fMAyaTCW7GA
Ermira Babaliu ka lindur dhe është rritur në Pogradec. Shkollën e mesme të përgjithshme e kreu në Pogradec. Gjatë viteve të shkollës angazhohet në grupet artistike, por edhe pranë Shtëpisë së Kulturës, ku bie në sy për zërin e saj melodioz e të veçantë e që shumë shpejt u dallua nga këngetarët e tjerë. Anila Kadija realizoi këtë intervistë për lexuesit tanë.
Aktivizohet pranë Estradës së qytetit, ku merr pjesë në variete të kësaj Estrade, si dhe në turne të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë rrethit. Merr pjesë në Festivalin e Parë të Këngës në Pogradec dhe nderohet me Çmimin e Parë me këngën “Erdhi pranvera”. Studimet e larta i kryen në Universitetin e Tiranës në Degën Filozofi. Në festivalet e këngës në RTV, Ermira Babaliu vlerësohet dy herë rresht me çmime të treta, Festivali i 25-të dhe i 26-të, me këngët “Emri më i bukur njeri” dhe “Mbrëmja që mban dashurinë time”. Me çmim vlerësohet edhe me këngën tjetër, “E njejta enderr”. Më pas është shfaqur në publik sidomos nëpërmjet serenadave korçare, të bëra mjaft popullore dhe që ia shtuan adhurimin dhe famën.
Sot ajo jeton ne Detroit. Se bashku me Irma Libohoven kane realizuar disa koncerte ne Detroit dhe New York gjate muajit maj duke vazhduar dhe gjate ketij muaji ne Detroit me 17 maj dhe Kleveland me date 2 korrik.
Ermira, a ka zë emocioni?
Emocioni i duartrokitjeve të para është i paharrueshëm, sidomos kur nuk je e përgatitur se nuk i ke ëndërruar ato… Kështu nisi rruga ime artistike, si një pasion i pafajshëm fëmijëror. Ishte një konkurim midis klasave në shkollën e mesme. Këndoja pa asnjë synim, thjesht, ishte një lojë e bukur për mua, por fitova çmimin e parë! Ndjeva një emocion që edhe sot ma shtrëngon zemrën… Ndoshta ishte më i bukuri në jetën time artistike sepse ishte i papritur, si rrufeja në qiellin e qetë. Unë nuk e kam patur ëndërr këngën. Rastësia ka bërë që të afirmohem, duke filluar nga aktivitet e shkollës, tek Estrada e Pogradecit, turnetë nëpër Shqipëri… A ka zë emocioni?! Eshtë zë i heshtur që e ka vetë këngëtari në brendësi, dridhje që vetëm ti e di, është një përmasë e pakufishme, një dimension i heshtur, që shpërthen sapo të duhet ta nxjerrësh.
Ermira-grua, bashkëshorte, nënë. Çdo sfond i kësaj panorame njerëzore ka një domethënie. Si i interpreton Ermira këto role në skenën e jetës?
Si grua, jam përpjekur gjithmonë të zë një vend në jetë. Si bashkëshorte, them se jam sa e mirë, aq edhe e vështirë sepse martesa dhe karriera s’para dëshirojnë të rrinë bashkë. Si nënë, këtu ndaloj, kthej kokën mbrapa e shikoj se kam lënë shumë gjëra mangut në karrierën time për t’iu kushtuar vajzës, por jam e kënaqur për këtë.
Si u dashurove me këngën?
Që e vogël, më ka pëlqyer poezia dhe më mahnitnin këngët me tekst të bukur. Këndoja shpesh me prindërit, ndërkohë që më “mërziste” shumë gjyshi im, mjek pediatër në Korçë, kur më detyronte ta dëgjoja kur i binte violinës… Por, pa dyshim, kjo gjë ka patur ndikim në veshin tim.
Vitet kanë një perde të tejdukshme që mbulon kujtimet, por nuk i shuan ato, mjafton të mbyllësh sytë e të rikthehen mbresat. Të ndodh ndonjëherë t’u rikthehesh atyre?
