Antonio Baldacci (Bologna, 1867-1950), autori i artikullit në vijim “Shkodra e Shqipërisë”, ka qenë një botanist italian dhe gjeograf, specialist i studimeve etnografike, politike dhe socio-ekonomike.
Që nga viti 1925 Baldacci u interesua kryesisht për Shqipërinë, jo vetëm duke u marrë me studime dhe botime të pavarura por, që nga viti 1928, bashkëpunoi me institucionet lokale në fushën shkencore dhe politike.
Nga viti 1931 deri në vitin 1939 ka qenë konsull i përgjithshëm nderi i Shqipërisë në Bologna; në vitin 1942 mori pjesë në Këshillin administrativ të drejtorëve të Qendrës Studimore të Shqipërisë pranë Akademisë Italiane. Deri në vitin 1943 ka qenë anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe Këshilltar kulturor i Luogotenencës së Përgjithshme në Shqipëri.
Ka lënë rreth 250 botime, përfshirë artikujt e botuar në revista dhe në vepra të ndryshme: ndër më kryesoret janë Itinerari albanesi (Itineraret shqiptare), Romë, Shoqëria Gjeografike Italiane, 1917; L’Albania (Shqipëria), Roma, Instituti për Evropën Lindore, 1929; Scritti Adriatici I (Shkrimet Adriatike I), Bologna, Kompozitorët, 1943, bocat e veprës së papublikuar «Leonardo da Vinci e il mondo delle piante» (Leonardo da Vinçi dhe bota e bimëve).
Nga Baldacci kemi trashëguar gjithashtu një arkiv shumë të pasur dhe bibliotekën e tij personale, që ruhet në Bibliotekën publike në Archiginnasio di Bologna , dhe natyrisht koleksionet e bimëve që gjenden në muzetë e Italisë dhe të huaj.
- Marrë nga Revista ITALIA!, Scutari d’Albania, A. BALDACCI
- Përkthimi në gjuhën shqipe: Gino LUKA
Këtu gjeni linkun e pjesës së parë
Shkodra e Shqipërisë – pjesa e dytë
Cila është popullsia e Shkodrës nuk dihet mirë. Statistikat në Turqi gjithmonë kanë një vlerë shumë të vagëlluar. Dhjetë vjet më parë kam sinjalizuar, sipas dokumenteve zyrtare, 40 mijë banorë, shifër kjo e rrumbullakuar, përveç 17 mijë banorëve në rrethina (i). Sipas llogaritjeve të tjera qyteti i Shkodrës do të numëronte një popullsi prej 80 mijë banorësh, nga të cilët 62 mijë shqiptarë myslimanë, 16 mijë katolikë shqiptarë dhe 2 mijë të tjerë me kombësi të ndryshme (2). Barbarich (3), që kishte në dispozicion shumë materiale krahasuese, ka dhënë këto shifra 25,800 myslimanë, 14 mijë katolikë dhe 4 mijë ortodoksë. Ai po ashtu jep 12 mëhalla myslimane dhe 2 katolike, 4700 shtëpi, 40 xhami, 12 kisha, 1500 dyqane, këto shifra janë pothuajse të barabarta me ato të miat, të dhjetë viteve më parë.
Pesëdhjetë vjet më parë, Boué, studiuesi i madh i vendeve të Turqisë së Evropës, ka shkruar për Shkodrën ashtu siç mund të shkruhet sot (4). Oborri i shtëpive ka një derë të vendosur më së shumti në sfond, dhe në mure shpesh gjenden frëngji për të gjuajtur në rast rrethimi. Çdo qytet shqiptar, ashtu si shtëpitë e çdo fshati gjithmonë presin se mund të sulmohen dhe, për rrjedhojë, duhet të jenë të gatshëm për mbrojtje. Dikur dyert ishin edhe prej hekuri; sot ato janë kryesisht prej druri, të rënda dhe shumë të fuqishme.
Të gjitha rrugët që gjenden përbri kopshteve të lagjes lindore janë të gjera dhe ndër skaje kanë diga për të parandaluar përmbytjet e Kirit. Shkodra ka fatkeqësinë e përmbytjeve. Kur shiu bie me rrëshekë – gjë që nga vjeshta deri në pranverë në pellgun e Liqenit të Shkodërs ndodh shpesh – Kiri ose liqeni, ose të dy së bashku të fryrë, kërcënojnë përmbytjen e qytetit; qarkullimi, atëherë, duhet të bëhet me barka.
Kopshtet e Shkodrës janë me nam. Toka është e shkëlqyer për rritjen e pemëve frutore dhe të perimeve; edhe portokallet dhe limonët rriten mirë direkt në tokë. Një veçori e prodhimit të frutave paraqitet nga shega, që në Shkodër ashtu si në Bari dhe gjetkë, prodhon fruta jashtëzakonisht të mëdha dhe të ëmbla.
