24 janari është përvjetori i 167-të i lindjes së Ismail Qemalit që përkon edhe përvjetorin e 92-të të vdekjes së tij.
Për të kujtuar figurën që udhëhoqi Rilindjen Kombëtare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar, intervistuam Darling Vlorën, një prej stërnipave të tij.
Darling Vlora jeton në Itali dhe ka organizuar dy ekspozita fotografike për Ismail Qemalin. Të parën në vitin 2009 në ambjentet e shtëpisë së tij me rastin e 165 vjetorit të lindjes së Qemalit dhe, të dytën në Parma në nëntor të 2010-tës në bashkëpunim me Shoqatën Scanderbeg.
Kush është Ismail Qemali për Darling Vlorën?
Ismail Qemali, emri i plotë Ismail Qemal bej Vlora, është paraardhësi im. Gjyshi im, Qamil bej Vlora (babai i babait tim) ishte njëri nga djemtë e Ismail Qemalit. Pra, në vijë mashkullore, jam stërnip i tij.
Ç’rol ka Ismail Qemali në historinë e shtetit shqiptar?
Në këtë rast më vjen në kujtesë një shprehje e Roberto Cotroneo-s për artistin e madh gjenovez Fabrizio De André: “L’architeto De André si serviva degli ingegneri perchè i conti tornassero, ma il disegno era suo”. Ismail Qemali është arkitekti i Pavarësisë Shqiptare; është Babai i Kombit dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ky nuk është mendimi im, ky është mendimi i vet popullit, mendimi i atyre që e kanë njohur; mendimi i patriotëve shqiptarë që ju përgjigjën thirrjes së tij duke e mbështetur në veprën e madhe kombëtare.
Dhimitër Zografi, një ndër delegatët e Kuvendit të Vlorës, i cili e shoqëroi Ismail Qemalin nga Trieste deri në Vlorë dhe, bashkë me delegatët e tjerë nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, shkruan: “Ç’ka bërë Ismail Qemali për Shqipërinë, ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij, atë mund ta gjykojë vetëm ai njeri që di dhe pa veprat e tij”. Qazim Kokoshi, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë, më 12 shkurt 1919, përpara trupit pa jetë të Ismail Qemalit, Babait të Kombit, siç e quante ai, do i drejtohej popullit të pranishëm: “Juve që qetë në vitin 1912, o atdhetarë të dashur, juve jini edhe sot, më 28 të vjeshtës së tretë t’atij viti patë, bëtë dhe gëzuatë, patë luftën ballkanike me rrezik për ju, bëtë përpjekje të shpëtoni tokën t’uaj dhe u gëzuatë me fitimin e plotësimin e idealit. Ju, pra, jeni një histori e gjallë e Shqipërisë së re, por krijonjësi dhe heroji i parë i kësaj historie është Ismail Qemali”.
Ferit Vokopola, një tjetër firmë në Aktin e Pavarësisë do shkruante në 100 vjetorin e lindjes së Ismail Qemalit: “Ismail Qemali, si biri i vetëm i Shqipërisë, rrëmbeu Flamurin, dolli në ballkon dhe e ngriti me dorën e vet, duke iu drejtuar popullit me fjalën e madhe patriotike, me të cilën i bëri të dijtur Shqipërisë dhe Botës mbarë se në këtë çast vendimtar, nën rradhët e Mbretërive të Mëdha e të vogla shtohej dhe një shtet i ri, që populli i vetë ishte një nga trashëgimtarët më të vjetër të Ballkanit. Atë unë e njoha dhe e pashë nër këto çaste vendimtare shumë më të ndryshuar se herë të tjera… Ishte më parë një Yll e tani një Diell i botës shqiptare; ishte më parë një Luftëtar i Lirisë, një shërbëtor besnik i Kombit e tani një shpëtimtarë i Popullit”. Ky është Ismail Qemali vetëm në mendimet e tre prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, për mos u ndalur gjatë edhe në citimet e nënshkruesve të tjerë si Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Rexhep Mitrovica, etj. Të gjithë ata që ishin aty, të gjithë ata që nënshkruan Aktin e Pavarësisë shqiptare e njohën dhe e quajtën Babai i Kombit.
