« I qëndroj bindjes se, puna është “porta e parë”, ku çdo dhunë kundër femrës, përplaset fort. Merita e grave në bizneset e mëdha është e jashtëzakonshme, sepse me punësimin, u afrojnë qindra e mijëra femrave edhe një “dritare” mundësish për të njohur më mirë jetën, veten.
Dhe kur sipërmarrëset kanë provuar se së pari, kapërcimi i sfidave ndaj vetes përkthehet në fitore, ndihmën e afrojnë me zemër, pa bujë për çdo grua tjetër. “Gratë e forta të bizneseve” ishte i pari titull që më erdhi kur projektohej ky libër, por nuk e pëlqyen gratë që tregojnë historitë e tyre të bizneseve, se gjykojnë që kanë bërë atë që kanë dashur, jo për forcë, por duke ndjekur një ëndërr. Këto gra kanë sakrifikuar shumë ndaj vetes, se përtej punës, në shtëpi kthehen tek nëna dhe nikoqiret e traditës. Modestisht, vlerësojnë mbështetjen e familjes si “kyçin’ e suksesit të tyre. Sot bashkojnë idenë për një organizëm, Fondacion dhe një rrjet biznesesh femërore, si mundësi që fuqizon dhe zhvillon gruan kudo. »
– Nga përshëndetja e autores Nini Mano, në hyrje të librit “Pasioni i biznesit”
Përshëndetje zonja Nini, mirë se vini në Albania News. Përfitoj nga rasti për t’ju drejtuar juve dhe kolegeve tuaja, përgëzimet për realizimin e këtij libri. – Si ju lindi ideja për realizimin e kësaj vepre?
Nuk ishte qëllim në vetvete puna për librin “Pasioni i biznesit” që sapo kemi promovuar në Tiranë, botimi i Qëndrës së Medias Ekonomike dhe Sociale. Në të përfshihen 57 profile grash shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, të cilat pas nisjes së bizneseve të tyre të vogla, me shumë punë kanë mbërritur tek bizneset e mëdha në fusha nga më të ndryshme. Si gazetare kam shkruar për mjaft biznese, mes tyre dhe femërore që nga viti 1992 deri sot dhe kam parë se me sa shumë punë ja kanë dalë. Shoqëria jonë sot i ka modelet brenda vendit, por as mediat nuk i kanë njohur.
Dhjetëra shoqata punojnë me fonde të projekteve të huaja duke u vërtitur rreth problemeve të dhunës mbi gruan, emancipimit të saj, kur çështja duket më e thjeshtë. Në fakt, gratë e bizneseve të mëdha ndikojnë direkt tek femrat për punësim dhe emancipim indirekt. Dhe nëse këto fonde me të cilat rrojnë dhjetëra shoqata në vend, përmes programeve qeveritare do të kalonin direkt tek bizneset për rritjen e mundësisë për punësime të reja, efektet e programeve Gender do të ishin më të shpejta. Gruaja emancipohet me shumë përmes punës, pavarësisë ekonomike, qëndrimit në kolektiva pune. Duke ndjekur në largësi këto shoqata, erdhi natyrshëm ideja për një libër për gratë e bizneseve të mëdha, që në media dhe jo vetëm aty, nuk njihen për publikun e gjerë, ndërsa i njohin punonjësit e tyre, tatimet, doganat. Promovimi i librit u prezantua në mediat kryesore në vend dhe e them me kënaqësi se libri “Pasioni i biznesit” po bëhet shumë shpejt pjesë e tryezave të punës edhe me qeverinë. Por mbi të gjitha, vlerësoj se në emisione të ndryshme në disa televizione po ftohen këto gra të mrekullueshme, që japin përvojat e tyre. Ky është dhe qëllimi ynë fundja.
-Sa kohë punë kërkimore, mbledhje informacionesh e verifikimesh përmblidhet në faqet e librit?
Para 22 vitesh, kur nisën privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore, aso kohe gazetare në “Radio Korca”, intervistova 5 aksionerë, që privatizuan fabrikën e konservave, mes tyre, dy gra. Vite më pas, vetëm ato kishin mbetur në biznes, që e kishin orientuar tek prodhimet sipas traditës së gjysheve. Kur i ritakova, duke qeshur më thanë: “ne u treguam më të duruarat dhe kështu fituam”.
