Në një intervistë për AlbaniaNews, Zv. Ministrja e Arsimit Nora Malaj, e ftuar në Ravenna në një takim për dialogun ndërfetar, flet për çështjet që lidhen me mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve që banojnë jashtë Shqipërisë, njohjen e diplomave, fenomenin e braktisjes së shkollave, arsimin e lartë dhe marrëdhëniet me Kosovën në fushën e arsimit.
Pas 20 vitesh neglizhencë nga qeveritë shqiptare duket sikur po lëviz diçka në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ka dy iniciativa të Ministrisë së Arsimit në këtë drejtim. Paketa informuese “Alterteksti 2010-2011” që lidhet me botimin e teksteve shkollore parashikon edhe hartimin e teksteve për fëmijët e emigrantëve për vitin shkollor 2011-2012, ndërsa në gusht është mbyllur një konkurim për metodat online të mësimit ku është përfshirë edhe gjuha shqipe për fëmijët e emigrantëve. Ç’përbëjnë në thelb këto dy iniciativa, ndoshta ka edhe të tjera që ju mund t’i përmendni, a janë pjesë e një projekti më të gjerë dhe cili është programi i qeverisë shqiptare për mësimin e gjuhës dhe ruajtjen e kulturës shqiptare jashtë Shqipërisë, sidomos në Itali e Greqi ku janë edhe dy komunitetet më të mëdha?
Natyrisht që mësimi dhe njohja e gjuhës shqipe nga emigrantët që jetojnë jashtë Shqipërisë është sa parimor aq edhe e drejtë e parashikuar nga kartat e të drejtave të njeriut. Qeveria bën politika për ruajtjen e identitetit të qytetarëve të saj, pasi sa më mirë të mësojnë gjuhën shqipe fëmijët e tyre aq më lehtë integrohen e përvetësojnë gjuhën e huaj. Parë në këtë këndvështrim, qeveria shqiptare, përveç problematikave shumë të mëdha në drejtim të reformave arsimore, i konsideron si prioritete të domosdoshme mësimdhënien dhe mësimnxënien nga fëmijët e emigrantëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Së pari për të ruajtur identitetin e tyre, së dyti për t’u dhënë mundësinë të bëhen mbështetës të integrimit shqiptar në Europë dhe së treti për të përmbushur një nevojë të domosdoshme të çdo shtetasi në respekt të të drejtave dhe lirive të tij. Për realizimin e këtyre prioriteteve duhen disa programe konkrete e marrëveshje dypalëshe midis qeverive.
Në vitin 2007 është nënshkruar një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke në këtë drejtim dhe pas marrëveshjes së parë janë bërë disa përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe, por që të realizohet kjo duhet që të njihet dhe institucionalizohet nga autoritetet përkatëse të vendeve pritëse. Sigurisht kjo lidhet edhe me pozicionin e komunitetit, forcën e tij, të drejtën e votës dhe me ato të drejtat që mund të fitojë në vendet ku jetoj. Aktualisht, kemi bërë të mundur që një shkollë shqipe e hapur në Selanik falë dëshirës dhe angazhimit vullnetar të komunitetit shqiptar që jeton atje, të marrë tekstet bazë si abetarja, gjuha shqipe e leximi pa detyrime financiare nga një kontigjent shtetëror. Për këtë arsye, është përfshirë në Paketën Informuese Altertekst edhe një zë për përgatitjen e teksteve për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve. Në këtë mënyrë, shtëpitë botuese kur të bëjnë vlerësimin dhe më pas botimin e teksteve përkatëse t’u japin mundësinë shoqatave të interesuara të bëjnë marrëveshje për të marrë bazën materiale.
Një arritje tjetër positive u realizua vjet në Angli: parlamenti anglez vendosi që të pranojë gjuhën shqipe duke i lejuar komunitetit shqiptar të ruajë gjuhën dhe identitetin e tij. Në këtë mënyrë fëmijët që jetojnë në këtë vend mund të bëjnë mësim edhe në gjuhën shqipe.