Më merr malli vërtet nganjëherë, megjithatë, nuk jam natyrë nostalgjike. Turnetë e pafundme nëpër Shqipëri, mikpritja e popullit, vendet dhe natyra, janë ato që më mungojnë më shumë! Fakti që arrita një kulm në këngë, për mua ka qenë mjaft…
Ti, duket sikur ke bërë një kontratë të përjetshme me buzëqeshjen…
Natyrën e qeshur e kam trashëguar nga nëna ime. Eshtë e natyrshme dhe nuk mund të rri pa të. Përse të mos buzëqeshim? Jeta është një ndër dhuratat më të bukura që na jepet, privilegji që ta shijojmë. Jam shumë e kënaqur që e ka trashëguar edhe vajza ime.
I ke kënduar shpesh dashurisë… Çfarë vendi zë ajo në jetën tënde?
Dashuria për mua është çelësi i lëvizjes së jetës… është motivi. Pa e patur me vete atë, pa e ndjerë e ndarë me botën, s’mund të ndodhë asgjë e bukur. Kurrë nuk mund të ketë, sidomos, art të vërtetë pa qenë natyralisht e pranishme dashuria… në të gjitha format. Shpesh më qëllon të më pyesin se për kë e këndoj këtë apo atë këngë. Unë, në të vërtetë, nuk kam askënd në mendje.
Është vetëm një mall, do ta quaja hynor, që më mbështjell sa herë bashkohet një tekst i bukur me një muzikë që më pëlqen, që nuk të lë të flesh derisa ta këndosh. Nuk mund të imagjinoj kurrë një njeri të keq duke bërë vepra të mira arti. Dashuria zë vendin kryesor në jetën time, marr dhe përpiqem të jap sa më shumë prej saj.
Fëmija, me prindër artistë, quhet një fëmijë arti… E ke menduar ndonjëherë vajzën tënde duke ndjekur këtë rrugë?
Dorela ka një emër muzikor. Janë tre nota të pentagramit… Premisat ishin që ajo të ndiqte këtë rrugë, pasi i pëlqen shumë kënga, por nuk ka zë. E çuditshme, se edhe bashkëshorti im, Sandri, ka zë të bukur! Ajo ka zgjedhur të bëhet dentiste, të kujdeset për buzëqeshjen e të tjerëve që ka pak afrimitet me artin, i cili kujdeset për buzëqeshjen e shpirtit! Parimi im është që ajo të shkëlqejë, po mundi, në fushën që zgjedh… Kështu, jam shumë e kënaqur.
Të ka ndodhur ndonjëherë të shikosh qiellin e të thuash: “Unë sot jam e lumtur se…”?
Më ka qëlluar vetëm dy herë, kur kam lindur vajzën, sepse e doja vajzë dhe në një moment shumë të vështirë, kur ajo rrezikoi jetën dhe jeta ju rikthye sërish. Nuk e njoh lumturinë si koncept, rrjedhojë e karakterit tim, ndoshta. Më ka pëlqyer shumë një thënie e Shopenhaurit: “Lumturia mund të jetë shuma totale e të këqijave të shmangura…”. unë do të flisja më shumë për gëzimet; ato i kam shumë të shpeshta.
Ambienti i artit është i veçantë… Çfarë të pëlqen dhe çfarë të bezdis në të?
Oh, ç’më ke kujtuar! Ambienti i artit, në shumicën e rasteve, është shumë i këndshëm për aq kohë sa ekziston ajo dashuria për të cilën folëm… Kur ti je në një ambient artistik të të njëjtit nivel, nuk ka gjë më të bukur se ai ambient. Në momentin kur të takon të ndodhesh në ambiente artistike apo grupe ku ka diferencë nivelesh, është pak e vështirë të thuash se janë të bukur! Në këto raste, unë zë një qoshe dhe… lexoj.
Skena është si një piedestal ku ndjen se mund të fluturosh, apo jo?
Vërtet, krahë të jep skena… shumë bukur e the… Bashkatdhetarët tanë sot i ke kudo. Më kanë lënë mbresa të veçanta komuniteti i Lionit në Francë, në Danimarkë e Suedi, Gjermani etj. Shqiptarët e shpërndarë nëpër botë janë shumë të përmalluar dhe i presin mirë të gjithë mysafirët artistë. Pa diskutuar që këtu në USA jemi si të shtëpisë, sidomos në kounitetin e Bostonit.
