Cili është grupi Peppa Marriti Band?
Grupi Peppa Marriti Band lindi në Shën Sofia (Santa Sofia d’Epiro), një vend i vogël me popullsi me origjinë shqiptare në provincë të Kozencës, Kalabri. Ideja bazë e grupit është ajo që të bashkojë rrënjët e rock-ut me traditën dhe kulturën arbëreshe ( Italo-Shqiptare).
Janë të shumta pjesëmarrjet e tyre në festivale të rëndësishme kombëtare në Itali si ai i Arezzo Wave; Adriatico – Mediterraneo, Sonica, Ampollino Sound, Festa della Musica, Suns Contest 2009, DemoFest Lamezia Terme, dhe jashtë Italisë si BunkerFest Pezë/Tirana (Shqipëri), Java Kulturore Arbëreshe Shkup,(Maqedoni).
Këngët e disqeve Rockarbëresh e Këndò! janë transmetuar nga radio të ndryshme Kombëtare në Itali dhe Ndërkombëtare, Rai Radio 1 “Demo”, Radio Rai “Notturno Italiano”, Radio Tirana, Shqipëri, Radio West e Radio Urban FM në Kosovë.
Të ftuar specialë në emisionet televizive si: “Italia chiama Italia” (Italia thërret Italinë) në Rai International, “La Storia Siamo Noi” ( Historia Jemi Ne) në Rai Tre/Rai Educational e “Levante” në Rai Tre.
Ndër protagonistët e film/dokumentarit “Rock arbëresh” të Salvo Cuccia-s. Fitues të çmimit ETNO (DemoFest) e DEMO D’AUTORE 2010.
Në nëntor 2013 është publikuar libri Rockarbëresh, (botim Pendragon), shpërndarë nga Feltrinelli.
Në shkurt 2017 është publikuar disku i tretë i grupit, me titullin Aj Ret (Erërat) – “Venti” it. i prezantuar nga një video muzikore xhiruar nga Arash Radpour.
Mbi një bazë muzikore tipike rock, koncertet e grupit hapen me tinguj ballkanikë (të theksuar nga përdorimi i violinës), të mbështetur në këngët tradicionale (Vjersha) dhe vijojnë në sferën e muzikës popullore e bashkëkohore.
Qëllimi i grupit është ai që të mbrojë, nëpërmjet muzikës rock, gjuhën dhe kulturën arbëreshe, të pakicave Italo -Shqiptare, të pranishme në Jugun e Italisë tashmë që prej 5 shekujsh.
Videoklipi i cover-it “25 Gërsheta” në versionin rock arbëresh nga Peppa Marriti Band, një dhuratë per Shqipërinë
ALBANIA NEWS ka kënaqësinë t’ju informojë mbi daljen e videoklipit të ri të Cover-it “25 Gërsheta” të grupit arbëresh Peppa Marriti Band.
Në skenarin e një skaji parajse, në një vend magjik të bregdetit jonian të Kalabrisë, dhe më saktë në lokalitetin Amendolara, në Torre Spaccata ( Kulla e Rrënuar), aty ku natyra, historia dhe mitet shkrihen në harmoni, merr jetë videoklipi i cover-it “25 Gërsheta” i grupit arbëresh Peppa Marriti Band.
Në një vend përrallor, pranë një kulle të vjetër vrojtimi, të Kullës, e cila qe ndërtuar rreth ‘500-ës për të vëzhguar piratët turq që mbërrinin prej detit, e pagëzuar me emrin “Torre Spaccata” (Kulla e Rrënuar), në afërsi të së cilës, ndodhet një ishull i përmendur nga Homeri dhe banesë e hyjnisë Kalipso, nën regjinë e Demetrio Corino, i cili është ndërkohë edhe basisti i grupit Peppa Marriti, videoklipi i cover-it “25 Gërsheta” kthehet në urë lidhëse të traditës së këngës së vjetër folkloristike shqiptare, gjuhës arbëreshe, interpretimit rock të grupit, përfshirjes në video të vajzave të grupit folkloristik “Shqiponjat” të Santa Sofia d’Epiro, me një rezultat të mrekullueshem si nderimi i Shqipërise nëpërmjet interpretimit rock arbëresh të kësaj pjese muzikore tradicionale shqiptare.
Kjo, e kënduar tashmë prej shumë vitesh në Shqipëri nga interpretues të ndryshëm të këngës popullore.
