Në një intervistë eskluzive për Albanianews, Ambasadori shqiptar në Romë, Llesh Kola, flet për marrëdhëniet me komunitetin shqiptar në Itali, angazhimin e ambasadës në mbrojtjen e imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, shpesh të pranishëm në kronikën e zezë, shërbimin telefonik të ambasadës, pengesat në lëvizjen e lirë të studentëve, të drejtën e votës për emigrantët dhe diversifikimin e burimeve energjetike në Shqipëri.
Cili është raporti që ka ambasada me komunitetin shqiptar në Itali, shoqatat dhe forma të tjera të organizuara, dhe çfarë po bën konkretisht ambasada për ti zhvilluar këto marrëdhënie?
Faleminderit juve që erdhët në ambasadë për të na kontaktuar drejtpërdrejt që të kemi mundësinë të pasqyrojmë si qëndrimet e ambasadës por edhe punën që po bëjmë për komunitetin shqiptar që jeton në Itali, bashkëpunimin me shoqatat dhe me qytetarët e thjeshtë njëkohësisht. Dëshiroj të theksoj që kemi marrëdhënie shumë të mira me komunitetin tonë. Ambasada me gjithë stafin e saj u gjendet afër njerëzve brenda mundësive institucionale. Me shoqatat bëjmë një punë permanente dhe me ardhjen time në ambasadë kam caktuar një diplomat që merret me raportin me shoqatat, në mënyrë që shoqatat dhe bashkëkombësit ta shohin ambasadën si përfaqësuesen dhe mbrojtësen e interesave të tyre dhe besoj se kjo gjë është arritur konkretisht.
Ambasada ka qenë dhe është një derë e hapur për qytetarët shqiptarë. Jam përpjekur si ambasador, me gjithë stafin e ambasadës, që ta bëjmë ambasadën si shtëpinë e gjithë shqiptarëve, në radhë të parë për artistët. Në fakt janë organizuar disa ekspozita fotografie, pikture, artistike brenda ambienteve të selisë por edhe jashtë saj, dhe të gjitha këto janë të pasqyruara në websitin e ambasadës. Kemi marë pjesë në disa evenimente të organizuara nga shoqatat shqiptare në Romë, Lazio dhe më gjerë në Itali, duke dhënë partneritetin tonë dhe duke ofruar mbështetjen në promovimin e aktiviteteve të tjera në bashkëpunim dhe me institucionet lokale italiane. Në websitin e ambasadës që është krijuar jo prej shumë kohësh mendojmë të vendosim dhe një rubrikë të veçantë për të pasqyruar aktivitetet e shoqatave, në rastet kur këto të fundit njoftojnë dhe ambasadën.
Kjo bëhet për t’i dhënë një hapësirë publiciteti institucional veprimtarisë së shoqatave dhe në të njëjtën kohë për të nxitur bashkëpunimin e shoqatave me ambasadën që i përfaqëson në Itali. Kjo ka qenë një punë permanente që është bërë, për të nxjerrë në pah vlerat e shqiptarëve, shkallën e integrimit të tyre, por edhe për të trajtuar problemet, të cilat nuk kanë qenë të vogla. Me shumë rëndësi është dhe bashkëpunimi që ka ambasada me institucionet qendrore dhe lokale, me OJQ-të italiane, në mënyrë që komuniteti shqiptar, siç ndodh fatmirësisht, të trajtohet mirë, të ketë të drejtat e tij dhe të jetë pjesë e raporteve dypalëshe, ashtu si ka ndodhur. Raportet me komunitetin italian janë përmirësuar. Fatmirësisht ka ndryshuar dhe imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që sipas statistikave janë komuniteti më i integruar në Itali. Kjo është arritje e përbashkët e shqiptarëve por dhe e punës tonë që kemi bërë gjatë gjithë kesaj periudhe.
Lidhur me imazhin e shqiptarëve në Itali, shumë herë na shoqërojnë paragjykimet negative falë pranisë në kronikën e shtypit italian që në disa raste ka arritur deri në “kanibalizëm mediatik” duke përgjithësuar disa veçori sikur ti përkisnin të gjithë shqiptarëve. Ju keni marrë një pozicion para disa kohësh, duke falenderuar drejtorin e Corriere della Sera, për pasqyrimin e shembujve të suksesshëm të shqiptarëve që jetojnë në Itali. Si ka mundësi që ambasada, përfaqësuesi ynë në Itali, nuk reagon gjithnjë në rastet kur ne diskriminohemi në mediat e shkruara dhe televizive?