Çfarë marrëdhënie ka Ermira me natyrën?
Natyra është mikja ime më e mirë, më e sigurtë. Më mahnit çdo grimcë e saj, që nga lulet e vockla që dalin të parat nën bar apo dëborë, në pranverë zhurma e shiut që më lë pa mend e më vë në gjumë si një këngë. Më befason një det i madh që ndodhet nën shkëmbinj. Më ka lënë pa fjalë pamja mahnitëse e kanoneve të Arizonës. Nuk ka kamera apo foto që ta mbështjellë e ta japë realisht fuqinë e bukurisë së asaj natyre, atë emocion që përjeton në atë moment. S’më tremb asgjë që e ka emrin natyrë… e dua aq shumë sa nuk ma nxë goja ta them atë fjalë.
Në një këngë të Xhovanotit, thuhet: “Ty, substancë e ditëve të mia… ty, substancë e endrrave të mia…” është një dedikim dashurie! Cila është substanca e ditëve dhe e ëndrrave të Ermirës?
Rastësia, mundësia, kurajoja… E marr jetën siç është e siç më vjen. Ndërkohë, edhe i krijoj ditët e mia. Nuk e konceptoj idenë që ka ditë të mërzitshme. Gjit
hmonë ka diçka që mund ta bësh. Ndoshta mund të shtoj që dita, si edhe jeta, është shumë e shkurtër. Ëndrrat janë të shumta… Më jep kënaqësi të veçantë shërbimi, që nga pleqtë, deri te të sëmurët.
Ç’do të thotë për ty “talent i ri” dhe ç’këshillë mund t’i japësh atij, nisur nga përvoja që ke?
Një talent i ri është ai që i ka provuar të gjithë elementët, duke filluar nga shpirti, zëri, pamja, aftësia për të bërë performancë, inteligjenca aq e domosdoshme për të kërkuar dhe gjetur zhanrin që ndriçon zërin e e tij apo i jep veçanti dhe ngjyrë. Do t’i thoja një talenti të ri të bëhet model i mirë në të gjitha aspektet e personalitetit artistik. Vetëm kështu do të ketë një karrierë të gjatë dhe nuk do të harrohet nga publiku.
Ka shumë këngë shqiptare, sidomos popullore, që janë përpunuar me një tendencë muzikore orientale… Si e shikon këtë ndryshim?
Muzika orientale është përdorur pak a shumë kudo kohët e fundit, është tendencë e kohës. Stingu, për shembull, e ka përdorur shumë, por nuk e ka kopjuar, ka marrë elementë të saj, ndërsa te ne është kopjuar tërësisht; përkthehen fjalët dhe serviret në shqip. Është një fenomen që po e dëmton seriozisht traditën tonë.
Lashë për në fund, si ëmbëlsirë, një pyetje që e kam për zemër: Shpesh në jetën tonë ndjekim një rrugë, një zë, një njeri special, një rastësi, një mundësi… Ti, çfarë ke ndjekur?
Në fëmijërinë time kam patur një mësues, një udhërrëfyes, një shembull që më ka rritur; dajën tim të shtrenjtë, mik i Lasgushit, Mitrushit e i Kadaresë. Ishte një disident i mirëfilltë, kritik, letrar dhe, mbi të gjitha, shumë human. Prej tij kam mësuar rrugën drejt njohjes e çdo gjë të bukur që ka jeta, që nga ato që duhet të lexoja e deri te sjelljet me botën.
Nuk do t’i harroj kurrë takimet e tij me Lasgushin. Unë, si mace, rrija në mes e, megjithëse e vogël, thithja çdo gjë që ato flisnin, edhe pse shumë gjëra nuk i merrja vesh. Një detaj nuk e harroj kurrë, mënyrën si fliste dhe si recitonte Lasgushi. Ai njeri i shtrenjtë është ai që unë kam ndjekur. Quhej Qani Collaku dhe, në mendimet e mia është gjithmonë ai zë, ai njeri special!