Oh, 25 gërsheta
T’i numërova pa fjetaTi s’mi numërove dot
More djalë, borzilokMoj lajle, oj lule
Oh, sa e bukur moj që më je
Janë këto, vargjet e para të këngës folkloristike tashmë të njohur në Shqipëri, interpretuar nga artistë të ndryshëm të muzikës tradicionale popullore, që vijnë në një cover të re, krejtësisht të ripërtërirë nga grupi arbëresh Peppa Marriti Band.
Kjo ripërtëritje e këngës, interpretuar nga Angelo Conte, solisti i grupit, i shton gjuhën dhe theksin arbëresh – emërues i përbashkët i të gjitha interpretimeve të këtij grupi – edhe tingullin rock gjithashtu, këngës së vjetër shqiptare “25 Gërsheta”.
Intervistë me Angelo Conte, solistin e grupit Peppa Marriti Band
Mirë se vjen në ALBANIA NEWS, Angelo! Përgëzime për realizimin e këtij cover-i dhe videoklipit të tij përkatës.
Faleminderit juve për këtë bashkëpunim, për të cilin jemi shumë të lumtur. Mirë se ju gjej!
Të interpretosh në një version të ri krejt tuajin, një këngë tradicionale shqiptare, kjo gjë përbën një risi për grupin tuaj, kjo cover është e para në llojin e saj për ju apo keni përgatitur më parë edhe të tjera të ngjashme?
Më duhet të pohoj se kjo përbën cover-in e parë të propozuar prej nesh mbi një këngë tradicionale shqiptare.
Ndërsa, në fazën fillestare të veprimtarisë sonë artistike si grup, patëm interpretuar në versionin tonë himnin shqiptar të flamurit.
A përbën ndonjë arsye të veçantë fakti i propozimit nga ana juaj pikërisht të kësaj kënge, apo kjo qe një zgjedhje thjesht artistike e rastësishme?
Kjo qe një zgjedhje e ardhur në mënyrë krejt të natyrshme. Patëm dëgjuar versionin e kënduar mrekullisht nga Eli Fara dhe na lindi ideja:”Përse të mos e propozojmë edhe ne këtë këngë, sipas versionit tonë?”
Kjo është një nga këngët më të bukura folkloristike shqiptare.
Ndaj, menduam t’i bëjmë një nderim Shqipërisë nëpërmjet interpretimit nga ana jonë të kësaj kënge.
Kur dëgjojmë të flitet për Shqipërinë, na bëhet zemra mal. Janë ato shqipe, kjo gjuhë dhe këto tradita që na shoqërojnë që kur ishim të vegjël. Që atëherë kur, kureshtarë, filluam të pyesnim prindërit tanë: “Pse ne flasim pikërisht këtë gjuhë?” Dhe ata na përgjigjeshin krenarë që kjo është gjuha dhe këto janë traditat e të parëve tanë, që vinin nga Shqipëria.
Ndërkohë, patëm dëgjuar këtë këngë edhe përgjatë shfaqjeve të valleve të grupit folkoristik “Shqiponjat” të Santa Sofia d’Epiro-s, grup i cili ka pasur si mësuese vallesh Mimozën, kërcimtare profesioniste, e cila vinte nga Shkolla e Baletit të Tiranës. Për këtë arsye, ato kanë shumë këngë shqiptare folkoristike e tradicionale në repertorin e tyre.
Unë jam shumë i lumtur që në këtë grup folkloristik bën pjesë edhe vajza ime Maria Teresa. Ajo, ndër të tjera, është një studente universiteti, studion gjuhë të huaja, ndër të cilat, shqip dhe anglisht.
Videoklipi, ku është ambjentuar dhe realizuar? Cilat janë vajzat protagoniste në veshje tradicionale arbëreshe? Ndonjë detaj të posaçëm?
Videoklipi është xhiruar në Komunën e Amendolarës, në provincë të Kozencës, Kalabri. Më saktë, lokaliteti quhet “Torre Spaccata” ( Kulla e Rrënuar). Vajzat pjesëmarrëse në video bëjnë pjesë në grupin folkloristik “Shqiponjat” të Santa Sofia d’Epiro-s. Ato janë Maria Teresa Conte, që është vajza ime, Martina Lavriani, Nunzia Baffa e Federica Meringolo.
Regjisori i videoklipit është Demetrio Corino, i cili është edhe basisti i grupit Peppa Marriti Band.
Albumi “Ajëret”, i cili përmban edhe këtë cover të lartpërmendur, ç’impakt po has tek publiku?
