Në një intervistë për AlbaniaNews, Besjan Pesha, Sekretar i Përgjithshëm i LRI-së, forumit rinor të LSI-së, flet për zgjedhjet e 28 qershorit, arsyet e marrëveshjes paszgjedhore me Berishën dhe të rinjtë në politikë.
Kush është Besjan Pesha?
Ka një shprehje të vjetër që thotë “unë jam cka është e imja”. Besoj se ka vetëm një gjë që mbetet pronë e përjetshme dhe e patjetërsueshme e njeriut në jetë dhe është personaliteti i tij. Më pëlqen të besoj se jam idealist e shumë kërkues nga vetja dhe shoqëria që më rrethon dhe se do të mbetem i tillë, por gjithnjë duke ecur kah parimeve dhe idealeve të mia që nuk i kam braktisur kurrë deri më sot.
Nga ana jetës personale jam diplomuar për Shkenca Politike dhe kam drejtuar Lëvizjen Mjaft për 4 vjet rrjesht deri sa vendosa të hyj në politikë dhe të aderoj në LSI ku për momentin jam zv.
Sekretar i Përgjithshëm dhe Sekretar i Përgjithshëm i LRI-së, pra forumit rinor.
Zgjedhjet e fundit u stërzgjatën në shpalljen e rezultatit, duke zhgënjyer ata që ishin optimistë për shkallën e pjekurinë që do të tregonte klasa jonë politike. Si e vlerëson këtë situatë, meqë në politikë je relativisht i ri?
Bëj pjesë edhe unë në grupin e madh të njerëzve të zhgënjyer nga realizimi i zgjedhjeve të fundit politike. Unë isha kandidat për deputet në Qarkun e Vlorës dhe gjatë procesit të administrimit dhe numërimit të votës kam parë me sytë e mi se si një tufë militantësh zhvleftësonin me një lehtësi të tmerrshme mendimin e popullit nëpërmjet votës dhe e tjetërsonin apo zëvendësonin atë me mendimin e tyre personal.
Besoj se kjo tendencë, që në Vlorë u dirigjua nga komisionerët e PS-së, të cilët drejtonin KZAZ aty, largoi mundësinë që procesi zgjedhor të ishte shembullor. Çka këto zgjedhje na treguan është shumë e qartë dhe një mësim shumë i dobishëm për të gjithë shqiptarët. Ndryshimet kushtetuese të bëra në 21 prill pa asnjë lloj debati publik dhe transparence nuk mund të binin kurrsesi një proces zgjedhor të saktë dhe pa probleme. Sigurisht, për këtë bëj përgjegjëse kryesore PS-në dhe Edi Ramën si hartuesi dhe ideatori i gjithë pacavures elektorale 2009. Gjithsesi, gjykoj që ka patur progres gjatë këtyre zgjedhjeve dhe dua shumë të besoj se në zgjedhjet e ardhshme kjo histori nuk do të përsëritet më.
Forca politike në të cilën ti bën pjesë ka deklaruar se do të jetë pjesë e koalicionit qeveritar me PD-në e Berishës. Nga shumë, sidomos nga e majta, kjo lëvizje politike u interpretua si një tradhëtim i elektoratit të majtë që ju votoi. Cilat ishin faktorët që ju shtynë në këtë aleancë dhe sa kolegjial qe ky vendim?
Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve ishte 66 vota për Koalicionin e PS, 70 Vota për koalicionin e PD dhe 4 vota për LSI në parlamentin e ardhshëm. Në një situatë të tillë, LSI gjendej përpara dy alternativave. Ose i bashkonte 4 votat e veta me PS dhe në këtë mënyrë prodhonte krizë. Vendi duhet të hynte në zgjedhje të parakohshme me të njëjtën infrastrukturë dhe të njëjtin kod zgjedhor, që në rastin më të mirë do të prodhonte sërisht të njëjtin rezultat duke e futur vendin në një rreth vicioz të dëmshëm pasi jemi duke përjetuar efektet e një krize globale ekonomike që padyshim ka prekur edhe Shqipërinë.