Ismail Qemali ka qenë në shërbim të Perandorisë osmane për 50 vjet. Gjithashtu është një ndër liberalët e parë osmanë dhe në 1909 edhe themelues e Kryetar i Partisë Liberale. Edhe angazhimi i tij në forzat reformatore të Perandorisë është më i hershëm sesa ai në Rilindjen Kombëtare. Ç’e shtynte Ismail Qemalin të ishte liberal: autonomia më e madhe për vilajetet shqiptare apo ndërgjegjja e tij si shtetar osman?
Kohët e fundit e kam ndeshur si një farë kritike faktin që Ismail Qemali i shërbeu Perandorisë Osmane. Ky këndvështrim, jo vetëm për mendimin tim, është krejtësisht i gabuar. Shërbimi i tij në Perandorinë Osmane përkon pikërisht në një kohë kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë ndaj ai nuk i shërbeu asaj por vendit të tij. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore Ismail Qemali u shqua si njeri me ide liberale dhe reformatore. Ai hyri në administratë në moshën 16-vjeçare, kur kjo drejtohej nga burra të shquar e përparimtar si Mit’hat Pasha, Fuad Pasha e Ali Pasha. Megjithatë veprimtaria e tij duhet parë gjithmonë paralet dhe e lidhur ngushtë me përpjekjet e tij në dobi të Shqipërisë. Që në vitin 1864 atë e gjejmë në mbledhjet e organizuara në Stamboll për të formuar një shoqëri kulturore kombëtare për hapjen e shkollave shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare.
Si njeri largpamës Ismail Qemali, gjë që e ka deklaruar gjithmonë, ishte i bindur se me forcimin e Perandorisë i shërbente edhe vendit të tij. Ai bashkëpunoi me Mit’hat Pashën në hartimin e Kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876. Artikulli 108 i saj pranonte që «administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit». Një nga idetë e Mit’hat Pashës, sigurisht me sugjerim të Ismail Qemalit, ishte krijimi i një Vilajeti shqiptar. Dhe, siç shihet, jemi dy vjet përpara Lidhjes së Prizrenit dhe gati 40 vjet përpara Pavarësisë. Fatkeqësisht Mit’hat Pasha u arrestua; Kushtetuta mbeti e pazbatuar deri më 1908 dhe vetë Ismail Qemali u internua. Pasi u lejua të kthehej në Stamboll, duke parë qëndrimin e pandryshuar të Sulltanit, Ismail Qemali vendosi të largohej përfundimisht nga Turqia, veprim që e kreu më 1900, duke iu kushtuar më pas tërrësisht çështjes kombëtare shqiptare. Në letrën që i drejtonte Sulltanit, nga bordi i anijes angleze që do ta nxirrte në Europë shkruante: «Krimi im ndaj atdheut është dashuria ndaj tij».
Sami Frashëri ose Semsedin Sami, konsiderohet nga historiografitë shqiptare e turke si nja nga themeluesit e nazionalismave të këtyre dy kombeve. Si shihet Ismail Qemali nga historiografia turke?
Siç del edhe vetë në pyetjen tuaj, pjesa më e madhe (për mos thënë gati të gjithë) e rilindasve tanë, kush më shumë e kush më pak, shërbyen në administratën shtetërore turke por pa harruar asnjëherë vendilindjen e tyre. Ashtu si edhe Sami Frashëri, i cili me punën e tij i shërbeu dijes dhe kulturës së mbarë kombësive që jetonin në Perandorinë Osmane, edhe Ismail Qemali, kudo që shërbeu, u dallua si mbështetës i dijes dhe përparimit. Akoma edhe sot, nëpër vendet ku ai mbuloi postin e governatorit, kujtohet me respekt për veprat e tij, në hapjen e shkollave, kundër diskriminimit racor e fetar, etj. Po ashtu ai kujtohet me respekt si një figurë liberale, ndër të parët liberal të Perandorisë. Së fundi «Kujtimet» e tij janë botuar edhe në gjuhën turke, përveç një punimi me disa fjalime të tij në Parlament që është botuar shumë vite më parë.
