Afërditë jeton në Itali që prej 20 vitesh duke kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj në këtë vend. U diplomua me nderime në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane në Universitetin e Firences, dhe është eksperte në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar me Shqipërinë, integrimin në Itali dhe çështje të tjera të integrimit evropian. Afërditë është aktiviste e hershme e shoqatave në dobi të komunitetin shqiptar në Itali dhe nxitëse aktive e forcimit të marrëdhënieve midis emigrantëve dhe komunitetit vendas.
Profesioni i saj aktual është kërkimi social dhe menaxhimi i projekteve evropiane nëpërmjet Spin off të shoqatës ICSE & Co që ajo vetë ka themeluar dhe drejton që nga viti 2010.
Gjithashtu, në rolin e konsulentit për Programin për diasporën shqiptare zbatuar nga IOM Albania, Afërditë ka mundur të thellojë ekspertizën mbi çështjet shqiptare që ajo ka ndjekur dhe studiuar që nga koha e Universitetit.
Albania News ka realizuar këtë intervistë me Afërditën për të eksploruar më shumë çështjet e integrimit aktiv të komunitetit shqiptar në Itali, e jo vetëm.
Sipas mendimit tuaj, cili është dallimi midis gjeneratës së parë dhe të dytë të shqiptarëve në Itali drejt vendit të origjinës? A ka një ide për t’u kthyer, dhe a është e njëjta ëndërr që kanë gjeneratat e para dhe të dyta?
Kemi të bëjmë me dy breza që kanë një vizion krejtësisht të ndryshëm rreth Shqipërisë. Gjenerata e parë, ajo e prindërve, sjell me vete një ndjenjë zhgënjimi dhe plotësim të vonuar të ëndrrave që nuk janë realizuar asnjëherë në atdhe. Ndërsa fëmijët nuk kanë një të kaluar po aq të zhgënjyeshme, ata kryesisht jetojnë një ndjenjë që lidhet me realizimin e qëllimeve të ardhshme personale dhe profesionale.
Që mund ta përkthejmë me një vizion të etërve si nostalgji patriarkale. Mjafton të përmendim disa fraza për t’u kuptuar më mirë: “më dhemb shpirti për tokat djerr, ose për shtëpinë bosh” për të përmbledhur më qartë sensin e kësaj “lidhjeje gjaku”, apo pasioni me origjinën.
Por fëmijët vështirë se e përjetojnë këtë mungesë pasionale.
Përkundrazi, lindur dhe rritur si evropianë dhe modernë, ata e shohin Shqipërinë si mundësi për të thelluar bagazhin e njohjes së prejardhjes së tyre, e cila shpesh lidhet me një ide të “investimit për kthim” në vend të “ndjenjës së kthimit“.
Është perspektiva e mundësive dhe krahasimi me Italinë që vazhdon të ecë e çalë që ngjall më shumë interes të një kthimi të mundshëm, ndryshe nga ndjenja e shpagimit të baballarëve. Dhe pikërisht këtu ia vlen të punohet më gjeneratat e reja për të shfrytëzuar mundësitë që ofron programi.
Cilat janë pikat e forta e të qenurit një brez që vepron si një “urë”, që njeh thellësisht Italinë dhe që në të njëjtën kohë e konsideron Shqipërinë si bukën e përditshme të jetës së vet?
Brezat e dytë në Itali, po ashtu dhe unë, e kanë patur funksionin e”urës” gjatë gjithë viteve ‘90 dhe 2000, vite integrimi për komunitetin shqiptar në Itali. Roli i tyre ka qënë posaçërisht për të lehtësuar dhe zgjidhur çështjet burokratike në jetën e përditshme në Itali, duke vepruar si ndërmjetës gjuhësor dhe shpeshherë dhe social e kulturor.
Sot kërkesa shtrohet nga kahu i kundërt: na kërkohet të jemi sërish “urë”, por drejt Shqipërisë, për të lehtësuar investimet italiane dhe ato të diasporës shqiptare. Mund të them që është një rrugë në ngjitje. Ndaj, nevojiten mjete të reja që nuk lënë peshën e fatit në gjeneratën e dytë, por përkundrazi, e ndihmojnë atë të kalojë mbi këtë urë. Dhe është pikërisht kjo që po përpiqet të bëjë Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare“, duke i dhënë vlerën e duhur njohurive dhe bagazhit profesional të këtij brezi duke ofruar mundësi financiare dhe rrjete drejt Shqipërinë kudo që të jetë e mundur.