Në radhë të parë nuk është e vërtetë që ambasada nuk reagon. Ka reaguar me forcën e arsyes diplomatike dhe përfaqësimit të gjithë shqiptarëve dhe kemi raste konkrete për këtë. Unë personalisht jam spostuar në Torino kur ka pasur probleme me një nxënës në shkollë, kam reaguar me kryetarin e bashkisë së Romës dhe institucione të tjera qendrore për rastin e Kledi Kadiut dhe për raste të tjera. A jemi apo jo në shtyp me reagimet tona kjo nuk është pjesë e përgjegjësisë tonë. Ne kemi përgjegjësi të qenit afër shqiptarëve dhe problematikave që ata kanë. Unë mendoj se për fatin e mirë të shqiptarëve dhe tonin njëkohësisht, edhe puna jonë është ulur sepse vetë imazhi i shqiptarëve është ngritur, duke shënuar kështu dhe një ulje të vëmendjes negative të medias, që shqiptarët nuk janë më problem. Këtë e pohojnë mediat, televizionet, delegacionet që shkojnë e vijnë në Shqipëri dhe në Itali. Une jam shumë krenar dhe duhet të jenë shumë krenar dhe ata për këtë status që kanë fituar në Itali. Nuk mund ta quajmë të diskriminuar statusin e shqiptarëve këtu, përkundrazi kanë statusin e emigrantëve të suksesshëm, një histori suksesi që ka ndodhur falë shkallës së integrimit të shqiptarëve dhe ne duhet të shohim anën pozitive. Ambasada gjithnjë bën punën e saj dhe pse nuk del në shtyp, qoftë në atë italian qoftë në atë shqiptar. Fakti që ju treguat për letrën time drejtuar drejtorit të Corriere della Sera, i cili më është përgjigjur pozitivisht dhe pse nuk është botuar letra ime, tregon që unë e kam ndjekur shtypin, reagimet pozitive dhe negative në shtyp dhe në media. Ne reagojmë gjithnjë dhe marrim përgjigje. Kjo është kryesorja, fakti që ne jemi faktor i rëndësishëm në nivel lokal dhe kombëtar.
Qëndrimet dhe reagimet e ambasadës, ndoshta dihen vetëm nga ata që janë të mirëinformuar, por jo të gjithë bashkëkombësit kanë mundësi e të pasurit akses në këto informacione. Do të ishte e dobishme edhe për ambasadën që të kishte sa më shumë komunikime të mundshme, në ambientet ku lejohet, shtypi online, gazeta shqiptarësh, nëpërmjet shoqatave.
Do e preferoja shumë këtë, ju mirëpresim të bashkëpunoni për këtë. Nuk kam preferuar asnjëherë që reagimet kundrejt negativitetit të shtypit italian të jenë pjesë publike. Kam menduar ti vlerësoj si pjesë e aksioneve të mia diplomatike për ti zgjidhur. Nuk kam dashur që të jenë pjesë e një marketingu publicitar që nuk do më shërbente. Duhet të jetë diçka që tu shërbejë atyre që u zgjidh problemin dhe riparimit të imazhit të shqiptarëve në përgjithësi. Në këtë momenti imazhi i shqiptarëve është lart, dhe kjo ndihmon jo vetëm ata por edhe marrëdhëniet dypalëshe me Italinë.
Albanianews do mund të jetë një mundësi e mirë sa herë do keni nevojë të komunikoni me shqiptarët, pasi ndihet nevoja per t’u dhënë përgjigje problematikave që kanë shqiptarët.
Absolutisht po.
Komuniteti shqiptar është një nga më të integruarit në Italia, ashtu siç del shumë qartë në Dosierin e fundit Karitas/Migrantes. Fakti i të pasurit shumë studentë, apo njerëz të angazhuar në shoqërinë civile e në politikë, tregon që komuniteti ka bërë një hap më shumë drejt integrimit. Në këto momente është hapur dhe debati në Shqipëri për të drejtën e votës së emigrantëve, debat që sigurisht lidhet edhe me fushatën zgjedhore. Ju mendoni se ka ardhur koha që shqiptarët me banim jashtë Shqipërisë të mund të votojnë atje ku jetojnë?