Po bëjmë përpjekje edhe në Itali, ku përveç familjeve gjenden edhe një numër i madh studentësh. Në Parma para disa ditësh ka filluar viti i dytë i shkollës shqipe në mënyrë vullnetare. Ne jemi shumë të vëmendshëm për ta ndjekur këtë si një projekt pilot, i cili mund të shtrihet e mund të krijojë rrjetet e nevojshme që më pas të institucionalizohen. Instituzionalizimi i këtyre raporteve do të thotë të krijojmë së pari bazën reale të teknikëve, pra të mësuesve të cilët mund të jenë ose vullnetarë që jetojnë këtu ose që vinë nga Shqipëria, por për momentin nga Shqipëria është pak e vështirë pasi kjo lidhet me mundësitë financiare, dhe së dyti të vendosim një standard të mësimit të gjuhës shqipe të përcaktuar në Shqipëri.
Aktualisht janë shoqatat shqiptare që me mundësitë e tyre financiare e vullnetare mbulojnë këtë nevojë të komunitetit. Shpeshherë këto projekte mbarojnë për pamundësi fondesh apo hapësirash ku të bëhen kurset, pavarësisht dëshirës dhe angazhimit vullnetar të mësuesve dhe komunitetit. Si do të përfshihen këto shoqata dhe komuniteti në të ardhmen në këtë proçes dhe si do zgjidhet ana financiare?
Mendoj që këto janë politika sa të shtetit shqiptar aq edhe përfaqësive diplomatike që kemi këtu. Ambasada dhe konsullatat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë aspekt, sidomos ato funksionarë që merren me problemet kulturore dhe sociale. Njëkohësisht kjo lidhet edhe me rëndësinë që i jep komuniteti shqiptar këtu kësaj problematike. E them këtë pasi të gjesh të ardhurat ose financat është shumë e thjeshtë kur e ke të qartë problemin.
Ka disa mënyra për të realizuar marrjen e fondeve. E para është forma vullnetare ku secili mund të vërë në dispozicion burime të ndryshme që do të shërbejnë më pas për një qëllim të caktuar, e dyta nëpërmjet projekteve të përbashkëta: vendet si Italia, Greqia, Anglia, Franca, Gjermania, ku janë edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve, së bashku me shoqatat e ndryshme mund të bashkëpunojnë për të fituar projekte nga programi komunitar IPA. Bashkimi Europian është shumë i interesuar që identitetet e shteteve ti kristalizojë më shumë, duke u dhënë prioritet në formimin kulturor dhe të identitetit të tyre. Këto fonde s’janë të vogla dhe mund të përdoren për mësimin e gjuhës, trajnimin e mund të shërbejnë për pranimin e këtij komuniteti në vendin ku jeton si të ndryshëm por të barabartë. E treta mendohet që edhe qeveria shqiptare ta shikojë çështjen e emigrantëve si të domosdoshme përsa i përket proçeseve të edukimit dhe proçesit të drejtës së votës, për t’u dhënë mundësinë të zgjedhin njerëzit të cilët t’i përfaqësojnë në institucione për krijimin e politikave në favor të tyre. Këto do jenë hallka të shpejta që do të realizohen besoj për dy tre vjet.
Gjithashtu mendoj se administratat lokale në Itali, sidomos ku shqiptarët janë një prani e rëndësishme, të fillojnë ta parashikojnë si një zë në buxhet pasi në fund të fundit do të mbulohej edhe nga taksapaguesit shqiptarë.
Studentët shqiptarë të diplomuar jashtë shtetit kanë hasur vështirësi e vonesa në njohjen e diplomave tyre nga ana e Ministrisë së Arsimit. Për më tepër, kur mbaron ky proçes, ata marrin një çertifikatë që ngjan më tepër me një përkthim se sa me një njësim të diplomës me ato të sistemit universitar shqiptar. Në të ardhmen a do të ulen kohët dhe do të bëhet një njësim i diplomave?
Mendoj që kjo mund të quhet një çështje e mbyllur dhe kam kënaqësi t’ju them që viti i ri akademik filloi me ligjin e arsimit të lartë të ndryshuar, i cili ka krijuar mjaft lehtësira edhe për proçesin e njohjes së diplomave.