Në dallim nga figura të tjera, duket sikur Ismail Qemali është shumë aktiv në Rilindjen Kombëtarë sidomos në vitet që paraprijnë Revolucionin e Xhonturqve. Si mund të shpjegohet kjo “vonesë”?
E drejtë. Duket sikur është aktiv në lëvizjen kombëtare më tepër në prag të Revolucionit, por nuk është ashtu. Gjithë veprimtaria e Ismail Qemalit është e lidhur ngushtë me origjinën e tij, me atdhedashurinë, me historinë e vendit dhe familjes së tij. Ishin këto faktorë që, bashkë me inteligjencën dhe përgatitjen e tij të rrallë, krijuan burrin e shtetit liberal i cili, ashtu siç e ka deklaruar gjithmonë, kërkonte që nëpërmjet forcimit të Perandorisë t’i shërbente gjithë kombësive që bënin pjesë në të, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, pra ai dilte përtej përmasave kombëtare.
Por, nëse kemi një “ritardo” të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare të para 1900-ës nuk duhet të harrojmë edhe faktin se ai ishte i internuar për 7 vjet rresht (1877-1884) dhe më pas, ashtu siç ka qenë edhe mendimi i historianëve si Luarasi, Xoxi, Naska, etj, ai u mbajt nga Sulltani qëllimisht larg Stambollit, pikërisht për të qenë larg veprimtarive kombëtare.
Në ekspozitën e fundit që ke organizuar në Parma mbi Ismail Qemalin, në bashkëpunim me Shoqatën Scanderbeg, më bëri përshtypjen një foto e 1908-ës, kur Qemali kthehet në Shqipëri e zgjidhet deputet në Parlamentin osman. Karroca e tij mbahet në krahë nga vlonjatët nga moli në qendër të qytetit. E donim kaq shumë në Vlorë?
Ismail Qemali kishte lindur në Vlorë ku familja e tij drejtonte Sanxhakun e vlorës që nga viti 1480. Pavarësisht se ai ishte larguar i ri nga Vlora asnjëherë nuk i kishte ndërprerë lidhjet me vendlindjen. Të gjithë shqiptarët që shkonin në Stamboll gjenin gjithmonë mbështetjen e tij. Ai konsiderohej si përfaqësuesi më i shquar i familjes Vlora. Menjëherë pas shpalljes së kushtetutës populli i Vlorës, me anë të një telegrami, iu lut të kthehej në vendlindje. Ardhja e tij u kthye në një manifestim popullor. Një delegacion prej 39 vetave kishin shkuar ta prisnin në Korfuz. Në skelë kishte dalë ta priste gjithë populli i Vlorës. U mbajtën fjalime të ndryshme patriotike në nderim të tij; u zbrazën të shtëna topo, si në skelë ashtu edhe në qytet. Për të shprehur dashurinë dhe respektin e madh, që populli ushqente për birin e tij, karrocës së ismail Qemalit i hoqën kuajt dhe e morën në krahë përgjatë gjithë rrugës prej afro 2 km, deri në qendër të qytetit.
Në kujtesën e familjes Vlora, shqiptarët e fituan pavarësinë apo kjo ishte rezultat i politikës së ‘800-ës e cila bazohej në ekuilibrin midis fuqive të mëdha dhe kompensimin e fituesve?