Edhe pse pa mjetet e nevojshëm, shumë të rinj të gjeneratës së dytë që kanë dashur të punojnë me dhe për Shqipërinë, kanë gjetur gjithmonë një rrugëzgjidhje. Sot, ajo që ofrohet është një sistem për ata që janë vërtet të interesuar për Shqipërinë nga ana profesionale (dhe jo vetëm personale), të cilët mund të gjejnë rrugën e tyre përtej frikës që fillimisht mund të perceptohet nga ‘kthimi’ në vendin e origjinës.
Një nga mangësitë më të mëdha të gjeneratës së dytë të shqiptarëve, edhe pse zotërojnë mjaftueshëm gjuhën e prindërve të tyre, nuk gjejnë lidhje në aspektet e bashkëpunimit dhe kulturës së përbashkët. Sa ndikon gjuha shqipe dhe sa mund të konsiderohet ajo një instrument i mjaftueshëm për të punuar me Shqipërinë?
Lidhja mes njohurisë së gjuhës shqipe dhe të diturit si të krijosh një investim kthimi nuk është aspak automatik. Gjuha nuk është e mjaftueshme, e cila shpeshherë zotërohet, por në mënyrë sipërfaqësore, dhe çdo ndryshim i vogël dialektor të vë në vështirësi. Për të krijuar vërtet një lidhje me vendin, ne kemi nevojë për mjete bashkëpunimi praktike, njohuri të thelluara të sektorëve të veçantë, të ligjeve, dhe pse jo, njohuri më të mëdha të kulturës shqiptare.
Rrjeti që krijon ky program është një pikënisje e mirë.
Por aspekti që mbetet alarmant për të gjithë diasporën shqiptare dhe mbi të gjitha për ne që jetojmë në Itali, është humbja progresive e kulturës dhe gjuhës shqiptare. Në 10 vitet e ardhshme mund të gjendemi në një skenar ku familjet kanë vërtet një flamur dykrenar të varur në mur, por do të kenë harruar edhe atë që dinë sot në aspektin historik, kulturor dhe gjuhësor.
Invevstim dhe bashkëpunim është edhe rritja në kapacitetet kulturore dhe ne duhet të investojmë nëse duam baza të forta për një strategji të mirëpërcaktuar dhe për të ardhmen e diasporës shqiptare.
Ju mbuloni rolin Focal Point (Person Kontakti) për Programin “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”zbatuar nga IOM Albania. A mund të na tregoni pak për punën tuaj dhe për statusin aktual të programit?
Roli që unë mbuloj është Focal Point për rajonin e Toskanës e që konkretisht më mundëson të thelloj shumë çështje, duke zhvilluar më tej marrëdhënie dhe ndërlidhje që kisha ushqyer edhe më parë. Kjo më mundëson të kontribuoj për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimeve dhe investimeve në interes të Shqipërisë.
Edhe pse plot entuziazëm, roli ynë është po aq i vështirë sa është zbatimi i vetë Programit. Po flasim për herë të parë për një plan të ndërgjegjshëm, i cili përpiqet të përfshijë komunitetin, jo vetëm duke e konsideruar atë si përfituesin përfundimtar, por mbi të gjitha si një subjekt aktiv që ka planin e vet për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe pikërisht këtu qëndron kompleksiteti.
Programi filloi me synimin e krijimit të rrjeteve dhe lehtësimin e investimeve, bashkëndarjen e aspekteve socio-kulturore si dhe përfshirjen e diasporës në aspektet e pjesëmarrjes demokratike dhe shoqërore në Shqipëri. Por na u desh të përballeshim me çështje akoma më thelbësore që ka komuniteti ynë e me të cilat punuam para çdo veprimtarie tjetër që përcaktonte Programi.
Para së gjithash, na u desh të kuptonim se si të krijonin një rrjet të ri me komunitetin, duke supozuar se egziston një komunitet i mirëfilltë dhe i organizuar në mënyrë të pavarur. E vumë re që megjithëse ka shumë shoqata dhe lidhje me autoritetet vendore, komuniteti ynë nuk është akoma protagonist i nevojave dhe kërkesave të veta.
Vështirësisë së sipërpërmendur i shtohet edhe marrëdhënia konfliktuale që shqiptarët kanë ndaj vendit të tyre, ku bëhet gjithçka me shumë zemër dhe pak kokë, dhe pa kombinuar zemrën dhe kokën nuk mund të krijohet qëndrimi i diasporës. Është e nevojshme të ndash idetë e asaj që dëshironim të bënim në Shqipëri kur jetonim atje, nga ajo që vërtet mund të bëjmë sot.