Nëse deri në vitin 2009 kishim shumë vështirësi dhe për hir të së vërtetës radha për njohjen e diplomave ishte bërë aq e madhe saqë fjala mik quhej pa vlerë, tanimë proçedura është thjeshtuar pasi diplomat e vjetra jo vetëm që janë njohur por janë njësuar me vlerën reale që kanë. Kjo do të thotë që proçesi i Bolognës është realizuar plotësisht edhe Shqipëri në lidhje më këtë aspekt.
Ne kemi njësuar dhe sistemuar të gjithë sistemin e shkallëve të diplomimit. Një diplomë “bachelor” me 180 kredite, njihet si e tillë edhe në Shqipëri duke përfshirë kreditet dhe duke u shoqëruar me programin që studenti ka ndjekur.
Gjithashtu diploma Master Profesional me 90 kredite është po e njëjtë me masterin profesional në vendet europiane, diplomat “master of science” dhe “master of arts” me 120 kredite jepen me të njëjtën vlerë diplome siç janë në perëndim dhe diploma “doktor i shkencave” jepet po ashtu e njësuar.
Për këtë arritje duhet falenderuar grupi që vendosi ta ndryshojë, parlamenti që e votoi pasi përfituesit kryesore janë të gjithë studentët të cilët duke lëvizur në zonën europiane të arsimimit sipas modelit të bolognës e kanë shumë të thjeshtë njësimin e diplomës deri në një urdhër që do nxjerrë ministria që diplomat që do merren këtu, nuk do të kenë nevojë të njësohen më për arsye se me liberalizimin e vizave do jenë të njëjta me diplomat tona. Nga ana tjetër, diplomat tona kanë mundësinë që të njihen në universitetet europiane dhe nëpërmjet programeve të ndryshme si Tempus e Erasmus, studentët që studiojnë në Shqipëri mund të kryejnë pjesë të studimeve në semestra të caktuar në universitetet europiane, përfshirë ato italiane dhe anasjelltas studentët e huaj dhe italianë do të mund të vinë në universitet shqiptare.
Ka pasur disa projekte në të kaluarën në lidhje me rikthimin e profesionistëve dhe studentëve që janë diplomuar jashtë Shqipërisë. Aktualisht ç’programe ka në këtë drejtim?
Vazhdojnë programet e “Brain gain” dhe Fondit të Ekselencës. Po të shikohet në kuadrin e politikave të hapura, tashmë lëvizja nuk do jetë më problem si në të kaluarën kur Shqipëria kaloi një kolaps dhe shpesh duke mos pasur besim në standartet e institucioneve shqiptare, shumë të rinj e familje shqiptare u detyruan të emigrojnë duke lënë një pjesë të mirë të punëve të tyre intelektuale për t’u marrë me punë sporadike në vendet ku ata kanë jetuar ose jetojnë. Atëherë qeveria vendosi të bëjë një politikë duke thithur e ofruar vende në administratë apo institucione akademike.
Në fakt kjo politikë ka pasur anë pozitive e negative. Pozitive sepse rikthehej truri, ajo pjesë intelektuale e nevojshme për të kontribuar në administratën publike, duke marrë një model ndryshe nga modeli ekzistues dhe duke krijuar ballafaqimin e mendimeve ndryshe. Nga ana tjetër, vështirësitë nuk qenë të pakta. Ata që u kthyen menduan se ishin më të mirët, duke qenë larguar prej vitesh e patën të vështirë të përshtaten me kontekstin shqiptar dhe ndonëse erdhën me teorinë e punës në grup në fakt krijuan identitetin e tyre duke mohuar gjërat. Kjo krijoi një handikap deri diku edhe të papëlqyeshëm aq sa u rishfaq modeli i vetmbrojtjes nga funksionarët që nuk ishin formuar jashtë.
Në fakt, një pjesë e mirë e tyre dha kontribute shumë pozitive, një pjesë tjetër nuk realizoi pritshmëritë. Gjithsesi rikthimi i trurit ngelet një politikë shumë pozitive. Kush e ndjen veten të gatshëm mund të kthehet të kontribuojë dhe kjo është një vlerë e shtuar pasi eksperienca jashtë i shumëfishohet duke i ofruar mundësinë por duke i provuar edhe kapacitetet se jo të gjithë ata që kanë ikur jashtë mund ti kenë të vërteta ato për të cilat paraqiten.