Niveli i integrimit të komunitetit është në një nivel shumë të mirë dhe këtë nuk e themi ne, dhe pse do donim ta thonim, por raportet e bëra nga istitucionet italiane. Shqiptarët i gjen kudo, në botën e kulturës, në biznes, universitete. Më shumë se 20 mijë shqiptarë kanë ndërmarje të vogla dhe të mesme, paguajnë taksat këtu. Niveli i përfaqësimit na ngroh zemrën dhe na kënaq për statusin e tyre dhe shkallën e integrimit. Nuk kam si të mbështes asnjë lloj alternative tjetër përveç të drejtës së tyre për të votuar, meqë bëhet fjalë për një të drejtë të tyre universale dhe kushtetuese të garantuar në legjislacionin shqiptar. Unë jam një mbështetes i të drejtës së tyre për të votuar dhe aty ku banojnë, por kjo nuk varet nga ambasada pasi nuk jemi vendimmarrës. Për këtë vendos shteti ynë, parlamenti si organ ligjvënës. Në radhë të parë, shteti duhet të marrë masat teknike për organizimin e kësaj shkalle votimi, ku dhe kush do jetë përgjegjës, si do të mblidhen dhe akoma më shumë të kalohet në një shkallë vendimmarrjeje politike ku të thuhet se emigrantët shqiptarë të mund të votojnë. Ka dy nivele, një politik dhe një teknik. Pa u rregulluar niveli teknik nuk mendoj se mund të arrijmë në një zgjidhje politike.
Pra ju mendoni që në fillim i duhet dhënë një organizim teknik dhe më tej një vetëdije politike nga ana e politikës shqiptare?
Mendoj se vetëdija politike ekziston, nuk kam dyshim për këtë meqë bëhet fjalë për një të drejtë kushtetuese. Mendimi im personal është që ekspertët tanë të zgjedhjeve në Shqipëri të studiojnë praktikat ndërkombëtare dhe të vendeve të tjera duke i përshtatur, pastaj të marrim dhe vendimin politiko-ligjor që emigrantët të votojnë. Mendoj se kjo do ndihmojë që ky proces të bëhet ashtu si duhet, sepse në radhë të parë duhet bërë në bazë të ligjit dhe në të njëjtën kohë të arrijmë të japim një imazh të mirë, që mos kemi probleme nesër. Më kryesorja, duhet ta bëjmë dhe të gjejmë mënyren që vota të shkojë atje ku jepet.
Një aspekt tjetër që shumë lexues, sidomos studentë, kanë vënë në pah janë pengesat që ju dalin për shkak të statusit juridik që gëzojnë në Itali. Marrim dy raste konkrete. Studentët e vitit të parë që nuk arrijnë të kthehen në Shqipëri pa pasur lejeqëndrim origjinal, dhe ju jeni të mirëinformuar që vonesat në dhënien e lejeqëndrimeve nga kuesturat italiane e kalojnë një vit. Rasti tjetër ka të bëjë me pengesat që hasin studentët që kanë kërkuar përsëritjen e lejeqëndrimit, për t’u specializuar dhe udhëtuar në Evropë. Mundet ambasada, shteti ynë, të lëvizin në spektrin e marrëveshjeve dypalëshe me Italinë në këto fusha?
Keni shumë të drejtë, për lejet e qëndrimit jo vetëm të studentëve por të gjithë qytetarëve shqiptare. Sistemi italian, ashtu siç na informon Ministria e Brendshme italiane dhe kuesturat e ndryshme, çalon dhe ky problem është për të gjithë të huajt. Po mendojnë seriozisht për ta konceptuar ndryshe sepse ka bllokuar në vend që të zgjidhë probleme. Meqenëse nuk është vetëm një problem që u përket shqiptarëve, ambasada ka kërkuar shpjegime dhe përgjigja ka qenë se sistemi nuk funksionon mirë për të gjithë. Pra u takon autoriteve italiane të merren me këtë problem dhe të marrin masat e duhura për ta zgjidhur.
Përsa i perket pyetjes së dytë të levizjes së studentëve shqiptare jo vetëm në Shqipëri por dhe në BE, edhe kjo lidhet më shumë me çështjen e dokumentave të udhëtimit sepse me një ricevutë nuk mund të udhëtosh në vendet e tjera te BE, duhet të kesh një dokument identifikimi dhe një vizë. Këtë problem, qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera, përfshirë ambasadën po punojnë për ta zgjidhur me arritjen e lëvizjes së lirë në Itali dhe në vendet e tjera të BE. S’kam mundësi të bëj një marrëveshje dypalëshe mbi këtë aspekt, pasi çdo shtetas shqiptar është i pajisur me pasaportën e vet dhe Italia duke qenë anëtare e vendeve Schengen nuk mund të marrë iniziativa të njëanshme pa miratimin e vendeve te tjera. Ne po ndjekim situatën por zgjidhja do jetë globale në rastin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në BE, ku shpresojmë që shumë shpejt dhe Shqipëria do të bëjë pjesë. Studentët janë kategoria e parë e lehtësuar në MSA-në e ratifikuar para pak muajsh.