Për mendimin tim, njëkohësisht bazuar edhe në «Kujtimet» e Ismail Qemalit dhe vlorajve të tjerë, shqiptarët e fituan dhe merituan krejtësisht Pavarësinë. 28 nëntori 1912 ishte kurorëzimi i luftrave shekullore të popullit tonë. Ata që hera herës e paraqesin Pavarësinë si një «dhuratë» të politikës europiane apo një zgjidhje të saj, nuk bëjnë gjë tjetër veçse denigrojne veprën dhe sakrificat e patriotëve tanë dhe përpjekjet shekullore të shqiptarëve për pavarësi. Sigurisht gjatë Luftës I-rë Ballkanike, kur shqiptarët Shpallën Pavarësinë, ekzistonin kontradikta midis Fuqive të Mëdha të kohës të cilat, për të ruajtur ekuilibrin e tyre menduan jo të krijojnë por të mbështesin Pavarësinë e Shqipërisë. Pra këtu është një diferencë e madhe.
Ismail Qemali, gjatë lëvizjeve të tij në kryeqytetet europiane (tetor-nëntor 1912) në mbrojtje të çështjes kombëtare, arriti t’i bindë Fuqitë e Mëdha të mbështesnin aksionin e shqiptarëve dhe përfitimi që ai nxorri nga kontradiktat dhe interesat e Fuqive duhet konsideruar padyshim si një arritje gjeniale. Pra a s’është edhe kjo një fitore më vete?
Pa dyshim që pavarësia e shqiptarëve ishte edhe në interes të vetë Europës. Në 2 prill 1913, në një artikull të gjatë në faqe të parë të prestigjozes «Il giornale d’Italia», gazetari italian Benedetti shkruan: “Kauza e paqes i detyrohet shumë këtij njeriu që pati detyrën historike më të vështirë në betejat diplomatike më të cilën iu desh të përballej. Do kish qenë më e lehtë për të, të zhbënte Europën”.
Ismail Qemali udhëtonte shpesh në Itali. Që në fillim të 1900-ës, disa të përditshme italiane I dedikuan faqen e parë. Cilat ishin lidhjet e tij me Italinë?
Ismail Qemali udhëtonte shpesh në Itali, shpeshherë duke qëndruar gjatë nëpër qytetet italiane si Roma, Milano, Napoli, San Remo, etj. dhe kishte krijuar lidhje personale me mjaft personalitete italiane të kohës, midis të cilëve Markezin San Giuliano i cili më pas, pikërisht në prag dhe gjatë viteve të para të pavarësisë, ishte Ministër i Jashtëm i Italisë. Idetë e Ismail Qemalit, si në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë si në lidhje me raportet italo-shqiptare, dalin qartë në intervista të ndryshme që ai ka lëshuar në shtypin italian, shumë herë publikuar nga periodikë prestigjoz dhe në faqet e para të tyre. Pavarësisht se lidhjet dhe miqësitë më të forta ai i kishte me burrat e shtetit anglez, përsa i përket të ardhmes së Shqipërisë ai kërkoi që të gjente mbështetjen kryesore tek Italia. Deri në fund të jetës Ismail Qemali shpresoj tek ndihma e sinqertë italiane dhe bëri të pamundurën që të tërhiqte vëmendjen si të qeverisë ashtu edhe të industrialistëve italianë për të bashkëpunuar me Shqipërinë.
Çfarë shkruanin gazetat italiane për Ismail Qemalin?
Ka artikuj të shumtë të shkruar në vite të ndryshme. Për shembull, menjëherë pas pavarësisë së Shqipërisë, e përditshmja “La Stampa” në faqe të dytë shkruan kështu:
“Në pritje të ngjarjeve që pashmangshmërisht do të ndjekin shpalljen e pavarësisë shqiptare, kurioziteti përqendrohet tek njeriu që është vënë në krye të lëvizjes që arriti qëllimin e saj, Kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemalin.