Qytetet myslimane janë karakteristike për varrezat turke: në Shkodër ekzistojnë rreth pesëmbëdhjetë dhe secila prej tyre mbrohet nga një xhami dhe nga pemë të mëdha, çinarë. Të gjithë kopshtet, oborret, varrezat me tufat e pemëve aty e këtu, gjelbërimi midis bardhësisë së shtëpive dhe mureve, i jep Shkodrës pamjen e një fshati gjigant, më shumë se sa të një qyteti, ashtu siç e përfytyrojmë ne qytetin në kuptimin perëndimor.
Pjesa lindore e Shkodrës është më e shëndetshme, ndërsa afërsia e liqenit, kënetave të Bunës dhe tregu i peshkut e bëjnë lagjen e pazarit të rrezikshme për shkak të etheve. Në pjesën lindore edhe uji është më i mirë dhe më i pastër e më i freskët se sa ai i vendeve afër liqenit dhe lumit.
Shkodra ishte dhe është një nyjë me rëndësi të madhe rrugore, veçanërisht për komunikimet ndërmjet vendeve të Adriatikut dhe Turqisë në drejtim të luginës së sipërme të Vardarit, pra drejt Kosovës dhe Maqedonisë. Në shumë projekte për hekurudhën danubiano-adriatike, mendohet se kjo arterie e rendit të parë duhet të kalojë kryesisht nëpërmjet Shkodrës, duke e çuar atë deri në Shëngjin, i cili do të bëhej stacioni qendror i hekurudhës, duke ndërtuar pastaj një degë ndërlidhjeje me Barin (Tivarin) për të kënaqur nevojat e Malit të Zi. Në antikitetin romak duket se Shkodra ishte e bashkuar me Italinë me të njëjtat komunikime që i shërbenin Apollonisë (Fierit) dhe Durrësit, të cilat, duke u nisur nga Puglia, vazhdonin pak a shumë si sot të njëjtën rrugë komunikacionesh të shoqërisë “Puglia” të Barit.
Nga Shkodra niseshin rrugët dytësore, prej të cilave edhe sot ka gjurmë, në drejtim të luginës së lartë të Drinit nga njëra anë dhe për në Moravia nga tjetra: siç dihet, arteria kryesore transversale përfaqësohej nga Via Egnatia në të cilën kryqëzoheshin rrugët që vinin nga Labeatium, d.m.th. Nga Doclea (Duklja, Mali i Zi) dhe Shkodra (Scutari). Në Mesjetë rrugët e komunikacionit ilire u ruajtën dhe u përmirësuan nga serbët dhe më vonë nga Venedikasit. Nën turqit ata erdhën duke humbur shumë, si për sa i përket shpejtësisë ashtu edhe cilësisë, ndërkohë që mbetën të përshtatshme për tregtinë me karvanë, që është tregtia me anën e kafshëve: turqit nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë të njohur për ndërtimin e për mbajtjen e rrugëve funksionale.
Rruga e vjetër romake nga Shkodra në veri-perëndim deri në luginën e Zetës (Zeta, Principatë në kufi me Shkodrën), që është bërë e pa praktikueshme në kohën kur Mali i Zi mbajti kufijtë e vet të mbyllur drejt Turqisë, tani është një arterie e mrekullueshme e shërbyer së pari me rrugë ujore, me anijet italo-malazeze të liqenit të Shkodrës dhe më pas me rrugë tokësore, me makinat postare të Malit të Zi.
Kjo rrugë, siç ishte në kohë të Romës, së shpejti do të vazhdojë – sipas projekteve malazeze të rrugëve – për Tara (Serbi) dhe Hercegovinë në një drejtim dhe për Risanon (Risan, Mali i Zi) sipas drejtimit tjetër. Një arterie shumë popullore është ajo bregdetare që nga Shkodra kthehet mbi Durrës dhe pastaj shkon drejt Maqedonisë, por kjo rrugë nuk është veçse vazhdimi i asaj të mëparshmes, sepse në kohët romake, ajo vinte nga Dalmacia dhe shkonte duke i rënë rreth e qark Grykës së Kotorrit, ngjitej nga Risano në Mal të Zi, nga ku zbriste në Liqenin e Shkodërs për t’u bashkuar me rrugën e famshme Egnatia.
Komunikimet detare të sotme me Shkodrën mbahen në sajë të flamurit austro-hungarez, flamurit italian dhe flamurit malazez. Mund të thuhet se edhe tregtia bregdetare shqiptare deri në Liqenin e Shkodrës është e privilegjuar e në duart e Austrisë, për sa i përket shërbimit të shkëlqyer që Lloyd bën nga Trieste në drejtim të të gjitha porteve të bregdetit dalmato-shqiptar. Asnjë shoqëri kombëtare ose e huaj nuk mund të konkurrojë me Lloyd-in sepse qeveria austriake subvencionon me forcë linjat e transportit ujor dhe i shpërblen prodhuesit me qëllimin kryesor që ka për të siguruar gjithnjë e më shumë tregtinë e saj madje edhe duke u sakrifikuar mbi bazën e veprimit të saj politik.