Nga ana tjetër, politikë shumë pozitive është Fondi i Ekselencës ku dua të ndalem pak. Jam ndjerë krenare gjatë ekzaminimit të studentët kandidatë për të fituar bursën e shtetit. Një pjesë e madhe e tyre studionin në universitetet e huaja ose kishin përfunduar një pjesë të studimeve në Shqipëri e një pjesë jashtë saj. Sinqerisht referencat e ardhura nga profesorët e huaj ishin të shkëlqyera sidomos ato të shkencave ekzakte ku unë drejtoja matematikën dhe dua të falenderoj të gjithë ata studentë që me krenari shumë të madhe të bën të ndihesh mirë në fushën e kërkimit shkencor. Kjo është një pikë shumë e fortë që do ta mbështesin edhe sivjet për të rritur shkallën e kërkimit shkencor që është një domosdoshmëri në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Shqipëri.
Sa janë të pranishëm fenomenet e analfabetizmit dhe braktisjes së shkollës në Shqipëri dhe ç’bëhet për t’i luftuar?
Realisht kam kënaqësinë të jap shifra pozitive pasi po e drejtoj vetë këtë reformë që lidhet me politikat e partisë që përfaqësoj. Kur pranuam të ishim pjesë e koalicionit qeveritar, e bëmë në bazë të një programi të caktuar dhe një nga prioritetet tona ishte zerimi i braktisjes së shkollës nga fëmijët. Ka disa faktorë që ndikojnë në këtë fenomen. Së pari varfëria, së dyti shtresat e margjinalizuara si ato rome dhe egjiptiane, së treti fëmijët me aftësi të kufizuara dhe së katërti fëmijët e emigrantëve që migronin jo vetëm jashtë vendit por edhe brenda tij. Kontigjenti më i madh që rriste shkallën e analfabetizmit ishte ai i romëve dhe egjiptianëve.
Sot, shifra globale e braktisjes së shkollës është 0,8%, pasi për herë të parë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka ndërtuar një strategji ku 673 fëmijë rom kanë hyrë në proçesin e të mësuarit, janë të regjistruar e pajisen me dëftesë sipas shkallëve të klasave që frekuentojnë. Po ndiqet një politikë integruese duke mos krijuar më si dikur klasa speciale për ta, por klasa integrale në mënyrë që ata jo vetëm të shkollohen por edhe të integrohen në komunitet.
Faktor tjetër ishte edhe ai i fëmijëve që nuk ndiqnin arsimin parashkollor, kopshtet. Si rezultat i kësaj, shkolla fillore u bëhej shumë më e frikshme dhe duke mos marrë rezultate, detyroheshin ta braktisnin. Për këtë arsye sivjet janë hapur 100 kopshte pranë shkollave, të cilat bëjnë kalimin dhe integrimin në mënyrë të zbutur në arsimin fillor. Për herë të parë kemi vërejtur edhe një fenomen shumë pozitiv, deri dje braktisnin shkollat sidomos vajzat në zonat rurale apo preurbane, kurse sot në të gjithë sistemin shqiptar, 92% në zonat rurale, preurbane dhe urbane janë regjistruar në gjimnaz. Duke mos qenë arsim i detyruar, do të thotë që po rikthehet besimi tek standartet e shkollës.
Sigurisht që këto janë aspekte pozitive por përderisa ekziston edhe një 0,8%, dmth që ekziston si fenomen. Për këtë arsye për familjet e varfra, po bëhen një sërë politikash: u ulet çmimi i teksteve shkollore 50%, u krijohet mundësia që me komunat dhe bashkitë të realizohet transporti falas për ata që e kanë shkollën larg dhe u janë vendosur disa mësues që në kurset e pasdites ti aftësojnë nxënësit për të mos u ndjerë keq në thithjen e kapaciteteve të sistemit arsimor.
Pranohet gjerësisht nga opinioni publik shqiptar që në Shqipëri është e thjeshtë të marrësh një diplomë: mjaft të paguash. Në një farë mënyre, universitetet private janë forma e ligjëruar për t’u diplomuar pa shumë mundim. A nuk ka kjo pasoja si në uljen e nivelit të mësimdhënies e dobësimin të qarqeve akademike, ashtu edhe në formimin e klasës drejtuese dhe profesionistëve të ardhshëm? Ç’bën qeveria për të luftuar këtë problem?