Ismail Qemali nuk është i panjohur në Europë e sidomos në Itali. Dashurinë për vendlindjen e tij e pagoi me persekutimet nga ana e Abdul Hamitit dhe më pas me internimin. Revolucioni i Xhonturqve e nxorri nga vendqëndrimi i tij në Paris. Ai besoi në një shndërrim të Turqisë në një Konfederatë kombësish me të drejta të barabarta si Zvicra apo Austria. Historia e tre viteve te fundit, i dha te drejtë Ismail Qemalit. Por, para se vërehej shpërbërja e Turqisë, duke parashikuar fatin e rrezikuar të vendit të tij, vrapoi ne Romë e Vienë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, më pas shkoi në Durrës e Vlorë, ku Kuvendi i shqiptarëve e zgjodhi Kryetar të Qeverisë së Përkohshme.
Ismail Qemali është një plak simpatik, i gjatë, i kuq në fytyrë, me sy të çelët e të gjallë e me mjekër të bardhë. Figurë e shquar, vishet alla europiançe, kryesisht me një “redingote” të pakapshme. Mendje e ndritur, flet rrjedhshëm 5 gjuhë, kupton italisht por e flet me pak vështirësi. Është i informuar për çështjet ndërkombëtare dhe njeh personalisht politikanët europianë kryesore”.
Italia është vendi ku Ismail Qemali vdiq në 24 janar 1919, siç thuhet “në rrethana jo të qarta”. Pse gjendej në atë periudhë në Shqipëri e mund të ketë pasur një komplot kundër tij?
Saktësisht Ismail Qemali erdhi në Itali, nga Genova, më 9 dhjetor 1918 dhe mbylli jetën pikërisht në qytetin e Peruxhias, më 24 janar 1919.
Në përfundim të Luftës I-rë Botërore çështja e kufijve të Shqipërisë sigurisht do të shqyrtohej përsëri. Interesat e Italisë kishin qenë dhe ishin akoma të mëdha në lidhje me çështjen shqiptare ndaj, për të bashkërenduar veprimet qeveria italiane e ftoj Ismail Qemalin në Romë. Në atë kohë ai ndodhej në Spanjë dhe ishte zgjedhur nga shqiptarët e Amerikës si përfaqësues i tyre në Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare.
Më 23 janar 1919 ndërsa priste në Peruxhia, Ismail Qemali pësoi një emoragji cerebrale dhe megjithë kurimet e mundshme vdiq më 24 janar. Ka patur mendime të ndryshme mbi vdekjen e tij, e cila përkoi në një moment mjaft delikat për çështjen kombëtare dhe kur ndihma që pritej prej tij ishte e mjaft e rëndësishme. Sigurisht, si përfaqësues i çështjes kombëtare ai kishte edhe armiq, armiq të betuar të Shqipërisë, ndaj ekziston mundësia që të ketë patur edhe një komplot ndaj tij pikërisht nga qarqet antikombëtare.
Një fakt tjetër që bën përshtypje është prishja e varrezës së Vlorajve nga regjimi komunist. Në ç’vit ndodhi e përse?
Që nga viti 1500, kur pranë kalasë së Kaninës u varros Sinan Pasha, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, njohur edhe si themeluesi i Familjes Vlora, edhe pjestarët e tjerë të familjes u varrosën gjithmonë aty duke u kthyer pak nga pak në një varrezë madhështore familjare. Në të, midis shumë familjarëve të shquar, ishte edhe varri i një tjetër Veziri të Madh të Perandorisë, Ferid Pasha Vlora. Urrejtja e komunistëve ndaj familjeve të mëdha nuk njihte kufij ndaj, për të zhdukur çdo shenjë të mundshme, ata shkatërraun edhe varrezat e vlorajve, në vitet e para të «çlirimit». Aty nga viti 1980 hapën edhe arkivolin e Ferid Pashait dhe trupin e tij të balsamosur, gati 70 vjet pas vdekjes, e hodhën në ferrat e varrezave të fshatit. Sot aty, përveç vendvarrimit të Sinan Pashait, nuk ka mbetur asgjë dhe ajo madhështi ekziston vetëm nëpër foto për të dëshmuar krimin dhe shkatërrimin komunist.