Ne merremi me muzikë tashmë prej 25 vitesh. Diskun e parë e kemi nxjerrë në 2005-ën, të titulluar “Rock arbëresh”. Të dytin, dalë në 2010-ën e kemi titulluar “Këndo!” Ndërsa disku i tretë, “Ajëret” na gjen në një fazë rritjeje artistike të konsiderueshme dhe qëndrueshmërie si grup.
Kemi vendosur në brendinë e këtij disku edhe një vjershë, një krijim popullor arbëresh, e cila deri më sot, vetëm recitohej gojarisht nga arbëreshët nëpër fshatrat tona.
Vërejmë me kënaqësi efektin universal të muzikës, përgjatë shfaqjeve të shumta në rrethina të ndryshme tonat, që nuk njohin gjuhën arbëreshe, me të cilën ne këndojmë por që, nëpërmjet tingujve dhe muzikës sonë, na ndjekin me interes.
Cila është origjina dhe domethënia e emrit të grupit tuaj, “Peppa Marriti”?
Emri “Peppa Marriti” rrjedh nga sa vijon:
Peppa Marriti ishte një zotëri në gjysmë moshe, i cili jetonte në qytezën tonë, Santa Sofia d’Epiro. Ai saktësisht quhej Diacono Atanasio, por të gjithë e thërrisnin Peppa, si shkurtim i emrit Giuseppe, i Marritëve, mbiemër origjine i fisit të tij ky.
Ai ishte nje personazh i veçantë. Jetonte në një gjendje të mjerueshme, prej abuzimit me alkoolin dhe kjo gjë i la gjurmë në jetën e tij, duke qenë se e braktisi familja, u nda nga e shoqja dhe komuniteti e mënjanoi. Fatkeqësisht alkooli ishte bërë diçka e pandarë në të përditshmen e tij.
Nga ana profesionale ishte shumë i zoti, ai ishte marangoz dhe ne e thërrisnim “një artist i drurit”.
Ideja jonë fillestare për t’i dhënë emrin e tij grupit tonë, lindi me synimin që t’i jepnim zë edhe atyre personave të heshtur, që pikërisht zë nuk kanë, që jetojnë të braktisur nga shoqëria, që për një arsye apo një tjetër janë rrëzuar dhe nuk kanë arritur të reagojnë e të ngrihen më në këmbë. Fatkeqësisht të tillë ka shumë. Ka pasur atëherë e ka edhe sot.
Ne e takonim nëpër rrugët e qytezës sonë dhe diskutonim bashkë për skicat e Tex Willer-it dhe pikturat e Marc Chagall-it.
Kujtoj se, kur ne u seleksionuam në 1994-ën për të marrë pjesë në Arezzo Wave, që ishte një festival i rëndësishëm për zërat emergjente, Peppa i gëzuar, me gazetën në dorë xhironte nëpër baret e zonës, duke u mburrur shumë për këtë arritje tonën.
Peppa vdiq më 1996-ën. Vdiq për shkak të abuzimit me alkoolin. Por, në të kundërt të asaj çka shpesh është shkruar për fundin e tij, ashtu sikurse shënon edhe wikipedia, ai nuk vdiq tërësisht i vetmuar, pasi jetonte me nënën e tij të moshuar dhe sidoqoftë, në ato kushte, familja nuk e braktisi totalisht.
Vajzat e tij jetojnë edhe sot në qytezën tonë, ne i njohim, jemi miq.
Na qëllon ta kujtojmë shpesh Peppën bashkë me bijat e tij, duke ripërshkuar të kaluarën e tij të trishtë por, ja që jeta përmban edhe episode të tilla delikate.
Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
Projekte të ardhshme kemi mjaft.
Kemi dëshirë të realizojmë një disk të ri, me të cilin të nderojmë muzikën popullore arbëreshe, duke mbledhur këngë të interpretuara nga interpretues të ndryshëm arbëreshë të trojeve tona, pasi të tillë, që këndojnë për pasion ekzistojnë mjaft dhe ata ndoshta në jetë merren me veprimtari të tjera, jo me muzikë, ndaj nuk kanë arritur të realizojnë një disk profesional të mirëfilltë.
Më tej, do të dëshironim të realizonim një disk akustik, në të cilin të përmblidhnim këngët më të bukura të tre disqeve tona të deritanishëm.
Përveç këtyre, kemi shumë kënaqësi të interpretojmë në Shqipëri. Kemi dhënë shfaqje atje një vit më parë dhe qe një ndjesi fantastike ajo që, të hasnim të rinj që njihnin e këndonin këngë nga ato tonat.
Shpresojme që të kthehemi sa më shpejt sërish në Shqipëri.
Kjo intervistë është e disponueshme dhe në italisht