Ndër vite, edhe si grua e ndoqa këtë trend me shumë interes, ndoshta sepse kam dashur të kuptoj rrugën se si kanë ecur dhe ja kanë dalë dhe kështu njoha shumë gra sipërmarrëse të suksesshme. Mund ta bëja fare mirë si një libër timin, por preferova të punoja me disa kolege gazetare ekonomie, që vitet e fundit kanë nisur të promovojnë në shtypin e shkruar këtë kategori biznesesh. I jap rëndësi këtij fakti, sepse jam sot në prag të moshës së pensionit dhe më pëlqen kur kolege të mijat, edhe pse shumë të reja në moshë, tërhiqen ndaj këtij target-grupi. Me Ornela Liperi, Arlinda Gjonaj, Laura Dashi, etj, punuam fort për 6 muaj, duke rendur nëpër Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për t’i takuar e parë këto gra, që vendosëm t’i bëjmë pjesë të librit.
– Cilat janë më saktësisht fushat e biznesit me leader gra shqiptare, që përmenden në libër? Kriteri kryesor që i vumë vetes ka qënë zgjedhje grash që e kanë nisur vetë gjithçka dhe pak e pak, janë rritur në biznese të mëdha, deri dhe VIP edhe në Kosovë e Maqedoni, pa munguar disa modele grash Top-menaxhere, që nxisin biznesin femëror, apo drejtojnë filiale të grupeve të mëdha botërore në Shqipëri.
Janë gra që drejtojnë biznese të mëdha në ndërtim, turizëm, hoteleri, industritë e fasonit, prodhimin me cikël të mbyllur, shërbimet në shumë fusha, arsimi jo publik, industritë, tregti grosiste, media, qendra estetike, botimet, etj. Një pjesë e grave nisën bizneset si për mbijetesë dhe në rrugë e sipër, mësuan më shumë e guxuan për të arritur tek bizneset e mëdha. Të tjera, në moshë fare të re kur ndodhën ndryshimet politike, kuptuan mundësitë e guxuan duke hyrë në botën e bukur të biznesit në një fushë të re, shërbimet. Pas çlirimit të Kosovës, hapësirat e lirisë drejtuan jo pak gra, që kur nga lufta humbën thuajse gjithcka, në pikënisje guxuan dhe fituan mbi mentalitete jo të pakta. Me këto përballen gratë shqiptare sot në Maqedoni, ku spikat tendenca e një brezi grash të reja në biznese të mëdha, që sfidojnë dhe paragjykimet.
– Cilat janë ndjesitë e mbresat tuaja vetjake nga kjo përvojë, nga gjithçka që verifikuat në këtë lëm të karrierës në biznes nga ana e grave shqiptare?
Admirimi është ndjesia më e fortë, që kam provuar në çdo takim me gra, që ngritën dhe drejtojnë sot bizneset e tyre të mëdha. I kam parë jo rrallë duke rendur në punë, shpesh të vështira për t’i takuar. Përballë tyre, çdo orë pritje humbiste kur kuptoja guximin dhe mençurinë në përballimin e sfidave jo të vogla. Dhe kanë ditur ta bëjnë aq bukur. Kam ndjekur zhvillimet e ekonomisë së tregut e biznesit, kam njohur gra të forta, që bëjnë biznes me maturi dhe mënçuri. Por më kryesore, kam kuptuar se suksesi i tyre mbështetet tek cilësitë më karakteristike të gruas shqiptare: guximi, këmbëngulja, ndershmëria, ndjeshmëria dhe shumë dashuri. Këto karakteristika sillen njëlloj dhe nga sipërmarrëset e mëdha në Kosovë, Maqedoni dhe 5 modele në emigracion, në Suedi dhe Arizona SHBA.
– Një “anekdotë” që ndonjëra nga protagonistet e librit ju ka treguar në lidhje me përvojën e saj profesionale e që ju ka lënë mbresë të veçantë?..
Më vjen keq, por nuk mund të veçoj dot, sepse secila prej tyre tregon të tilla nga më të ndryshmet….. Por po veçoj një: kur pronarja e “Bodyline”, qendra e parë estetike në Tiranë, hapi portën, pas trokitjes së parë në derë, u përball me një burrë, që u bë klienti i parë!
– Roli dhe pozicioni i gruas në Shqipëri: në fillim të viteve ’90, në hyrje të ekonomisë së tregut dhe ai sot…
Pas vitit 1990 kur në Shqipëri ndodhën ndryshimet politike, u mbyllën gjithë ndërmarrjet, kooperativat u shpërbënë dhe gra e vajza e panë veten të papunë. Kush guxoi hyri ne biznes, kryesisht në tregtinë me pakicë, shërbimet e vogla, etj. Kush kishte ide, kryesisht gra të arsimuara, synuan më shumë, dhe rezultati shihet dhe në këtë libër. Sot bizneset femërore zënë rreth 27 përqind, një shifër e vogël dhe ku 90 përqind janë të vogla dhe të mesme, edhe pse punësim sigurohet nga ato të mëdha. Në fshat është dhe më keq, sepse gratë punojnë më shumë se burrat, por vitet e fundit kanë nisur të organizohen në shoqata grash për të bërë biznese tradicionale, kryesisht me prodhimet e zonave dhe kjo më pëlqen.