Çështja e fundit, jo më pak e rëndësishme, është mosbesimi dhe shkëputja që shqiptarët kanë me institucionet e vendit të tyre të origjinës. Kjo ka një pasojë negative në ndërgjegjësimin për bashkëpunimin dhe mundësitë e investimit pa e lidhur atë me dështimet historike dhe politike. Nëse kjo shoqërohet nga njëra anë me një dorëzim dhe mosbesim të tipit “Shqipëria nuk bëhet kurrë” dhe nga ana tjetër nga një fanatizëm patriotik, kuptohet se sa punë duhet bërë akoma.
Me programin na është dashur të përballemi edhe me këto rrethana, akoma përpara se të zhvillonim platformën që synon të angazhojë drejtpërdrejti diasporën shqiptare si një agjent zhvillimi për promovimin e investimeve të huaja.
Shqipëria është gjithnjë e më shumë një vend i pëlqyer për investime nga Italia. A është kështu? Dhe nëse jo, cilat elemente që mungojnë?
Prej shumë vitesh Shqipëria është kthyer në një vend investimi për italianët, por ende jo mjaftueshëm për vetë shqiptarët. Nga pikëpamja ime imagjinoj zhvillimin e diasporës dhe përfshirjen e saj drejt Shqipërisë, jo vetëm nga gjeneratat e dyta, por një kusht që përfshin gjithë familjen. Nëse mendojmë për shqiptarët në Itali, vendimi për investime duhet të jetë i përbashkët dhe për këtë arsye të mbështetet nga të gjithë anëtarët e familjes. Por në realitet, dëshira për të shpenzuar para dhe energji në vendin e origjinës është e prirur drejt ndërtimit të një shtëpie nga ana e zotit të shtëpisë, por ende jo në formën e krijimit të investimeve dhe produktivitetit.
Personalisht mendoj se kjo mungesë orientimi drejt një investimi të ndryshëm nga pasuria e patundshme varet shumë nga roli i gruas në familje.
Siç kam parë në disa kompani shqiptare në Itali, ato rriten si kompani të vogla të strukturuara familjare kur mbi të gjitha gruaja bëhet pjesë e kompanisë, duke krijuar një vlerë të shtuar tipike të kompanive familjare italiane, të angazhuara në impenjimin dhe strategjitë afatgjate. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush mendon për një formë investimi në Shqipëri, ky “pozitivitet” ekonomik i grave është edhe kulturor. Shpesh femrat ndjejnë një rrezik të patriarkal që mund të cënojë lirinë e saj të fituar në Itali, që e detyron atë të mos pranojë investime në Shqipëri. Nëse përfshihet e gjithë familja, ku gruaja me shkallën e saj të integrimit dhe përvojës mund të luajë një rol thelbësor, do të arrihet të tejkalohet çdo formë shpengimi i të kaluarës zhgënjyese me ide të suksesshme.
Çfarë mund të presim nga ky Program?
Shumë veprimtari, si për shembull platforma Connect Albania si dhe mundësi për të pasur eksperienca pune në Shqipëri që do të jenë shanse të shkëlqyera prezantimi për ata që kanë ide konkrete dhe që dëshirojnë t’i realizojnë. Programi, në kuptimin më të përgjithshëm, është gjithashtu një matës i mirë se sa reale është distanca e dorës, që është Diaspora, nga zemra, që është Shqipëria.
Kjo intervistë është e disponueshme dhe në italisht me titull “Afërditë Shani: le seconde generazioni e l’evoluzione della diaspora albanese in Italia”
Lexo gjithashtu
Angazhimi i Diasporës Shqiptare: dy fjalë për Programin
Programi “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë” është e financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim ( AICS ), dhe e mbështetur politikisht nga Ministria për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë (MAECI).
Programi zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin – Agjencia e Kombëve të Bashkuara për Migracionin ( IOM ) në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Diasporën Shqiptare, Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë/AIDA dhe AICS.
Synimi i këtij programi është të ndihmojë në angazhimin e Diasporës Shqiptare në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Shko te faqja e Programit
Personat e Kontaktit të Programit në Itali
- Toskana: Afërditë Shani [email protected]
- Lacio: Anila Husha [email protected]
- Emilia Romanja: Resli Bitincka [email protected]
- Kalabri/Zonat arbëreshe: Irene Margariti [email protected]
- Lombardi: Besmir Rrjolli [email protected]
- Piemonte: Osjon Osja [email protected]
Si të kontaktoni IOM Albania për informacione të mëtejshme rreth Programit?
Dërgoni një mail në adresën e postës elektronike [email protected]