Zgjedhja e dytë ishte bashkimi teknik i votave tona me PD për ti mundësuar vendit një qeveri por edhe duke dalë garant si LSI për integritetin dhe funksionimin e qeverisë së ardhshme në bazë të ligjit dhe të së drejtës. Në morëm këtë vendim dhe ai është konsultuar me të gjitha strukturat e LSI duke nisur nga Kryesia, Komiteti drejtues dhe Kongresi i jashtëzakonshëm që i dha mandatin kryetarit të LSI për të vijuar me negociatat në krijimin e qeverisë me z.
Berisha. Nga ana tjetër ka patur edhe një presion nga ana e faktorit ndërkombëtar të cilët në asnjë mënyrë nuk e pranonin variantin e zgjedhjeve të parakohshme dhe më lejoni të citoj këtu dhe ambasadorin amerikan i cili ishte shumë i qartë kur iu drejtua kryeministrit me shprehjen “duhet ti shtrini dorën gjysmës tjetër sepse populli e ndau votën përgjysëm”
Nëse do të mund të kishe një rol në qeverinë e ardhshme, çfarë do të preferoje dhe cilat çështje do të kishin përparësi?
Unë jam i ri dhe do të vazhdoj të luftoj që të rinjtë të jenë sa më të përfaqësuar jo vetëm në qeveri dhe administratë por mbi të gjitha në legjislacionin e vendit dhe në programet qeveritare. E rëndësishme nuk është se cfarë posti merr njëri apo tjetri në qeverinë e ardhshme por se cfarë do të bëjë në mënyrë që idealet, programi dhe synimet e veta të pasqyrohen dhe reflektohen sado pak apo shumë në këtë qeveri. Unë gjithnjë kam bërë shumë në këtë drejtim, ju premtoj se do të jem shumë aktiv.
Ti ke hyrë në politikë pas një militance intensive në shoqërinë civile, ke qenë një nga aktivistët më në zë të MJAFT-it. Ish kolegu juaj Velia dështoi totalisht me krijimin e partisë së tij dhe rezultatet elektorale e treguan këtë shumë qartë. Nuk është e dëmshme dhe pa rezultate futja në politikë kaq shpejt për aktivistët e shoqërisë civile? Ndoshta është më mirë goditja e sistemit nga jashtë?
Aspak, unë besoj se roli i shoqërisë civile është pikërisht ky. Të bëjë një opozitë sa më konstruktive dhe në dobi të interesave qytetare por edhe të furnizojë herë pas here politikën me elementë të rinj të cilët futen jo si rrjedhojë e klaneve të ndryshme ekonomike por si rrjedhojë e përfaqësimit të interesave të shoqërisë në përgjithësi. Në këtë kontekst edhe unë edhe Erioni vendosëm të hynim në politikë dhe deri këtu nuk ka asgjë të keqe.
Por unë gjithnjë e kam cilësuar se politika kërkon integritet dhe moral mbi të gjitha e sidomos kur sapo ke hyrë në të. Fatkeqësisht Eri u përdor nga z. Rama dhe ai vetë me ndërgjegje të plotë e pranoi këtë lloj marrëdhënieje me shpresën se do të shpërblehej mbas zgjedhjeve me ndonjë post të caktuar. Ideja e G99-ës ishte e dështuar që në ngjizje sepse nuk lindi si një nevojë reale e përfaqësimit të të rinjve në parlament por si një lojë elektorale e gatuar në shtëpinë e z. Rama.
Unë kam besuar dhe vazhdoj të besoj se vendit nuk i duhet një parti politike më shumë, kemi boll, por i duhen të rinj energjikë dhe idealistë brenda partive ekzistuese. Prandaj ju bashkova LSI-së dhe prandaj e kam ftuar dhe e riftoj edhe Erionin që ti bashkohet kësaj force si forca e vetme në vend me moral dhe integritet politik. Këtu jam i bindur që do t’ia dilte.