Duke u kthyer edhe njëherë të mënyra e komunikimit, ambasada jonë ka një website prej 2007-ës, kur ju keni marrë detyrën në Romë. Me siguri kjo është pozitive dhe fakti që AlbaniaNews tregon se komunikimi me internet funksionon. Shumë lexues e vlerësojnë pozitivisht sitin e ambasadës, por kërkojnë që të jetë më shumë dinamik, të lidhet më shumë me njerëzit, të ketë seksion për shoqatat dhe sa më shumë komunikim nëpërmjet të gjitha kanaleve të mundshme, duke pranuar sugjerime, këshilla e kritika nga lexuesit. Cili është pozicioni juaj rreth këtij argumenti?
Dera e ambasadës ështe e hapur për të komunikuar me gjithë ambasadën. Jo pa qellim që me ardhjen time kam vënë websitin. Për të qenë modest, jo pa vështirësi, kam qenë dhe jam i bindur se duhej bërë. Në të njëjtën kohë jam i bindur se ka hapësira për ta ndryshuar, zgjeruar dhe pranuar ide, që të rrisë komunikimin me shoqatat shqiptare por edhe me institucionet italiane. Atje ne pasqyrojmë disa nga aktivitetet tona, jo te gjitha. Siç po thoja më parë, në web vendosen vetëm aspektet e disa aktiviteteve të ambasadës, duke lënë jashtë të gjithë aktivitetin e përditshëm diplomatik, delegacionet etj. Kam preferuar që këto komunikime takimesh dhe shkëmbime delegacionesh ti bëjnë institucionet shqiptare dhe ato italiane të angazhuara. Diplomacia parashikon si rregull që jo gjithshka mund të botohet, por kësaj unë jam për ti dhënë akoma më hapësirë. Prandaj do bëjmë një seksion të sitit posaçërisht për shoqatat për bashkepunimin maksimal me ambasadën. Ambasada është e shqiptarëve, nuk është as e imja dhe as e diplomatëve që do vijnë pas meje. Kështu që une jam shumë i hapur për të pritur kritika dhe sugjerime mbi këtë fushë. Ne kemi bërë një hap, të tjerat lë ti bëjmë bashkarisht.
Shumë shpesh personat që kontaktojnë ambasadën nuk arrijnë të lidhen me numrat telefonikë. Nga se varet kjo?
Kritikat jane shumë të drejta sepse të gjithë ata që i drejtohen ambasadës duan një pergjigje. Nga ana tjeter duhet të na mirëkuptojnë dhe ata që kritikojnë për sa kemi ne dispozicion të bëjmë ne si ambasadë. Aktualisht kemi dy numra në shërbim të qytetarëve për shërbimet konsullore, me një fluks shumë të madh thirrjesh. Mos të harrojmë se në Itali jetojnë më shumë se gjysëm milion shqiptare. Një pjesë dërrmuese e tyre për probleme të ndryshme i drejtohet ambasadës, që ka vetëm tre linja telefonike dhe fluksi teper i madh bllokon linjat. Ne jemi të vetedijshëm, kemi marrë ankesa, letra dhe po punojmë për zgjerimin e rrjetit. Duhet të sforcohemi të gjithë për të përdorur të gjitha kanalet komunikuese me ambasadën, si faksi, e-mail, interneti. Çdo shqiptar mund të na drejtohet me çdo mënyrë, qoftë dhe me sms në celular që ne ti gjendemi pranë për problemet e tyre. I mirëkuptoj kritikat por i ftoj bashkëkombësit të marrin në konsideratë dhe kontekstin ku punojmë. Ambasada e ka te pamundur të trajtojë të gjithë fluksin telefonik pasi vetë rrjeti nuk i mban. Ka dy njerez me kohë të plotë që përgjigjen vetëm në telefon, por fluksi është shumë i madh. Ne jemi të hapur për të gjetur bashkë me shoqatat, individët, format më të mira të komunikimit për t’iu gjendur sa me afer, ashtu si u jemi gjendur deri më sot për problemet, hallet, sëmundjet, vdekjet që kanë patur. Ne jemi në sherbim të qytetarëve 24 ore në ditë për 7 ditë në javë, brenda respektimit të normativave.