Ndoshta ke qenë i pari që ka bërë një ekspozitë fotografike për Ismail Qemalin si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj. Bile të parën e ekpozove në ambjentet e shtëpisë tënde në Sirtori me rastin e 165 vjetorit të lindjes që përkon edhe me 90 vjetorin e vdekjes. Duket sikur kujtesa historike e një burri shteti si Ismail Qemali në Shqipëri konsiderohet çështje familjare. Është kështu?
Eshtë e vërtetë që kam qenë i pari që i kam kushtuar ekspozitë fotografike krejtësisht Ismail Qemalit. Herën e parë e organizova në ambientet e shtëpispë ku banoj. Ishte më tepër një pritje private, ku midis miqve të ftuar ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Spartak Topollaj. Më pas, me mbështetjen e shoqatës «Scanderbeg» Parma, gjatë javës së kulturës shqiptare, që përkoi me Festën e Flamurit, organizuam një tjetër ekspozitë ku paraqita disa foto dhe artikuj nga shtypi italian mbi jetën dhe veprën e Ismail Qemalit. Unë nuk mendoj që “kujtesa historike” e një burri shteti, e aq më tepër e Ismail Qemalit, të mbetet apo kthehet një çështje familjare. Herë pas here, si kudo dhe ngado, ka momente antikombëtare, denigruese, indiferentizmi, etj., por janë gjithmonë momente kalimtare. Në kujtesën kombëtare emri dhe figura e Ismail Qemalit është ngulitur thellë, sepse emri i tij është i lidhur përjetësisht me Veprën e madhe kombëtare, Shpalljen e Pavarësisë, ndaj populli, ai që të pavdekëson, i ka thurrur vargjet lapidar: «Unë jam Smail Qemali / prapa më vjen Historia».
Padyshim që është detyra e historianëve të shkruajnë historinë e vendit dhe figurave kombëtare dhe, në këtë rast, detyrë e familjarëve për t’i ndihmuar ata. Por, kur historianët bëjnë politikë, shkruajnë historinë në shërbim të saj ose heshtin (dhe ky fenomen fatkeqësisht ka ndodhur, ndodh dhe ka për të ndodhur) atëherë detyra e trashëgimtarëve është që ta tregojnë ata historinë e paraardhësve të tyre. Në këtë rast unë kam dhënë kontributin tim, aq sa kam mundur dhe do përpiqem ta jap edhe më pas. Pavarësisht nga prejardhja, për të cilën sigurisht që ndjehem krenar, figurën e Ismail Qemalit unë tashmë nuk e shikoj më të lidhur me aspektin familjar. Sigurisht lidhja familjare është një motiv më tepër që më shtyn të kontribuoj për të hedhur dritë akoma më shumë mbi veprën e tij por unë tashmë atë e shikoj krejtësisht si një figurë historike të cilën, ashtu si edhe figura të tjera të shquara kombëtare, brezi i sotëm e brezat në vazhdim duhet ti njohin sa më shumë për t’i patur si pika referimi sot e në të ardhmen.
Kush është objektivi i ardhshëm në angazhimin tënd për të “vënë në vend” kujtesën historike të Ismail Qemalit?
Pas vizitës që bëra në Kosovë, në tetor të vitit të kaluar, në bashkëpunim me prof.dr.
Eqrem Zenelaj, shqiptar nga Kosova, i cili pas kërkimeve që ka bërë nëpër arkivat austriake ka gjetur mjaft dokumenta interesante dhe të rëndësishme, pjesa dërmuese të panjohura, mbi familjen Vlora, kemi në projekt një punim mbi gjenealogjinë dhe historinë e Familjes Vlora. Pra do jetë një punim që do hedhi dritë jo vetëm për veprën e Ismail Qemalit por edhe mbi shumë personalitete të tjera të kësaj familje të cilët i dhanë nder e lavdi kombit tonë, histori, deri më sot, e lënë krejtësisht në harresë.