Natyrisht që kjo thuhet, nuk është dokumentuar dhe siç thotë populli: nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë. Unë nuk dua të merrem me thënie por flas nga pozita institucionale. Qeveria Berisha ka qenë shumë e ndjeshme ndaj reformës së arsimit të lartë, e cila është konsideruar prioritet mbi prioritetet. Ka shumë për t’u bërë dhe dihet që investimi në arsim jep frutet e tij pas 20 vitesh.
Fytyra aktuale e arsimit është rezultat i reflesioneve që patëm në vitin ‘90. Mos harro që u desh 20 vjet që të dnryshohej mentaliteti dhe ky mentalitet krijoi rotacizmin dhe ndryshimin në cilësinë, menaxhimin dhe kuptimin e sistemit arsimor.
Aktualisht, tendenca është e madhe si ndaj shkollave publike ashtu edhe atyre private. Në arsimin e lartë privat u dha shanci që nëpërmjet garës së ndershme të nxirret produkti më i mirë. Gjithmonë kur synohet cilësia fillimisht kjo paraprihet nga sasia. Ka edhe fenomene negative ose korruptive që na shqetësojnë të gjithëve si shoqëri por fakti që sot kemi rreth 130 mijë studentë të regjistruar në universitet publike dhe private, do të thotë që kemi hapur një tendencë pozitive për të parë dhe krijuar qasjet më produktive për shoqërinë dhe sa më shumë të krijohen universitete aq më shumë ulet shkalla e margjinalizimit të shoqërisë dhe aq më shumë ngrihet cilësia e standartit të jetesës.
Qytetarët shqiptarë kanë një tendencë të trashëguar nga periudha e socializimit ku shoqëria ishte planifikuar dhe ndërtuar mbi tjetër model, atë të planifikimit i cili çonte në standartizim dhe dallim midis klasës punëtore dhe shtresës intelektuale. Nëse bëje një shkollë quheshe intelektual. Sot, vërehet që regjistrimi në fakultete bëhet në funksion të tregut të punës. Kjo tendencë është kthyer në modë aq sa prindi shqiptar vetësakrifikohet duke prishur edhe raportin me fëmijët pasi duke dashur t’i ndihmojë edhe kur nuk janë të aftë për të vazhduar studimet e duke i dhënë para pa fund, krijojnë pozicionin e një parasiti i cili nuk është në gjendje të shohë më larg e të menaxhojë aftësitë e veta. Pas moshës 18 vjeç, prind duhet të udhëheqë fëmijën në rrugëtimin e tij por jo ti sigurojë çdo hap të jetës së tij sepse kështu e bën të paaftë. Ju e dini shumë mirë çdo të thotë të jesh student në në një vend të huaj, sado të ardhura që të sjellin prindërit, nëse nuk punon, nuk e siguron dot të ardhurën tënde. Pra e parë në këtë qasje mund të them që sot jemi në një moment shumë të rëndësishëm për sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, nuk është e vërtetë që të gjitha universitetet private s’janë të liçensuara dhe të akredituara. Duhet të ndajmë dy momente. Asnje universitet nuk fillon aktivitetetin e tij nëse nuk është i liçensuar me Vendim të Këshillit të Ministrave për hapjen e aktivitetit. Pra çdo aktivitet nuk është i panjohur dhe më vjen shumë keq pasi nganjëherë edhe ambasadat luajnë rol negativ, duke dashur të luajnë edhe rolin e sekserit ndonjëri për arsye të marrëveshjeve me ndonjë universitet privat ku mund të fitojë edhe ndonjë të ardhur, i humbasin të drejtën e njohjes publike një universiteti në emër të një tjetri, dhe shpeshherë në marrëveshjet që bëhen për punësimin e shqiptarëve sidomos në sektorin e infermierisë nga universitet e ndryshme vërehet që krijohet një barrierë në marrjen e punës për arsye se këtu sjellin një letër e cila nuk është legale ku thuhet se filan universitet nuk është njohur. Në websitin e Ministrisë së Arsimit mund të gjeni të gjitha universitetet private të akredituara dhe të liçensuara nga shteti. Akreditimi është si të thuash vlefshmëria e cilësisë së studimit, por diploma është e vlefshme gjithsesi në momentin që del pasi universiteti që e lëshon është i liçensuar për këtë aktivitet dhe të gjithë ata që u intereson vlefshmëria e kësaj diplome duhet të shohin websitin e Ministrisë së Arsimit. Ministria është monitoruesi, vlerësuesi dhe shikon standartet. Atje ku ka garë, ka edhe cilësi e standarte të mira.