AlbaniaNews do të theksojë që këto probleme janë mëse të kuptueshme por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që një komunitet me më shumë se gjysëm milioni njerëz, nuk mund të shërbehet vetëm me 3 linja telefoni dhe kaq pak personel. Kjo duhet të na shtyjë që të pretendojmë nga politika shqiptare dhe nga shteti një zgjerim të kësaj strukture, për tu ardhur me të vërtetë në ndihmë bashkëatdhetarëve. Pyetja tjetër lidhet me burimet energjitike. Kohët efundit Albanianews ka shkruar mbi marrëdhëniet Itali Shqipëri në fushën e energjitikës. Mendoni se është pozitive për Shqipërinë, psh. energjia e nxjerrë prej centraleve me qymyr ose atyre berthamorë?
Këto janë zhvillime shumë pozitive që duhet të ishin mirëpritur nga të gjithë. Pikë së pari duhet të shohim situatën shumë stresante që ka pasur Shqipëria dhe shqiptarët për mungesën e energjisë elektrike me orë e orë të tëra. Pastaj kemi trashëguar një sistemi energjitik që varej tërësisht nga kushtet atmosferike. Objektivi i qeverisë ka qenë diversifikimi i burimeve energjitike, dhe për këtë janë kërkuar dhe janë gjetur partnerë ndërkombëtarë seriozë. Me projektet që na janë paraqitur nga ana italiane, janë marrë impenjime shumë të mëdha kontratuale për ndërtimin e disa impianteve që do të shërbejnë për diversifikimin e prodhimit të energjisë. Ka një impenjim për energji me erë në jug të Shqipërise, një me gaz në Seman të Fierit, një me qymyr në Durrës dhe një impiant në Lezhë me energji ere dhe kombustibël. Këto 4 projekte përbëjnë një investim prej 5 miliard eurosh. Unë e konsideroj një sukses të punës ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Sigurisht jo të gjithë as janë dhe as duhet të jenë të kënaqur, sidomos shtresat ambientaliste. Unë mirëkuptoj qëndrimet kritike që mund të kenë ata që shkruajnë për këtë çështje, por Shqipëria duhet kujtuar që është ndodhur në situata shumë të pakëndshme. Duam që ta lemë Shqipërinë në fatin e natyrës, përsa i përket energjisë, apo duam të diversifikojmë burimet? Qëndrimi ynë është i dyti dhe të fituar do jenë të gjithë, ekonomia, shtetasit, bizneset. Nuk mund ta lemë Shqipërinë si një vend pa stabilitet energjitik dhe prandaj mendoj se kjo linjë duhet mbështetur. Dua të nënvizoj se të gjitha projektet janë aprovuar vetëm pasi kanë respektuar standartet e mjedisit. Nuk është se kemi aprovuar pa kriter projektet e paraqitura. Ato projekte që kanë autorizimin janë pranuar në bazë të të gjitha normave. Përballë një realtiteti ku energjia mungon dhe një kërkese për standarte më rigoroze ambientale, mendoj se duhen vlerësuar të dyja, por i duhet dhënë prioriteti nevojës për energji. Ne nuk pretendojmë ta bëjmë Shqipërinë një fuqi energjitike, por fakti që mund të mbulojmë nevojat kombëtare, ta eksportojmë atë pas kësaj, jo vetëm që i rrit prestigjin vendit tonë por i jep dhe shumë të ardhura. Ju (Albanianews) keni folur dhe për bërthamorin. Këto nuk janë të vërteta. Nuk ekziston asgjë zyrtare për këtë argument, pra ne flasim vetëm për fakte zyrtare dhe deri në këtë moment Shqipëria nuk ka aktivizuar asnjë kanal zyrtar për energjinë nukleare.
Kjo do të thotë që shteti ynë nuk është i interesuar për energjinë bërthamore?
Jo. Shteti ynë dhe vetë kryeministri është shprehur se ne jemi të hapur për çfarëdolloj energjie që do na ndihmojë të zgjidhim problemin tonë energjetik dhe të zhvillojmë sektorin. Megjithatë për bërthamorin nuk vendosim vetëm ne, ka rregulla ndërkombëtare që duhen respektuar me lejet dhe autorizimet përkatëse.
Ju falenderojmë për intervistën që na dhatë.
Ju faleminderit juve për mundësinë e komunikimit. Dua t’u them të gjithë bashkëqytetarëve të mi që dyert e ambasadës janë të hapura për të gjithë dhe ne jemi në shërbim të qytetarëve. Na sugjeroni, këshilloni dhe sigurisht që ne do të dimë të dëgjojmë propozimet tuaja.