Austria eksporton në Shkodër: sheqer, kafe, oriz, dru, alkool, mobilie, pëlhura të leshta, birrë, letër, lëkurë, shkrepëse, xhama, hekur të smaltuar, hekurishte, tjegulla dhe tulla, produkte mjekësore etj. Italia dërgon në sasi me të vogla: miell, vaj, produkte ushqimore, venë, pëlhura pambuku, lëkurë, pije, enë prej argjile, dhe vetëm herë pas here oriz dhe kafe nga Gjenova. Anglia importon pambuk të bardhë dhe me ngjyrë, hekurishte, produkte xhami. Franca: sapun, miell, artikuj mode dhe tjegulla marsejeze. Greqia: sapun, venë, konjak, tjegulla, tulla dhe disa sasi të vogla produktesh pambuku.
Turqia dërgon në Shkodër: drithëra, manifakturë pambuku dhe leshi, kinkaleri, mallra të përziera gjermane, franceze dhe italiane, të blera në Kostandinopojë dhe Selanik, që tregtarët e atyre qyteteve i porosisin me shumicë në fabrikat e huaja, pastaj i rishesin me parti të vogla malli e me kredi. Shkodra eksporton në Austri: vaj, lëkurë, lesh, qymyr, shqeme, skotan (variant i shqemes), etj.
Shkodra eksporton në Itali: vaj, dru zjarri, traversa e kuaj. Porti i Shkodrës është Shëngjini, i cili është larg nga kryeqendra tetë ose dhjetë orë me kalë sipas rrugës dhe sezonit dhe rreth po aq kohë duhet edhe me avullore nëpërmjet Bunës. Lloyd-i austriak bën rrugën e Shëngjinit nga dhe për në Trieste dy herë në javë dhe të njëjtën gjë e bën duke shkuar për në Lindje nëpërmjet Bunës deri në Obot. Shërbimi i Bunës bëhet me avullore e cila i merr mallrat e i transporton për në Shkodër.
Me anë të Liqenit nga Oboti në Kotor dhe anasjelltas: me këtë linjë avullorja përgjatë Bunës gjithashtu merr mallra e i transporton për në Shkodër e në të gjitha vendet përgjatë liqenit. Nga Oboti deri në Shkodër transporti bëhet me anijet e liqenit (lundra, sule); shërbimi për në liqen bëhet me take (anije me vela) ose me avullore dhe rimorkiator të ndërtuar qëllimisht nga Lloyd-i për përfaqësuesin e tij. Italia arrin në Shëngjin dhe pastaj në Shkodër me avulloret e Puglia-s, me linjën B dhe me linjën Shëngjin-Shkodër.
Deri në Shëngjin arrijnë nga Lindja disa avullore të shoqërive të lundrimit greke dhe otomane; nga Kotorri hyjnë në Bunë deri në Obot avulloret hungareze-kroate. Nga rruga e Barit (Tivarit), Shkodra shërbehet nga linjat e komunikacioneve italiane që mbërrijnë nga Bari (Itali) në Bar (Tivari) dy herë në javë me avulloret e Puglia-s dhe vazhdojnë kështu me karrocat e Malit të Zi deri në Virpazar në liqen: atje ata gjejnë shërbimin e rregullt të përditshëm të avulloreve të Shoqërisë së Barit (Tivari) në drejtim të porteve të liqenit.
Sot në Shkodër, mbetet nga emri ynë tradita e tregtisë, në gjuhën e biznesit, e cila është italishtja dhe diçka edhe në betejën për aspiratat kombëtare. Gjuha jonë mbahet atje deri më sot edhe në shkollat fetare të provincave të tjera. Shkodra ka qenë e bashkuar me Venedikun për sa i përket tregtisë; sot ajo është me Triesten. Ky është gjithmonë një bashkim i bukur për italianizmin. Ne shpresojmë që shqiptarët do të jenë në gjendje të fitojnë pavarësinë, e të kenë dëshirë ta mbajnë këtë lidhje!
Bibliografia
- (1) A. BALDACCI, Note statistiche sul vilayet di Scutari e la legge della montagna albanese, in «Rivista geografica italiana», VII, 1901.
- (2) E. BARBARICH, Albania.— Roma, 1905, pag. 279.
- (3) Veggasi LAIMTARI e SCHYPENIES; I marzo 1905.
- (4) Ami BOUÉ, Récueil d’Itinéraires dans la Turquie d’Europe, II, pag. 168. — Vienna, 1854.
- (i) A. DEGRAND, Souvenirs de la Haute-Albanie, — Paris, 1901. pag. 78.
Internet
- Robert Elsie
- Muzeu virtual Marubi
Ky artikull është i disponueshëm dhe në italisht
Lexoni gjithashtu: Antonio Baldacci: Shkodra e Shqipërisë (pjesa e parë)