziazëm të madh, ku të gjithë mundohemi të kontribuojmë në maksimum. Ajo që kryeson është rritja e cilësisë së këtyre aktiviteve. Kjo kërkon një punë koherente, të vazhdueshme, jo me ndërprerje, jo të sajuara në çastin e fundit, por të mirëplanifikuara, ku marrin pjesë të gjithë aktorët përkatës, ku respektohen të gjitha fushat dhe kontribuesit e kohëve historike.
Pra, duke u nisur nga ky kuptim kritik e konstruktiv, kam mendimin se i kemi të gjitha mundësitë për të rifreskuar mënyrën e organizimit të aktiviteve kulturore në vite. Shqipëria ka një tharm krijues të rallë. Le të punojmë me qëllim që ky tharm të jetë i shpërndarë në mënyrën e duhur, që të prodhojë rezultate të papërfytyruara dhe të dëshiruara nga të gjithë.
Kjo interviste eshte e disponueshme dhe ne italisht