– Sa ecën paralelisht zhvillimi i një shteti, me emancipimin e gruas?
Nuk ecin në të njëjtin hap dhe këtu ndodh si në botë përderisa kudo, si në vendet evropiane, por dhe në Afrikë luftohet për këtë qëllim. OKB përmes UN Women financon me qindra miliona dollarë për emancipimin e gruas, por vetë i qëndroj fort idesë sime se, vetëm përmes punësimit, pagesës së një gruaje, vjen dhe fuqizimi i saj emancipues.
– Sot në Shqipëri, cilat janë vështirësitë që has – jo vetëm një sipërmarrës përgjithësisht – por veçanërisht një grua shqiptare sipërmarrëse?
Në fakt bizneset ankohen vazhdimisht për sistemin fiskal, burokraci, etj. Por këto gra vetë nuk kanë ndjerë asnjë lloj pengese, përkundrazi, e konsiderojnë veten të barabartë me burrat, edhe pse pranojnë se nuk mund të bëhen pjesë e tryezave me qerasje burrash! Ja kanë dalë me sukses, por ndoshta, edhe sepse prej sistemit komunist, gruaja kishte mundësi për punë. Më i vështirë qëndron ky fakt për gratë në Kosovë dhe Maqedoni.
– Sa i vështirë është për një grua, gërshetimi i karrierës në profesion, me administrimin e sferës familjare?
Të gjitha më kanë pohuar se, pa mbështetjen e familjes, bashkëshortit, nuk do kishin ecur deri në këtë arritje, pra tek një biznes i madh. Mjaft prej tyre nuk punojnë me bashkëshortët dhe ky fakt i ka lehtësuar në rolin e tyre në familje. Të gjitha gratë pohojnë se kanë hequr shumë nga vetja për të ndjekur bizneset dhe këtë e quajnë sakrificë.
– Guximi dhe shpirti i ndërmarrjes së një nisme, në rastin konkret, si ajo e biznesit – veçanërisht për një grua – është ndopak i lidhur me përvojat e saj jetësore, të përshkuara përpara kryerjes së këtij hapi?
Shumë pak gra pohojnë se ndjekin fillin e trashëgimisë në të bërit biznes. Mes tyre ka gra që kanë ecur në rrugën e profesionit, të tjera kanë ndryshuar fushë, dhe këto janë më së shumti, etj. Çka tregon kreativitet jo pak.
Pas këtij libri, do të merreni me projekte të tjerë të ngjashëm?
Shpejt do të nisim punën për botimin e një libri me gra që bëjnë biznese rurale. Nxitjen e kemi pas një studimi të Unionit të Kursim-Kreditit, ku gratë jo vetëm që kanë nisur të zhvillojnë biznese të larmishme, por janë shlyerëset më të mira të kredive bankare.
Me Qëndrën e Medias Ekonomike dhe Sociale, QMES, synojmë cdo vit të kemi botime të orientuara drejt gruas në biznes, sipas sektorëve, rritjes dhe fuqizimit ekonomik të tyre, përgjegjësive sociale, etj. E kemi bërë këtë zgjedhje si një mundësi për të nxitur gratë dhe vajzat e tjera që të guxojnë më shpejt. Modelet janë, ne po i bëjmë të njohura tek të gjithë shqiptarët.
Do t’i vijë radha edhe gruas në diasporë, sepse me sa kam dijeni, ka shumë e shumë, që e kanë nisur me ndonjë biznes të vogël dhe po kalojnë në biznese të mëdha. Me QMES planifikojmë dhe trajnime të medias për problemet e bizneseve femërore, çka do të ndikojë më shumë në rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror dhe qeveritar për më shumë kujdes për gruan e biznesit.
– Ceremonia e promovimit të librit, mbresat tuaja?
Gratë e bizneseve të mëdha u ndjenë mirë me promovimin e librit “Pasioni i biznesit” dhe kjo më ka kënaqur shumë. Me sa duket, kur kapërcyen heshtjen për të mos qënë publike, tashmë ato kanë vendosur të flasin. Duket e kanë kuptuar se duhet të jenë pjesë e bërjes së politikave shtetërore dhe kanë nisur punën për krijimin e një organizmi të gruas së biznesit të madh, pse jo dhe një Dhomë Ekonomike të Gruas shqiptare.
Për mua, libri ishte hapi i parë: dorashkën tashmë e kanë në dorë vetë sipërmarrëset. Askush veç tyre nuk mund të vendosë më për to…