Aktualisht një pjesë e mirë e universiteteve private janë hapur nga biznesmenë, të cilët i konsiderojnë si biznese. Nuk do të ishte më frutdhënëse për të gjithë shoqërinë dhe nivelin e arsimit të lartë shqiptar që universitetet private të liçensoheshin vetëm në formën e fondacioneve joqeveritare pa qëllime fitimi ku të ardhurat e mundshme të reinvestoheshin në to?
Është pyetja më e bukur dhe do të doja që ta hapnit në forumin tuaj online dhe të merrni feedbackun e të gjithë studentëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne sapo kemi lançuar me një konferencë që organizuam me Kryeministrin në shtator, pikërisht një nga pikat më të forta që lidhet me reformën financiare të sistemit të arsimit të lartë shqiptar. Është menduar të shikohet që si universiteti publik dhe ai privat, pas vlerësimit dhe renditjes së tyre nga një kompani gjermane, e cila aktualisht ka nënshkruar marrëveshjen, duhet të kalojnë sistemin e reformimit. Në qendër do vihet studenti dhe do jetë ai që do menaxhojë të ardhurat që i jep shteti, duke përzgjedhur shkollën ku do shkojë. Kjo është një reformë shumë interesante që mund ta konsultoni edhe në websitin e Ministrisë. Duke ndërmarrë këtë proçes, atëherë ne realizojmë edhe atë që thoni ju: reformën e drejtpërdrejtë në ngitjen e standartit të cilësisë, e cila do ndihmojë shumë që të gjitha universitetet të kthehen në shoqata jofitimprurëse dhe të reinvestojnë vlerat monetare në interest të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Kjo ka hasur shumë debate dhe diskutime siç hasi edhe amendimi i ligjit për arsimin e lartë. Ndoshta ne duhet t’ju kishim bërë edhe ju pjesë të feedbackut të këtij debati dhe atëherë do të ishin edhe mendimet më të ekuiliburara, por unë e bëj present këtë dhe do të doja që nga ju të hapet ky debat dhe të shikohet cilat do ishin mendimet jo vetëm të specialistëve dhe studentëve shqiptarë, por edhe të specialistëve dhe profesorëve të huaj, të cilët mund të bëhen pjesë e ketij proçesi duke dhënë eksperiencat e tyre më cilësore për të na ndihmuar në ndërtimin e modelit më të mirë. Aktualisht jemi në fazën e realizimit të këtij standarti.
Në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën në fushën e arsimit, a po shkohet drejt një standartizimi midis dy sistemeve arsimore dhe programeve shkollore?
Janë bërë marrëveshjet e para midis dy vendeve dhe tani jemi në fazën e marrëveshjeve të dyta të cilat do të rregullojnë strukturën, programet dhe tekstet. Pra që të realizohen tekste të përbashkëta duhet së pari që të standartizohet struktura, më pas programi e në fund tekstet. Ka një sinergji pozitive nga të dyja palët për realizimin e standartizimit të programeve dhe teksteve shkollore pa mohuar identitetin e duke ngritur vlerat e gjithësecilit, për të krijuar hapësirën shqipfolëse në Europën Juglindore.
Intervistë e dhënë per AlbaniaNews më 16 tetor 2010 në Ravena pas takimit publik mbi dialogun ndërfetar të titulluar “Ama il tuo prossimo: vivere il dialogo nella quotidianità. Esperienza di dialogo in Europa e Vicino Oriente”, organizuar nga Shoqata italiane LIFE dhe shoqata shqiptare e Ravenës “Nënë Tereza”.
Intervista është e konsultueshme dhe në italisht